Ëndrrat besnike

profeti-muhamed-40.jpg

Me ç’duket koha e duhur kishte ardhur. Agimit i kishin ngelur edhe fare pak kohë. Sepse, tanimë Ai po përballej me shumë shenja myzhdedhënëse. “Ëndrrat besnike”, të cilat i shihte që kur vinte kokën në jastëk, edhe kur çoheshin prej shtretërve, ishin shtuar jashtëzakonisht shumë; mesazhe të tëra që vinin prej botësh të tjera. Këto ishin të tëra pararendëset e mesazhit të madh, dhe ashtu, nja gjashtë muaj para ritakimit të shumëpritur, dukeshin sikur të ishin përfaqësueset e para të këtij daveti të mrekullueshëm. Në këto ditë, i Dërguari i Allahut i përjetonte ditën ato që natën i shihte në ëndërr, duke medituar thellë e më thellë për lidhjen mes dy botëve.208 Ndoshta kjo kishte në njëfarë mënyre kuptimin e ardhjes së kohës së kumtimit hyjnor. Në përgjithësi, Ai i ndante ëndrrat e para me nënën tonë, Hatixhen e nderuar, e cila e bindur tashmë për të vërtetën e të gjithave atyre që po ndodhnin, bënte herë pas here komente për ta mbështetur sa më fort Profetin tonë të dashur paqja qoftë mbi Të!. Një ditë prej ditësh, i Dërguari i Allahut pati parë se një prej qerpiçëve të çatisë ishte hapur, në hapësirën e hapur ishin vendosur një palë shkallë të argjendta, nga ku kishin zbritur dy burra për të hyrë në shtëpi. Në atë çast donte të thërriste dikë për ta ndihmuar, mirëpo e kishte të pamundur të fliste e të kërkonte ndihmë. Ata burrat zbritën të dy prej shkallëve, e iu ulën pranë nga të dyja anët. Njëri e preku me dorë, i futi duart brenda rrobave, prej nga nxori dy brinjë, ndërsa tjetri bëri të njëjtin veprim, por ky nxori zemrën, të cilën e mbante saora në dorë. Ishte aq e vërtetë, saqë e ndjente prekjen e dorës deri në thellësi të palcës. Ndërkohë, njëri prej tyre i tha tjetrit:
– Sa zemër e pastër qenka zemra e këtij njeriu të mirë! Mandej ia lau mirë e mirë zemrën, për t’ia vendosur më në fund në vendin prej nga e kishte nxjerrë, e pas saj edhe brinjët e nxjerra. Pasi i kryen këto detyra të çuditshme, ata u kthyen për të ikur nga vendi prej nga kishin ardhur. Kur ikën, i morën edhe shkallët me vete. Tanimë tavani ishte si më parë, pa kurrfarë mangësie në vendin ku ishte hapur pak më parë. Ashtu si ëndrrat e mëparshme, njeriu i parë që e dëgjoi këtë ndodhi nga goja e Profetit tonë të dashur, ishte nëna jonë e nderuar, Hatixhja. Ajo, edhe kësaj radhe do të reagonte po njësoj, me atë pamjen e njeriut prej të cilit nuk mund të presësh veçse mbështetje: – Qofshin të mira për ty, – i tha më parë, – e mandej, me një zë të prerë, vazhdoi t’i thoshte se nuk kishte më dyshim se Allahu po kërkonte atë që ishte më e mira për Të. Edhe pas kësaj kushedi se ç’e mirë fshihet! Po, përpara u ishte shtruar një rrugë e re, dhe ata po përparonin në këtë rrugë të treguar qartë dhe pastër. Hatixhja ishte gjithashtu e bindur për mirësinë e kësaj rruge, prandaj edhe fliste me njëfarë sigurie, e cila jo vetëm që i mjaftonte asaj, por ndonjëherë ndihmonte edhe Profetin e nderuar.

ilmihali

Share this post

scroll to top