Shpesh ndodhte që ai të mos vinte një kafshatë në gojë, për ditë të tëra.444 Gjatë gjithë jetës së tij si profet, nuk ka ndodhur që ai të mbushte barkun, qoftë edhe me bukë thatë.445 Kalonin muaj të tërë, pa u ndezur zjarri për një supë në shtëpinë e tij.446 Një ditë, po falte namaz ndenjur. Ai ishte një namaz “nafile”. Pasi u fal, Ebu Hurejre iu afrua dhe e pyeti: “Mos jeni i sëmurë, o i Dërguari i Allahut? U falët ndenjur, ndaj pyes”. Përgjigja ishte e tillë, që të rrënqethte mishtë: “Ka ditë që nuk kam gjetur gjë të vë në gojë, o Ebu Hurejre! Më është prerë fuqia nga uria. S’më ka mbetur forcë të qëndroj në këmbë, prandaj u fala ndenjur”.
“Si dëgjova këto fjalë, u mbyta në lotë”, thotë Ebu Hurejre. Por profeti e harroi hallin e vet e nisi të merrej me mua. “Mos qaj, Ebu Hurejre. Uria në këtë anë e shpëton njeriun nga dënimi në anën tjetër (në botën e përtejme)”447
Ai ishte një lider. Mes pasuesve të vet kishte edhe nga ata që vuanin ditë të tëra nga uria. Ja dhe profeti e kishte përcaktuar standardin e jetës së tij, sipas këtyre. Në krahasim me bashkëkohësit e vet, ai jetonte jetën më të vobektë materialisht… dhe këtë e bënte me dëshirën e vet. Po të donte, mund të jetonte mes gjithë të mirave. Kjo nuk ishte aspak e vështirë për të. Vetëm dhuratat që vinin për të nëse do t’i mbante e të mos i shpërndante nëpër të varfër, do t’i mjaftonin të kalonte një jetë luksoze për standardet e asaj kohe, por ai as që e çoi nëpërmend një gjë të tillë. Kjo gjë nuk duhet interpretuar kurrsesi si braktisje e botës nga shoqëria që ai po ndërtonte dhe as si largim i plotë prej saj. Dhe as nuk ishte parimi moral i profetit “Një kafshatë në gojë, një gunë në shpinë”, të cilin e marrin nëpër gojë disa e disa, të cilët duan të gjejnë një bazë për kritikat e tyre.
Ai që do, fiton, pasurohet dhe jep zekatin në masën e paracaktuar nga Allahu (xh.xh.), bën mirë e ndihmon. Askush nuk është kundër një fitimi të tillë, madje Islami vetë e shtyn dhe e mbështet fitimin e lejuar. Po megjithatë, profetit dhe disa shokëve të afërt të rrethit të tij, u është dashur t’i qëndrojnë besnik botëkuptimit që pasqyruam më sipër me shembuj konkretë. Përndryshe, do të ishte e pamundur të ruhej kjo shoqëri, e cila po rritej nga dita në ditë e që i kishte kaluar me kohë kufijtë e Mekës e Medinës, në ato standarde dhe cilësi të pastra e të kulluara që kishte që ditën e parë. Kjo shoqëri nuk është thjesht një shoqëri fizike e materiale, kjo shoqëri është njëkohësisht bashkësi e ndjenjave, zemrave, shpirtit e ndërgjegjes. Dhe profeti mundohej të mbante në këmbë këtë bashkësi, duke u mëshuar gjithmonë e më fort këtyre vlerave. Secilën sakrificë që priste prej tyre, e bënte vetë i pari dhe si gjithmonë, edhe këtu, bëhej vetë shembull për pasuesit e vet. Ja një shembull nga më mbresëlënësit:
“Ishte mesnatë. Uria e kishte sfilitur tashmë profetin dhe nuk ishte në gjendje as të flinte. Ndoshta po ta zinte pak gjumi, do t’i lehtësohej qoftë edhe për pak kohë tortura e urisë. Por ishte e pamundur, uria nuk e linte të mbyllte sy. Doli nga shtëpia dhe nisi të ecte. Pas pak, vuri re një siluetë. Dikush po afrohej. Ktheu sytë andej, e njohu menjëherë. Ishte personi që nuk ishte ndarë prej tij në asnjë çast të jetës. Në çdo mendim, në çdo veprim, ai kishte qenë pranë tij. Dhe tani, në mes të natës, në një cep të Medinës, thua se e kishin bërë me fjalë, ishin sërish së bashku. I sapoardhuri ishte Ebu Bekri. Profeti e përshëndeti dhe pastaj e pyeti: “Ç’të ka nxjerrë jashtë në këtë orë të natës, o Ebu Bekr?” Po Ebu Bekri, me të parë profetin, e kishte harruar hallin që kishte. Gjithmonë ashtu kishte qenë. Edhe në Mekë, pasi kishte hyrë në një grindje për të mbrojtur profetin, kishte humbur ndjenjat e nuk kishte ardhur në vete për një ditë të tërë. Më vonë, sapo kishte hapur sytë, pyetja e parë që kishte bërë, kishte qenë: “Ç’u bë me profetin?”. Madje e ëma, Ummu Umare, ishte zemëruar me të dhe i kishte thënë: “Je bërë për vdekje, po prapëseprapë, te ai e ke mendjen!”499 Nuk e dinte ajo se Ebu Bekri vuante e humbte ndjenjat pikërisht kur nuk mendonte për të. Sepse burimi i jetës për Ebu Bekrin ishte i Dërguari i Allahut. Ja, tani sërish nuk kishte ndenjur dot i ndarë prej tij dhe një ndjenjë e brendshme e kishte shtyrë gjer në atë cep të Medinës. Dhe ai tani ndodhej mu pranë tij, duke iu përgjigjur pyetjes që i bëri: “Nga uria! Nuk gjeta asgjë për të ngrënë në shtëpi. Nuk më zuri dot gjumi dhe dola jashtë”. E njëjta botë! Menjëherë shtoi: “Nënë e baba të qofshin falë, o i Dërguari i Zotit! Po ti, pse dole?” Përgjigja nuk kishte si të ishte ndryshe. Edhe profetin e kishte nxjerrë uria. Ndërkohë, u duk më tej edhe një tjetër siluetë. Kuptohej që ky burrë truplartë e madhështor ishte Omeri. A nuk duhej plotësuar ajo tablo? Profeti kishte Ebu Bekrin në të djathtë, por ai që ishte i përhershëm në të majtën e tij, mungonte. Dhe ai erdhi me vrap; thua se nuk donte ta linte tablonë të mangët. Po, ai që erdhi ishte Omeri! Edhe ai kishte mbetur i çuditur kur kishte parë miqtë e vet aty. Përshëndeti, e përshëndetën dhe mbreti i fjalës e pyeti Omerin pse ishte jashtë në atë orë. Edhe përgjigjja e tij ishte njëlloj: “Uria, o i Dërguar i Zotit! Uria më nxori jashtë!” Profetit i erdhi ndërmend Ebul Hejsemi. Shtëpia e tij ishte diku aty afër. Me shumë gjasa, e kishte parë gjatë ditës tek punonte në vreshtë. Të paktën do t’u jepte ndonjë hurmë, kështu do ta mundnin disi urinë. “Eja të shkojmë te Ebul Hejsemi”, u tha shokëve. Arritën te shtëpia e Ebul Hejsemit. Ai dhe e shoqja ishin në gjumë. Në shtëpi kishin edhe një fëmijë të vogël; duhej të ishte katër a pesë vjeç. I pari i ra derës Hz. Omeri. “O Ebul Hejsem!” thirri me zërin e tij të trashë. Po as Ebul Hejsemi, as e shoqja nuk dëgjuan gjë. Ndërsa fëmija i vogël, që flinte i qetë në shtratin e vet, e dëgjoi dhe u hodh menjëherë nga shtrati: “Babi, ngrihu, ka ardhur Omeri!” Por Ebul Hejsemi mendoi se i biri kishte parë ndonjë ëndërr:
– Fli, bir, fli! Ç’punë ka Omeri këtu në mes të natës?
Si nuk morën përgjigje, derës i ra Ebu Bekri dhe me zërin e tij të ëmbël, thirri: “O Ebul Hejsem!”. Fëmija u hodh sërish, shkoi pranë të atit dhe e zgjoi: “Babi, ngrihu! Erdhi Ebu Bekri!” Por i ati e vuri sërish në gjumë. Herën e tretë, ishte zëri i atij që ngjallte edhe të vdekurit: “O Ebul Hejsem!” thirri profeti. Atëherë fëmija fluturoi si shigjetë. Ndërsa vraponte drejt derës, i thërriste të atit: “Ngrihu, babi! Ka ardhur profeti!” Ebul Hejsemi nuk po kuptonte se ç’po ndodhte. Vrapoi edhe ai drejt derës, po nuk u besonte syve. Në këtë orë të natës, te dera e tij, kishte denjuar të vinte mbreti i mbretërve. I ftoi menjëherë brenda. Pa humbur aspak kohë, shkoi e theri një bagëti. Ky rast i vinte njeriut një herë në jetë! Ai po jetonte çastin më të lumtur të tij; Profeti i kishte nderuar shtëpinë. Edhe shpirtin t’ua vinte para këtyre miqve të shenjtë, prapë atij i dukej pak. Menjëherë solli hurma, qumësht e mish dhe ua serviri miqve të nderuar. Hëngrën aq sa shuan urinë. Pastaj sërish profeti, me lotë në sy, duke iu derdhur këto fjalë nga ato buzë të shenjta, që ishin të afta t’i jepnin një kuptim e një thellësi tjetër çdo ngjarjeje, tha: “Betohem në emër të Zotit se nesër do t’ju kërkohet llogari për këto të mira”.450 Pastaj lexoi këtë ajet: “Pastaj, atë Ditë do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)”. (Tekathur102/8). Ja, i tillë njeri i jashtëzakonshëm ishte ai dhe të tilla ishin kriteret mbi të cilat ndërtonte ai jetën. Të përpiqesh të gjesh devijime në jetën e një njeriu të tillë, në mos injorancë, s’është tjetër veçse armiqësi. Omeri është njëri prej më të afërmve të tij dhe ai tregon për asketizmin në jetën e profetit me këto fjalë: “Betohem për Zotin, që unë e di si palosej më dysh nga uria profeti, se as më të lirën e hurmës (dakkal) madje, kishte raste që nuk e gjente dot”.451 E pra, kujtdo që t’i kërkonte, do të shtronte për të më të mirën e sofrave. Madje pa pasur nevojë për këtë, vetëm dhuratat që i vinin, ishin të mjaftueshme që ai dhe familja e tij të jetonin mes gjithë të mirave. Por ai shpërndante gjithë ç’kishte, gjithë çfarë i vinte, pa ruajtur e pa ndarë asgjë për të nesërmen.452 Dhe kur dikush e pyeste se pse nuk i afrohej asnjërës prej të mirave të kësaj bote, ai i përgjigjej: “E si mund të mendoj të marr nga të mirat e kësaj bote, kur Israfili ka surin në duar e pret urdhrin e Zotit për t’i fryrë?! Si mundet të shfrytëzojë njeriu të mirat e kësaj bote, kur është në një gjendje të tillë?”453
444 Musned, 3/213
445 Buhari, Etime, 23. Muslim, Zuhd, 22.
446 Buhari, Rikak, 17. Muslim, Zuhd, 28.
447 Ebu Nuajm, Hilje, 7/109, Kenzul Ummal 7/199
499 Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/40
450 Muslim, 40; Kenzul Ummal, 7/196.
451 Muslim, Zuhd, 36. Ibn Maxhe, Zuhd 10, Musned 1/24, 50.
452 Buhari, Bed’ul Vahj, 5-6, Savm, 7. Muslim, Fedail, 50.
453 Tirmidhi, Kijame, 8; Musned 1/36, 3/7.