Mrekullia e ndarjes së hënës

moon-1527501_1280.jpg

Nga ana tjetër, mekasit bënin ç’të ishte e mundur që ta shqetësonin Resulullahun (s.a.s.). Një ditë, të parët e Mekës u mblodhën në kodrën e Minës, dhe po i kërkonin të Dërguarit të Allahut një tjetër mrekulli që t’i besonin. Madje, kësaj here kishin mbërritur deri atje sa edhe e kishin përshkruar vetë mrekullonë që donin të shihnin. Nëse arrinte ta bënte, atëherë do t’i besonin. I Dërguari i Allahut, që, megjithëse e dinte mirë se ata prapë nuk do të besonin, por që njëkohësisht e dëshironte shumë besimin e tyre, filloi të shpresonte me të vërtetë tek fjala e tyre.
– Po, nëse arrin ta ndash hënën në mes, atëherë ne do të të besojmë, – i thanë ata.

Profeti ynë i dashur e ngriti gishtin e Tij tregues në drejtim të hënës, dhe duke treguar hënën filloi ta ulte poshtë. Sakaq ajo që pritej ndodhi, hëna tashmë u nda më dysh. Aq sa njëra pjesë rrinte mbi malin e Ebu Kubejsit, e tjetra mbi majën e malit të Kuajkëanit. Me ta realizuar mrekullinë, i Dërguari i Allahut u kthye nga kurejshët, të cilët ishin kapluar nga një habi e madhe. Si ishte e mundur, që hëna aq e largme, të ndahej në dy pjesë vetëm me një të lëvizur të dorës, e pastaj të kthehej prapë në gjendjen e mëparshme? Mbi të gjitha, ata dhanë edhe fjalën. Që nuk kishin për të besuar, kjo dihej, por nuk dinin si të dilnin nga situata edhe kësaj here. Nga mesi i tyre doli një i atillë, të cilët ishin të shumtë, që ishin të aftë t’ia hidhnin edhe vetë djallit, dhe tha:

– Kjo është veçse një magji e Ibni Ebi Kebshes. Ai ju hodhi hi syve. Pa pyetini njerëzit që kanë qenë duke kaluar andejmi! Nëse e kanë parë edhe ata atë që pamë ne, atëherë Muhamedi thotë të vërtetën. Ama, nëse nuk i ka parë asnjeri, atëherë ta dini se Muhamedi ju ka bërë magji.

Të paktën kjo ishte një rrugëdalje e çastit. Hapën lajm në të katër anët, dhe ia pyetën ngjarjen çdokujt që rastisnin në rrugë. Përgjigja që merrnin nuk ishte aspak ashtu siç e parapëlqenin mekasit. Të gjithë dëshmonin se ishin përballur me një ndodhi të pagjasë. Ishte ndarë hëna më dysh, secila prej syresh rrinte mbi majën e një mali, derisa u kthye sërish në gjendjen e saj të mëparshme. Çdo portë po u mbyllej përpara syve. Ajo që e kishin parë me sytë e tyre, tanimë mohohej edhe pse po u dëshmohej edhe prej të tjerëve. Pas ngelte vetëm një alternativë e mundshme. Të shtrëngoheshin fort pas shpifjeve të mëparshme, duke vazhduar të ishin të flijuarit e inatit të tyre.
– Kjo nuk është asgjë tjetër veç magjisë së Ibni Ebi Kebshes.

Nuk mund të fshihej dielli me shoshë. Ai që mbyllte sytë, vetëm sa i bënte errësirë vetes. Pa kaluar shumë kohë, erdhi prapë Xhebraili fjalëdrejtë, i cili solli ajetet që do të vulosnin të vërtetën e së vërtetës:
– Ora e fundit afroi dhe hëna u nda më dysh. Mirëpo ata idhujtarë edhe po të shohin ndonjë mrekulli, prapë kthejnë shpinën, duke ngulur këmbë se “ajo është veçse një magji”.

ilmihali

Share this post

scroll to top