Kur hynte në shtrat, profeti lexonte 33 herë Subhanallah, 33 Elhamdulil’lah dhe 33 (sipas një transmetuesi tjetër 34) Allahu Ekber, pastaj lexonte të tjera lutje të ndryshme507. Njëra prej këtyre lutjeve është kjo:
“O Zoti im, ta dorëzoj veten time Ty, kthehem nga Ti dhe çdo gjë timen e lë në dorën Tënde. Mbështetem te Ti edhe duke u druajtur, edhe duke shpresuar. Nuk ka mbrojtje tjetër prej Teje, veç Teje. Ti je i vetmi mbrojtës. O Zot, i besoj librit që ke zbritur dhe profetit që ke dërguar (është kusht që profeti të pohojë edhe profetësinë e vet). O Zot, më ruaj nga ndëshkimi Yt, ditën kur të ringjallësh gjithë njerëzit. Unë, me emrin Tënd vdes, me emrin Tënd ringjallem508. Pastaj vinte dorën e djathtë nën kokë, mblidhte paksa gjunjët dhe shtrihej në anë të djathtë. Kjo ishte një shtrirje e shkurtër, sepse do të ngrihej më pas. Ai çdo natë përjetonte emocionin e faljes së Tehexhudit – namazit të natës.
507 Buhari, Fedailus-Sahabe 9. Davaat, 11; Muslim, Dhikr, 80.
508 Buhari, Davaat, 6-7; Tirmidhi, Davaat, 16.