ORIGJINALITETI I PROFETIT NË ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE: PROBLEMI I MUNDSHËM I DITËVE TË SOTME, RACIZMI

discrimination-4731780_960_720.jpg

Janë shumë e shumë probleme që pati zgjidhur asokohe i Dërguari i Allahut, të cilat sot nuk mund të quhen se janë zgjidhur. Kurse problemet e së ardhmes dhe të një të ardhmeje më të largët, krejt një lëmsh problemesh! Për shembull, një prej halleve më të mëdha që kanë për t’i rënë në kokë njerëzimit në një të ardhme të largët, janë zezakët. Ky problem i madh që rri sot si shigjetë në harkun e tendosur duke pritur kohën e caktuar, është bërë qysh sot ëndrra e frikshme e atyre që e parandiejnë.

Po pse? Sepse edhe duke hyrë në shekullin e 21-të, zezaku ende nuk trajtohet si njeri. Në Afrikën e Jugut njerëzit burgosen për shkak të ngjyrës së lëkurës. Në Amerikë, zezakët nuk sillen në asnjë post me rëndësi. Në Francë dhe Gjermani qëllohen me shpullë dhe u vihet në lojë dinjiteti. Kurse i Dërguari i Allahut, me atë mesazhin e tij tejet të butë, i qe vënë kësaj pune dhe e pati zgjidhur. Po, sipas parimeve të sjella prej tij, njerëzit janë si dhëmbët e krehërit. Arabi nuk ka asnjë epërsi ndaj persit, as persi ndaj arabit.[1] Edhe sikur ai që vihet në krye, të jetë një skllav etiopian, do të respektohet dhe do t’i dëgjohet fjala![2]

Ndërkaq, ndryshe nga deklaratat e tjera me shprehje të përgjithshme e evazive, Profeti i pati përftuar kësaj specifike një efektivitet të tillë, që zezaku Bilal (r.a.) pranohej si zotëri dhe kalifi Omer (r.a.) thoshte kështu për të: “Bilali është zotëria ynë. Atë e ka çliruar zotëria ynë Ebu Bekr!”[3]

Edhe Zejd b. Harithe (r.a.) ishte një zezak. Ai pati rënë në dorë të të Dërguarit të Allahut si skllav. Profeti (s.a.s.) i pati dhënë lirinë dhe pastaj e pati adoptuar, pra, e pati bërë bir në shpirt. Ky trajtim do të thoshte një përmbysje që trutë e njeriut të asaj dite nuk e rroknin dot! Më i nderuari i njerëzimit bënte për bir një skllav dhe të dy e bënin njëri-tjetrin trashëgimtar të njëri-tjetrit![4] Pastaj, të birin e caktonte komandant të një ushtrie ku merrnin pjesë fisnikë e bij fisnikësh, si Ebu Bekri, Omeri, Aliu, e shumë të tjerë![5] Më tej, fisniken Zejnep binti Xhahsh (r. anha) që mund të bëhej bashkëshorte profeti, e martonte me Zejdin.[6] Tjetër, edhe Zejdit, edhe të birit Usame u jepte një vlerë të tillë, që, një ditë, kalifin Omer (r.a.), i biri Abdullah e pyeste kështu: “O im atë, ç’gjë mangët kam unë nga Usame ose ç’gjë të tepërt ka ai prej meje që atij i jep rrogë të tepërt?” Dhe kalifi Omer i përgjigjej kështu të birit: “O bir, nuk di që ai të ketë ndonjë anë të tepërt në krahasim me ty, ose ti të kesh ndonjë anë të mangët në krahasim me të! Por di një gjë: i Dërguari i Allahut e donte babanë e tij më shumë se babanë tënd dhe Usamen, më shumë se ty!” Me një fjalë, kalifi donte t’i thoshte të birit se e mbante Usamen mbi të, në kujtim të asaj dashurie![7]

Ç’ngjarje e jashtëzakonshme ishte që, kur ishte i pranishëm personi më fisnik i kurejshve, Xhafer b. Ebi Talibi, Zejd b. Harithe të bëhej komandant i ushtrisë! E rëndësishme nuk është të bësh retorikën e çështjes, por ta vësh atë në praktikë, ta jetosh atë në jetë!

E vetmja zgjidhje për çështjen e zezakëve (racizmin) të cilën po e prekim shkarazi, e cila do t’i kërcënojë në të ardhmen të gjithë njerëzit, si dhe për ta përballuar sulmin e tyre të mundshëm tejet të fuqishëm, është, pa humbur kohë fare, trajtimi i tyre sipas parimeve islame. Njeriu detyrimisht duhet ta provojë këtë zgjidhje sa pa fluturuar shigjeta nga harku!

Njerëzit kanë lindur dhe lindin të lirë nga nëna, prandaj askush nuk ka të drejtë t’i skllavërojë ata! “Përparësia nuk është tek ngjyra, raca, soji e sorollopi, por tek devocioni ndaj Zotit dhe vlerat njerëzore!” (Kur’ani, Huxhurat, 49/13)

[1] Musned, 5/441.

[2] Muslim, Imare, 37.

[3] Ibni Haxher, Isabe, 1/165.

[4] Ibni Haxher, Isabe, 1/564.

[5] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 63.

[6] Ibn Haxher, Isabe, 1/564.

[7] Ibni Sa’d, Tabakat, 4/70; Ibni Haxher, Isabe, 1/564.

ilmihali

Share this post

scroll to top