Asketizmi dhe ruajtja e Tij nga çdo mëkat*, si dhe vera-ja (ruajtja ekstreme, tërheqja nga çdo gjë e dyshimtë) e Tij, nuk mund të gjendet te një tjetër njeri, në të tilla përmasa. Çdo sjellje e veprim i Tij ishte i akorduar sipas këtyre parimeve. Aq kishte frikë nga Allahu (xh.xh.), sa gati i pushonte zemra. Ai ishte aq i ndjeshëm, aq sensibël, sa të rralla ishin momentet që zemra nuk i dridhej e sytë nuk i lotonin. Kur shprehej, bëhej det me dallgë, ndërsa kur heshtte, oqean. Është e qartë se të presësh për Të një gunë mëkati e ta paraqesësh si të interesuar pas gjërave të kësaj bote një njeriu që e ka përshkuar jetën me një kornizë të tillë, nuk është veçse një mungesë e tejskajshme respekti e një gabim i pafalshëm. Asketizmi e ruajtja e Tij nga mëkati, e druajtja e Tij nga Allahu, qëndrimi i Tij i përpiktë, larg nga mëkati, nuk mund të përshtatet kurrsesi me zërat që duan ta paraqesin Atë, qoftë edhe paksa të prirur nga mëkati. Allahu (xh.xh.) e ka vendosur Atë, në një të tillë fron tejqiellor, sa kuisjet e atyre që lehin në tokë, nuk arrijnë kurrsesi deri te Ai, jo më ta stërpikë balta që ata hedhin…
Dhe tani, qoftë edhe përciptas, duam të prekim e të mundohemi të paraqesim edhe këto përmasa.
Së pari, asketizmi është një gjendje shpirtërore e një mënyrë jetese që shpreh këtë: edhe nëse të falet e gjithë bota, nuk ndien ndonjë gëzim të veçantë; edhe nëse e humbet të gjithë botën, nuk hidhërohesh e nuk të bën asnjë përshtypje vlera materiale e kësaj bote. Kjo cilësi te profeti paraqitet në kulmin e saj. Edhe nëse e gjithë kjo botë do të ishte e tij, pa dyshim ai nuk do t’i jepte vlerë më tepër se një kokërr gruri. Sërish, edhe po ta humbte të gjithë botën, nuk do të mërzitej më tepër se të kishte humbur një kokërr gruri. Ja, kështu e kishte braktisur ai botën nga zemra e tij. Kjo braktisje nuk përfshin kurrsesi braktisjen e përfitimeve të të mirave nga bota; sepse sërish, ai profet, dora vetë, na mëson në mënyrën më të mirë e më të arsyeshme, se si të fitojmë nga kjo botë. As që mund të mendohet se ai e braktis botën në një tjetër kuptim apo i shtyn njerëzit në një rrugë të tillë. Braktisja e botës është diçka që bëhet me zemër. Fakti më i saktë për këtë është shteti-republikë i Islamit, që formoi profeti, i cili për një kohë të shkurtër u bë një prej shteteve më të pasur e më të fuqishëm në botë. Sikurse e thekson edhe një mendimtar perëndimor, prej këtij shteti të formuar nga i Dërguari i Allahut, do të lindnin në të ardhmen plot njëzet e pesë perandori. Shteti i madh otoman është vetëm njëri prej tyre. Ja, ky mësim duhet të jetë në themel të asketizmit. I Dërguari i Allahut, qysh nga çasti që hodhi hapin e parë drejt klimës së ndritur të profetësisë, deri në momentin që e gjithë bota u shtrua para këmbëve të tij, nuk e ndryshoi aspak sjelljen e vet. Aq sa, kur vdiq, pranë tij nuk ishin as njerëzit që kishte pasur në çastin kur kishte lindur. Sepse ai kishte falur e shpërndarë gjithë ç’kishte pasur. Vëreni trashëgiminë që ka lënë, vetëm disa kokë bagëti dhe ca dhomëza të vogla, edhe ato, të bashkëshorteve. Madje edhe ato dhomëza numëroheshin pronë shteti, sepse pas vdekjes së këtyre nënave të shenjta, gjithë ato dhoma ishin bërë pjesë e xhamisë. Sikurse e di çdokush që ka pasur rastin të vizitojë atë xhami, ato dhoma janë aq të vogla, sa përbëjnë vetëm një qoshe të vogël të faltores.434
- Ai shtrihej mbi rrogoz
Një ditë, Omeri shkon pranë të Dërguarit të Allahut. Profeti ndodhej mbi rrogozin ku shtrihej zakonisht dhe mbi njërën anë të fytyrës i dalloheshin qartë gjurmët që kishte lënë rrogozi. Në një cep të dhomës kishte një postiqe lëkure, në cepin tjetër një torbë të vogël, ku kishte një dorë elb. Ja, këto ishin orenditë e dhomës së profetit. Përballë kësaj pamjeje, Omeri u prek shumë dhe nuk i mbajti dot lotët. Atëherë profeti e pyeti pse qante dhe Omeri iu përgjigj: “Ndërsa mbretërit e perandorët tani shtrihen në jastëkë me pupla nëpër sarajet e kështjellat e tyre, ti (që gjithçka ka marrë jetë për hatrin tënd!) shtrihesh mbi një rrogoz të thatë e të ashpër, që të lë gjurmë në fytyrë. Ja, këto që pashë më prekën e nuk i mbajta dot lotët”. Pas këtyre fjalëve, profeti i drejtohet Omerit me këto fjalë: “A nuk do të dëshiroje ti, o Omer, që kjo botë të ishte e tyre, ndërsa bota tjetër (e pasosura) të jetë e jona?”435
Sipas një transmetimi tjetër, profeti urdhëron e thotë kështu: “E ç’lidhje kam unë me këtë botë? Unë jam si një udhëtar që pushon nën hije të pemës, pastaj largohet dhe e lë pas!”436
Ai kishte ardhur në këtë botë me një mision të posaçëm, kishte sjellë frymën e ringjalljes në ndjenjat e mendimet e njerëzve. Me të mbaruar misionin e tij, ai do largohej që këtej. Është e papranueshme të mendohet që një njeri i tillë, kaq i painteresuar për botën, të tregojë prirje drejt ca gjërave në emër të kësaj bote. Jo! Ai nuk u tërhoq aspak nga kjo botë dhe nuk lundroi asnjëherë drejt brigjeve të gabuara dhe as u lëkund.
- Saktësia e tij në çështjen e sadakasë
“Kishte rënë të flinte, po deri në mëngjes vetëm sa ishte sjellë e mbështjellë herë majtas, herë djathtas duke rënkuar pa prehje. Në mëngjes, e shoqja e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Mos ishit pa qejf mbrëmë? Ishit shumë i shqetësuar”. Përgjigja e profetit ishte kjo: “Ndërsa përgatitja shtratin, gjeta një hurmë që kishte rënë në tokë. E futa në gojë, po më vonë u kujtova se në shtëpi ndodhen edhe hurma të sjella për t’ua dhënë të varfërve si sadaka ose si zekat. Po sikur kjo hurmë të ketë qenë një prej tyre? Ja, këtë mendova gjer në mëngjes. Me këtë shqetësim u solla sa majtas-djathtas, pa më zënë gjumi”.437
Sadakaja dhe zekati ishin haram për profetin, por kjo hurmë, me shumë gjasa i përkiste shtëpisë së tij ose ia kishin dhënë, sepse as mallin e sadakasë dhe as atë të zekatit nuk e zinte nata në shtëpinë e profetit. Ai mall, si vinte, menjëherë edhe shpërndahej. A është e mundur që t’i afrohet sadopak diçkaje të ndaluar një njeri kaq i ndjeshëm edhe ndaj më të voglit dyshim, i cili e ka kaluar gjithë jetën nën një vetëkontroll të tillë të rreptë? Ai, që ishte aq i rreptë që të mos e njolloste aspak botën e vet shpirtërore, qoftë edhe me një grimcë dyshimi! Si mundet që një vullnet i tillë të lëkundet sadopak përballë mëkatit?! Jo, ai nuk u luhat asnjëherë përballë mëkatit dhe nuk e lejoi atë kurrë të gjente rrugë për në shpirtin e tij. Shpirti e vullneti i tij ishin gjithnjë të dëlirë e të kulluar. Ashtu jetoi, ashtu dhe u lartësua pranë më të Lartit të Miqve.
- “Mua më plaku surja Hud”
Ebu Bekri pyet profetin: “O i Dërguari i Allahut! Po vë re ca thinja në flokët tuaj. Sikur u mplakët përnjëherë. Mos ju mundon diçka?” Dhe Mbreti i Dy Botëve i përgjigjet: “Më kanë plakur suret Hud, Vakia dhe Murselat”.438
Në suren Hud, atij i urdhërohet kështu: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar!”(Hud 11/112). Ky qëndrim i drejtë ishte ai që kishte parashtruar Allahu (xh.xh.) për të Dashurin e Tij dhe i kërkonte atij ta mbronte këtë qëndrim. Murselat tregon mbi skenat e ferrit e të parajsës, rreth grupimeve aty dhe rreth gjendjes njerëzore të ndërdyshur e të tmerruar. Vakia, sërish paraqet këto grupime…
Këto sure dhe ajo çka shpjegohej në to, kishin ndikuar pa masë te i Dërguari, e kishin tmerruar dhe e kishin mplakur atë.
- Si e shihte Botën e Përtejme
Një sahabe po lexonte Kur’an në shtëpinë e vet. Njëkohësisht, zëri i tij dëgjohej edhe nga jashtë. Pikërisht ndërsa ai lexonte ajetin e mëposhtëm, profeti po kalonte para shtëpisë së tij. Ai po lexonte këtë ajet:
“Se padyshim, ne kemi përgatitur për ata pranga, zjarr flakërues, ushqime që ngecin në fyt dhe dënime të dhembshme (Muzemmil 73/12-13).
Papritur, Profeti u zbeh e ra mbi gjunjë mu aty ku ndodhej. Sikur ai ajet po i thuhej atij personalisht, aq shumë ishte frikësuar nga kërcënimi që shprehte.439 Në të vërtetë, nëse ekzistonte dikush që as duhet të shqetësohej ndopak nga këto fjalë, ai ishte i Dërguari i Allahut. Por ai na jepte një mësim mbi sjelljen, edukatën dhe respektin që duhet të tregojmë ndaj Allahut (xh.xh.).
- Profeti ynë përballë Vështrimit Hyjnor
“Një ditë profeti më tha: “Lexo Kur’an, se dua të të dëgjoj!” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Si të të lexoj unë ty Kur’an, kur Kur’ani të është zbritur ty!” “Mua më pëlqen të dëgjoj kur të tjerët lexojnë”, më tha. Pas kësaj, nisa të lexoj nga fillimi suren Nisa. Kur arrita te ajeti: “Si do të bëhet, kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (Nisa 4/41), u dëgjua zëri i profetit që më tha “Mjaft! Mjaft!”. U ktheva nga ai, po ç’të shoh! Profeti qante e lotët i rridhnin krua. Zemra sa nuk po i dilte nga vendi, nuk ishte i zoti të duronte më. Aq e rëndë ishte ajo tablo që i kishte sjellë ai ajet para sysh”. 440
- Meditimi i tij
Një natë, profeti m’u drejtua:
– O Aishe! A më lejon ta kaloj këtë natë me adhurim ndaj Zotit tim?
Unë iu përgjigja:
– Më pëlqen të rri me ty, po më pëlqen edhe ajo që të pëlqen ty.
Profeti u ngrit dhe nisi të falet. Atë natë, gjer në mëngjes, ai lexoi katër ajete: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët” (Ali Imran 3/190) dhe derdhi lot pa pushim, kur u bë mëngjes, erdhi pranë tij Bilali, i cili do të thërriste ezanin dhe i tha:
– O i Dërguari i Allahut, pse e mundon veten kaq shumë? Allahu (xh.xh.) t’i ka falur të gjitha mëkatet e së shkuarës e të së ardhmes.
Kurse profeti iu përgjigj:
– Atëherë, përse të mos bëhem një rob që e falënderon shumë Zotin e tij, që i ka dhënë gjithë ato të mira?441
Ja pra përse derdhte lotë profeti. Ai druhej se mos nuk arrinte nivelin e përshtatshëm të falënderimit për pozitën e vet, ndaj edhe qante! A mund të besoni se një person i tillë mund të kryejë një mëkat ose mund të tregojë ndonjëfarë prirjeje ndaj mëkatit?
Profeti ynë, sa përpikmëri tregonte për të mos iu afruar ndalesave të Allahut (xh.xh.), po dhe aq kujdes shfaqte për të mos iu afruar mëkatit, po aq përkushtim tregonte për të zbatuar edhe urdhëresat e tij, gjithnjë i gatshëm, gjithnjë i përpiktë. Edhe sikur të trajtohet pafajësia e tij veç nga ky këndvështrim, besoj se nuk ka nevojë për të shtuar as edhe një fakt tjetër. Në fakt, askush nuk do t’ia dilte mbanë të jetonte një jetë si të tijën. Ai ishte shumë i rreptë ndaj vetes dhe ndaj adhurimit individual, gjithashtu dhe shumë i disiplinuar në çdo aspekt. Thuajse e gjithë jeta e tij ishte programuar sipas adhurimit, nuk kishte asnjë çast që ai të mos ndodhej brenda dhikrit. Natyrisht që adhurimin këtu nuk mund ta kufizojmë vetëm në formën e atyre që dimë, namaz, agjërim etj. Çdo veprim që bënte, ai e kryente me ndërgjegjen e adhurimit. Kur e cilësuam si Asketi i Asketëve, zgjodhëm këtë term të shtyrë nga pamjaftueshmëria e fjalëve. Sepse asketizmi i tij është i një cilësie të veçantë, që duhet shprehur me tjetër term, me të tjera fjalë.
- Përpikmëria e tij
Një ditë, ai erdhi në xhami, kaloi para xhematit dhe nisi të falej. Po menjëherë la namazin përgjysmë dhe u drejtua për nga dhoma e vet i shqetësuar. Aq i tronditur e aq i merakosur dukej, sa mendoje se po shkonte drejt zjarrit. Pas pak, u kthye sërish. Ishte qetësuar krejtësisht, shkoi në vendin e vet dhe rinisi faljen. Pas namazit, shokët e pyetën për shqetësimin e ngutin e mëparshëm dhe ai u përgjigj;
“Pak më parë më kishin sjellë ca gjëra për t’ua ndarë të varfërve. Unë harrova. Sapo nisa faljen, më erdhi ndërmend. Nuk m’u duk e arsyeshme të falja namaz, ndërsa në shtëpi ndodhej një mall i tillë, ndaj shkova në shtëpi dhe i thashë Aishes (r.a.) ta shpërndajë menjëherë”.442
Ja, ky quhet asketizëm, ky është besim i fortë, kjo është të ruhesh nga mëkati. Kaq është lidhja e tij me botën… Qindra herë bota është drejtuar nga Ai, duke dashur ta tërheqë drejt vetes, por secilën herë ai e ka shtyrë mënjanë.443
* në origjinal Takva
434 Buhari, Feraid, 23; Ibn Kethir, Bidaje, 5/304.
435 Buhari, Tefsir, 2; Muslim, Talak, 31.
436 Tirmidhi, Zuhd, 44; Ibn Maxhe, Zuhd, 3; Musned 1/30
437 Musned 2/193
438 Tirmidhi, Tefsir, 57
439 Kenzul Ummal 7/206
440 Buhari, Tefsir 4/9; Muslim, Musafirin, 247-48
441 Ibn Kethir, Tefsir 2/64. Kurtubi, 4/197
442 Buhari, Ezan, 158; Nesai, Sehv, 104
443 Musned, 2/231