Vendqëndrimi i parë i Profetit në Medine

profeti-muhamed-40.jpg

I njëjti emocion si në Kuba, kësaj here po ndjehej edhe në Medinë. Të gjithë ishin rreshtuar buzë rrugës, duke garuar me njëri-tjetrin sekush ta priste Muhamedin paqja qoftë mbi Të në shtëpinë e vet. Çdo familje që e shihte të drejtohej kah shtëpia e tyre, mbartte shpresën “Ah sikur të qëndrojë në shtëpinë tonë!”. Megjithatë, Ai, si për t’iu përgjigjur dëshirave të tyre, tha:

– Lërini të lira frerët e devesë, sepse ia kam lënë asaj.

Po ia linte devesë që ta zgjidhte vendin se ku do të bujtte. Në fakt kjo ishte edhe një zgjidhje që do të parandalonte mendimet e të tjerëve. Kafsha e bekuar, Kasua, po ecte nëpër rrugët e Medinës, e njerëzit e ndiqnin nga pas. Shkonin për të parë vendin ku do të qëndronte.

Vajzat e bijve të Nexharit po gëzoheshin edhe njëherë më shumë. Po mirëprisnin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

– Ne jemi fqinjët e fëmijëve të Nexharit. Sa të lumtur jemi! Tashmë Resulullahu do të jetë fqinji ynë.

Resulullahu u kthye nga ata dhe tha:

– A më doni mua?

Ç’do të thoshte, “A më doni?”?

– Po, o i Dërguari i Allahut.

– Vallahi që edhe unë ju dua ju! – ishte përgjigjja e entuziazmuar e të Dërguarit të Allahut, i Cili ishte prekur shumë prej situatës së formuar. Vallahi, edhe unë ju dua ju! Vallahi edhe unë ju dua ju!

Kasua ndali para portës së një shtëpie, dhe po shihte nga të dyja anët, dhe pastaj u kthye sërish në vendin prej nga ishte nisur. Me sa dukej po përpiqej të kryente detyrën që ia kishte ngarkuar paracaktimi hyjnor. Priti edhe pak çaste, pastaj u përgjunj.

Ensarët dhe muhaxhirët po e ndiqnin tërë kureshtje. Ishte caktuar shtëpia ku do të rrinte i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Nga faqet e Ebu Ejub Halid ibni Zejdit po buronte një gëzim i papërshkrueshëm. Sepse shtëpia më afër vendit ku kishte qëndruar deveja, ishte shtëpia e tij.

– E kujt është shtëpia pranë Kasuas?

– E imja, o i Dërguari i Allahut! – u hodh Ebu Ejubi, – ajo është shtëpia ime, dhe ja tek e ka portën.

– Atëherë, unë do të qëndroj në shtëpinë tënde, – tha i Dërguari i Allahut.

– Mirë se të vini![1]

Kështu filloi ai qëndrim që zgjati plot shtatë muaj.

Kjo shtëpi kishte edhe një tjetër karakteristikë. Kjo ishte shtëpia që kishte ndërtuar mbreti i Tubas, duke thënë se kjo shtëpi duhet të qëndronte pasi në të do të rrinte profeti i kohës së fundme. Ajo shtëpi po përgatitej tashmë për të pritur Krenarinë e Njerëzimit, Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të.[2]

Në fakt, i Dërguari i Allahut ishte mysafiri i Ebu Ejubit, ama gëzimin e përjetonin të gjithë ensarët po njësoj. Pasi Ai ishte miku i të gjithëve. Pas gjithë asaj kohe që Meka nuk kishte lënë të keqe pa i bërë, Ai kishte zgjedhur pikërisht Medinën për t’u vendosur. Shtëpia e Ebu Ejubit do të ishte vendqëndrimi i Tij në qytetin e tyre. Aty vinin përditë dy a tre medinas të rinj, duke bërë që tërë ensarët të mund të tregonin bujarinë e tyre.

 

Ai u vendos në katin e sipërm

Krenaria e Universit ishte vendosur në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut, megjithëse ky i fundit nuk ishte i qetë për qëndrimin e të Dërguarit të Allahut. Profeti ynë paqja qoftë mbi Të kishte zgjedhur katin e poshtëm për të qëndruar, dhe aty kalonte netët. Si Ebu Ejubi, si bashkëshortja e tij, ishin shumë të shqetësuar.

– Nuk është mirë, që Resulullahu të rrijë poshtë, ndërsa ne të ecim mbi kryet e Tij.

Më në fund, shqetësimin e tyre vendosën t’ia tregonin të Dërguarit të Allahut, dhe ta ftonin që të qëndronte Ai në katin e dytë.

– O Profeti i Allahut! Nëna dhe babai im të qofshin falë! Ne na vjen shumë rëndë, që Ti të qëndrosh në katin e poshtëm, ndërsa ne në të sipërmin. Sikur të qëndronit ju sipër, e ne poshtë Jush?

Vetëm se i Dërguari i Allahut nuk ishte i një mendjeje me ta. E patën ndarë shumë herë me Të këtë çështje, mirëpo Ai u qe përgjigjur gjithnjë me të njëjtat fjalë.

– O Ebu Ejub! Më e përshtatshmja dhe më e mira, për nga mirësitë që na janë shtruar, është të qëndroj në katin e poshtëm,[3]– duke u treguar se nuk do të pranonte kurrsesi.

Ebu Ejubi i pati kërkuar disa herë të njëjtën gjë, por kur e kishte parë se kjo gjë nuk po i pëlqente të Dërguarit të Allahut, andaj vendosi t’i thoshte:

– Unë nuk mund të rri sipër të Dërguarit të Allahut, dhe nuk kam për të jetuar atje.

Përfundimi ishte po i njëjti, derisa një ditë, Ebu Ejubi e ktheu përmbys katin e sipërm, duke bërë që një vazo të thyhej dhe tërë uji i saj filloi të rridhte në katin e poshtëm. Ende pa mbërritur uji poshtë, bashkë me Umu Ejubin zbritën poshtë, dhe me peceta beze në duar, filluan të thanin ujin e grumbulluar. U shqetësuan shumë se mos uji prekte të Dërguarin e Allahut, aq sa ishin bërë dyll të verdhë nga meraku. Dukej që kjo çështje nuk mund të vazhdonte kështu.

– O i Dërguari i Allahut! Nuk është më e mundur që ne të rrimë mbi Ty! Të lutemi, kalo Ti sipër.

Kjo ishte një kërkesë që nuk kishte ç’t’i përgjigjej. Ne nuk mund të rrimë dot mbi Ty.

Profeti ynë i dashur nuk mund t’i përgjigjej më me jo Ebu Ejubit, kështu që prej asaj nate, kaloi në katin e sipërm, dhe qëndroi aty derisa u ndërtua faltorja profetike.


[1] Ibni Hisham, Sire, 3/22 e më tej.
[2] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/340; Hindi, Kenzu’l Ummal, 12/80-1
[3]

ilmihali

Share this post

scroll to top