Në shtëpinë e mendeshës

profeti-muhamed-9.jpg

Atmosfera e vështirë dhe mbytëse që mbizotëronte në Mekë e pengonte rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Ndërsa në shkretëtirë klima ishte më e pastër, uji më i ëmbël dhe mjedisi ishte më i lirë. Mbi të gjitha, në fshatrat e shkretëtirës flitej një arabishte më e bukur. Prandaj fëmijët e Mekës i jepeshin mëndeshave, të cilat vinin prej këtyre vendeve. Ato jetonin në fshatrat e shkretëtirave. Ato bëheshin mëndesha për fëmijët e vegjël në këmbim të dhuratave, parave apo edhe mallrave të tjera.

Fiset që jetonin në shkretëtirë zbrisnin në Mekë dy ose tri herë në vit. Ato i mbanin fëmijët e vegjël për dy deri në tre vjet për t’i kthyer përsëri tek familjet e tyre. Pranë Mekës gjendej një pllajë, në të cilën flitej një arabishte shumë e bukur. Në këtë vend që quhej Beni Bekr, fëmijëve u jepej një moral shumë i mirë. Mirëpo në atë kohë nëpër pllaja kishte një thatësirë të tejskajshme. Madje edhe kafshët që nxirreshin për të kullotur arrinin të gjenin shumë pak bar. Edhe qumështi i nënave ishte i pakët.

Gratë e Beni Bekrit kishin zbritur përsëri në Mekë atë vit. Ato do të merrnin fëmijë me vete që të siguronin pak më shumë të ardhura prej tyre. Njëra prej tyre ishte edhe Halimeja.

Mëndeshat kishin zbritur drejt Mekës në formë grupi. Halimeja, ngaqë kishte hipur mbi një gomar të vjetër në moshë, hyri e fundit në qytet. Pa humbur kohë ajo iu vu punës për të gjetur një fëmijë të përshtatshëm. Mirëpo ngaqë ishte vonuar, të gjithë fëmijët tashmë u ishin dorëzuar mëndeshave. Halimeja me Harithin, bashkëshortin e saj, u mërzitën shumë prej kësaj gjendjeje. Mirëpo fëmija më i bukur i Mekës kishte mbetur ende pa iu gjetur një mëndeshë.

Pak më vonë, Halimeja filloi të shëtiste rrugëve e mërzitur. Gratë e tjera i kishin ndarë mes tyre fëmijët e familjeve të kamura që prej shumë kohësh. Mirëpo nuk donte të kthehej pa marrë të paktën një fëmijë të vetëm. Teksa po ecte si e çoroditur, përpara i del gjyshi i Profetit tonë të Nderuar, Abdulmutalibi dhe i thotë:

-E kujt je ti moj bijë?

-Unë jam nga gratë e Beni Bekrit.

-Si quhesh?

-Kam dëgjuar se në Beni Bekr tregojnë një kujdes të veçantë për fëmijët. I mësojnë ata me moral të lartë, prandaj unë, o Halime, kam një ofertë për ty.

Halimeja po e vështronte Abdulmutalibin e habitur. Priste me padurim që të dëgjonte ofertën pa thënë asnjë fjalë. Gjyshi i Profetit, i çliruar, e vazhdoi bisedën prej aty nga e kishte lënë:

-Unë kam një nip jetim. I kërkova edhe mëndeshave të tjera që ta merrnin, por nuk e morën. Sikur të vije e ta merrje ti, e të bëheshe ti mëndesha e tij. Ku i dihet, ndoshta Allahu ju sjell pasuri dhe begati në shtëpinë tuaj.

Halimeja, e cila nuk donte të kthehej në vendin e saj pa marrë asnjë fëmijë, e pranoi. Mirëpo u largua për pak kohë që të bisedonte edhe një herë me burrin e saj. Pasi i rrëfeu Harithit ato që i kishin ngjarë, i tha:

-Kam dëshirë ta marr atë fëmijë. Nuk dua të kthehem pa marrë asnjë fëmijë me vete. Po të kthehem pa marrë asnjë fëmijë, do të turpërohem përpara grave të tjera të fisit. Tani më thuaj edhe ti mendimin tënd.

Harithi iu gjegj:

-Nuk ka asgjë që të na pengojë për ta marrë atë fëmijë. Ku i dihet, ndoshta Allahu e begaton shtëpinë tonë prej atij fëmije.

Kështu, burrë e grua ata u drejtuan për nga shtëpia e Abdulmutalibit. I treguan se e pranonin kërkesën e tij. Gjyshi i Profetit tonë të Nderuar u kënaq së tepërmi, prandaj e çoi Halimen menjëherë tek e ëma e fëmijës, Amina.

Në atë çast Profeti ynë i Nderuar ishte duke fjetur. Ishte rrethuar me një copë të mirë prej leshi të bardhë. Po flinte si një qingj i vogël mbi një mbulesë me thekë të bukura në ngjyrë të gjelbër. Përreth vinte një erë e mirë. Halimeja ndjeu një kënaqësi kur e pa këtë foshnjë. Nuk kishte parë kurrë më parë një fëmijë kaq të ëmbël. Ajo nuk kishte guxim që ta ngrinte prej gjumit. Megjithëse prej padurimit ia ngriti pak mbulesën e bardhë e i puthi duart e Tij të pambukta. Profeti ynë i Nderuar, që u zgjua prej kësaj puthjeje, i dha Halimes një buzëqeshje shumë të ëmbël. Në atë çast Halimes iu duk sikur donte vetëm këtë fëmijë, e asnjë tjetër. Tashmë edhe foshnja që nuk e kishin pranuar ishte bërë me një mëndeshë. Edhe mëndesha ishte bërë me një fëmijë të bekuar.

Halimeja, sapo filloi ta ushqente Zotërinë e Universit Paqja qoftë mbi Të!, filloi t’i shtohej qumështi që e kishte të pakët. Nga kjo ndodhi u habitën shumë, si ajo, ashtu edhe bashkëshorti i saj. Halimeja u ngroh aq shumë ndaj këtij fëmije të ndritshëm, sa kërkuan leje për t’u larguar pa e lëshuar fëmijën e saj prej krahëve.

Nëna jonë Amina u nda duke lotuar prej Djalit të saj të Ndritshëm. E pa mirë e mirë nga larg dhe zuri të qante.

Pasi kaluan një natë përjashta, ditën tjetër Halimeja me të shoqin vazhduan të bënin rrugën e mbetur. Halimeja qëndronte përsëri mbi gomarin e saj plak duke e mbajtur Fëmijën e Ndritshëm në krahë. Ai gomar, i cili rrugës për në Mekë ishte aq dembel dhe i ngathët, tani dukej sikur fluturonte. Madje aq shumë sa i la mbrapa të gjitha gratë e tjera. Gratë që nuk po e kuptonin se çfarë po ndodhte, i folën Halimes:

-O Halime, moj, a nuk është i njëjti gomar ky, me atë që erdhe për në Mekë? A nuk ishte ai një gomar shumë i dobët dhe ngordhalaq?

-Po, i njëjti gomar është, mirëpo as unë nuk e kuptoj se ç’është duke ndodhur. Madje shikojeni, unë as që po e ngas fare. Ngarend vetë me kaq shpejtësi.

Mbretin e Profetëve e njihnin të gjitha gjallesat që në vogëlinë e tij. Prandaj edhe ky gomar i dobët ishte entuziazmuar jashtë mase. Ai po mbante mbi kurrizin e tij Profetin tonë të Nderuar. Megjithëse njerëzit nuk e kuptonin shpejtësinë e gomarit, gomari e dinte mjaft mirë.

Falë hapave të shpejtë të gomarit, ata mbërritën shumë shpejt në pllajë. Që prej kohës që kishte ardhur ky fëmijë në këtë shtëpi po ndodhnin një sërë mrekullish. Kudo që të shkonin kafshët e Halimes, ato ktheheshin të ngopura dhe me shumë qumësht. Begatia që kishte nisur të lulëzonte në këtë shtëpi nuk gjendej në asnjë shtëpi tjetër të pllajës. Madje të parët e familjeve të tjera kishin filluar t’u bërtisnin barinjve që dilnin për të kullotur delet:

-Shikoni pak bagëtitë e Halimes! I kanë gjinjtë të fryra dhe barqet të ngopura. Ndërsa tonave u numërohen brinjët ngaqë janë pa ngrënë. Apo nuk i kullosni në të njëjtin vend.

Ndërsa çobanët sa herë që përballeshin me fjalë të tilla, përgjigjeshin:

-Betohemi që i kemi kullotur në të njëjtin vend. Bashkë me bariun e Halimes kemi qenë deri në mbrëmje.

-Gënjeni. Nuk i keni kullotur në të njëjtin vend. Bariu i Halimes shkon dhe i kullot ato në pllajat më të mira. Kurse ju shkoni për t’u argëtuar me njëri-tjetrin e pastaj ktheheni përsëri në shtëpi. Që këtej e tutje do t’i çoni atje ku i çon edhe ai, morët vesh? – ia kthenin ata të nevrikosur.

Biseda të tilla kalonin thuajse çdo ditë mes familjarëve dhe barinjve. Ndonëse bagëtitë e familjes ku qëndronte fëmija i shkëlqyer ktheheshin gjithnjë të ngopura prej asaj thatësire. Ndërsa kafshët e tjera ngjanin sikur do të ngordhnin urie nga çasti në çast.

ilmihali

Share this post

scroll to top