Lutjet e Profetit (s.a.s) kur zgjohej në mëngjes

Sa hapte sytë në mëngjes, buzët e tij njomeshin me këtë lutje:

“O Zoti im, u gdhiva duke pohuar se: Ti je Allahu, nuk ka zot tjetër veç Teje dhe se Muhamedi është robi Yt e Profeti Yt dhe për këtë të mbaj Ty dëshmitar dhe mbaj dëshmitarë të gjithë banorët e gjithësisë, gjithë engjëjt e gjithë krijesat”515.

I mbaj dëshmitarë dhe dëgjoj ç’thonë. Fëshfërimat e pemëve, pëshpërimat e gjetheve, shushurimën e ujit, gurgullimën e tij e bashkoj me dëshminë time dhe si një simfoni që ushton anë e mbanë, e sjell këtë te Ti.

Kjo shfaqje e profetit është në raport me marrëdhënien e tij hyjnore, me thellësinë e paanësinë e ndjenjave, ndërgjegjes dhe konceptit të tij. Edhe nëse shprehet me të njëjtat fjalë, një tjetër person e ka të pamundur të arrijë të ndjejë e të konceptojë si ai, me të njëjtat veçori, në të njëjtën thellësi…

Profeti mban dëshmitar gjithë ekzistencën, engjëjt, që veçanërisht janë pranë Allahut dhe banorët e qiejve, që sodisin që andej gjithësinë… dhe falënderimit që i paraqet Allahut, i shton gjithë atmosferën e frymën e tyre, pastaj ashtu e shpalos para Zotit. Profeti përfshin veçanërisht atmosferën e engjëjve në lutjen e tij. Këtu kuptojmë se kur trokasim në dyert e të mëdhenjve, është me vend të kemi pranë edhe një dorë që prek dorezën. Ndaj dhe ai njeri i madh, Omeri, njëherë kur thatësira kishte pllakosur Medinën, merr Abasin për dore dhe me të bashkë, ngjitet në një majë. Pastaj i merr duart e Abasit dhe i ngre lart, duke u lutur me këta fjalë: “O Zoti im, këto duar të ngjitura drejt Teje, janë duart e xhaxhait të njeriut Tënd më të dashur. Për hatër të këtyre duarve, na jep shi, o Zot!” dhe ende pa u ulur duart, shiu kishte nisur të binte pikë-pikë516.

Ja, intuita dhe zgjuarsia e Omerit, i cili mësimet i kishte marrë nga profeti dhe sikur ai përfshinte engjëjt në lutje, edhe ai kishte përfshirë dikë, që e njihte për më të afërt.

Në mes të lutjeve që bënte Profeti ditë e natë, ishte edhe kjo:

“O Krijuesi i qiejve dhe i tokës! Ai që di botën e dëshmuar e të panjohur! I Gjithëpushtetshmi, Bujari, Zoti im! Të shpall tani lidhjen time me Ty në jetën e kësaj bote dhe të mbaj Ty dëshmitar për këtë! Dëshmia Jote më mjafton”518.

Në këtë lutje përdoret emri Fatir – Krijues. Kjo fjalë ka edhe sinonimet e saj: Bari, Halik, Xhail, po me Fatir nënkuptohen edhe këto mendime:

Ti ke krijuar qiellin e tokën sipas ligjeve e sipas karakteristikave të tyre. Në këto ligje, ku përfshihen ligjet e mjekësisë, fizikës, kimisë, astrofizikës, astronomisë dhe këto ligje sikur hyjnë në fuqi edhe njëherë. Çdo mëngjes, sikur rinovohen e i dhurohen sërish njerëzimit. Këtë rregull, përpikmëri, sistematikë e pastërti ia dhe Ti atyre, Zoti im!”

515 Ebu Davud, Edep, 101; Tirmidhi, Davaat, 79

516 Kenzul Ummal, 13/504

518 Musned, 1/412

ilmihali

Share this post

scroll to top