Adhurimi dhe qetësia shpirtërore

XIKMAD.jpg

Silhouette of asian muslim man raising hand and praying during sunset background

Në ditët e para, namazi falej vetëm në mëngjes dhe në mbrëmje, me nga dy rekatë në secilën falje. Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të, kërkonte një vend të qetë për të kryer adhurimet e Tij karshi Allahut të madhëruar, andaj edhe shpeshherë dilte jashtë Mekës, ku në mes të pemishteve të hurmave ia hapte veç Atij dertet e mëdha që e shqetësonin. Një ditë prej ditësh, u larguan bashkë me Aliun e vogël,
e kishin filluar sakaq të faleshin. Mirëpo, as babai e as xhaxhallarët nuk e dinin që Aliu i vogël ishte bërë mysliman. Mos të ndodhë që, pikërisht në atë kohë, të kalojë edhe Ebu Talibi, babai i Aliut të vogël, nga ato anë. Atë e habitën tej mase lëvizjet e trupave, të nipit dhe djalit të tij. Në mbrëmje, shkoi pranë tyre, e i pyeti se ç’kishte ndodhur kështu:
– O djali i vëllait tim! Shpjegoma njëherë këtë fenë që ke pranuar? – e pyeti Ai.
– O xhaxha, – filloi të fliste i Dërguari i Allahut, me një zë që të ndikonte menjëherë në thellësi të shpirtit, – ajo është feja e Allahut dhe e engjëjve, e profetëve, dhe e të parit tonë, profetit Ibrahim. Ajo është feja me të cilën Allahu më ka ngarkuar për të ftuar njerëzit në rrugë të drejtë. Ndërsa ti, o xhaxha, je njeriu më i denjë, më i parë që duhet të më ndihmosh, e njëkohësisht të përfitosh prej ditës së këtij dielli, – i tha Ai.

Mirëpo, Ebu Talibi nuk ishte assesi i një mendjeje.
– O i biri i tim vëllai, unë nuk mund të heq dorë nga feja që ma kanë lënë si trashëgim të parët e mi. Megjithatë, dua që të më tregosh mua sa herë që të të ndodhë ndonjë gjë e papëlqyeshme, e unë do të jem përherë i gatshëm për të të ndihmuar me gjithë fuqitë e mia.

Megjithëse i thoshte këto fjalë, e po e mbyllte bisedën, nuk mund të duronte dot pa shtuar disa fjalë:
– Nuk kam se ç’të të kundërshtoj për këto që po më thua, veçse nuk e di… nuk mund të dal kështu i kërrusur e i turpëruar në sy të njerëzve, – shtoi ai, e sakaq u kthye nga i biri.
– Po ti more bir? Ç’të ndodhi që ke ndryshuar kaq shumë?
– Baba, unë i besova Allahut dhe të Dërguarit të Tij, – u hodh të fliste Aliu me zërin e tij ende fëmijëror. Gjithashtu e pranoj me gjithë zemër çdo gjë që më thotë Ai. Bashkë me Të kemi falur edhe namaz, andaj këtej e tutje nuk kam ndërmend që të ndahem më prej Tij.
Ebu Talibi nuk kishte asnjë mundësi që të mund të kundërshtonte, megjithatë, teksa po largohej u dëgjua tek thoshte me vete:
– Nëse është për Të, nuk kam kurrfarë dyshimi se të fton veçse për të mbarë; mos u nda asnjëherë prej Tij! Sepse prej Tij vijnë veçse të mira. Edhe unë e di se ato që thotë Ai janë veçse të drejta dhe të vërteta. Nëse nuk do të turpërohesha ndaj akuzave të grave të Kurejshit, patjetër që edhe unë do të kisha rendur pas Tij.
Çfarë lumturie! Çfarë fatlumësie që ishte për Aliun e vogël; ai do ta kalonte kohën veçse me Të, do të adhuronin Allahun së bashku, e gjithashtu do të ishin po bashkë teksa i përgjëroheshin me gjithë zemër portës së Të Drejtit Allah.

ilmihali

Share this post

scroll to top