Vlerësimi siç duhet i natës së Kadrit

spirituality-illuminated-majestic-ancient-islamic-architecture-generated-by-ai-scaled.jpg

Spirituality illuminated in majestic ancient Islamic architecture generated by artificial intelligence

Nata e Kadrit është një natë, kur Allahu (xhel’le xhelaluhu) do t’u falë njerëzve shpërblime të shumta. E thënë me fjalë të tjera, kjo natë është një prerje e bekuar e kohës kur Mbreti i Pafillimësisë dhe i Përjetësisë do t’u shpërndajë dhurata e shpërblime atyre që i besojnë Atij. Gjatë kësaj nate, pothuajse të gjithë atyre që hyjnë në atë atmosferë Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) u fal secilit nga diçka sipas kuptimit dhe vlerës që ka tek Ai. Poende, atë natë, Allahu vepron me robërit e Tij si Sundues i Gjithësisë; nuk i shikon mëkatarët, skllevërit, lypësit dhe nevojtarët sipas rrënimit shpirtëror apo shprishjes fizike që mund të kenë përjetuar; nuk i vëren, por i trajton ata me mirësi sipas madhështisë së Vet. Për rrjedhojë, i Dërguari i Allahut, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë kështu në lidhje me këtë natë:

“Atij që e vlerëson natën e Kadrit siç duhet, duke besuar te virtyti i saj dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”

Kuptimi dhe kapja e orës së bekuar, kur çdo gjë kthehet një me njëmijë, në Qabe, në Arafat, në Muzdelife, në Muuaxhehe, apo gjatë natës së Kadrit dhe në ditën e premte, përbëjnë një rëndësi shumë të madhe për sa i përket kapjes së të gjithë lartësimit dhe shpërblimeve që do të vijnë nga Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu). Prandaj, kur i kupton plotësisht këtë hapësirë dhe kohë, njeriu duhet ta harrojë vetveten tërësisht dhe, për shembull, të lutet me këto fjalë:

“O Zot! Lartësoji edhe njëherë nëpër çdo anë të botës emrin Tënd të Lartë, të drejtën dhe të vërtetën. Na i hap edhe njëherë zemrat, si neve, ashtu edhe mbarë robërve të Tu nëpër botë, ndaj besimit, Islamit, Kuranit dhe shërbimit në besim dhe na mbaj neve të ngarkuar e në krye të kësaj detyre. Përhap mes robërve të Tu në qiell dhe në tokë dashuri dhe pranim për ne. Na bëj neve prej robërve të Tu të sinqertë, të pranuar me sinqeritet, të devotshëm, që kanë frikë të gabojnë ndaj Teje, të përkushtuar në adhurim dhe që meritojnë të jenë pranë me Ty, të kënaqur me Zotin e tyre dhe që Zoti i tyre është i kënaqur me ta, që të duan Ty dhe që duhen pranë Teje, që janë të përshpirtshëm, të thjeshtë dhe që moral kanë moralin e Kuranit. Dërgoju o Zot, salavate pa fund Profetit tonë, Muhamedit (pqmT), dhe paqe të gjithë sahabëve të Tij! Amin! Pafundësisht amin!”

Në një farë kuptimi ky horizont i “Nëse e shoh të shpëtuar besimin e popullit tim, jam i kënaqur edhe ta shoh veten mes flakëve të Ferrit.” – duhet të quhet detyrë nga ana e çdo besimtari. Ky është një horizont, në të cilin njeriu e ka harruar tashmë vuajtjen e vet dhe nuk ndien asgjë tjetër veç vuajtjeve që kanë të tjerët.

Po, sot njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për Allahun dhe për mesazhin e ndritur dhe të bekuar që Allahu ia pati dërguar me dorën e Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Prandaj, edhe pse mund të duken të vogla, përpjeket e bëra në këtë drejtim të ngadhënjimit dhe çlirimit të zemrave, ma merr mendja se kanë një rëndësi shumë të madhe pranë Allahut. Dhe të mendosh kështu, të përpiqesh në këtë çështje dhe të përgjërohesh me lutje pas lutjesh, është një sjellje profetike.

Veç kësaj, veçanërisht për këtë natë, ne duhet ta bëjmë sa më shumë këtë lutje që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na e ka mësuar nëpërmjet Aishes së nderuar (radijallahu anha):
“O Zot! Ti je shumë falës, Bujaria është e Jotja, e Ti e do që të falësh. Falmë edhe mua!”

Këtë natë të ndritur deri në të zbardhur dhe gostinë hyjnore të saj e bëjnë të gëzueshme zbritja dhe prania në tokë e engjëjve dhe krijesave shpirtërore, me në krye Xhebrailin (alejhis’selam), i Cili ka sjellë edhe Kuranin Madhështor. Për çdo gërmë të lexuar nga Kurani në këtë natë, jepen tridhjetëmijë shpërblime. E po të njëjtën rritje të shumëfishtë kanë edhe shpërblimet për adhurimet e tjera. Në këtë këndvështrim, për ta vlerësuar drejt natën dhe për ta shtuar përfitimin nga begatia dhe shkëlqimi i asaj kohe, falet namaz, lexohet Kuran dhe përmendet Allahu (xhel’le xhelaluhu) me uirde dhe dhikre nga më të shumtat, thuhen salavate, i lutemi dhe i përgjërohemi të dorëzuar Allahut, si dhe u jepet të varfërve dhe njerëzve të vetmuar sa më shumë sadaka. Me pak fjalë, bëhet çdo përpjekje për t’u vlerësuar sa më shumë kjo natë.

ilmihali

Share this post

scroll to top