Heronjtë e një çasti ndryshimi

Hazrat-Umar.jpg

Heronjtë e një çasti ndryshimi

 

  1. a) Ikrime (r.a.)

 

Kur u fitua Meka, Ikrime u arratis, por, pastaj, i bindur nga e shoqja, u kthye sërish në Mekë. Kur armiku më i tërbuar i të Dërguarit të Allahut doli para tij, ai e priti me buzëqeshje dhe me fjalët: “Tungjatjeta, o kundërshtar i mërguar!”[1] Këto fjalë mjaftuan për t’ia fituar zemrën Ikrimes. Ai i dha fjalën vetes: Edhe vetë, edhe i biri i vetëm, Amr, do të jepnin jetën për atë çështje! Pastaj, në Jermuk, ndërsa po numëronte minutat e veta të fundit, erdhën e i thanë: “Yt bir Amri ra dëshmor!” Ikrime u drejtua dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, të pata dhënë fjalën se do ta flijoj edhe tim bir në udhën tënde! A e mbajti fjalën Kundërshtari i Mërguar?” A mund të dilte Kundërshtar i Mërguar nga i biri i Ebu Xhehlit? Nga ai “njeri që i kundërvihej Profetit në çdo front, që kishte për qëllimin më të madh ta vriste të Dërguarin e Allahut”[2], pra, nga ai njeri i errësirës, a mund të dilte një Kundërshtar i Mërguar që i linte pas edhe engjëjt? Ja që mund të dilte dhe doli!

Në periudhën paraislamike të paganizmit, politeizmit dhe injorancës, Ebu Xhehli ishte i pasur dhe i fuqishëm. Ai i shtypte të dobëtit dhe ua priste rrugën. I dobëti nuk kishte të drejtë jete, femrat, jo që jo! Fëmijët vriteshin për hiçgjë. I varfëri nuk thoshte dot “edhe unë kam të drejtë”! Kishte ligje, siç kishte pasur gjithmonë, por ato përdoreshin kundër të dobëtëve dhe të varfërve. (A s’është kështu edhe sot?) Ja pra, nga një shoqëri njerëzish tejet të egër, që s’njihnin drejtësi, i Dërguari i Allahut nxirrte njerëz si engjëj që e përfaqësonin drejtësinë në përmasa botërore!

 

  1. b) Omeri (r.a.)

 

Një ditë, mes kalifit Omer që ndodhej në krye të shtetit islam, i cili shtrihej në një hapësirë të gjerë dhe Ubej Ibni Kab-it, krijohet një mosmarrëveshje. Ubej i thotë kalifit Omer: “O kalifi i të Dërguarit të Allahut, po bën padrejtësi!” Kalifi shkon te gjykatësi dhe kërkon gjykimin e çështjes. Gjykatës apo kadiu i çështjes ishte Zejd ibni Thabit. Gjykimi do të bëhej në shtëpinë e tij, prandaj palët shkuan atje. Kur gjykatësi pa kalifin të hynte brenda, për hir të edukatës dhe respektit, i tregoi shilten pranë dhe e ftoi të ulej me fjalë të zgjedhura: “O prijësi i besimtarëve, uluni këtu!” Kalifi Omer, i zemëruar e me vetullat të kreshpëruara, i tha gjykatësit ato fjalë që do të mbeten vëth në vesh të historisë: “Ja, tek e bëre padrejtësinë e parë në gjykimin tënd!”[3]

 

  1. c) Ngjarja Maiz dhe Sistemi i Kontrollit me Vetëdije

 

Një frymë llogaridhënëse që të rrëqeth ose një fragment nga ngjarja Maiz. Muslimi ka veçuar një kapitull të veçantë që e ka titulluar “Vetëflijuesi”[4]. Ja kush është Maizi!

Maizi hyn një ditë te i Dërguari i Allahut dhe arrin gjer pranë tij. Është zverdhur, kërrusur dhe s’i ka mbetur fuqi për të folur. Ai arrin t’i thotë Profetit vetëm kaq: “O i Dërguari i Allahut, më pastro!” I Dërguari i Allahut e kthen fytyrën nga ana tjetër. Njeriu i dhembshurisë nuk dëshiron ta dëgjojë atë që ka për t’i thënë i ardhuri që ka para. Maizi i del në anën tjetër ballë përballë dhe ia thotë të njëjtat fjalë. Profeti përsëri e kthen fytyrën nga ana tjetër dhe kjo gjë përsëritet për të katërtën herë. Herën e katërt, Profeti e pyet: “Nga ç’mëkat të të pastroj?” “Nga zinaja, o i Dërguari i Allahut!” – I përgjigjet Maizi. Të gjithë të pranishmit kanë ngrirë. Në periudhën e të Dërguarit të Allahut, fjala “ziná”[5] shqiptohej ndoshta për herë të parë! Pohimi i Maizit kishte shkaktuar te të pranishmit një shok të vërtetë! Ata që gjer një ditë më parë e shihnin si legjitime dhe normale çdo marrëdhënie seksuale të parregullt, së bashku me pranimin e Islamit ishin larguar aq shumë prej saj, saqë ishin hutuar sikur po dëgjonin një gjë të re për herë të parë! Heshtjen e prishi i Dërguari i Allahut që i pyeti të pranishmit:

– Mos ka ndonjë marrëzi te Maizi?

– Jo, o i Dërguari i Allahut, – i thanë shokët, – Maizi është njeri me mend në kokë!

– A mos është i pirë?

Shokët i morën erë dhe u përgjigjën:

– Jo!

Maizi vazhdoi të këmbëngulte në pohimin e tij dhe, tashmë, i Dërguari i Allahut s’kishte më gjë në dorë. Ai u tha shokëve: “Ekzekutojeni!”

Profeti nuk mori pjesë në ekzekutuesit e Maizit me gurë. Maizi u çua në një shesh dhe filloi ekzekutimi i tij. Mbi kokën e Maizit ra një breshër gurësh. Një çast dhe ai deshi të ikte, por dikush e arriti dhe e qëlloi në kokë me një kockë të madhe nofulle kafshësh. Ajo u bë goditja e fundit që i solli vdekjen. Maizi ra. Ai kishte vdekur!

Çështja iu përcoll Profetit. Ai u prek shumë nga mënyra se si kishte përfunduar ekzekutimi dhe u tha shokëve: “A s’duhej të ma linit mua atëherë?” Maizi mund të hiqte dorë nga pohimi dhe atëherë gjendja do të ndryshonte.

Pas tri-katër ditësh, para Profetit u paraqit një grua. Ishte bashkëfajtorja e Maizit. Si Maizi, edhe ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, më pastro!” I Dërguari i Allahut u soll me të si me Maizin dhe, më në fund, i tha: “Shko dhe bëj pendesë!” Por gruaja këmbëngulte. Atëherë, Profeti i tha: “Ti mund të jesh shtatzënë. Ne s’mund ta prekim gjakun e atij të pafajshmit!” Dhe gruaja u largua. Kaluan muaj dhe gruaja e lindi fëmijën. Në rastin më të parë, ajo shkoi përsëri te Profeti dhe ia përsëriti kërkesën. Këtë radhë, Profeti e ktheu prapë atë duke i thënë: “Fëmija ka nevojë për gji dhe kujdes!” Gruaja u largua. Kaluan kohë, fëmija u rrit dhe u mësua të hante vetë. Atëherë gruaja shkoi përsëri te Profeti dhe i tha e vendosur: “Ja, tani s’ka më nevojë për mua! Pastromë, o i Dërguari i Allahut, dhe më shpëto nga kjo vuajtje ndërgjegjeje!” E morën gruan dhe e çuan në vendin e ekzekutimit. Ndërsa po vdiste, dukej e kënaqur dhe e lumtur! Kur dikush nga ekzekutuesit e shau tek po e qëllonte me gur, Profeti që po e vëzhgonte ekzekutimin nga larg, vrenjti vetullat dhe tha: “Vallahi, kjo grua bëri një pendesë të tillë që, po të përpjesëtohej për të gjithë popullin e Medinës, do të mjaftonte!”[6]

Pse ashtu? Sepse ajo kishte bërë një mëkat pa e parë askush, por, që llogaria të mos i mbetej për Përtej, e pati pohuar dhe e pati bartur turpin e kryer para Allahut dhe shoqërisë si një këmishë të zjarrtë gjer në çastin e ekzekutimit. Vërtet, i kishte rrëshqitur këmba dhe ishte rrëzuar, por nuk kishte hequr dorë nga kërkimi i shpëtimit te porta e fesë!

Është e pamundur t’i radhisim këtu të gjitha rregullat dhe disiplinat morale, sepse janë me qindra të tilla. Kurse ne këtu mundëm të preknim vetëm disa prej tyre. Po të mundej të radhiteshin të gjitha rregullat morale një e nga një, mund të siguroheshin prova edhe më të fuqishme për veprimtarinë mbinjerëzore të të Dërguarit të Allahut. Sepse njeriu i asaj dite ishte në kundërshtim me të gjitha rregullat morale që ekzistojnë. Kurse i Dërguari i Allahut jo vetëm i shkuli nga rrënjët të gjitha veset dhe shprehitë e këqija, por edhe nguliti në vend të tyre cilësi dhe shprehi të reja e të mira.

Edhe në edukim, i Dërguari i Allahut tregoi mrekulli dhe parashtroi një sërë parimesh themelore të edukimit, të cilat ishin të tilla që, duke u shumëzuar dhe shtuar me anë të analogjisë, mund ta përfshinin tërë njerëzimin për të gjitha kohërat. Sipas opinionit tim modest, kur t’i kemi rrokur thellësitë e mendimit dhe projektimit pas këtyre parimeve dhe ta kemi arritur mendësinë e tij, do të kemi fituar nivelin që do ta kishin zili engjëjt. Ç’e do se, siç e ka shprehur edhe Kutubi me një rast, ne jemi ende në rrugë. Profeti Musa ia shpreh kështu Allahut një habi të tijën: “O Zot! Shoh shumë njerëz që, pasi të kanë gjetur Ty dhe janë duke ecur në rrugën tënde, papritmas ndërrojnë rrugë dhe shkojnë në drejtim tjetër!” Zoti i drejtohet atij me plot urtësi dhe i thotë: “O Musa, ata kurrë nuk erdhën te Unë, nuk më gjetën dot Mua dhe nuk arritën dot gjer te Unë! Ata qenë ende rrugëtarë dhe ndërruan rrugë!” (Allahu na ruajttë nga mbetja në rrugë dhe nga ndërrimi i rrugës!) Me të vërtetë, ne nuk jemi të siguruar. Dhe askush nuk mund t’i japë tjetrit garanci se s’ka për t’u shmangur nga rruga!

Frerët e çdo gjëje janë në dorën e Allahut. Allahu që ka në dorë frerët e çdo gjëje, mos na ndaftë nga rruga e drejtë! Allahu mos na lëntë vetëm për vetëm me vetveten gjersa të mbyllim sytë!

Mes një mjedisi injorant, mes një shoqërie injorante, mes njerëzve të regjur me zakone injorante, i Dërguari i Allahut kreu një transformim madhështor e të shkëlqyer që i mahnit mendjet. Dhe ky transformim realizohet në mënyrë që ta përfshijë gjithë jetën. Ç’është e vërteta, gjatë historisë së njerëzimit janë përgatitur shumë gjeni, të cilët kanë mundur të realizojnë një sërë ndryshimesh në fusha të caktuara, por dhe të posaçme vetëm për ato fusha. Për shembull, një gjeni shoqëror, brezin e përgatitur prej tij e ka ngjitur në majë, në fushën shoqërore, për të cilën e ka përgatitur, por e ka lënë të gjymtuar në ekonomi, nuk i ka dhënë dot gjë në fushën psikologjike, nuk e ka çuar shumë para në fushën e edukimit dhe, sidomos, në fushën shpirtërore nuk i ka dhënë asgjë! Për shembull, ka dalë një tjetër gjeni dhe ka bërë një revolucion ekonomik për vendin e vet, e ka çuar shoqërinë gjer në një pikë të caktuar. Por edhe ky ka mbetur i kufizuar me kaq, në jetën shoqërore nuk e ka çuar dot shoqërinë as dhe një hap para, ndërkaq që nuk ka thënë dot asgjë për vetëkontrollin dhe vetëllogarinë. Kështu, me radhë, dikush në një fushë e dikush në një fushë tjetër, por askush nuk e ka arritur dot përsosmërinë në të gjitha unitetet e jetës. Është vetëm Profeti Muhamed që e ka përfshirë jetën me të gjitha unitetet, e ka ngjitur në maja dhe atij i është dhënë garancia se do të mbetet përjetësisht në maja! Po, ai është në majë me ekonomi, është në majë me sociologji, është në majë me artin e luftës, është në majë me vetëllogari, është në majë me aftësinë për t’i bërë të tjerët që ta pranojnë, është në majë me ngritjen e ekuilibrit botë-përjetësi, është në majë me zotërimin e sendeve dhe ngjarjeve, është në majë me kompetencën e njohjes së jetës tjetër, është në majë me çdo gjë! Në veprimtarinë edukative të të Dërguarit të Allahut, asnjë ndjenjë njerëzore s’ka mbetur e cunguar, asnjë gjë s’është nënvleftësuar, përkundrazi, çdo gjë është zhvilluar dhe njerëzve u është hapur rruga për t’u përmirësuar tërësisht. Duke e spërkatur edhe kaderi rrugën me ujë, në çdo fushë janë përgatitur njerëzit më të përsosur e më të mrekullueshëm!

 

[1] Mustedrek, 3/242-243; Ibni Haxher, el-Isabe, 2/496; Mexhmau’z-Zevaid, 9/385.

[2] Kenzu’l-Ummal, 13/541; Bejhaki, es-Sunenu’l-Kubra, 9/44.

[3] Kenzu’l-Ummal, 5/808.

[4] Në origjinal: “Xhade bi nefsihi”.

[5] Ziná: adulter, marrëdhënie seksuale e jashtëligjshme, shkelje e besnikërisë bashkëshortore, kurvërim, prostitucion.

[6] Muslim, Hudud, 22, 23.

ilmihali

Share this post

scroll to top