Agjërimi me besim të plotë si mundësi faljeje!

profeti-muhamed-23.jpg

Në një hadith të bekuar thuhet: “Kushdo që e mban agjërimin duke besuar dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”

Me këtë hadith të bekuar Profeti ynë i Nderuar (ekmelut’tehaja) na ka dhënë sihariqin se do t’i falen të gjitha mëkatet e shkuara kujtdo që beson plotësisht te begatia që vjen bashkë me Ramazanin, e mban agjërimin me sinqeritet dhe përzemërsi dhe e vlerëson këtë muaj me të gjitha adhurimet dhe devotshmërinë e nevojshme dhe shpërblimin e pret vetëm e vetëm nga Allahu.

Me fjalën “besim” në këtë ajet nënkuptohet besimi te çdo gjë që është për t’u besuar dhe mbi të gjitha besimi pa kurrfarë dyshimi a lëkundjeje e me gjithë zemër te të gjitha urdhëresat fetare në lidhje me agjërimin; që agjërimi është farz, për të cilin ka një shpërblim mjaft të madh dhe mbi të gjitha, që përbën një shkas për fitimin e kënaqësisë hyjnore.

Po, sepse ne jemi robërit e Allahut; Allahu është i adhurueshmi ynë. Ato çfarë kryejmë ne kundrejt Tij janë e drejta e Tij dhe detyrë e përgjegjësi e jona. Ai është në dijeni të adhurimeve tona dhe di çdo gjë që bëjmë ne. Të gjitha bëmat tona, të cilat Allahu i sheh dhe i di, do të vijë koha dhe do të na kthehen neve në trajtën e pemëve që japin fryte. Veç kësaj, kur ne ngremë duart dhe i drejtohemi Atij, siç thuhet edhe në një hadith kudsi, “nuk do të kthehen duarbosh duart e hapura që i drejtohen Atij.”

Kur i drejtohemi Allahut dhe i lutemi e i përgjërohemi, para së gjithash duhet të besojmë plotësisht që Ai i sheh robërit e Tij, ua dëgjon lutjet dhe ka gjithë fuqinë që t’ua realizojë dëshirat dhe kërkesat. Përndryshe, hapja e duarve fiton një kuptim, sikur “po ma dha ma dha, po nuk ma dha nuk ma dha”, e kjo është edhe mungesë respekti, por edhe dihet që një thirrje e këtillë nuk është as e denjë për të marrë një përgjigje. Ai, me mirësinë dhe bujarinë e Tij dhe duke qenë se mëshirën e ka më të gjerë sesa ndëshkimin, mund t’u japë edhe të tillëve; ne nuk mund të themi që nuk u jep. Por, nisur nga dimensioni ynë, kushti i parë që Ai t’i pranojë lutjet tona është besimi tek Ai me gjithë zemër. Kur besimtari i ngre duart lart me sinqeritet, Allahu nuk i kthen pas lutjet e tij, nuk e nxjerr të turpëruar atë; përkundrazi, e trajton atë me mirësi, në mënyrë që ai të dojë t’i drejtohet asaj porte edhe njëherë tjetër. Ky është kuptimi i kushtit “duke besuar” të shprehur në hadith.

Ndërsa, fraza “duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu” do të thotë ta shpresosh çdo shpërblim nga mëshira e Tij, duke mos pasur kurrfarë pritmërie dhe duke pasur parasysh vetëm e vetëm kënaqësinë e Tij. Në punët e mira dhe në adhurime nuk duhet të ketë asgjë që bie ndesh me sinqeritetin dhe përzemërsinë; njeriu nuk duhet të bjerë, as në vetëpëlqim, as në dëshirën për t’u dukur. Asnjë bëmë, asnjë punë, nuk duhet të ngrihet mbi vlerësimin dhe duartrokitjet e njerëzve; çdo gjë duhet të bëhet për Allahun dhe pritshmëritë duhet të jenë vetëm e vetëm nga Allahu. Edhe në ato pritmëri, përpjekja për t’i arritur ato duhet të mbahet përherë shumë e lartë; punët e bëra nuk duhet të varen nga dobitë e kësibotshme që mund të sjellin. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për punët që bëjmë, ta përdorim siç duhet vullnetin, por, tekefundit, rezultatin e çdo gjëje duhet ta presim vetëm nga Allahu. Teksa ia paraqesim Allahut robërinë tonë, nuk duhet ta nxjerrim asfare nga mendja se i Adhuruari është Ai, ndërsa ne jemi thjesht robërit e Tij; ne duhet ta përmbushim robërimin tonë vetëm sepse kjo është e drejta e Tij. Prandaj ne nuk duhet t’i lidhim adhurimet me nevojat dhe dëshirat tona, por t’i kryejmë ato sepse janë një detyrim që kemi ndaj Krijuesit.

Në vetvete, as kërkimi i diçkaje nga Allahu nuk është një e drejtë e jona; ajo është më shumë si një e drejtë mirësi, që na e ka falur po Ai. Ai bën aq shumë mirësi, sa që na ka dhënë neve edhe një të drejtë si kjo, që ne të mund të kërkojmë prej Tij. Njëfarësoj Ai na ka thënë: “Më adhuroni dhe përmbusheni robërinë tuaj me devotshmëri – kjo është detyra juaj – që Unë t’ju gëzoj ju edhe më shumë me mirësitë marramendëse që do t’ju fal në botën tjetër.” Pra, ka bërë një marrëveshje me ne duke na dhënë disa të drejta. Është Ai që na ka falur të drejtën të lutemi dhe është Po Ai që do ta japë mundësinë e asaj për të cilën jemi lutur.

Tekefundit çfarë kemi ne në natyrën tonë, apo sa është kapitali që kemi nga rrisku që na ka falur Zoti, që ne të kemi ndonjë të drejtë vetanake tonën! Ne, kryekëput dhe me çdo gjë tonën i përkasim vetëm Atij dhe edhe pse kemi ndonjë të drejtë, të cilën na e ka falur po Ai, ne jemi para së gjithash robërit e Tij. Kështu që ne duhet të sillemi siç i ka hije robërisë dhe duhet të kërkojmë vetëm e vetëm kënaqësinë e Krijuesit dhe Furnizuesit tonë të vërtetë, Zotit. Edhe adhurimet, me këtë synim duhet t’i kryejmë. Ja pra, edhe fraza “duke e pritur shpërblimin”, thekson se agjërimi duhet të mbahet vetëm për Allahun dhe domosdoshmërinë që shpërblimin ta presë vetëm e vetëm nga Ai.

ilmihali

Share this post

scroll to top