I Dërguari i Allahut, i cili qëndron vazhdimisht në kulm, pothuaj në të gjitha aspektet e jetës pati përbërë një kulm. Duke e kërkuar atë, njerëzit s’duhet ta kërkojnë as në nivelin e vet, as dhe në nivelin e njerëzve të mëdhenj të epokës së vet. Duke e kërkuar atë, studiuesit duhet të mendojnë gjithmonë kulmet më të lartë të botës dhe me përfytyrim duhet të përsillen mbi kulmet, në mënyrë që të mos bëjnë krahasime dhe vlerësime të gabuara. Nëse do ta kërkojnë Profetin Muhamed (s.a.s.), ata duhet ta kërkojnë patjetër në horizontin e tij, sepse është e pamundur të arrihet te Profeti Muhamed me anë të përfytyrimeve të cunguara të njerëzve si ne! Si dhurata e lartë[1] e Tij, Allahu i ka dhuruar epërsi në çdo fushë.
Krenaria e njerëzimit jetoi dhe perëndoi si një krenari. Njerëzimi nuk e pa dhe nuk mundi ta shihte edhe një herë tjetër të ngjashmin e tij. Ashtu siç nuk e pa tërë njerëzimi, nuk e panë dot as disa bashkëkohës, madje as disa nga ata që i rrinin pranë. Ndoshta shumica, vlera e të cilëve ishte e kushtëzuar me të, ashtu si lulet që çelen e vyshken me diellin, arritën ta kuptojnë perëndimin e tij kur u vyshkën vetë, vetëm se shumë vonë. Natyrisht, numri i atyre nga umeti i e tij, që e patën njohur dhe respektuar, ka qenë gjithmonë më i madh se i të tjerëve.
Megjithëse kanë kaluar 14 shekuj, ne u themi Hatixhes, Aishes, Ummu Selemes, Hafsas: “nënë, nëna jonë” dhe ndjejmë një kënaqësi të veçantë nga ç’mund të shkaktojnë zakonisht këto fjalë. Sigurisht që kjo ndjenjë ishte në atë periudhë më e thellë, më e brendshme, më e sinqertë. Dhe kjo ndodhte përsëri për hir të Profetit. Ebu Bekri i thoshte të bijës Aishe, “nëna ime”. A nuk e thoshte këtë edhe ajeti kur’anor? “Bashkëshortet e të Dërguarit janë nënat e besimtarëve!” (Ahzab, 33/6) Ja, me këtë mendim i thoshte “nënë” Ebu Bekri vajzës së vet që e pati lindur e rritur në shtëpi! Ç’e do se gjithë respekti, afërsia dhe dashuria e veçantë që tregonin muslimanët për bashkëshortet e Profetit nuk patën mundur t’ua heqin atyre hidhërimin dhe dëshpërimin që u shkaktonte mungesa e tij. Gjer ditën kur perënduan një e nga një, edhe në kohët më të lumtura, ato qenë ngritur e ulur të hidhëruara, patën menduar e biseduar të hidhëruara.
Siç ishte një kryetar familjeje i jashtëzakonshëm në zemrat e bashkëshorteve të tij, Profeti ishte, në të njëjtën kohë, një baba i përsosur e me ndjenja atërore të thella si dhe, natyrisht, një gjysh i pashoq po me atë thellësi ndjenjash atërore. Edhe në këtë fushë ai ishte i pashembullt.
Ai i trajtonte fëmijët dhe nipërit me dhembshuri të jashtëzakonshme dhe, duke i trajtuar kështu, nuk mungonte t’ua kthente shikimet ndaj jetës së pasosur dhe gjërave të larta e sublime. Duke i ushqyer në prehër, u buzëqeshte në sy, i përkëdhelte e i çmonte dhe, në këtë mes, kurrë nuk i pëlqente që ata t’i nënvleftësonin çështjet e larta. Brenda kësaj mendësie, ai ishte ndaj tyre jashtëzakonisht i hapur, por edhe mjaft serioz dhe i rëndë në ruajtjen e marrëdhënies së tij me Allahun. Nga njëra anë, duke u sjellë lirshëm me ta, u tregonte se si të jetonin si njerëz, nga ana tjetër, nuk u jepte shteg të silleshin të çlirët aq sa ta zhvlerësonin veten. Jo vetëm nuk u jepte shteg, por përpiqej me ndjeshmëri e kujdes të lartë për ta penguar degjenerimin e tyre dhe i përgatiste ata vazhdimisht për botët e larta shpirtërore. Edhe me këtë mënyrë trajtimi e veprimi, i Dërguari i Allahut përfaqësonte rrugën e mesme, larg qëndrimeve të skajshme, përfaqësonte rrugën e drejtë[2]. Edhe kjo përbën një përmasë tjetër të zgjuarsisë së tij profetike!
- Dhembshuria ndaj fëmijëve dhe nipërve
Në një hadith të rrëfyer nga Muslimi, Enes b. Maliku i cili pati nderin e lartë t’i shërbejë të Dërguarit të Allahut dhe ta kryejë këtë punë me besnikëri të lartë për dhjetë vjet me radhë pa ndërprerje, thotë: “Nuk kam parë njeri më të dhembshur ndaj pjesëtarëve të familjes se Hz. Muhamedi!”[3]
Me të vërtetë, aq i dhembshur ishte Profeti, aq sinqerisht sillej dhe aq hapur vepronte, saqë është e pamundur të tregohet një kryetar familjeje dhe baba i dytë si ai!
Ndërkaq, po qe se ky pohim do të ishte vetëm i yni, rëndësia e tij ndoshta do të mbetej e kufizuar. Mirëpo janë me miliona njerëz të thelluar në dhembshuri sa të druhen të ngacmojnë edhe një milingonë, të cilët e pohojnë dhe e shpallin se nuk ka pasur njeri tjetër si i Dërguari i Allahut që të ndjente dhembshuri si ai për tërë qenien!
Si çdokush tjetër, edhe ai ishte krijuar si njeri, por Allahu kishte vënë në zemrën e tij një interesim të thellë për të gjithë qenien me qëllim që të krijonte lidhje me njerëzit. Prandaj ndodhte që i Dërguari i Allahut ishte plot interesim të paparë edhe ndaj pjesëtarëve të familjes, edhe ndaj njerëzve të tjerë.
Të gjithë fëmijët meshkuj i kishin vdekur herët.[4] Më në fund, i kishte lindur një djalë prej të shoqes Marie, por edhe ai nuk i kishte jetuar. Mes dhjetëra punëve të rëndësishme, Profeti shkonte shpesh te djali që ndodhej te taja, mëndesha, e merrte në krahë, në prehër, e përkëdhelte, e puthte dhe pastaj kthehej në shtëpi.[5] Edhe kur djali pati vdekur, e pati marrë në krahë duke shprehur me sytë plot lot hidhërimin e tij. Dhe atyre që e shihnin me mahnitje, u pati thënë: “Zemra dëshpërohet, sytë qajnë, por, inshallah, në dashtë Allahu, nuk do të themi gjë tjetër veç asaj që thotë Allahu e që i pëlqen Allahut!” Dhe, duke bërë me shenjë gjuhën e vet, u pati thënë: “Allahu të dënon për këtë!”[6]
Le ta përsërisim edhe një herë se Profeti ishte më i mëshirshmi e më i dhembshuri i njerëzve!
Ai i merrte nipërit Hasan dhe Hysen në krahë a në shpinë dhe shëtiste andej-këtej. A mund ta merrte fëmijën në shpinë një njeri i shkallës së tij e të dilte me të në rrugë a mes njerëzve? Ai e merrte dhe dilte! Dhe, duke vepruar kështu, përcaktonte të ardhmen e tyre dhe nderin që kishin për të fituar ata! Një ditë, kur përsëri Profeti po i shëtiste nipërit e tij hipur mbi shpinë brenda në shtëpi, hyri Hz. Omeri dhe, me t’i parë Hasanin dhe Hysenin në shpinë të Profetit, u tha: “Ç’kalë të bukur që keni!” Kurse Profeti iu përgjigj aty për aty: “Ç’kalorës të bukur këta!”[7] Pavarësisht nëse të nipërit ishin të vetëdijshëm për këtë apo jo, Profeti i nderonte me këtë mënyrë. Edhe një radhë tjetër, kur dikush i pati thënë Hasanit se ç’kalë të mirë kishte, Profeti i qe përgjigjur aty për aty se edhe ai ishte një kalorës i mirë![8] Profeti ishte ati i të gjithë njerëzve të shenjtë gjer në kiamet dhe, duke iu përkushtuar në mënyrë të veçantë këtyre dy imamëve të rëndësishëm të familjes profetike që bartnin në identitetin e tyre embrionet e nderit dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë, i bartte ata herë pas here në supe ose në shpinë. Në këtë interesim të veçantë të Profetit për ta, pa dyshim që kishte pjesë familja profetike që do ta përfaqësonin, si dhe të gjithë njerëzit e shquar e të shenjtë. Prandaj, Abdulkadir Gejlani, një pjesëtar me rëndësi i familjes profetike, duke u nisur nga fakti që etërit e tij qenë bartur në supet e Profetit, thotë me të drejtë kështu: “Këmbët e bekuara të të Dërguarit të Allahut janë mbi supet e mia, kurse këmbët e mia, mbi supet e të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë!” Gjithsesi, kështu do të vazhdojë të mbetet gjer në kiamet!
Një radhë tjetër, Profeti pati dalë përsëri me nipërit në supe dhe u pati thënë atyre kështu: “Ç’kalë i mirë ky nën ju dhe ç’ngarkesë e mirë ju mbi të!”[9] Kështu i pati çmuar ai të bijtë e të nipërit, pati ngritur fron në zemrat e tyre dhe qe bërë i merituari i një dashurie mbi dashurinë e etërve dhe gjyshërve!
Si në çdo çështje tjetër, edhe në edukimin e fëmijëve, i Dërguari i Allahut pati ndjekur gjithmonë rrugën e mesme. Ai i donte me shpirt fëmijët dhe nipërit, ua shfaqte dhe i bënte ta ndjejnë këtë dashuri. Por ai kurrë nuk lejonte që ndjenja e tij e dashurisë të përdorej për keq, megjithëse nuk ndodhi kurrë që dikush nga bijtë apo nipërit e tij të prireshin apo niseshin për të bërë një gjë të tillë. Por kur ata bënin ndonjë gabim pa e ditur ose pa dashje, Profeti e vishte dashurinë e tij me seriozitet dhe, me një ashpërsi të matur, i pengonte ata të bënin veprime të dyshimta. Për shembull, një radhë, Hasani apo Hyseni, ende mjaft të vegjël për ta njohur çështjen përkatëse si dhe gabimin, zgjat dorën dhe merr një hurma nga ato të caktuara për sadaka, lëmoshë. Profeti kundërvepron menjëherë, ia merr hurmën nga dora djalit duke i thënë: “Hurma sadaka është haram (e ndaluar) për ne!”[10] Përgatitja e tyre qysh në atë moshë për të qenë të ndjeshëm ndaj haramit, gjërave jolegjitime, pra, të pabekuara e të ndaluara, është një nga shembujt e bukur të ekuilibrit në edukim!
Sa herë që Profeti të hynte në Medine kaluar, mund të shihje disa fëmijë të hipur bashkë me të e të kapur pas tij.[11] Kjo do të thotë se Profeti nuk tregonte dashuri dhe dhembshuri vetëm ndaj fëmijëve dhe nipërve të vet, por edhe ndaj fëmijëve të shtëpive fqinje që banonin edhe më larg. Ai i merrte pranë ata me shumë dhembshuri dhe sinqeritet duke ua fituar zemrat me dashurinë që u tregonte.
Por dashuria e tij nuk u përkiste vetëm djemve e nipërve, por edhe vajzave dhe mbesave. Ashtu siç i donte Hasanin dhe Hysenin, ai e donte edhe të mbesën Umame. Dhe e donte aq shumë, saqë e patën parë edhe në rrugë me të mbesën në krahë ose në sup. Pati ndodhur edhe që ta merrte në shpinë Umamen kur falte namaz. Kur do të binte në sexhde, e ulte mbesën në tokë dhe, kur ngrihej, e merrte përsëri në shpinë.[12]
Dashurinë për të mbesën Umame, Profeti e shfaqte para njerëzve dhe një shoqërie të tillë që gjer një ditë më parë i groposnin vajzat e vogla përsëgjalli. Kështu, interesimi dhe dashuria që tregonte hapur Profeti ndaj të mbesës, ishte diçka krejt e re, një mënyrë sjelljeje krejt origjinale e paparë ndonjëherë gjer në atë kohë!
- Dashuria dhe dhembshuria për të bijën Fatime
Sipas Islamit, mes djemve e vajzave nuk ka dallim. Dhe këtë, i Dërguari i Allahut e pati treguar personalisht. Ç’dallim mund të bëhet kur njëri është Profeti Muhamed dhe tjetra, Hz. Hatixhe, kur njëri është Adem dhe tjetra, Hava, kur njëri është Ali dhe tjetra, Fatime? Fatimja, bija e të Dërguarit të Allahut, nëna e të gjithë shtëpisë profetike gjer në kiamet, nëna e të gjithë neve!
Ja, pra, kur kjo Fatimja e veçantë shkonte te i ati, i Dërguari i Allahut, ngrihej në këmbë, e kapte për dore, e ulte pranë vetes. Pastaj e pyeste për mbarëvajtjen dhe shëndetin, ia shfaqte dashurinë, e përkëdhelte dhe, kur do të ikte, e përcillte sërish me të njëjtat ndjenja e konsiderata.[13]
Erdhi një ditë që Aliu deshi të bënte një martesë të dytë me të bijën e Ebu Xhehlit. Ç’është e vërteta, edhe kjo vajzë, si vëllai i saj i madh Ikrime, kishte hyrë në Islam dhe ishte bashkuar me karvanin e përjetësisë. Por gjithsesi kjo martesë do ta shqetësonte Fatimen, megjithëse, ndërkaq, Aliu as që e kishte menduar këtë gjë! Fatimja shkoi te Profeti dhe ia paraqiti çështjen dhe ia shfaqi hidhërimin dhe dëshpërimin e saj. Edhe Profeti u hidhërua, pastaj u ngjit në minber dhe mbajti një hutbe, ligjëratë, ku tha kështu: “Dëgjova se Aliu dëshiroka të bëjë një martesë tjetër mbi Fatimen! Po qe se Aliu është i vendosur në këtë dëshirë, duhet ta ndajë Fatimen, sepse kjo gjë e ka dëshpëruar shumë Fatimen. Fatimja është një pjesë e vetes sime, kështu që ai më ka dëshpëruar edhe mua! Kjo do të thotë edhe se ai që e gëzon atë, më gëzon edhe mua!”[14]
Mes të pranishmëve që dëgjonin Profetin ishte edhe Aliu. Ai hoqi dorë menjëherë nga mendimi dhe dëshira e martesës së dytë dhe u kthye te Fatimja![15]
Në fakt, Hz. Aliu e mbante të bijën e të Dërguarit të Allahut si dritën e syve; edhe Fatimja që e dinte se sa i lidhur ishte ai pas saj, pa asnjë dyshim e donte atë me shpirt. Nga ana tjetër, kjo femër e lartë dukej sikur s’kishte mision tjetër veçse të bëhej embrioni i figurave të shquara e të shenjta. Sytë e saj ishin vetëm mbi të atin dhe mbi kauzën e tij. Ndryshe s’ka si të shpjegohet e qara e thellë e saj kur i ati e njoftoi në mënyrë posaçërisht të fshehtë për të, se së shpejti do të vdiste dhe, po kështu, e qeshura e thellë e saj kur i ati, menjëherë pas kësaj, e njoftoi gjithashtu në mënyrë posaçërisht të fshehtë për të, se ajo do të ishte e para nga familja që do të vdiste pas tij e do të takohej me të në jetën tjetër![16] Edhe i ati e donte shumë atë, edhe ajo të atin. Ndërkaq, duke e dashur Fatimen, Profeti dinte ta ruante ekuilibrin, vepronte gjithmonë me maturi dhe e përgatiste atë sipas botëve që kërkonin lartësimin e shpirtit. Sepse bashkimi i përjetshëm do të bëhej vetëm atje. I Dërguari i Allahut me të bijën Fatime kishin jetuar bashkë vetëm 25 vjet. Ajo vdiq në moshën 25-vjeçare, gjashtë muaj pasi i ati kishte ndërruar jetë![17]
- Përgatitja e fëmijëve për jetën e pasosur
I Dërguari i Allahut kërkonte përjetësinë, domethënë kërkonte atë gjë që kërkonin njerëzit nisur nga krijimi i tyre. Po, njeriu ishte krijuar për përjetësinë! Dhe nuk mund të kënaqej me gjë tjetër veçse me Individualitetin e Përjetshëm, prandaj nuk kërkonte tjetër veç Tij dhe, dashje pa dashje, vetëm Atë dëshironte! Nisur nga kjo, njeriu e ka të pamundur të ngopet e kënaqet gjer në çastin kur t’i jepni përjetësinë! Njeriu ka qëllime dhe dëshira të përjetshme, prandaj, çfarëdo që t’i jepni, nuk e kënaqni dot! Dhe prandaj, baza e mesazhit të të gjithë feve dhe profetëve është rregullimi jetësor me dimension përjetësie. Është për këtë arsye që i Dërguari i Allahut, ndërsa nga njëra anë u bartte atyre kënaqësi me prehër, nga ana tjetër nuk e nënvleftësonte aspak t’i përgatiste për kënaqësinë dhe lumturinë e përjetshme. Njërin prej shembujve më domethënës të kësaj mund ta shohim në ngjarjen e mëposhtme. Fatimja shkon te Profeti me një varëse në qafë. Sipas një rrëfimi (sipas rrëfimit të Neseiut), Profeti ia heq Fatimes varësen prej qafe. Sipas një rrëfimi tjetër, Fatimja shkon te Profeti me varësen në dorë. Kur ia sheh varësen, Profeti ia heq prej dore Fatimes dhe i thotë: “A mos do që të tjerët[18] të thonë se e bija e të Dërguarit mban në dorë një varëse, një zinxhir xhehenemi?” Nga njëra anë i quante të shtrenjtë ata, kurse nga ana tjetër e drejtonte interesimin, prirjen dhe pëlqimin e tyre krejtësisht nga ahireti, jeta e pasme, nga Allahu, nga bukuritë e larta e të përjetshme. Kjo fjalë i kishte mjaftuar Fatimes, sepse i vinte prej njeriut që kishte ngritur fron në zemrën e saj dhe që kishte triumfuar mbi të në të gjitha delikatesat e saj. Prandaj Hz. Fatimja thotë: “Varësen e shita menjëherë! Pata blerë një skllav që ia dhashë lirinë aty për aty! Pastaj shkova te i Dërguari i Allahut dhe, kur ia tregova një nga një të gjitha, u gëzua shumë. Pastaj hapi duart dhe e lavdëroi Allahun me këto fjalë: “Lavdi Allahut që ma mbron Fatimen prej xhehenemit!”[19]
Sigurisht që Fatimja nuk kishte hyrë në mëkat pse kishte vënë në qafë një varëse. Vetëm se i Dërguari i Allahut kërkonte ta mbante atë brenda kuadrit të të afërmve të Allahut. Qortimi i tij ishte i dimensioneve të devotshmërisë. Në një aspekt, ky ishte mosinteresim për këtë botë, domethënë, për vlerat materiale, por, më shumë, duke u nisur nga vendi (pozita) që zinin dhe bashkësia që do të përfaqësonin gjer në kiamet, ishte model ndjeshmërie dhe korrektese që i takonte nënës së Ehli Bejtit, shtëpisë profetike: sigurisht që s’ishte e lehtë të bëheshe nënë e burimit të dritës për adhurues të tillë si Hasani, Hyseni e, pas tyre, si Zejnelabidini. Profeti e përgatiste atë të bëhej nënë së pari e shtëpisë profetike, pastaj e Gejlaniut, Muhamed Bahauddin Nakshibendiut, Ahmed Rufaiut, Ahmed Bedeviut, Shazeliut e plot të tjerëve. Me qortimin dhe paralajmërimin që i bënte, sikur i thoshte asaj: “Bija ime, ti po hyn në shtëpinë e burrit dhe po shkon nuse në një shtëpi të tillë, nga e cila do të dalin hallka të arta të një zinxhiri sa e gjithë bota, prandaj lëre këtë varëse e shih të bëhesh nënë për ta!” Sigurisht, nuk ishte e lehtë të bëheshe nëna e atyre njerëzve të shquar e të shenjtë! Prandaj, në këtë çështje i Dërguari i Allahut ishte më i ndjeshëm e më i ashpër ndaj shtëpisë së tij. Me këtë sjellje, krahas dhembshurisë dhe mëshirës, duke ua kthyer atyre vështrimet në drejtim të botëve të larta e sublime, Profeti u kujtonte një aspekt tjetër të rrugës së drejtë (sirati mustakim) dhe, duke ua mbyllur të gjitha dyert e dritaret të këqijave të mëdha e të vogla, ua kthente vështrimet vetëm nga ahireti, jeta e pasme, dhe u thoshte: “Juve ju duhet vetëm Allahu!” Sepse në rrugën e tyre do të dilnin njerëz të tillë që do ta kalonin tërë jetën në dimensione të larta e sublime duke e kërkuar vetëm Allahun, siç do të shprehej poeti Junus Emre:
Ajo që ata quajnë xhenet, bukuri,
Katër-pesë pallate e ca hyri;
Jepua atyre që i kërkojnë ato,
Mua më duhesh Ti, më duhesh Ti!
Me këtë konsideratë, i Dërguari i Allahut nuk lejonte që njerëzit e tij më të dashur të ndoteshin nga interesat materiale dhe të këqijat pasuese, ua kthente vështrimet nga botët e larta dhe i përgatiste për bashkimin atje. “Personi rri bashkë me atë që do!”[20] Po qe se e doni Profetin Muhamed, duhet të jeni dhe të ecni në rrugën e tij! Dhe ata që janë dhe ecin në rrugën e tij, Përtej do të bashkohen e do të jenë me të. Duke i përgatitur njerëzit e tij për këtë bashkim, Profeti, nga njëra anë i donte e i mbante pranë ata, nga ana tjetër, e vlerësonte dhe e shfrytëzonte shumë mirë këtë dashuri dhe afërsi. Ai sikur i thoshte të bijës: “Të dua, të kam zemër, të kam të çmuar. Allahu të bëri ty të çmuarën e umetit. Ti je në krye të njerëzimit si Hz. Merjemja!” Sipas një transmetimi të dokumentuar dobët, Profeti i ka thënë të bijës: “Po të kishte një profete, ajo do të ishte Merjemja. Edhe ti je një grua e asaj madhësie, prandaj duhet të jesh e matur dhe e çmuar të paktën sa ajo!” Dashuria duhet, dhembshuria duhet, mëshira duhet, por në asnjë mënyrë s’duhet lejuar ndonjë plogështi e lëshim kur është fjala për t’u përgatitur për jetën tjetër! Ja, pra, sirati mustakim, rruga e mesme dhe e drejtë dhe i Dërguari i Allahut, udhëtari që prin në atë rrugë!
- Kërkesa e Fatimes për shërbyes
Një fragment tjetër nga sistemi i tij i edukimit të profetit na e japin Buhariu dhe Muslimi. Ngjarjen e tregon Hz. Aliu, i cili thotë: “Ne nuk kishim shërbëtor në shtëpi. Të gjitha punët i bënte Fatimja vetë. E gjithë shtëpia jonë përbëhej nga një dhomë e vogël. Aty Fatimja ndizte zjarrin dhe përpiqej të gatuante diçka. Shpesh detyrohej të ulej për ta fryrë zjarrin që të merrte flakë dhe shkëndijat që i binin mbi trup ia kishin bërë rrobën vrima-vrima. Ajo gatuante bukën, mbante ujë dhe bluante me mokrën e dorës. Nga rrotullimi i gurit të mokrës i kishin zënë kallo duart, kurse nga mbajtja e ujit, i kishte zënë kallo kurrizi! Një ditë, në kthim nga një fushatë, ushtria solli me vete në Medine robër lufte. Profeti ua ndante robërit banorëve të Medinës që i bënin kërkesë. Unë i thashë Fatimes të shkonte te i ati për t’i kërkuar një shërbëtor që ta ndihmojë në punët e shtëpisë…”
Dhe tani le ta dëgjojmë vazhdimin e ngjarjes nga vetë Hz. Fatimja. “Shkova te im atë por s’e gjeta në shtëpi. Aishja më tha se, sapo të vinte, do të më lajmëronte. Ne kishim rënë në shtrat kur i Dërguari i Allahut hyri papritmas. Unë dhe Aliu u përpoqëm të ngriheshim shpejt, por ai s’na la dhe u ul pranë nesh. Freskinë e këmbës së tij që më prekte në kraharor, e ndjeja thellë. I Dërguari i Allahut na pyeti se ç’kërkonim. Unë ia përshkrova gjendjen dhe ia tregova kërkesën. Ai u bë serioz menjëherë dhe më tha kështu: “O Fatime, frikësohu nga Allahu dhe mos lër asnjë të metë në detyrën tënde ndaj Allahut. Dhe kryeji siç duhet detyrat që të ka ngarkuar Allahu mbi supe. Dhe ji gjithmonë besnike dhe e bindur ndaj tët shoqi! (Ti ke dy detyra: adhurimin ndaj Allahut dhe bindjen ndaj burrit) Po të them ty edhe diçka të veçantë. Kur dëshiron të biesh në shtrat, të thuash tridhjetë e tri herë Subhanallah, tridhjetë e tri herë Elhamdulil’lah dhe tridhjetë e tri herë Allahu Ekber![21] Ja, kjo është më e dobishme e më e bekuar për ty se shërbëtori!”
Kuptimi i kësaj ishte kështu: Unë e drejtoj shikimin tënd nga botët e larta dhe ti ke dy rrugë për t’u takuar dhe bashkuar me mua atje: e para, ta kryesh pa asnjë të metë dhe mangësi detyrën e robit ndaj Zotit; e dyta, ta kryesh plotësisht detyrën dhe përgjegjësinë tënde ndaj burrit. Po qe se shërbëtori apo shërbëtorja zënë vendin tënd në detyrat e tua ndaj burrit dhe bëjnë ato gjëra që duhet t’i bësh ti, kjo mund të bëhet shkak që ti të mbetesh në një farë mase e mangët. Kurse ti duhet të jesh e përkushtuar e dyanshme, edhe ndaj burrit, edhe ndaj Zotit. Si mund të bëhet njeriu një rob i përsosur i Allahut dhe t’i kryejë detyrat ndaj Tij në mënyrë të përsosur? Si mund të bëhet njeriu një njeri i përsosur dhe t’i kryejë në mënyrë të plotë e të përsosur detyrat dhe përgjegjësitë që i bien sipër? Ja ç’të takon ty: të kërkosh t’i mësosh e t’i dish këto!
Ti më parë plotësoje në mënyrën më të përsosur detyrën e robit ndaj Zotit tënd dhe bëhu adhuruesja më e përsosur. Pastaj çoje në vend përgjegjësinë tënde ndaj një njeriu të madh si Aliu që bart në esencën e tij njerëzit e shquar e të shenjtë që do të vijnë gjer në kiamet, dhe bëhu një njeri i përsosur, në mënyrë që të takohesh e të bashkohesh me mua në xhenet që është vendi ku mblidhen të gjitha përsosmëritë dhe të përsosurit!
Këtu nuk ma bën zemra të kaloj pa parashtruar një specifikë të ndërmjetme lidhur me Hz. Aliun. I Dërguari i Allahut ia kishte dhënë vajzën Aliut pa u lëkundur aspak, sepse ai ishte i pajisur me dinjitetin për të qenë burri i një vajze profeti dhe dhëndër profeti, sepse ai ishte kryeshenjtor[22] dhe i krijuar për t’u bërë baba shenjtorësh. Një ditë, i Dërguari i Allahut i pati thënë kështu atij: “O Ali! Brezi i çdo profeti ka vazhduar duke u nisur prej tij, kurse brezin tim do ta vazhdosh ti!”[23] Pra, pati dashur t’i thoshte kështu: “Ti do ta ujisësh drurin tim gjenealogjik, ti do ta rritësh dhe ti do ta zhvillosh e rregullosh. Si rezultat, ata që do të mbledhin frytet, bashkë me mua do të përmendin edhe ty si pjesëtar të shtëpisë profetike!” Për rrjedhojë, po ta shohim çështjen nga kjo anë, bindja ndaj Hz. Aliut është e njëjtë me bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut. Dhe bindja ndaj të Dërguarit të Allahut do të thotë bindje ndaj Allahut!
Në lidhje me të drejtën e burrit në kuptim të përgjithshëm, Profeti porosit kështu: “Po qe se do të bëhej fjalë për sexhde ndaj tjetërkujt veç Allahut, do t’i urdhëroja gratë t’u bëjnë sexhde burrave!”[24] Po të ishte e lejueshme kjo gjë, Aliu e kishte merituar këtë prej kohësh. Sigurisht, po të bëhej fjalë për sexhde të grave ndaj burrave, Aliu ishte i pari që e meritonte këtë gjë. Dhe tani, kur shërbimi ndaj Aliut merrte kaq shumë rëndësi në çështjen e përkushtueshmërisë së saj të dyanshme, përdorimi i shërbëtorit nga Hz. Fatimja do të thoshte për të t’i thyhej njëri krah i kësaj përkushtueshmërie. Kurse një grua e tillë me një krah nuk mund të bëhej nëna e Hasanit, Hysenit, Gejlanit dhe sa e sa njerëzve të shquar që do të vinin pas tyre gjer në kiamet! Për ta bërë të bijën Fatime një nënë kaq të madhe, i Dërguari i Allahut ia priste pothuaj të gjitha lidhjet dhe interesimet për këtë botë dhe ia kthente në drejtim të botës tjetër të përjetësisë. Sepse edhe Allahu kështu e pati rritur dhe edukuar atë vetë. Kur Profeti pati hapur sytë në këtë botë, nuk e pati gjetur të atin dhe kur qe bërë gjashtë vjeç, ia kishte marrë edhe mbështetjen tjetër, nënën. Dhe kur ishte ende në fillimet e jetës, ia kishte hapur rrugët që shkonin për te drita e teuhidit, besimit monoteist te Allahu si Zoti i vetëm i gjithësisë, për te e fshehta e unitetit të Zotit. Në fakt, për një farë kohe, për të ishte kujdesur i gjyshi Abdulmuttalib, një eveniment, ky, ndoshta, për ta fshehur dinjitetin dhe madhështinë si dhe për ta nderuar mbrojtësin dhe kujdestarin, megjithëse, në fund të fundit, kjo përbënte vetëm një vlerë shkakësore e jo esenciale, kurse kujdesi i Ebu Talibit nuk e pati kapërcyer dot kujdesin dhe mbrojtjen e një ungji, ndërkaq që fakti që Ebu Talibi ishte babai i Hz. Aliut, ishte për të një dhunti e rëndë dhe me përgjegjësi të përjetshme. Në sajë të kësaj afërsie, do të vinte një ditë që edhe Profeti do ta merrte pranë Aliun, do ta rriste e do ta bënte njeri të shquar.[25] Kështu e pati trajtuar Allahu atë duke e shkëputur nga të gjitha shkaqet, dhe e pati kthyer nga vetja me të gjitha ndjenjat e tij. Profeti i ardhshëm, Muhamedi, duhej të bëhej përfaqësues i të vërtetës: “Zoti ynë, ne t’u dorëzuam vetëm Ty dhe i kthyem shikimet vetëm nga Ti!” (Mutmehine, 60:4). Ai duhet t’i besonte Allahut dhe të mbështetej te Ai!
Fatimja ishte bija e tij. Ai nuk mund t’ia kursente të bijës gjërat që ia pati favorizuar dhe dhuruar Zoti në lidhje me edukatën, të bijës që do të bëhej nëna e shumë njerëzve të shquar e shenjtorëve që nga Hasani e Hyseni. Prandaj ajo duhej rritur dhe përgatitur për t’iu bërë embrion atyre fryteve të bekuar. Pikërisht për këtë arsye ndodhte që, krahas dhembshurisë, mëshirës e dashurisë, Profeti e kthente dhe e mbante vazhdimisht vështrimin e Fatimes nga botërat e larta.
[1] Në origjinal: mevhibe-i subhanije.
[2] Në origjinal: sirati mustakim.
[3] Muslim, Fedail, 63; Musned, 3/112.
[4] Ibni Kethir, el-Bidaje, 5/328.
[5] Mexhmau’z-Zevaid, 9/161; Muslim, Fedail, 62.
[6] Buhari, Xhenaiz, 44; Muslim, Fedail, 62, 63; Xhenaiz, 12; Ibni Maxhe, Xhenaiz, 53; Musned, 3/194; Ebu Davud, Xhenaiz, 24.
[7] Mexhmau’z-Zevaid, 9/181.
[8] Kenzu’l-Ummal, 13/650.
[9] Mexhmau’z-Zevaid, 2/297; Kenzu’l-Ummal, 13/663.
[10] Musned, 2/279; Muslim, Zekat, 161.
[11] Hajatu’s-Sahabe, 3/182.
[12] Buhari, Edeb, 18; Ibni Sa’d, Tabakat, 8/39.
[13] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 98; Buhari, Menakib, 25; Mexhmau’z-Zevaid, 9/203.
[14] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 93-96.
[15] Po aty, 93-96.
[16] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 98-99; Buhari, Menakib, 25.
[17] Mexhmau’z-Zevaid, 9/211; Ibni Sa’d, Tabakat, 8/29; Ibn Haxher, el-Isabe, 4/379.
[18] Të tjerët: njerëzit dhe banorët e qiellit, tërë krijesat.
[19] Nesai, Zinet, 39.
[20] Muslim, Birr, 165.
[21] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 9; Muslim, Dhikr, 80, 81; Ebu Davud, Edeb, 100.
[22] Shah evlija, kreu i të gjithë evlijave
[23] Bediuzzaman, Lem’alar, 4/4.
[24] Ebu Davud, Nikah, 41.
[25] Ibni Hisham, Sire, I, 262.
[26] Nesai, Sehv, 18.
[27] Nesai, Ishretu’n-Nisa, 4.