Mrekullia e Profetit Muhamed (s.a.s), begatimi i të ngrënave

pexels-alesia-kozik-6072108-scaled.jpg

* Enes b. Malik tregon: Ebu Talha i tha Umu Sulemes: “Unë e dëgjova të Dërguarin e Allahut të fliste me zë të dobët dhe e kuptova se është i uritur. A ke ndonjë gjë për të ngrënë me vete?” Umu Seleme iu përgjigj “po” dhe nxori një copë bukë elbi. Këputi një copë nga buka, e mbështolli dhe ma futi nën rrobë. Pastaj më dërgoi te i Dërguari i Allahut. Unë e gjeta të Dërguarin e Allahut tek po rrinte në faltore me shokët. Unë zura vend. I Dërguari i Allahut më pyeti:

“Ebu Talhai të dërgoi ty?”

“Po!”, i thashë.

“A për të ngrënë?”

“Po!”, iu përgjigja. Atëherë, i Dërguari i Allahut u tha të pranishmëve “ngrihuni” dhe vetë eci para. Edhe unë dola para dhe arrita i pari te Ebu Talhaja për ta lajmëruar. Ebu Talha i tha Umu Selemes:

“O Umu Seleme, i Dërguari i Allahut po vjen me shokët, kurse ne s’kemi aq gjë sa për t’i ushqyer dhe ngopur ata!”

 “E dinë Allahu dhe i Dërguari i Tij!”, tha Umu Seleme

Ebu Talha doli dhe e priti të Dërguarin e Allahut dhe, pastaj, së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut i tha Umu Selemes:

“Ç’të kesh, nxirre, o Umu Seleme!”

Ai e solli bukën dhe i shtroi sipër gjalpë nga tullumbi. I Dërguari i Allahut bëri një lutje për bukën. Pastaj i tha Ebu Talhait:

“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”

Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë. Ata hëngrën, u ngopën dhe dolën.

Pastaj i Dërguari i Allahut i tha sërish Ebu Talhait:

“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”

Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë të tjerë që hëngrën, u ngopën dhe dolën.

Kështu, me radhë, të gjithë shokët hëngrën dhe u ngopën. Ata ishin rreth shtatëdhjetë-tetëdhjetë vetë![1]

 

* Në një rrëfim të Buhariut dhe Muslimit, Abdurrahman b. Ebu Bekr tregon:

Gjatë një ekspedite, ishim njëqind e tridhjetë vetë bashkë me të Dërguarin e Allahut. Ai na pyeti:

“A ka ndokush nga ju ndonjë gjë për të ngrënë?”

Dikush nga ne kishte miell. Menjëherë zumë brumë. Ndërkaq, një idhujtar shtat gjatë me një tufë dhen u afrua tek ne. I Dërguari i Allahut e pyeti:

“Për t’i shitur i ke, apo për t’i falur?”

“Jo, për t’i shitur!,” iu përgjigj burri.

Ne blemë një dele. Delen e therëm dhe i Dërguari i Allahut urdhëroi t’i skuqej mëlçia. Pastaj i Dërguari i Allahut i dha secilit nga ta njëqind e tridhjetë vetët një copë nga mëlçia e pjekur dhe la mënjanë edhe për ata që s’ndodheshin aty. Pastaj mishin e gatuar e ndau në dy çanakë. Të gjithë hëngrëm dhe u ngopëm, kurse enët vazhdonin të rrinin plot sikur s’ishin prekur fare!

Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullahit te Buhariu, një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe gjatë luftës së Hendekut. Njerëzit që hëngrën atë radhë ishin një mijë.[2]


 

[1] Buhari, Ejman, 22; Muslim, Eshribe, 142.
[2] Buhari, Et’ime, 6; Hibe, 8; Muslim, Eshribe, 175.

ilmihali

Share this post

scroll to top