Gjatë një kohe të ikindisë, i Dërguari i Allahut u zhvendos nga lagjja ku banonin bijtë e Nexharit dhe u nis në drejtim të Medinës.[1] Nga pas i vinte Ebu Bekri i nderuar (r.a.). Ai vetë rrinte në krye. Tashmë Jethribi do të identifikohej me të Dërguarin e Allahut, dhe si për t’i përmendur të dy bashkë, e quajtur “Medina e Muhamedit”. Megjithëse më vonë do t’i ngelej sërish thjesht Medinë.[2]
Që këtej e tutje, në Medinë, po jetohej një festë. Djemtë e rinj ishin mbledhur bashkë me heshtat e po hidhnin valle, ndërsa disa të tjerë e prisnin me poezi të bukura.[3] Tashmë çdo gjë sikur të ishte më e ndriçuar, e kapluar prej një gëzim, të cilin nuk e kishte parë asnjëherë Medina. Fytyrave u kishte ardhur buzëqeshja, dhe sikur të donin t’u largonin hidhërimin prej horizonteve, po ngriheshin kumbimet e zërave të fëmijëve.
– Ja, ka ardhur Resulullahu! Na lindi hëna mbi krye, tej kodrave të Thenasë, – thoshin ata rimueshëm.
Ai që na fton tek e mbara, lum si ne për aq sa Ai rri me ne![4]
O mëkëmbës që u nise për te ne! Padyshim që Ti na ke ardhur me një mesazh, të cilit i duhet bindur.[5]
Medina po e ftonte në kraharorin e vet. Disa njerëz të tjerë, si për të ruajtur ritmin, thoshin:
– Ne jemi fqinjët e bijve të Nexharit! Sa mirë që Resulullahu u bë fqinji ynë, ndërsa i Dërguari i Allahut u përgjigjej:
– Allahu e di, që edhe unë ju dua ju![6]
[1] Buhari, Sahih, 3/1421; Ibni Sad, Tabakat, 1/236
[2] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/285; Salihi, Subulu’l-Huda, 3/296
[3] Ebu Daud, Sunen, 2/699
[4] Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/197; Ibni Kethir, Sire, 4/38
[5] Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadu’n-Nadira, 1/480; Ibnu’l Kajim, Zadu’l Mead, 3/10; Mubarekfuri, er-Rahiku’l Mahtum, 162
[6] Ibni Maxhe, Sunen, 1/612