Hamzai bëhet mysliman

camel-caravan.jpg

Hamzai ishte dy vjeç më i madh se i nipi, dhe njëkohësisht ishte vëlla qumështi me Të. E ëma e tij, Halja, ishte vajza e hallës së Aminës, nënës së Profetit. Kishte kohë që i ndiqte nga larg të gjitha ato çfarë po ndodhnin. I maste mirë e mirë në kokë ato që thuheshin për të nipin, por nuk po e jepte që nuk po e jepte dot një vendim përfundimtar.
Kishin kaluar vetëm dy vjet që nga koha që ishte shpallur profetësia. Ishte sërish stina e haxhit. Ebu Xhehli, një ditë prej ditësh, në muajin e Dhulhixhes, erdhi pranë të Dërguarit të Allahut që gjendej në kodrën e Safasë, dhe pasi tha gjithato fjalë që nuk t’i nxë goja, bëri edhe shumë veprime që ia thyen zemrën së tepërmi Profetit të Njerëzimit. Megjithatë, Resulullahu heshtte e nuk reagonte nega- tivisht. As që përpiqej që të kthente ndonjë përgjigje. Ebu Xhehli, pasi e pa se nuk po i vinte reagimi që ai kishte paramenduar, u nis menjëherë për të shkuar pranë kurejshëve të tjerë që gjendeshin sakaq në Qabe. Edhe shërbëtori i Abdullah ibni Xhudanit ishte njëri prej dëshmitarëve që i dëgjuan ato çfarë u thanë aty.
Pa kaluar shumë kohë, edhe i Dërguari i Allahut u largua prej an- dej, dhe shkoi në dhomën e Tij të lumturisë.
Në atë kohë, Hamzai, xhaxhai i Tij, ishte veshur në armë e po kthehej nga gjahu. Hamzai ishte një djalosh shumë i pashëm dhe që i shkonte ajo madhështi; në mes të kurejshëve të gjithë kishin frikë prej tij, aq sa nuk e fshihnin dot mahnitjen përballë madhështisë së tij, madje do të përzgjidhnin të rrinin më mirë në anën e tij, sesa t’i dilnin kundër. Gjuetinë e bënte me kënaqësinë sikur po adhuron- te diçka; kur kthehej i lumtur nga gjahu përshëndoshej me të gjithë gjatë rrugës, dhe punët e asaj dite kishte dëshirë që t’i përfundonte duke vizituar njëherë murin e Qabes. Derisa u takua me shërbëtorin e Abdullah ibni Xhudanit. Të rrije i heshtur përballë padrejtësisë ishte padrejtësi më vete, andaj ai mendonte që t’ia tregonte të xhaxhait ato që i kishin ndodhur të birit.
– O Ebu Umare! A e dëgjove se ç’i bëri Ebu Xhehli pak më parë nipit tënd, Muhamedit? Ja, mu këtu, u nis për nga ai, dhe pasi e shau me fjalët më të pahijshme, e dhunoi. Për më tepër, vetëm pse ai nuk iu përgjigj, ai vazhdonte ta nxiste. Muhamedi nuk nxori zë fare.
Për një çast, Hamzai filloi të turfullonte. U bë sikur do t’i plaste damari i fryrë i qafës. Po, i nipi kishte ardhur me njëfarë feje të re, por e donte shumë atë. Deri më sot nuk e kishte hapur gojën për ato që i ishin bërë, pasi ndoshta edhe nuk ishte mjaftueshëm i informuar për ato çfarë kishin ndodhur. A mund t’i bëhej gjithë kjo padrejtësi një njeriu, për më tepër kur ai ishte plotësisht pa mbështetje? E kapi heshtën dhe shtizat dhe u nis për te Ebu Xhehli. Tashmë sikur e kishte harruar fare përshëndetjen e njerëzve. Të gjithë po shqetësoheshin ngase po e shihnin aq shumë të nxehur, e sakaq po prisnin të shihnin se ç’po ndodhte. Nuk qëndronte pranë askujt, e nuk po përshëndeste ashtu siç bënte gjithnjë. Dukej që ishte përqendruar në një qëllim të vetëm, e po ecte me hapa tejet të shpejtë.
Më në fund, mbërriti pranë Qabes. Nga shikimi dukej qartë se dikë po kërkonte. E pa teksa po ulej. Erdhi tërë nxitim në drejtim të tij. Zemrat e atyre që gjendeshin të ulur po u vinin në gojë. Ebu Xhehli me të parë mbërritjen e tij, u pendua njëmijë herë për ato që kishte bërë, por çe do se ajo kishte ikur tashmë. Shkoi menjëherë pranë Ebu Xhehli, dhe filloi ta rrihte me goditje të shpejta.
Si i hakërrehesh ti Atij, dhe e shan more! Edhe unë prej fesë së Tij jam; Ja ku jam, po të them ato që thotë Ai. Hajde, po pate guxim, dilmë dhe mua përballë, ta shohim njëherë, – thoshte ai me zë të lartë.
Ebu Xhehli ishte mbuluar nga gjaku tashmë. Bijtë e Mahzumëve u përpoqën që ta ndalonin Hamzanë, por ishte Ebu Xhehli ai që i pengoi.
– Lëreni Ebu Umaren! Isha unë që e fyeva rëndë të nipin e tij sot, – thoshte ai. Ndoshta arsyeja e vërtetë ishte që ta sillte sërish mbrapsht Hamzanë. Ndoshta nuk ishte ende në dijeni se shtamba ishte thyer. Veçse, ishte shumë vonë tanimë.
Sakaq, disa prej të pranishmëve nuk duruan dot pa i thënë nja dy fjalë:

Ç’është kjo, o Hamza? Mos u magjepse edhe ti?
– Për mua, derisa çdo gjë të dalë në pah, e qartë, çfarë mund të ma ndalojë që ta pranoj se Ai është i Dërguari i Allahut, dhe se thotë veçse të vërtetën? Ju betohem në Zot, se unë nuk kam për të hequr dorë prej Tij; nëse jeni aq burra që e mbani fjalën, dilmëni edhe mua kundër për këto që po them, e ta shohim njëherë!
Hamzai ishte më se i vendosur, andaj shkoi menjëherë për tek i nipi, Muhamed Fjalëdrejti. I tregoi për gjendjen shpirtërore në të cilën gjendej… I ndau me të një e nga një të gjitha mendimet, dhe sakaq i premtoi se do të ishte në anën e Tij deri në fund. Në fakt, ishte një zgjedhje tejet e vështirë; sepse për një xhaxha, t’i përulesh deri te gjunjët nipit, dy vjeç më të vogël, është tejet e vështirë. T’i kalosh fshirësen sipër plot dyzet e katër viteve, e të sapolindësh edhe njëherë si fëmijë, kërkonte një vullnet të posaçëm, dhe ishte pikërisht Hamzai i nderuar ai që e vendosi në vend këtë vullnet.
Vetëm se që ta realizoje këtë vullnet nuk ishte aq e lehtë siç mund të mendohej rëndom. Në mbrëmje, atë e priste egoja, e cila do ta fuste në kthetrat e veta, duke i hedhur, njëra pas tjetrës, pyetje nga më të shumëllojshmet. Një njeri si Hamzai po zinte vendin e vet në safët e besimtarëve, andaj si mund të mendohej se shejtani do të rrinte duarbosh? U shfaq menjëherë përballë tij, dhe i tha:
– Hë more, a nuk ishte ti zotëria i kurejshëve? Hoqe dorë prej fesë së të parëve të tu për t’i besuar një magjistari! Të bësh atë që bëre ti është më e rëndë sesa të kishte vrarë veten! – thoshte ai, dhe rrekej që t’ia ndërronte mendjen Hamzait të nderuar.
Kjo ishte një qasje djallëzore… Megjithëse në pamje të jashtme dukej e arsyeshme, ishte një lëvizje dinake për t’ia ndryshuar mendjen bashkëbiseduesit. Tamam një rast gjuetie të paqtë. Vetëm se, Hamzai, gjuetari i luanëve, ishte bërë Hamzai i nderuar, dhe një vullnet si i tiji nuk mund të dorëzohej aq lehtë. Vetëm se dyshimet vazhdonin t’ia vizitonin herë-herë mendimet. Patjetër, a mund të li- hej i qetë një njeri si Hamzai i nderuar.
Hamzai, të cilit nuk i hynte gjumë në sy, shkoi në Qabe për t’ia bërë të ditur Krijuesit gjendjen e tij, e atje u lut e u përgjërua që Allahu ta çlironte prej mendimeve dyshuese që ia kishin kapluar mendimet. Tashmë i kishte hyrë një rruge që ishte e detyrueshme që t’i realizonte siç duhej detyrimet e saj. Me të vërtetë, Allahu ia pati hequr supesh atë gjendje Hamzait pasi ai ishte qarë me sinqeritet të plotë. Tanimë Hamzai i nderuar mund të kthehej i qetë për në shtëpinë e tij.
Ditën tjetër, Hamzai i nderuar, me të aguar u nis për në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për t’i treguar ato që kishin ngjarë një ditë më parë. Resulullahu u drejtua nga ungji i Tij, dhe me një ndjesi dhembshurie filloi të fliste me të gjerë e gjatë. Një besim i palëkundur nuk mund të tutej para asgjëje. Pikërisht prej kësaj arsyeje, Hamzai nuk do të linte mundësi që t’i shpëtonte pa u përballur me mohuesit në përgjithësi. Këto ishin fjalët e fundit që i tha të nipit teksa largohej prej andej:
– Ja ku po ta them me tërë ndjenjat që burojnë nga sinqeriteti, se Ti je përfaqësuesi i së Drejtës, o i biri i tim vëllai. Vazhdo ta përhapësh fenë tënde pa e vrarë mendjen për kurrkënd. Lëvduar qoftë Allahu, që, që sot e tutje, as drita e diellit nuk ka më tepër rëndësi për mua. Unë sapo u njoha me fenë e parë.265
Ardhja e Hamzait të nderuar kishte një rëndësi të veçantë për të gjithë myslimanët e atyre kohëve. Fytyra të tëra që i kishte marrë malli për një buzëqeshje, po njiheshin, qoftë edhe për një kohë shumë të shkurtër, me buzëqeshjen; ndjenjat e paralizuara kaq kohë, tanimë po pushtoheshin prej haresë së brendshme. Ç’mëshirë e madhe! Në një ditë që do të ishte e hidhur, po ndodhte diçka kaq e veçantë, sa ç’mund të ishte besimi i një gjuetari luanësh siç ishte Hamzai. Këtej e tutje, ai do të ishte përherë në një radhë me të Dërguarin e Alla- hut. Që tani ai do të vepronte vetëm nën dritën e këshillave të Tij, duke e ndihmuar përballë çdo ngarkese të rëndë. Lëre, që tani, edhe kurejshëve do t’u duhej të llogaritnin edhe Hamzanë në mesin e besimtarëve. Për shembull, atyre do t’u duhej të hiqnin dorë prej disa huqeve të gjertanishme. Çdo hap i tyre tanimë dukej disi më i matur. Kësisoj, familja e Mutalibëve po pastrohej edhe njëherë; ndërkohë që Aliu dhe Hamzai gjenin burimin e jetës, të cilët ishin secili nga një mburojë për Islamin, ndërsa Ebu Lehebi bashkë me bijtë e tij, zemërgurët Utbe dhe Utejbe, njerëz që nuk ia kishin idenë përmendjes së Zotit, rrinin gjatë gjithë ditës shtrirë në kokërr të qejfit. Një ajet që do të zbriste ato ditë e përshkruante kështu situatën:
– Çdo njeri, që zemra i mbytet në dritë prej Allahut, ngase ai i ka hapur atij zemrën, a mund të jetë i njëjtë me atë që, për faj të një zgjedhjeje të vetën, i është ngurtësuar zemra, duke iu ndryshuar edhe karakteri?
Turp t’u vijë atyre që zemrat u janë ngurtësuar sepse nuk përmen- din emrin e Allahut! Padyshim, ata janë brenda një çudhëzimi.

ilmihali

Share this post

scroll to top