Rruga për te shpella e Theurit dhe përkujdesja e Ebu Bekrit

profeti-muhamed-45.jpg

Drejtuar Theurit

Ishte e njëzet e shtata ditë e muajit të udhëtimit. Migrimi i bekuar kishte nisur nga shtëpia e Ebu Bekrit në errësirën e natës. Vetëm se drejtimi po tregonte shpellën e Theurit, e cila gjendej rrugës së Jemenit, e cila të nxirrte edhe në Medinë. Do të bënin afërsisht tetë kilometra, derisa në fund t’i ngjiteshin, ndryshe nga të tjerët, atij shpati plot gurë dhe tejet të mundimshëm. Veç kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), megjithëse kishte një rrugë tejet të gjatë për të bërë, dhe të gjitha kushtet ishin mbledhur kundër Tij, ecte në majë të gishtave, pasi nuk donte të linte gjurmë. Me pak fjalë kishte nevojë ende për manevra të tilla. Do të rrinin për pak kohë këtu, për të ndjekur se ç’do të ndodhte sakaq në Mekë. Sepse Resulullahu e dinte mjaft mirë, që edhe sikur të dilte nga Meka, edhe atje ku do të shkonte nuk kishin për ta lënë të qetë, si dhe e merrte me mend se me ta marrë vesh që Ai ishte larguar, ata do të bënin çmos që ta pengonin disi. Mekasit e dinin ikjen e sahabëve të Muhamedit në Medinë, kështu që përdornin çdofarë metode për t’i penguar që t’i kthenin mbrapsht.

Edhe Ebu Bekri sillej tërë kujdes. Dridhej i tëri nga frika vetëm se mos i bënte njeri keq të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ndonjëherë i dilte përballë, për t’i prirë rrugës, ndërsa disa herë rrinte pas që të ndiqte të ecurën e Tij. Profeti ynë e vërejti këtë sjellje, andaj i tha:

– O Ebu Bekër! Çfarë të ka gjetur kështu, që njëherë më del nga përpara, e njëherë nga pas.

– O i Dërguari i Allahut! Eci nga pas Teje për t’u siguruar se nuk do të të vijë ndonjë e keqe nga pas, ndërsa nga para të dal nga frika se mos përballemi me spiunët e ndokujt.

Profeti ynë, si për ta vlerësuar këtë sjellje kaq delikate, i tha:

– O Ebu Bekër! Po pse, mendon ti se kam ndonjë gjë më të dashur se ty unë gjatë këtij rrugëtimi.

– Jo, o i Dërguari i Allahut! Të betohem për Atë që të ka nisur me të vërtetën, se unë jap edhe shpirtin për Ty, dhe para se të të vijë Ty ndonjë e keqe, më mirë të më vijë mua! – ktheu Ebu Bekri kësodore një përgjigje që mund t’i përgjigjej disifarë komplimentit të të Dërguarit të Allahut![1]

 

Përkujdesja e Ebu Bekrit në shpellë

Në shpellën atje sipër duhet të hynte Ebu Bekri i nderuar i pari. Sepse çdo gjë e papëlqyer me të cilën mund të përballeshin, duhet të ishte ai që do ta parandalonte, në mënyrë që të mos dëmtohej Profeti i Allahut paqja qoftë mbi Të. Kjo ishte një përkujdesje a la Ebu Bekir. I gjithë meraku buronte nga frika se mos i ngjitej qoftë edhe një grimcë pluhuri të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Prandaj e pati copëtuar edhe rrobën që kishte veshur. Po mbyllte vrimat në mënyrë që të mos dilte ndonjë kafshë, e cila mund t’i bënte keq Atij. Mbetën vetëm dy vrima të cilat nuk i mbylli dot. Por edhe për to pati gjetur një zgjidhje. E thirri brenda të Dërguarin e Allahut pasi e mbylli njërën me këmbën e majtë dhe tjetrën me këmbën e djathtë. Ky ishte pikërisht ai veprim fisnik, për të cilën Omeri i nderuar do të thoshte: “Jepja çdo vepër timen për të pasur një natë si ajo në jetë.” Nga ato vrima që patën mbetur të hapur, prej njërës kishte dalë një gjarpër, i cili e kishte kafshuar në këmbë. E kishte ndjerë djegien e vendit të plagës, por nuk kishte nxjerrë zë, vetëm që të mos zgjohej i Dërguari i Allahut. Më në fund, kishin qenë pikërisht disa lot dhe djersët e ftohta që i kishin bërë përshtypje Profetit tonë të dashur, prandaj e pati pyetur:

– Çfarë ke kështu, o Ebu Bekër?

– Nëna dhe babai im të qofshin falë o i Dërguari i Allahut! Më kafshoi gjarpri.

Ndërsa e thoshte, në fytyrë i iknin dhe i vinin disa ndjesi turpi. Nuk donte që Resulullahu të mërzitej prej një çështjeje që kishte të bënte me të, për më tepër të humbte kohë duke u shqetësuar. Sakaq, i Dërguari i Allahut përhapi pak nga pështyma e Tij mbi plagë, dhe mandej iu lut Allahut (xh.xh.) që t’i jepte shërim. Për një grimëçast gjithçka u kthye në normalitet. Gjithçka ishte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sepse edhe vetë Ebu Bekri nuk kishte më asnjë dhimbje.[2]

Ndërkaq punës ia kishte filluar një merimangë. Po thurte një rrjetë pikërisht në hyrje të shpellës. Aty ishin vendosur edhe dy pëllumba bashkë me çerdhen e tyre. Filloi të rritej një pemë mu në të hyrë, asisoj që e mbulonte krejt hyrjen. Të gjitha tok po fshihnin të Dërguarin e Allahut. Dukej qartë se Allahu (xh.xh.) nuk do t’ia linte askujt në dorë të Dërguarin e Tij, duke e mbrojtur vetë nga fillimi gjer në fund.

Ndjekësit kishin ardhur deri fare pranë Theurit. Donin të kontrollonin shpellën, pasi besonin se pikërisht aty duhet të ishin fshehur. Mirëpo, kur panë pemën e rritur, çerdhen e pëllumbave dhe rrjetën aq të vjetër të merimangës, njëri syresh belbëzoi:

– Shihe pak atë rrjetë merimange! Ngjan të jetë thurur shumë kohë përpara se të lindte Muhamedi.

As të tjerët nuk mendonin më ndryshe. Megjithëse rrjeta e merimangës ishte tejet e hollë, Allahu e pati mbrojtur sërish Profetin e Tij, duke i bërë mekasit që të ktheheshin duarbosh për andej nga kishin ardhur.[3]

Ebu Bekrit, me të kuptuar ardhjen e tyre deri në të hyrë të shpellës, filluan t’i rridhnin sërish djersë të ftohta. Ebu Bekri, i cili i ndjeu hapat e tyre që vinin si lopë të tërbuara, tha:

– O Resulullah! Sikur vetëm njeri prej tyre të zgjatet e të shohë nga brenda vetëm nga largësia e një këmbe, ka për të na parë shumë qartë.

I Dërguari i Allahut, donte ta qetësonte mikun e Tij të shpellës, të cilit i kishte deklaruar “Ti je vëllai im”.

– Pse shqetësohesh për dy veta, kur i treti me ta është Allahu? – ishte pyetja e Tij aq kuptimbukur.[4]

Ishte vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që e thoshte këtë fjali. Ai ishte robi më i dashur i Allahut. Dhe ishte pikërisht Ai që ia kishte parathënë, se do ta ndihmonte karshi të gjithë keqbërësve.[5] Fliste krejt i sigurtë. Sepse e dinte, që edhe nëse nuk e ndihmonte Kurejshi prej moskuptimit, Allahu kishte për ta ndihmuar ashtu siç kishte ndihmuar të gjithë mëkëmbësit e tjerë më parë! Do ta ndihmonte edhe duke i dërguar ushtri të tëra, të cilat nuk i shihte syri, dhe me një qetësi shpirtërore të parrëfyeshme.

E dinte mjaft mirë edhe Ebu Bekri i nderuar. Mirëpo veç ta dije, nuk mjaftonte për t’u përballur me tërë vështirësitë e atyre ditëve. Sepse ai me këtë shfaqte të gjithë merakun që duhej treguar, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për shënjestrimin e një njeriu të vetëm, por për mbarë njerëzimin, nëse bëhej fjalë drejtpërsëdrejti për të Dërguarin e Allahut.

Më në fund, edhe ata që patën ardhur gjer në të hyrë të shpellës po ktheheshin, dhe rruga, qoftë edhe për pak do të ishte e sigurt. Ebu Bekri ndërkaq dilte shpesh për të parë terrenin. Kur u pa se të tjerët ikën, pranë tyre vinte edhe Abdullahu, djali i Ebu Bekrit, i cili u sillte lajme mbi ato çfarë ndodhnin në Mekë. Ndërkaq kishin ardhur edhe dy udhërrëfyesit, Amiri dhe Abdullah ibni Urejkiti. Me vete kishin marrë edhe devetë që do t’i shpinin gjer në Medinë.

Ebu Bekri i mori devetë, dhe atë që dukej më e mbajtura, ia dha të Dërguarit të Allahut.

– Nëna dhe babai im të qofshin falë! Hip o Resulullah!

Mirëpo u përball me një përgjigje, të cilën nuk e priste:

– Unë nuk mund të hipi mbi një deve që nuk është e imja.

Ebu Bekri do të vepronte pikërisht ashtu siç i shkonte emrit Siddik, kështu që i tha:

– Nëna dhe babai im të qofshin falë! Ajo është e jotja, o i Dërguari i Allahut!

Vetëm se as kjo nuk ishte zgjidhje. Resulullahu, akoma edhe më i vendosur:

– Jo, vetëm me kushtin që të të paguaj paratë që ke harxhuar për ta marrë.

Ebu Bekri e tregoi i detyruar.

– Edhe unë me atë çmim e mora.

Kësodore, në një pikë kaq kyçe, umetit po i jepej një tjetër mësim.

Lajmet që vinin nga Meka, tregonin se ashpërsia e ditëve të para nuk ishte më e njëjta. Me pak fjalë, kishte ardhur çasti për t’u nisur. U larguan sërish një ditë të hëne nga shpella. Në fillim shkuan në drejtim të perëndimit, andej nga bregu, ku nga Deti i Kuq morën drejtimin për drejt e në qytetin e Medinës. Në fakt rruga Mekë-Medinë ishte një rrugë me të cilën nuk ishin mësuar. Nisi prej Theurit dhe zgjati plot shtatë ditë, dhe me shumë mundime. Bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ishin Abdullah ibni Urajkiti, Amir ibni Fuhejre, pa harruar edhe Besnikun, Ebu Bekrin e nderuar.


[1]Hakim, Mustedrek, 3/7, Mishkatu’l-Mesabih, 2/556; Mubarekfuri, er-Rahiku’l-Mahtum, fq. 155-6
[2] Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadun-Nadira, 1/450
[3] Isbehani, Delail, 1/76-77; Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 3/231
[4] Teube, 9/40
[5] Maide, 5/67

ilmihali

Share this post

scroll to top