Mus’ab ibn Umejri (r.a.)

silhouette-man-doing-prayer-namaz-front-mosque_1302-18379.jpg

Mus’ab ibn Umejri ishte fëmija i një familjeje tejet të pasur e aristokrate. Nënës dhe babait të tij u dridheshin duart kur kujdeseshin për të. Nëna e tij, Hunasi, e kishte të birin si dritën e syve, saqë nuk donte as ta ndante asnjëherë prej ngrohtësisë së saj prej dhembshurie amësore. Mus’abi, me të ardhur në moshën e adoleshencës, u duk se do të ishte një djalë më se i pashëm. Kishte një qëndrim të hijshëm; atë që vishte njëherë, nuk e vishte më për herë të dytë. Vazhdimisht hidhte erëra të mira, e kundërmonte ëmbëlsi ngado që i binte të kalonte.

Një gjendje e tillë ishte e pashmangshme, që gjithë gjindja t’u vinte nga pas. Atje ku kalonte ai hapeshin dritaret dhe perdet lëviznin me shpejtësi, që të mund të shihnin me ëndje këtë djalosh simpatik që kalonte. Kishte një qëndrim prej të pjekuri, dhe ishte i respektuar nga të gjithë që e rrethonin. Nëpër mbledhje ishte një kënaqësi për pjesëmarrësit që të kishin edhe Mus’abin të pranishëm. Të gjithë e respektonin mjaft, madje aq sa mund të thuhet se ia kishin hapur tej e tej si zemrat ashtu edhe portat.

Sakaq, një ditë prej ditësh, edhe atij filluan t’i vinin disa fjalë në vesh. Meraku që e kaploi ishte diçka e pashpjegueshme. Një mbrëmje, si në një ëndërr, e gjeti veten në shtëpinë e Ibni Erkamit. Atje ishte i Besuari i Njerëzimit që lexonte Kuran, e komentonte atë dhe lutej aq gjerë, sikur të donte t’i përfshinte të gjithë brenda atyre lutjeve. Për një çast e ndjeu që ishte aq i përqendruar në fjalët e Tij… Ishte e pamundur të mos pësonte një goditje nga ato fjalë. Tashmë i dukej sikur ishte përballë me një burim urtësie që buçiste tërë forcë. I dukej sikur atë që po dëgjonte i zbrisnin deri në thellësitë më të paimagjinueshme të qelizave.
Kjo gjendje e tij nuk i shpëtoi as vëmendjes së Profetit të nderuar. Iu afrua, ia vendosi dorën në sup, dhe filloi ta përkëdhelte. Me lëvizjet e duarve të Profetit ai ndjente besimin t’i rridhte nëpër damarë. Vetëm aty ai po ndjente një pjekuri që qëndronte larg moshës së tij të vërtetë. Kjo ishte një pjekuri që do ta ndryshonte krejt rrjedhën e ngjarjeve. Tani po e kuptonte më mirë që ajo jeta e rehatshme në mes të luksit nuk mund t’i jepte, e as që kishte për t’ia dhënë rehatinë e rehative. Sepse tani çdo gjë ishte e re dhe më se e natyrshme.

Tashmë, edhe Mus’abi ishte zhytur në atë hauz ku ishin zhytur më parë Bilalët, në shtëpinë e Ibni Erkamit; nuk mund të rrinte dot pa shkuar shpesh aty. Nga njëra anë ndjente një rrymë të ëmbël t’i nëpërkalonte dejet, nga ana tjetër ndjente keqardhje për mekasit që nuk ia kishin kuptuar vlerën gjithë këtyre, madje që kishin marrë një pozicion të kundërt karshi saj. Si ishte e mundur të mos i kuptohej vlera diçkaje të këtillë? Ishte bërë mysliman, mirëpo si do ta ndante këtë me të tjerët, sidomos me nënën. Sepse nuk kishte asnjë forcë tjetër, sa ajo, që ta bënte aq të tërhequr. Edhe sikur me tërë Mekën t’i duhej të përballej, nuk i bënte tërt syri, por reagimi i nënës, e çorodiste krejt. Kështu që mendoi ta mbante të fshehtë besimin e tij; nuk do t’i thoshte asgjë askujt, e nuk do t’i duhej as të hynte në konflikt me të ëmën. Vetëm se në Mekën e atyre ditëve ishte e pamundur që të fshihje diçka. Të gjithë ishin kthyer në spiunë të idhujtarëve. Lëviznin sa majtas djathtas me lajme nga më të rejat.

Një ditë, atë e pa Osman bin Talha teksa po hynte në shtëpinë e Ibni Erkamit. Kur e pa për herë të dytë, Mus’abi po falej. Osmani tani nuk kishte më asnjë mëdyshje se edhe Mus’abi ishte prekur prej rrjedhës. Nuk i besonte dot syve dhe mendimeve që ia kapluan përnjëmend mendimet; një i pasur si ai, si ishte e mundur që të bashkohej në një radhë me Bilalin, Hababin, që ishin të skamur. Si ishte e mundur që të bëhej një me ta, e të hiqte dorë prej zotave që i kishin trashëgim nga të parët e tyre. Rendi me një frymë për te nëna e tij, e pa lënë asnjë sekondë që t’i ikte i shpjegoi asaj se si qëndronte gjendja. Duhej gjetur menjëherë një zgjidhje, duke i thënë “ndal” njëherë e mirë tërë kësaj lëvizjeje. Nuk kishte ngelur asnjë njeri që nuk kishte dëgjuar për rilindjen e Mus’abit. Kur shkoi në shtëpi, u përball me ashpërsinë e nënës, njësoj siç e kishte parashikuar. Ai djaloshi simpatik, Mus’abi, që njëherë e një kohë nuk e linin t’u ikte prej vështrimeve të tyre, tanimë thoshte gjithandej “Allah”, dhe shprehte simpatinë e ethshme, megjithëse e dinte se do të hante dru pas çdo fjale. Si e si që të mos lidhte kontakt me asnjërin prej myslimanëve, atë e patën izoluar në një vend të mbyllur, duke i lënë edhe një roje mbi krye. Me zemër dhe me mendje ishte përherë pranë të Dërguarit të Allahut, por me trup po jetonte këtë burgim në shtëpinë e vet! Po, edhe dëshirat e nënës ishin tejet të rëndësishme, por edhe një nënë nuk mund t’i vinte drynin zemrës së fëmijës së saj. Nuk mund ta prekte… Kishte disa të drejta dhe disa detyra karshi tij!.. E kishte të pamundur që të ndahej prej djalit të saj aq të dashur. Ç’kuptim kishte “humbja” e tij, kur sapo e kishte lidhur pas vetes?

ilmihali

Share this post

scroll to top