Ndodhia e Tebukut
Tebuku është një lëvizje me përmasa luftarake, e planifikuar karshi Bizantit, më tepër për të thyer rezistencën e tij; po megjithëse u bënë të gjitha përpjekjet për betejë, ushtria u kthye që andej pa hyrë në luftime. Nisja për Tebuk ishte planifikuar si nisje drejt luftës dhe përgatitjet e stërvitjet ishin të një niveli serioz. Profeti i kishte ftuar haptazi të gjithë besimtarët për në betejë dhe udhëtimi kishte nisur në një atmosferë të vërtetë luftarake. Po ndërkohë, disa persona erdhën pranë Profetit dhe paraqitën justifikime të ndryshme, duke i kërkuar leje që të mos merrnin pjesë në luftë. Qëllimi ishte që këta persona, edhe pse nuk do të shkonin në luftë, do të ishin të justifikuar e të falur për këtë. Kjo ishte dhe arsyeja që Profetit i zbriti për të dytën herë një ajet i tillë, që në pamje të parë, dukej se i tërhiqte vëmendjen. Në ajet thuhet kështu:
“Allahu të fal ty që u lejove atyre të mungojnë, para se ta kuptoje se kush të flet të vërtetën dhe derisa t’i njihje gënjeshtarët?” (Tevbe 9/43)
Fjalia që përkthyem “Allahu të fal ty!”, mund të zgjojë përshtypjen sikur bëhet fjalë për një mëkat, ndaj edhe është përmendur falja. Po përkthimi i përgjithshëm nuk i përfshin nuancat e detajet e origjinalit, ndaj dhe kjo shprehje që ne preferuam si më të përafërtën, nuk mund të quhet e goditur. Duke i dhënë kësaj fjalie përkthimin “i falur qofsh!” apo “falja e Zotit qoftë mbi ty!” ndoshta mund të arrijmë ta zgjojmë sadopak atë stil të ëmbël që spikat në ajet.
Së pari, fjalia fillon me këtë fjalë, duke treguar më së miri dashurinë e konsideratën që tregon Allahu ndaj Profetit të Vet. Sepse ajo fjalë që përmban një kuptim vërejtjeje është lënë për më pas, kështu komunikimi nis me një shprehje aq të ëmbël e aq zbutëse, sa thua se po çel trëndafila mbi fjalë me atmosferën e mrekullueshme që krijon. Që të gjithë të mëdhenjtë e linguistikës, që nga Dhemahsheri deri te Sakkaki, e kanë konceptuar e interpretuar këtë ajet si një kompliment drejtuar Profetit, e aspak si vërejtje apo qortim408. Si ai babai i dashur, që e përkëdhel fëmijën e vet të dashur e i tërheq paksa veshin, me kujdes, që mos t’i shkaktojë as dhimbjen më të vogël… bile, ai ia ngul sytë gjithë dashuri të birit e i buzëqesh, që ai mos ta marrë këtë veprim si një qortim a dënim. Edhe këtu, nën atë vërejtje mirësie e butësie dallohet qartë një kompliment i tillë, ndërsa është e vështirë të pohosh se bëhet fjalë për një qortim a tërheqje vërejtjeje ndaj Profetit. Me mundësi të madhe, ky ajet synon edhe që t’i sjellë në mendje e t’ia përkujtojë këto çështje Profetit:
Secili prej atyre që erdhën, nxori një justifikim, mori leje e u largua. Ti nuk u the asnjë gjë. Po Ti e di mirë se mes atyre që të morën leje ka edhe nga ata që ndryshe janë në të vërtetë e ndryshe duken. Këta sillen sikur janë me Ty, sikur janë në krah të besimtarëve, po në vetvete fshehin çdo lloj ligësie e ngatërrese në lidhje me ta. Po ata që janë të tillë, pse i justifikove? Padyshim, padyshim (fjalia foljore, e cila përdoret në këtë origjinal, ka për qëllim përforcimin e kuptimit të fjalisë), ata njerëz të drejtë që e kanë vërtetuar lidhjen e besnikërinë ndaj teje, do të dalloheshin e do të veçoheshin nga ata gënjeshtarë hipokritë, që mashtronin me premtime të rreme, ndërsa zemrat u rrihnin me tradhti. Kështu që edhe Ti do t’i njihje që të gjithë hipokritët, emër për emër. Ti, që e kishe skicuar më së miri stereotipin e tyre me këta fjalë: “Hipokrit është ai që kur flet, gënjen; kur jep fjalën, kthehet dhe kur i mirëbesohet diçka, e tradhton.”409 Mandej do të kishe mundësinë t’i njihje që të gjithë se kush janë në të vërtetë. Megjithatë, Profeti herët a vonë, do t’i njihte ata, vetëm se toleranca e butësia e Tij shpirtërore u bënë shkas që ta vononin pak këtë gjë.
Është e qartë se në këtë ligjëratë, ka kujtesë dhe kurrsesi qortim. Jo vetëm që nuk ka qortim, po ndihet edhe një farë vlerësimi e lavdërimi, madje. Duhet të pranojmë se edhe në këtë ajet Profeti këshillohet me të përsosurën, sepse thjesht e mira, është e pamjaftueshme për vetitë e Tij.
Dhemahsheri mbron teorinë se “Ku përmendet falja, ekziston edhe mëkati.”410
Po Fahreddin Razi nuk e pranon kurrsesi një teori të tillë dhe deklaron: “Ndoshta për ne, njerëzit e thjeshtë, kur flitet për faljen, nënkuptohet edhe ekzistenca e mëkatit. Por, për profetët, falja nënkupton vetëm kompliment!”411
Nëse e pranojmë siç është këtë përkufizim të Raziut, atëherë ky ajet është fund e krye një kompliment! Sikur e kemi shprehur edhe më lart, Profeti ynë zotëron një logjikë profetike të pashoqe. Ai e di shumë mirë se si të veprojë e ku të veprojë, sepse Ai i di shumë mirë kriteret e veprimit dhe të përfundimit të shumë çështjeve që has gjatë kohës. Këtu, përballë logjikës së Tij është vënë një tjetër alternativë: Nuk duhet të jepje leje, derisa hipokritët të dalloheshin e të veçoheshin dukshëm prej besimtarëve, kështu për ta nuk do të ekzistonte mundësia të bazoheshin në një justifikim e leje profetike për veprimin e tyre. Gjithsesi ata ishin të veçuar, i përkisnin një tjetër shtrese. Ndaj, Profeti, duke mos e ligjëruar këtë ndarje të tyre, do bëhej shkak që hipokrizia e tyre të dilte sheshit. Një trajtim i tillë i çështjes ishte ajo që kërkonte Allahu nga Profeti. Në fakt, Zoti ia bënte të ditur gjithë hipokritët Profetit, duke e ruajtur të Dashurin e Vet nga dëmi i tyre, po në këtë rast, ata do ndaheshin me vullnetin e tyre, duke e treguar haptazi se çfarë ishin. Ja, sipas Kur’anit, Profeti, duke justifikuar mospjesëmarrjen e tyre në luftë, kishte humbur shansin e përmendur, për t’i njohur ata më së miri… po megjithatë, edhe ky rast ishte bërë shkak që Ai të mbështillej me paqe e dashuri. Kjo sjellje e Profetit është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i karakterit të Tij fisnik dhe i virtytit që zotëronte; atij virtyti që pritej prej Tij e që konkretizohej në qenien e Tij. Për shembull, Ai asnjëherë gjatë jetës së Vet nuk kishte vepruar në mënyrë që të demaskonte apo të vinte dikë në pozitë të vështirë, kushdo të kishte qenë. Asnjëherë nuk i kishte përmendur gabimet individuale duke iu drejtuar personit drejtpërsëdrejti; Ai gjithmonë kishte tërhequr vëmendjen në mënyrë të përgjithshme duke u bazuar në një parim të tillë, që fjalët që thoshte, të ishin këshillë për të tjerët e vërejtje apo korrigjim për personin në fjalë. Kjo mënyrë e Tij e sjelljes është përcjellë nga shumë shembuj konkretë. Kështu, edhe gabimi korrigjohej, edhe personi nuk vihej në pozitë të vështirë. Ja pra, i tillë ishte karakteri i Profetit tonë. Sikurse çdokush që vepron ashtu siç ia imponon karakteri i vet, ashtu edhe ai vepronte ashtu siç e drejtonte karakteri i Tij i lartë. Një profet nuk mundej kurrsesi të çirrte perden e të bëhej shkak për shkatërrimin e bashkëfolësit, duke dëshmuar të metën, gabimin apo fajin e tij. Aq më tepër Ai, që asnjëherë nuk i kishte thënë askujt as gabimin më të vogël në sy, nuk i kishte thyer zemrën, nuk kishte vënë kënd në pozitë! Për shembull, i Dërguari i Allahut mund t’i njihte që të gjithë hipokritët, krye e për emër, po Ai asnjëherë nuk e bëri të ditur një gjë të tillë. Jo ta zbulonte e ta përhapte këtë fakt, po Ai sillej me ta sikur sillej me gjithë besimtarët e tjerë. Bile një ditë, njëri prej tyre erdhi pranë Profetit dhe i shprehu pendimin e vet. Hipokrizia e dyshimet i ishin fshirë tashmë, ai kishte besuar sinqerisht deri në fund. Pasi shprehu pendesën e vet, ky person i tha Profetit:
– O i Dërguari i Allahut! Kështu si unë ka edhe shumë të tjerë. Po sikur t’i thërras edhe ata e të shprehin edhe njëherë besimin e tyre?
Po Profeti kishte ruajtur sërish të njëjtin parim:
– Jo, jo! Në asnjë mënyrë! Ata nuk duhet ta dinë se unë e kam mësuar gjendjen e tyre. Vetëm se ti shpjegoju atyre me durim ato të vërteta që di!
Ja, Ai nuk e gris perden kurrsesi dhe nuk i turpëron ata në praninë e Vet. Abdullah bin Ubejj bin Selul ishte njëri prej armiqve më të ashpër të Tij. Po ai gjithmonë hiqej si besimtar. Edhe Profeti preferoi ta trajtonte atë njeri ashtu sikur ai dukej. Deri në momentin e fundit, nuk e preu shpresën nga ai. Po Allahu e kishte prerë! Ai vdiq si munafik. Në shtratin e vdekjes, ai dërgon të birin te Profeti dhe i kërkon këmishën, duke dashur kështu të ndryshojë të paktën në çastet e fundit atë opinion që qarkullon për të. “Po të ishte munafik, Profeti nuk do pranonte t’ia jepte këmishën!”, do të thonin për të. E pra, Profeti këtë e dinte më mirë se kushdo, po prapëseprapë, nuk e grisi perden dhe ia dërgoi atij këmishën e vet.412 Bile, mori pjesë edhe në varrimin e tij413. Sepse edhe i biri, edhe e bija e tij ishin besimtarë të sinqertë, ndaj dhe Profeti, për hatër të tyre, nuk i kishte marrë parasysh aspak armiqësitë e atij hipokriti.
Sërish, në lidhje me këtë temë, dua të paraqes edhe këtë shembull të vogël, sa për të dhënë një ide më të qartë. Njëri prej bashkëkohësve të Profetit donte të shiste një skllavin e tij, po me kusht që e drejta e Tutelës* t’i mbetej atij. Po sipas të drejtës Islame, kjo e drejtë i përket personit që i fal lirinë skllavit, jo atij që e shet. Kjo është një normë e paracaktuar fetare, që nuk mund të pretendohet e kundërta e saj, përndryshe lind një padrejtësi e madhe. Ndoshta ai njeri nuk e dinte normën fetare në lidhje me këtë çështje, prandaj dhe kishte pretenduar një diçka të tillë… Çështja iu përcoll Profetit. Po si gjithmonë, Profeti nuk iu drejtua direkt personit në fjalë, po u ngjit në katedër dhe duke iu drejtuar të gjithë të pranishmëve, shpjegoi normën fetare në lidhje me këtë temë. Në fund të kumtesës, urdhëroi e tha: “E drejta e tutelës i përket atij që i fal lirinë skllavit.”414
Këtu ne mund të rreshtojmë edhe qindra shembuj të tjerë, që tregojnë se si Profeti nuk ia kishte përplasur bile as kriminelit krimin në fytyrë dhe nuk kishte bërë me turp asnjeri, sepse morali i Tij i lartë i diktonte kështu.
Ishte sërish ky moral i lartë që e kishte ndikuar edhe te leja e justifikimi para betejës, të cilët ai nuk ia kurseu askujt. Ai i kishte dhënë leje të gjithë atyre, pa ia përplasur në fytyrë qëllimin e tyre të vërtetë, duke mos e çjerrë sërish perden mes tyre. Po, zemra e Tij ishte shumë e gjerë, Ai ishte një Profet Famëlartë, që i ishte dhuruar sekreti i ajetit “Vallë a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin) dhe ta hoqëm barrën, e cila të rëndonte tepër kurrizin?” (Inshirah 94/1). Edhe në një tjetër rast kur hipokritët paraqitnin hapur karakterin e tyre të vërtetë, duke thënë gënjeshtra, Profeti tërheq një perde mbi gënjeshtrat e tyre dhe u tregon atyre se ç’është morali i një profeti415
Sa i lartë është ai profet, për të cilin Kur’ani, Tevrati e Ungjilli, thuajse konkurrojnë me njëri-tjetrin për të shpallur madhështinë e famës së Tij…
408 Kurtubi, 8/98-99
409 Buhari, Iman, 24; Muslim, Iman, 107; Tirmidhi, Iman, 20; Musned 2/2, 291, 357
410 Dhemahsheri, Keshshaf
411 F. Razi, Mefatihu-l Gajb
412 Buhari, Xhenaiz, 23; Libas, 8; Musned 2/18.
413 Buhari, Xhenaiz, 23.
* Në aspektin e të drejtës Islame, është e drejta e tutelës dhe e përfaqësimit në lidhje me skllavin e liruar, po veçoria e saj specifike del në pah në të drejtën e trashëgimisë. Nëse skllavi i liruar nuk ka trashëgimtarë, e drejta e trashëgimit i kalon atij që i fal lirinë.
414 Buhari, Keffarat,9.
415 Buhari, Tefsir 21/2, 5, 14; Muslim, Taharet, 17, Sahat, 53; Tirmidhi, Kijame, 3