MIGRIM I SHENJTË NË MEDINE

animals-731213_960_720.jpg

Kishte ardhur leja për të migruar, pasi edhe ajeti që kishte zbritur me Xhebrailin (a.s.) përsëritej në gjuhën e të gjithëve, dhe në çdo rast
thoshin:
– O Zoti im! Çomë mua në botën e së drejtës, dhe në një kohë të duhur falmë një mirësi të fitores, – lutej Ai.
Tanimë të gjitha lutjet ishin pranuar, dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte gati për të migruar në drejtim të Medinës. Xhebraili fjalëdrejtë, fillimisht po i lajmëronte për kurthin që ishin duke ngritur mekasit:
– Të mos flesh në shtratin që bie gjithmonë!
Ai po i mësonte gjer në planin se si do të shpëtonte prej planit të kobshëm të kurejshëve. Me pak fjalë, migrimi madhështor po fillonte me masat që kishte marrë Zoti që ishte Gjithëdijës dhe që kishte informacion prej gjithçkaje. Profeti ynë, i tha këto fjalë Xhebrailit besnik:
– Kush do të jetë shoku im gjatë rrugëtimit?
– Ebu Bekri, – u dëgjua përgjigja e Xhebrailit.
Zaten edhe Ebu Bekri kishte ditë që e priste këtë mundësi për të migruar. Sakaq, gjatë një kohëdreke, kur ishte kohë qetësimi për të gjithë, Resulullahu (s.a.s.) shkoi në drejtim të shtëpisë së Ebu Bekrit të nderuar. I kërkoi leje për të hyrë. Nuk ishte e mundur. Po rrinte përballë portës së Ebu Bekrit të nderuar, dhe po priste për të hyrë brenda.
– Nëna dhe babai im të qofshin falë, o i Dërguar i Allahut! Meqë ke ardhur në këtë orë, duhet të kesh diçka të rëndësishme për të folur. Pa humbur kohë, rendi në drejtim të derës, dhe e ftoi Profetin që të hynte brenda. Ebu Bekri po e priste gjithë merak këtë gjë. Sepse ardhjet gjer kësaj dite, ishin bërë gjithnjë në orët e agimit, ose të mbrëmjes. Resulullahu (s.a.s.) i kërkoi atij që t’i nxirrte jashtë pjesëtarët e familjes, në mes të të cilëve ishin edhe vajzat e tij, Esmaja me Aishen e nderuar.
– Mos u shqetëso, o i Dërguari i Allahut! Ato janë bijat e mia, të cilat quhen edhe njerëzit e Tu. Nëna dhe babai im të qofshin falë, çfarë ka ndodhur? – e pyeti ai, duke u përpjekur ta kuptonte arsyen e kësaj vizite të papritur.
Përgjigja nuk u vonua:
– M’u dha leja për të migruar në Medinë.
– Bashkë do të ikim, o i Dërguari i Allahut? – pyeti ai.
– Po, bashkë, – u derdh përgjigja prej buzëve të bekuara, me një zë sihariqdhënës.
Botët ishin të tijat tashmë. Zaten, Ebu Bekri (r.a.) ishte përgatitur për ardhjen e kësaj dite, dhe thjesht po priste urdhrin për t’u nisur. E kishte marrë sihariqin që më parë, atëherë kur i Dërguari i Allahut e këshillonte, teksa ai tregohej i nxituar për të kërkuar lejen e migrimit.
– Mos u nxito! Ka shpresë që Allahu të të japë edhe një shok me vete, – i pati thënë i Dërguari i Allahut.
Pas kësaj, ata filluan të përgatiteshin për një udhëtim dyvetësh. Kishin katër muaj që i përgatisnin dy deve vetëm për këtë synim. Tashmë Resulullahu po priste këto përgjigje që po vinin. Tanimë po dëgjonte këto fjali. Ky ishte fillimi i një tjetër hapi që do të ndryshonte gjithë rrjedhën e ngjarjeve. Të ishe bashkudhëtari i të Dërguarit të Allahut në një udhëtim të tillë… A mund të kishte mirësi më të madhe se kjo? Ebu Bekri i nderuar nuk po i mbante dot lotët, andaj filloi të qante me gulçe. Mandej ai i pruri të dyja devetë pranë të Dërguarit të Allahut.
– O mëkëmbësi i Allahut! I kam përgatitur këto kafshë pikërisht për këtë ditë.
Kishte mbetur vetëm që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) të përgatitej për të udhëtuar. Mirëpo Ai duhet të ishte shembull për çdo çast të jetës. Andaj u kthye nga Ebu Bekri i nderuar (r.a.) dhe i tha këto fjalë:
– Do t’i pranonte vetëm duke i paguar koston e tyre, pasi një rrugëtim kaq i rëndësishëm nuk mund të ndërmerrej duke përdorur një mirësi të papaguar.

Dimensioni i masave të marra për të bërë hixhret

Meqë të gjitha kushtet ishin gati, kishte ngelur vetëm që të niste udhëtimi. Ebu Bekri do të tregonte se ishte Siddik. Ai do të merrte të gjitha masat që ky rrugëtim të kalonte sa më i paqtë. Sepse nuk mund të lihej çdo gjë në mëshirë të fatit. Pasi edhe një udhëtim kaq i gjatë vetëm me deve, nuk ishte aq e lehtë. Fillimisht ranë dakord me një person që quhej Abdullah ibni Urejkit, i cili do t’i printe gjatë rrugëtimit. Pas tri ditësh do të takoheshin në Theur. Kur të vinte, Abdullahu do të kishte me vete edhe dy devetë e marra prej të Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), dhe sakaq do të niste më në fund rrugëtimi. Ebu Bekri e pati paralajmëruar vajzën e tij, Esmanë, e cila do t’u përgatiste dhe do t’u çonte ushqime gjatë kohës që do të shkonin për në Theur. Ebu Bekri i nderuar kishte edhe një masë tjetër për të marrë. Thirri pranë vetes Amirin, i cili ishte bariu i gjedhëve të tij, të cilit i kërkoi, që pasi të niseshin ata të dy, t’ia ngjiste delet nga pas, në mënyrë që të fshinin gjurmët e tyre. Sepse e dinte mirë, që mekasit nuk do të hiqnin dorë aq lehtë. Andaj, nëse nuk ruheshin mirë, kurejshët mund t’i zbulonin dhe t’i fusnin në turlifarë telashesh.
Edhe Abdullahu, i biri i Ebu Bekrit do të vinte bashkë me Amrin, të cilët njëkohësisht do t’u sillnin atyre lajme nga ajo çfarë ishin duke bërë kurejshët. Abdullahu vinte çdo mbrëmje në shpellë, rrinte me ta gjer në mëngjes, ndërsa Amiri mbante delet për të kullotur aty rreth e rrotull Theurit. Dhe kjo, ishte një ndodhi e cila do të përsëritej çdo ditë gjatë atyre ditëve. Njëkohësisht, me këtë arsye, ata do të mund t’i ushqenin me qumësht udhëtarët më të vyer.
Një tjetër masë duhej marrë nga vetë Profeti ynë i dashur. Ai e kishte lënë Aliun, si mëkëmbës në dhomëzën e Tij, pasi kishte ardhur koha që t’i jepej amanetet t’u jepeshin të zotëve. Ç’madhështi ishte kjo, që ruante edhe mallin e atyre që përpiqeshin ta vrisnin, që edhe sikur të ishte duke vënë në rrezik jetën e gjakut të vet, ia dinte për borxh vetes që ta kryente detyrën gjer në cak, duke kërkuar që amanetet t’u ktheheshin atyre që u përkisnin.
Patjetër që gjithë këto masa nuk mund të mendohet se ishin të tepruara. Profeti i profetëve i kundronte me vëmendje të gjitha sa ndodhnin, duke mos parë asgjë si të parëndësishme. Sepse Ai ishte dërguar si mëshirë për umetin e Tij. E dinte që Allahu (xh.xh.) nuk do ta ruante Atë nëse nuk e kryente detyrën gjer në fund. Allahu (xh.xh.) ia kishte bërë të ditur se do ta mbronte, andaj Ai po i lexonte këto ajete në çdo rekat të namazit. Me një fjalë, çështja ishte krejt ndryshe. I Dërguari i Allahut ishte një shembull model për të gjithë njerëzit e tjerë që ndiqnin veprimet e Tij një më një. Nëse do të nisej për të migruar bashkë me Omerin e nderuar, edhe umeti i Tij do të kishte ngelur i detyruar ta bënte diçka të këtillë. Dhe një veprim i tillë do të thoshte t’i hidhje të gjithë në duart e gjithë sprovave të mundshme me duart e tua. Andaj, Ai do të përllogariste edhe anëtarin më të ngathët të umetit të Tij, në mënyrë që çdo gjë t’i ecte sipas planeve të bëra. Kësodore, Ai nuk linte asgjë mangët nga masat që duheshin marrë, dhe njëkohësisht u jepte njerëzve një mësim të mirë në lidhje me ndjekjen e shkaqeve një më një.
Nga ana tjetër, Kurejshi ishte duke arritur disa përfundime sipas vetes. Ishin mbledhur të gjithë, dhe po rrethonin dhomëzën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Këta fatkeqë syerrësuar kishin rrethuar dhomëzën e Tij, e po prisnin minutat për të dhënë goditjen e fundit. Vetëm se Allahu (xh.xh.) ishte zotërues karshi gjithçkaje, dhe i dinte më së miri të gjitha ç’po ngjasnin. E gjithë materia e tokës dhe qiellit ishte në duart e Tij të kontrollit, dhe Ai mund të vepronte si të donte me të, dhe askush nuk kishte se ç’të thoshte. Duke qenë kështu, nuk kishte asnjë rëndësi, dhe nuk kishte se si të kishte, se ç’do të paramendonte komandoja e vdekjes. Dhe përfundimi do të ishte pikërisht ashtu siç do të donte Ai. Në kushtet normale, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shtrihej për disa çaste pasi falte namazin e jacisë. Kur të gjithë largoheshin për në shtëpitë e tyre, Ai shkonte në Qabe dhe fillonte të adhuronte Allahun (xh.xh.) me një qetësi të pashoqe shpirtërore. Vetëm se këtë natë çdo gjë ishte ndryshe. Me të marrë vesh ç’do të ndodhte, thirri pranë Aliun e nderuar (r.a.):
– Merr atë shtrojën jeshile, dhe eja e shtrihu në shtratin tim! Mos u shqetëso aspak, veç shtrihu dhe fli. Sepse nuk kanë për të të shkaktuar asnjë dëm.
Saora, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli prej shtëpisë duke kënduar nëntë ajetet e para të sures JaSin. Përjashta shtëpisë gjendej një rojë prej kurejshëve, i cili bënte rojë.
– Ne u vumë atyre nga një pengues, nga para dhe nga pas, dhe përpara syve u kemi vendosur nga një perde. Tanimë ata nuk mund të shohin dot asgjë.
Këto ishin fjalët e ajetit në fjalë. Ndërkohë, Ai mori një grusht dhè nga toka, dhe e hodhi mbi ata që i kishin rrethuar dhomëzën për ta ruajtur. Dhe teksa e kryente këtë veprim, thoshte:
– Sytë iu errësofshin! Çdo copë dheu kishte rënë mbi secilin syresh, dhe Ai, habitshëm, kaloi mespërmes tyre, duke mos e parë askush. Ata kishin ngritur një kurth për ta vrarë, për ta larguar prej vendit të Tij, Atë që veç i ftonte drejt besimit në Zot. Por nëse ata kishin një plan, edhe Allahu (xh.xh.) e kishte një plan për ta mbrojtur Profetin e Vet. Dhe ja tek po shihej sërish, se sado që të vlonte mohimi, nuk mund të dilej përballë vullnetit hyjnor, duke bërë që të dilte po ajo që thoshte Ai. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte larguar sakaq. Pranë atyre që ruanin përballë portës së dhomëzës së Tij erdhi dikush, i cili me t’i parë në këtë gjendje, u tha:
– Pse prisni këtu ju?
– Po presim Muhamedin, – u përgjigjën ata.
Burri u nxeh shumë. Njerëzit më të përzgjedhur, të cilët i kishin ngarkuar me vrasjen e Tij, ishin kthyer në nga një mace të butë pranë portës së Tij. Ata nuk e kishin ndjerë aspak dheun që u ishte hedhur sysh. Profeti ynë ishte nisur bashkë me mikun e Tij besnik, ndërsa këta rrinin urtë-urtë, si të përgjumur, përballë portës së Tij, gjoja duke bërë plane se si do ta vrisnin. Ky ishte një budallallëk i hapur.
– Turp t’ju vijë, more të paaftë! Ai ju ka hedhur hi sysh, duke ju fluturuar me kohë duarsh.
– Vallahi ne nuk e kemi parë. Ishin thuajse të rrënuar prej këtyre që kishin dëgjuar. Sikur t’u ishin marrë shqisat e ndijimit, dhe megjithëse shihnin, nuk e kishin vërejtur dot të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) teksa largohej. I çuan duart mbi krye dhe filluan të shihnin njëri-tjetrin në sy. Fjalët e atij njeriu ishin të vërteta. Filluan të pastronin dheun që kishin mbi rroba. Pa kaluar shumë kohë, kjo ndodhi u dëgjua edhe në mesin e Kurejshit. Prijësit e tjerë, të cilit ishin duke pritur për lajmin “e mirë” të vrasjes, kur dëgjuan se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte nisur për të kryer migrimin e Tij. Kur të gjithë të përzgjedhurit e fiseve hynë të gjithë njëherazi në dhomë, filluan të merrnin frymë me vështirësi, pasi shtrati nuk ishte bosh. Me një turfullim ndaj burrit që i kishte merakosur kot, thanë:
– Ja tek është edhe Muhamedi. Të gjithë filluan të mendonin se tërë ai shqetësim kishte qenë i kotë. Mirëpo edhe kjo nuk zgjati shumë. Sepse Aliu i nderuar u ngrit përnjëherë nga shtrati, dhe po u rrinte përballë me një qëndrim sikur të donte t’u tregonte vendin.
– Ku është Muhamedi? – filluan ta pyesnin atë gjithë nervozizëm.
– Nuk ia kam idenë. – u përgjigj Aliu i nderuar.
Ishin sërish ata që po dilnin të humbur. Përgjigja që po merrnin i mërziti akoma më shumë, dhe kërcënonin këdo që u dilte përpara. Nuk donin ta linin as Aliun e nderuar, të cilin filluan ta shtynin njëherë sa andej këndej, derisa me prunë deri në Qabe. Ndoshta mund t’u thoshte vendin ku gjendeshin udhëtarët, duke u dhënë ndonjë shenjë, madje edhe e burgosën për një kohë të shkurtër. Mirëpo e patën kuptuar se sado që ta detyronin, nuk do ta detyronin dot që të fliste. Zaten, të mos e lëshonin Aliun do të ishte akoma më keq për ta. Sepse ai kishte ndenjur pas pikërisht për t’u shpërndarë amanetet që ia kishin lënë duarve të sigurta të Muhamedit. Ebu Xhehli, i cili ishte faraoni i asaj bashkësie, filloi të fliste disa fjalë, të cilat ia bënin të merituar këtë epitet:
– Do t’i jap njëqind deve shpërblim atij që ma bie Muhamedin këtu, të gjallë a të vdekur!
Tashmë ishin duke e humbur krejt Muhamedin dhe Ebu Bekrin e nderuar, për të cilin ishin gëzuar aq shumë që do ta zhduknin njëherë e mirë. Dukej qartë, se vetëm nuk do t’ia dilnin dot, andaj i dolën të gjithë zot asaj që premtoi Ebu Xhehli, duke u bërë diçka e ditur, se ai që e kryente këtë detyrë do të merrte plot njëqind deve si shpërblim. Njëkohësisht, Ebu Xhehli megjithëse nuk e përdorte siç duhej mendjen, ishte një njeri shumë i zgjuar. Pa humbur kohë, u nis për te shtëpia e Ebu Bekrit. Ishte Esmaja ajo që e hapi derën. Fillimisht ai e pyeti se ku gjendej i ati. Esmaja po i përgjigjej se nuk e dinte. Për Ebu Xhehlin ishte krejt e pamundur që ajo të mos dinte asgjë, andaj i dha një të goditur me shpullë, saqë Esmasë i ra njëri vëth që mbante në vesh. Mirëpo, sipas zakoneve të atyre ditëve, një sjellje e tillë karshi një gruaje shtatzënë shihej si një turp mjaft i rëndë. Vetëm se ky që po e kryente ishte Ebu Xhehli. Ajo nuk do ta harronte asnjëherë këtë goditje, dhe sa herë që të bëhej fjalë për Ebu Xhehlin, ajo thoshte: – Një njeri i ndyrë dhe krejt i pafytyrë!

ilmihali

Share this post

scroll to top