Turp mbart njëkohësisht dhe kuptimin e druajtjes, ndërsa në tasavuf mbart kuptimin e frikës, druajtjes dhe respektit ndaj Zotit nga gjërat të cilat nuk i dëshiron Ai. Fuqizimi i e një ndjenje të tillë të natyrës njerëzore tek ndjenja e turpit ndihmon që ai person të jetë më i përmbajtur dhe më i pjekur përsa i përket respektit dhe etikës. Ata njerëz të cilët nuk përmbajnë një ndjenjë të tillë apo u cenohet në varësi të rrethanave të mjedisit, e kanë shumë të vështirë të rigjejnë ndjesinë e turpit.
Profeti ynë është i pafajshmi i të pafajshmëve. Prandaj dhe virtyti i tij qëndron mbi të gjithë virtytet. Edhe armiqtë më të betuar nuk kanë mundur të thonë një fjalë cenuese për virtytin dhe ndershmërinë e tij, nuk kanë mundur ta turpërojnë nga ky aspekt dhe nuk do të mundin ta bëjnë asnjëherë. Sepse Ai ishte një monument virtyti dhe një simbol dëlirësie. Si është e mundur të mendosh që të hedhësh pluhur dhe baltë në personalitetin e tij, ndërkohë që Ai ishte krijuar si një simbol i pastërtisë, si një ‘Mustafa’ – i zgjedhur.
Armiqtë shpifën gjëra të ndryshme për të. P.sh., e quajtën të marrë. Në të vërtetë, Ai ishte i marrosuri i Zotit dhe kishte vënë gjithë jetën e tij në këtë rrugë. Kush dëshironte, mund ta kërkonte. Ndërsa përfundimi i kësaj pune do ishte arritja e xhenetit. Përsëri e quajtën magjistar… edhe njerëzit më kokëfortë zbuteshin pranë Tij dhe brenda tyre tronditej nga themelet çdo gjë e lidhur me ateizmin. Ishte i pafund numri i atyre që magjepseshin prej Tij dhe ndiqnin rrugën e Tij. Kur vinte puna tek ateistët që kishin zemrat dhe sytë të mbuluar nuk kishin ç’të thoshin. Kërkonin ngushëllim me fjalët: “Të gjithë këto krahë sillen nga zjarri i magjisë.” Edhe ajo që i bënte të fluturonte ishte forca e besimit, shfaqja e përsosmërisë dhe tërheqja e bukurisë.
Ja disa fjalë të të Dërguarit të Zotit për ndjesinë e turpit, të Atij që e kaloi jetën sipas kësaj vije dhe që është një monument i virtytit dhe i ndjenjës së turpit:
“Besimi ka gjashtëdhjetë e ca degë. Turpi është një nga degët e besimit.”[1]
“Ndjesia e turpi i sjell të mira njeriut.”[2]
“Ka katër veti të cilat janë traditë e të gjithë profetëve. Turpi, përdorimi i erës së mirë, misvaku (larja e dhëmbëve) dhe martesa.”[3]
“Çdo fe ka një moral. Morali i Islamit është turpi.[4]
“Ka një parim të lartë të arritur nga njerëzit dhe me të cilin janë të një mendje profetët e të gjitha kohërave: “Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash!”[5]
“Kini turp para Zotit! Ai i cili turpërohet para Tij në masën e duhur, le të kontrollojë mendjen dhe ato që ka në mendje, stomakun dhe ato brenda stomakut. Mos të largojë nga mendja vdekjen dhe kalbjen. Ai i cili dëshiron ahiretin, lëshon bukuritë e botës. Ja, kush sillet kështu, do jetë i turpëruar si duhet para Zotit.”[6]
Megjithëse Profeti jetonte brenda një shoqërie që kishte arritur majat e imoralitetit dhe të poshtërsisë, gjatë gjithë jetës nuk ka dalë nga kufijtë e etikës dhe të turpit. Në kohën e tij, njerëzit shëtisnin të zhveshur në vendet më të shenjta të Zotit dhe përsëri pa pasur fare turp laheshin po të zhveshur para njerëzve. Ndërkohë që niveli moral i shoqërisë ishte në këtë gjendje, në kohën kur Profeti punonte si bari në Mekë, kishte dashur të merrte pjesë në një dasmë dy ditë rresht. Por të dy herët e kishte zënë gjumi dhe kishte qëndruar larg nga ai mjedis amoral.[7]
Në Kuran, kur flitet për turpin e Tij, thuhet: “Kjo me të vërtetë e shqetësonte të Dërguarin dhe ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë) Ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’ju thotë të vërtetën.”[8]
Sipas transmetimit të Ebu Said el Hudriut i cili tregon për monumentin e virtytit, Profetin tonë, thotë se i Dërguari i Zotit ishte më i turpshëm se një vajzë e re pas perdes. Nëse nuk i pëlqente diçka, mund ta kuptonim nga fytyra e Tij.[9] Lajmërohej për ndonjë sjellje të shoqërisë dhe nëse nuk mbetej i kënaqur, nuk shprehej: “Çfarë po i ndodh atij populli.” Ndoshta thoshte: “Çfarë po i ndodh këtyre njerëzve?”[10]
Madje nga pikëpamja e marrëdhënieve familjare, fjala e Aishes (r.a.) është shumë e rëndësishme: “Nuk e kam parë asnjëherë auretin (pjesët e turpshme) e të Dërguarit të Zotit.”[11]
[1]Buhariu, 1/12; Muslimi 1/63; Ebu Davudi, 2/630.
[2]Buhari, 5.2267; Ahmed b. Hanbel, 4/227.
[3]Tirmidhiu, 3/391; Ahmed b. Hanbel, 4/421.
[4]Ibn Maxhe, 2/1399; Ebu Ja’la, Musned, 6/269.
[5]Buhari, 3/1284; Ebu Davudi, 2/668.
[6]Tirmidhiu, 4/637; Ahmed b. Hanbel, 1/387.
[7]Ibnul-Esir, El-Kamil, 2/38.
[8]Ahzab, 33/53.
[9]Buhari, 5/2263; Muslimi 4/1809; Ibn Maxhe2/1399; Ahmed b. Hanbel, 3/79,88.
[10]Buhari, 1/261; Muslimi, 3/1320; Ebu Davudi, 2/265.
[11]Ibn Maxhe, 1/217; Ahmed b. Hanbel, 6/63.