Një bari fjalëdrejtë dhe mrekullia e qumështit

close-up-milk-from-goats-scaled-e1708941415398.jpg

Ebu Bekri i nderuar dhe Profeti i Allahut Paqja qoftë mbi Të vendosën të dilnin njëherë jashtë Mekës, më tepër për të gjetur paksa qetësi shpirtërore. Ishte bërë aq e nevojshme atyre ditëve aq të këqija. Përballë u doli një bari që quhej Abdullah bin Mes’ud; kulloste delet e Ukbe bin Ebi Muajtit. I kishte dëgjuar të gjitha ato që fliteshin për Muhamed Fjalëdrejtin dhe Ebu Bekrin besnik; kushdo le të fliste, por këta ishin me të vërtetë dy nga njerëzit më të rëndësishëm të Mekës, megjithëse edhe padroni i tij, Ukbe bin Ebu Muajti nuk para i pëlqente. Sa herë që dikush e sillte bisedën rreth tyre ai nuk i mbante dot fjalët e këqija. Mirëpo, Ibn Mes’udi ishte aq i pjekur sa të gjykonte në vetvete. Çdo njeri i ri që u dilte përballë, ishte një shkak për të rrëfyer Islamin, për Profetin e shpirtrave, andaj vendosi që t’i bënte një pyetje këtij bariu që ishte habitur nga takimi me ta:
– Djalosh, a ke pak qumësht aty?
– Po, – ia ktheu përgjigjen i ndrojtur Ibn Mes’udi.
– Ka qumësht, por është i tjetërkujt, unë jam vetëm ruajtësi, kështu që nuk mund t’ju jap, – vazhdoi ai.
Ishte diçka me të vërtetë e rrallë në atë kohë të injorancës që të piqeshe me njerëz kaq të drejtë. Ky dukej që ishte një njeri që kishte mundur që ta ruante lartësinë e njeriut përballë gjërave të ulëta që kishin pushtuar çdo anë. Ai nuk mund të ishte duke bërë gjë tjetër, veçse duke përfaqësuar ndërgjegjen e tij, dhe e kishte të pamundur që t’i gënjente. Gjithashtu, ishte shumë e rëndësishme, që teksa niseshe t’i kumtoje dikujt diçka të rëndësishme, duhet ta njihje më së miri natyrën dhe karakterin e tij. Dukej, që edhe Mbreti i zemrave njerëzore, donte të fliste me të pikërisht me gjuhën që atij i pëlqente. Andaj, iu kthye edhe njëherë Ibn Mes’udit dhe e pyeti:
– Atëherë, a mund të sjellësh këtu, një sheleg, ose një dhi, e cila nuk ka lindur asnjë të vogël?
Megjithëse kjo pyetje e kishte habitur tejmase, dukej që Ibn Mes’udi do ta kryente atë që po i kërkonin. Ai teksa po hynte në mes të kopesë për të gjetur një të atillë syresh, mendohej se ç’do të ndodhte më vonë. U fut në mes të kopesë, e që andej nxori një kec të vogël, të cilin e pruri pranë Të Dërguarit të Allahut. Fillimisht, i Dërguari i Allahut, e lidhi mirë e mirë kecin jo edhe aq të vogël. Mandej, vendosi duart poshtë gjinjve të tij, e filloi të thoshte disa lutje, ashtu nëpërdhëmbë. Kur ishte Resulullahu sal’lallahu alejhi ue sel’lem Ai që kërkonte, si ishte e mundur që Allahu të mos ia jepte! Sepse Ai ishte një njeri që e dinte shumë mirë se si do ta kërkonte diçka, nga kush dhe kur.
Abdullah ibn Mes’udi ishte bërë asisoj që i dukej sikur do t’i dilnin sytë prej vendit nga ato që po i shihnin; sepse ndërmjet damarëve të gjinjve të thatë, pati rrjedhur qumësht, duke u mbushur plot e përplot. Kjo nuk mund të ishte e mundur. Kishte kaq kohë që rrinte bari, e as kishte parë, e as kishte dëgjuar për diçka të këtillë. Një tjetër që po i shihte të gjitha sa po ndodhnin ishte edhe Ebu Bekri, i cili rendi menjëherë për të gjetur një enë ku të mund të milnin dhe hidhnin qumështin e mrekullishëm. I Dërguari i Allahut, u kthyer fillimisht nga njeriu i Tij më i dashur Ebu Bekri dhe e urdhëroi që të pinte. Ebu Bekri e çoi pranë buzëve enën, dhe piu nga ai qumësht derisa u ngop. Mandej, e mori Resulullahu, dhe piu edhe Ai derisa u ngop. Tashmë qëllimi ishte realizuar, dhe nuk ishte më e nevojshme që të bënin tjetër gjë. Tanimë ishte koha që çdo gjë të kthehej në gjendjen e mëparshme. Për t’ia arritur kësaj, Profetit të Njerëzimit i duhej veç t’i thoshte disa fjalë gjirit që të kthehej në gjendjen e mëparshme, dhe gjiri u rrudh, duke u kthyer menjëherë, çuditshmërisht në gjendjen e thatë.
Këtë herë ishte Ibn Mes’udi që dëshironte të fliste:
– A m’i mëson edhe mua ato fjalë që the, o i Dërguar i Allahut, – e pyeti ai Profetin.
Tanimë ishte zgjidhur çdo gjë, edhe Ibn Mes’udi e kishte marrë mësimin e duhur. Dukej qartazi që edhe Ibn Mes’udi ishte besimtar që këndej e tutje. I Dërguari i Allahut, iu afrua atij pak më afër, i vendosi dorën e tij të butë mbi kohë, dhe filloi ta përkëdhelte.
– Ti je një djalë shumë i zgjuar! – i tha Ai Abdullahut.
Abdullah bin Mes’udi hyri kështu në rrugën që do ta çonte në udhën e njërit prej njerëzve më të ditur, ku më vonë edhe do ta thërrisnin “hibru’l umme”. Në ato çaste vetëm përmendte fjalën e dëshmisë. Ditën e nderimit me Islamin të Abdullah ibn Mes’udit do të nderoheshin edhe dy njerëz të tjerë të ndershëm, dhëndrri i familjes së Hatabëve, Said bin Zejdi, bashkë me të shoqen, Fatimen, e cila ishte njëkohësisht edhe e motra e Omer ibn Hatabit.

ilmihali

Share this post

scroll to top