Veshja e Profetit Tonë

profeti-muhamed-56.jpg

Profeti, paqja qoftë mbi të! nuk është veshur asnjëherë vetëm me një veshje. Zakonisht vishej me një veshje harmani[1]  (një lloj pelerinë), këmishë, dhe fund. Nuk përdorte çorape. Por çorapet e dërguara nga Nexhashiu i ka veshur. Nga transmetimi kuptohet se ato çorape ishin prej lëkure. Cepi i çallmës i varej herë poshtë kraharorit të bekuar, e herë mes shpatullave. Në shumicën e rasteve ka përdorur çallmë të zezë. Nën çallmë mbante gjithmonë një kësulë. Nuk ka përdorur asnjëherë kësulë të hollë apo qeleshe. Ai thoshte gjithnjë se ajo që na ndan ose na ndryshon nga mushrikët, është vendosja e kësulës nën çallmë.[2]

Profetit tonë i pëlqente shumë veshja që quhej ‘kamis’.[3] Kamis është një këmishë që mbulon nga koka te këmbët. Duke mos qenë një veshje e ndarë në dy pjesë si ‘idhar’ dhe ‘rida’ dhe meqë i mbulonte gjithë trupin, Profetit i pëlqente shumë. Kamis, në vija të përgjithshme, është një copë prej pambuku. Mëngët e këmishës së profetit tonë zgjateshin deri te kyçi i dorës.[4]

Në veshje parapëlqente stofrat me vija.[5] Në arabisht kjo quhet ‘hibere’. Ky është një stof me ngjyrë të gjelbër, i njohur në Jemen. Zotëria i gjithësisë parapëlqente veshjet me ngjyrë të gjelbër për arsye se edhe veshja e banorëve të xhenetit do të jetë në po këtë ngjyrë. Ngaqë mëngët ishin të ngushta dhe nuk mund t’i përveshte gjatë marrjes së abdesit, ndonjëherë detyrohej dhe t’i hiqte. Në pjesën e sipërme të xhepit apo tek jaka, ka pasur edhe qëndisje prej mëndafshi të harmanit Nushirevan. Pas vdekjes së Tij, Hz. Aishja (r.a.) nxori një pulovër leshi të arnuar dhe një fund prej stof leshi dhe tha: “I Dërguari i Zotit ka vdekur me këto rroba.”

I Dërguari ynë kur vishte diçka të re. i lutej Zotit me emrin e asaj veshjeje. Nëse kishte vënë një çallmë, lutej kështu: “Lavdi Zotit që na e ka bërë çallmën veshje”. Nëse kishte veshur një këmishë: “Lavdi Zotit që na e bëri këmishën veshje”. Nëse kishte veshur rida, “Lavdi Zotit që na e bëri ridanë veshje.”[6]

Kur vishte diçka të re, lexonte këtë dua: “O Zoti i Madhëruar, Ty të takojnë të gjitha falënderimet! Ashtu siç ma ke veshur këtë veshje, ashtu kërkoj prej Teje më të mirën e trupit për të cilin është përgatitur ajo. Dhe strehohem tek Ti o Zot nga e keqja e trupit për të cilin është bërë kjo veshje!”[7]

Siç e dimë nga hadithet, Profeti ka pasur dhe veshje me ngjyrë të kuqe. Pjesa më e madhe e studiuesve të hadithit janë të mendimit se Profeti është veshur me të kuqe. Por Ibn Kajim ka thënë se Profeti paqja qoftë mbi të! nuk ka pasur veshje të kuqe dhe nuk lejonte as burrat që të kishin veshje të tilla. Me veshje të kuqe kuptohet një veshje e qepur me një copë me vija të kuqe, marrë nga Jemeni.[8] Pohohet se Profeti paqja qoftë mbi të! e ka veshur herë pas here. Por numri më i madh i studiuesve të hadithit thotë se nuk ka asnjë shenjë që tregon se veshja e kuqe e Profetit ka qenë me vija.

Zerkani e ka shpjeguar më gjerësisht këtë temë. Nga transmetime të ndryshme, kuptohet se Profeti ka mbajtur veshje me ngjyrë të zezë, të kuqe, të gjelbër, të verdhë, pra, të çdo ngjyre. Por ngjyra më e preferuar ishte e bardha.[9]

Ndonjëherë hidhte sipër një beze që ishte stof me vija. Këpucët e Tij ishin në formën e sandaleve. Poshtë kishte një bazament të sheshtë. Ishte një lloj këpuce që lidhej nga sipër. Shtrati ishte një mbulesë lëkurë e mbushur me gjethe hurme në vend të leshit. Minderi ishte i punuar me fije të marra nga fibrat bimore. Për këtë arsye, shumë herë i mbesnin në trupin e bekuar shenja nga ato fije.


[1] ‘Harmani’ është një veshje që mbulon gjithë trupin, e gjatë, pa mëngë; fund i gjerë, sipër pa mëngë, një lloj palltoje, pelerine.
[2] Ebu Davud, 2/ 452; Tirmidhiu, 4/247; Taberani. Muxhemul-Kebir, 5/71.
[3] Ebu Davud, 2/240; Tirmidhiu, 4/238; Ibn Maxhe, 2/1183.
[4] Ebu Davud, 2/ 441.
[5] Buhariu, 5/ 2188; Muslimi, 2/ 651; Ebu Davudi, 2/ 208; Tirmidhiu, 3/321.
[6] Tirmidhiu, 4/239; Ahmed b.Hanbel, 3/50.
[7] Ahmedb. Hanbel, 3/50; Ibn Hibban, Sahih, 12/239.
[8] Buhariu, 1/147; Muslimi, 1/ 360, 1818; Ebu Davud, 1, 198; Tirmidhiu, 1/375.
[9] Buhariu, 5/193; Muslimi, 1/ 94; Ahmed b. Hanbel, 5/ 166.

Vula e vulës së Profetëve, Profeti Ynë

profeti-muhamed-55.jpg

Shpjegimi i Profetit tonë në librat e shenjtë si Profeti i fundit dhe njohja e Tij me një vulë si shenjë e profetësisë, është një e vërtetë që dihet nga besimtarët e librave të shenjtë. Por kjo është gjithashtu një mrekulli, sepse i përket vetëm Profetit tonë paqja qoftë mbi të!.

Said ibn Jezidi transmeton në një hadith: ”Tezja më çoi tek i Dërguari i Allahut dhe iu drejtua: O i Dërguari i Allahut! Djali i motrës sime vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ka dhimbje të forta.

Profeti ma fërkoi kokën me duart e bekuara. U lut për mua. Mori abdest dhe unë piva nga uji i abdesit të Tij. Pastaj filluam namazin. Vula në shpinën e Tij ishte e kuqe dhe dukej si një copë mishi.”[1]

Kurtubiu thotë se vula ishte aq e madhe, sa mund të shihej nga të gjithë.[2]

Xhabir ibn Semure transmeton: “Pashë vulën mes dy shpatullave të të Dërguarit. Ishte një copë mishi e kuqe në madhësinë e vezës së pëllumbit.”[3]

Përsëri në një hadith të Rumejses (r.a.) thotë: “Isha aq afër Profetit tonë të nderuar, saqë po të kisha dashur, mund t’ia puthja vulën profetike. Por nuk munda ta puth nga respekti i madh. Në atë çast erdhi lajmi i vdekjes së Sa’d ibn Ubades. I Dërguari tha: “U drodh Arshi nga vdekja e Sa’dit.”[4]

Ashtu siç e përmendëm dhe më parë, mes besimtarëve të feve të tjera, flitej shumë rreth vulës së profetësisë si shenjë e Profetit të fundit. Këtë e shohim edhe në transmetimet në lidhje me konvertimin në mysliman të Selman Farisiut:

Jeta prej skllavi e Selman Farisiut fillon në Uadil Kura duke iu shitur një çifuti. Pasi ndryshon dhjetë pronarë, përfundon në Medinë, te një çifut medinas. Sapo sheh Medinën, kupton se ky ishte vendi i përshkruar nga prifti Amurije, mbështetur në njohuritë e Teuratit dhe Ungjillit. Selman Farisiu tashmë e kishte gjetur vendin që kërkonte. Tani kishte ardhur koha të gjente atë njeri të shquar të cilin aq shumë kishte dëshiruar ta takonte. Ndërkohë që Selman Farisiu priste me padurim të takohej me Profetin, një ditë merr vesh se Profeti kishte emigruar drejt Medinës dhe ndodhej në hyrje të qytetit, në xhaminë e fshatit Kuba. Le ta dëgjojmë nga gojë e tij çastin më emocional të jetës së tij:

“Një ditë isha duke punuar tok me pronarin në pemishten e hurmave. Një çifut erdhi pranë nesh duke vrapuar dhe duke shprehur shqetësimin nga ardhja e të Dërguarit të Zotit në Medinë, tha:

-Zoti i shkatërroftë të bijtë e Kajles! – dhe na lajmëron për mbledhjen e myslimanëve rreth profetit në Kuba. Unë u emocionova shumë kur dëgjova ato fjalë. Gati sa nuk u rrëzova nga pema në të cilën po mblidhja hurma.

-Si the? Çfarë the? – e pyeta çifutin, por pronari u nxeh dhe më goditi me grusht.

-E ç’të duhet ty? Shiko punën tënde! – m’u përgjigj.

-Asgjë. Desha të kuptoja ato që tha, – ia ktheva.

Më në fund, atë mbrëmje, Selman Farisiu shkon tek shtëpia në Kuba në të cilën gjendeshin Profeti me myslimanët dhe kur e sheh të Dërguarin e Zotit, kupton që Ai ishte njeriu i shquar mbas të cilit kishte rendur gjithë jetën. Për të verifikuar cilësitë e Profetit të fundit, në bazë të njohurive të marra në Sivrihisar rreth të Dërguarit të Zotit, i afrohet Profetit dhe e qeras me hurmat që kishte marrë me vete dhe i drejtohet kështu:

-E di që je një njeri i mirë. Pranë teje ka njerëz të varfër. Këto hurma pranojini si sadaka. Në mes të gjithëve këtu, ju më dukeni më i përshtatshmi. Profeti i merr hurmat dhe ia shpërndan shokëve të tij duke mos ngrënë asnjë.

“Kjo është një nga cilësitë që kam mësuar rreth Profetit të fundit”, mendon Selmani me vete. Largohet prej aty.

Kur Profeti shkon në Medinë, atëherë Selmani sërish përgatit ca hurma dhe shkon tek Ai.

-E pashë që nuk morët nga sadakaja. Ndërsa këto janë një dhuratë e vogël posaçërisht e përgatitur për ju, – i thotë dhe ia jep. I Dërguari i Zotit fton shokët e tij për të ngrënë bashkë me të. “Kjo është cilësia e dytë që më është kumtuar rreth profetit të fundit”, mendon Selmani me vete.

Për të verifikuar cilësinë e tretë të Profetit të fundit, që ia kishte thënë prifti i Sivrihisarit, Selman Farisiu, ndjekësi i të Dërguarit të Zotit, një ditë, duke marrë shkak nga një varrim i një sahabe, kur e sheh Profetin me shokët e Tij në varrezat në Xhennetul Baki, kërkon të shohë vulën në shpinën e Tij. Profeti, duke e kuptuar qëllimin e tij, e hap këmishën dhe Selman Farisiu sheh vulën profetike në madhësinë e një veze pëllumbi, mes dy shpatullave të të Dërguarit të Zotit dhe duke përqafuar Profetin, puth vulën i emocionuar.[5]

Përsëri në lidhje me vulën profetike ka një transmetim të Abdullah ibn Serxhisit (r.a.): Një ditë i shkova për vizitë të Dërguarit të Zotit. Ishte ulur mes shokëve të Tij. I shkova nga pas. Duke kuptuar qëllimin dhe dëshirën time, e lëshoi pak xhyben prapa. Pashë vulën e profetësisë sa një grusht. Rreth vulës kishte disa nishane që ishin si margaritarë. U ktheva dhe dola përballë Tij:

-Zoti të faltë, o i Dërguari i Zotit!

-Edhe ty! – m’u përgjigj. Shokët që ndodheshin aty m’u drejtuan:

-I Dërguari i Zotit kërkoi falje për ty.

-Po, kërkoi si për mua, ashtu dhe për ju, – ia ktheva.

-Pastaj Profeti i nderuar lexoi këtë ajet kuranor:

“Dije se nuk ka Zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret.”(Muhammed, 19)[6]

Në një transmetim të Imam Bejhakiut, thuhet: “Kur Profeti ynë ndërroi jetë, shokët e tij kanë pasur kontradikta dhe kanë dyshuar për vdekjen e Tij për shkak se fytyra nuk i kishte ndryshuar. Esma binti Umejs vendos dorën në shpinën e bekuar të të Dërguarit të Zotit. Kur nuk e gjen vulën profetike, kupton që Ai kishte vdekur. Sepse vula profetike ishte ngritur lart.”[7]


[1] Buhariu, 1/81, 3/1301, 5/2146; Muslimi, 4/ 1823: Tirmidhiu, 5/ 602.
[2] Mevahibul-Ledunijje, 1/ 116.
[3] Muslimi, 4/ 1822; Tirmidhiu, 5/ 602; Ahmed b.Hanbel, 5/ 104.
[4] Ahmed b.Hanbel, 6/ 329, Taberani, Muxheul- Kebir, 24/276.
[5] Tirmidhiu, Shemail-i Muhammedije, 1/ 44-45.
[6] Tirmidhiu, Shemail-i Muhammedije, 1/46 Ibn Sa’d, Tabakatul Kubra, 1/426; Ahmed b.Hanbel, 5/ 82; Muslimi, 4/ 1823.
[7]  Ibn Sa’d, Tabakatul-Kubra, 2/271.

Profeti Muhamed (s.a.s) nën përkujdesjen e gjysh Abdulmutalibit

profeti-muhamed-54.jpg

Si vdekja e Aminës së dashur, si mbetja e nipit të tij fillikat, e mërziti shumë Abdulmutalibin e moshuar. Ai tashmë tregonte ndaj të nipit një dashuri të atillë, të zjarrtë, që nipi i tij i vogël të mos e ndjente kurrsesi mungesën e nënës dhe të babait. Ai përkujdesej aq shumë për të nipin, saqë të jepte përshtypjen sikur dridhej mbi të teksa përkujdesej. Nën Qabe, ekzistonte një si shtrat që i takonte atij, prej nga bënte dhe takimet e nevojshme me popullin mekas për të zgjidhur problemet e shumta që e shqetësonin qytetin. Të gjithë, përfshi këtu edhe bijtë e tij, nuk uleshin mbi këtë shilte nga respekti i madh që kishin ndaj tij. Njerëzit parapëlqenin më tepër të lidheshin në zinxhir rreth tij e ta dëgjonin. Vetëm një djalosh nga Meka ishte që nuk e ndiqte edhe aq shumë këtë zakon. Ai ishte amaneti i Abdullahut, Muhamedi. Ai vinte dhe ulej ndanë gjyshit të tij, dhe fillonte të luante duke e tërhequr të gjyshin nga pas, nga litari i çallmës së tij. Abdulmutalibi, atyre që mundoheshin ta ndalonin Muhamedin në këto veprime, u thoshte:

– Lërmani të bëjë si të dojë djali! Lërmani të lirë! I bekuar qoftë Allahu, që e ardhmja e Tij është shumë e shndritshme, serioze, dhe pasi e përkëdhelte të nipin nga shpina, i ulej pranë.[1]

Një ditë prej ditësh, Abdulmutalibi ishte nisur për në Jemen me një grup tregtarësh nga Kurejshët. Mbreti i Jemenit, me ta parë Abdulmutalibin, filloi të tregonte për të një përkujdesje të veçantë. Derisa më në fund, teksa gjeti një mundësi për të folur me të kokë më kokë, e mori përballë dhe filloi t’i thoshte:

-O Abdulmutalib! Unë do të ndaj me ty disa të fshehta nga dija ime. Dhe as që kam për t’ia thënë ato tjetërkujt përveç teje. Andaj, dua që ato të mbeten të pathëna derisa me lejen e Allahut të bëhen të dukshme. Nuk kam më asnjë dyshim, që ne kemi parë dhe kemi lexuar në librat që kemi për një gjë të veçantë që ka për të ndodhur, të cilën e ruajmë si sytë e ballit, duke mos ia thënë askujt. Madje as atyre që janë të thelluar në dije. Në fakt kjo ngjarje do të jetë e lidhur drejtpërsëdrejti me mbarë njerëzimin; njëkohësisht, ajo është e lidhur më ngushtë me ty, familjen tënde dhe rrethojën, me nderin dhe virtytet e juaja.

Ato çfarë i tregoi mbreti e emocionuan së tepërmi Abdulmutalibin. Mirëpo dukej që mbreti nuk i kishte përfunduar ende ato që donte të thoshte. Andaj Abdulmutalibi e pyeti:

-Po ç’qenka kjo?

-Në Tihame do të lindë një fëmijë që do të ketë një shenjë të veçantë në mes të kockave të shpatullave. Që këndej e tutje drejtimi do t’i përkasë veçse atij. Ai do të jetë prijësi juaj deri në ditën e fundit. Dhe koha e ardhjes së tij është pikërisht kjo kohë. Quhet Muhamed. Nëna dhe babai kanë për t’i vdekur, dhe përkujdesjen për të kanë për ta marrë përsipër gjyshi dhe xhaxhai i tij. Të betohem për hir të Allahut, që edhe ne, ndërvedi, flasim veç për ardhjen e Tij. Allahu ka për ta dërguar atë haptazi, duke i zgjedhur saora dhe ndihmës të mirë. Ata që do të kenë mundësinë të qëndrojnë përkrah Tij do të jenë më të nderuarit; ata që do t’i kundërvihen nuk do të fitojnë veçse përçmimin. Allahu ka për ta mbrojtur nga çdofarë rreziku që mund t’i vijë prej njerëzve, duke e hapur fushën e rruzullit të përshtatshme kryekrejet për ngadhënjimin e Tij. Ai ndihet plot e përplot me ndjesinë e adhurimit të Allahut, dhe larg e më larg prej çdo mendimi që mund të sjellë djalli me ndihmësit e tij. Me të ardhur Ai, adhurimi karshi zjarrit do të humbë, ndërsa idhujtaria do të kthehet në histori. Sepse fjala e Tij është fjala e fundit… Vendos me drejtësi. Urdhëron për të mirën, të cilën e bën përherë; i largon njerëzit nga e keqja, duke u përpjekur në çdo çast për ta tharë atë prej rrënjëve. Betohem në këtë Qabe, shtëpinë tonë të shenjtë e të zbukuruar, se ti je gjyshi i Atij, o Abdulmutalib! Besomë, në këto që po të them nuk ka kurrfarë gënjeshtre. Shpresoj se e ke kuptuar atë që ishte e nevojshme nga tërë sa të thashë.

Patjetër që Abdulmutalibi e kishte përkapur menjëherë këtë sqarim kaq të detajshëm. Zaten ai i dinte ca gjëra nga më parë. Andaj, fillimisht zuri të lëvizë pak kryet. Në të shihej një gjendje që shprehte se po mbante mbi supe një rëndesë të pambajtshme të viteve të jetës. Dhe me mimikën e mbajtësit të një përgjegjësie dhe një ngarkese të madhe, tha:

-Po, o mbret! Unë pata një djalë; e doja shumë, madje kur i afrohesha zija e dridhesha i tëri. Një ditëzaj vendosa ta martoja me Aminën, të bijën e Vehbit, e cila dallohej për fisnikërinë e saj. Nga Amina lindi një djalë, të cilin e quajtëm Muhamed. Pa kaluar shumë kohë, nëna dhe babai i ndërruan jetë. Tanimë ai gjendet në përkujdesjen time dhe të xhaxhait të Tij.

-Ja, kjo ishte ajo që doja të të thosha, – ia ktheu mbreti i Jemenit, – mbroje mirë Atë, duke u kujdesur për rreziqet që i kanosen prej disa njerëzve hasetqarë të fesë. Megjithëse, ata nuk kanë për t’i sjellë Atij askurrë të keqeje. Nëse do ta dija se vdekja nuk do të vinte derisa të mbërrija tek Ai, do ta merrja ushtrinë time e do të shkoja në Medinë për ta mbrojtur vetë, sepse unë e kam parë që në librat folës dhe në dijen e gjertanishme thuhet se Medina do të jetë vendi ku ai do të vendoset. Madje edhe varri i Tij aty do të jetë.[2]

Ata i mbaruan punët që kishin në Jemen dhe saora u kthyen për në Mekë. Ato që kishte treguar sundimtari i Jemenit e shqetësonin vazhdimisht mendjen e Abdulmutalibit. Ndoshta ata që e shihnin nga jashtë nuk e vërenin, por në mendimet dhe imagjinatën e tij ekzistonin veçse ëndrra për nipin e tij, për mirësitë dhe vështirësitë që do të grumbulloheshin mbi të në të ardhmen, mirëpo aq keqazi sa i ishte bërë e vështirë të mendonte për diçka tjetër.

Një ditë prej ditësh, në Mekë, patën ardhur një grup njerëzish të ditur nga Mudlixhi. Dukej, që këta njerëz, të cilët dallonin se edhe këta ecnin në gjurmët e profetit Isa (a.s.) ashtu si mbreti i Jemenit, ishin në dijeni për ardhjen e Profetit. Teksa po ecnin në drejtim të Qabes, në rrugë panë një djalosh që u tërhoqi vëmendjen. Ata filluan ta shihnin me një kureshti të veçantë, aq sa nuk po mundnin dot që ta shprehnin habitjen që i kishte qerthulluar. Nxituan për ta arritur që të fjalosnin nja dy fjalë, por edhe ta njihnin atë më mirë. Umu Ejmeni e kuptoi ç’po ndodhte, dhe nga shqetësimi që po ndjente përbrenda vendosi të ndërhynte.

-Mos e prekni atë djalë! – u tha ajo.

Burrat u drodhën nga frika se mos kishin paraqitur ndonjë sjellje të pakëndshme në një dhè të huaj, dhe fillimisht bënë një hap pas. Megjithatë nuk mund të largoheshin pa pyetur disa pyetje. Njëri syresh u hodh e tha:

-I kujt është ky fëmijë?

Në atë vend, nëse nuk e kishe babanë, xhaxhai dhe gjyshi quheshin si babi yt. Andaj, me këtë qëllim iu përgjigj edhe Umu Ejmeni.

-Është i Abdulmutalibit.

Ky emër u vinte i njohur. Ai ishte as më pak e as më shumë, por prijësi i Mekës. Zaten ata për t’u takuar me të patën ardhur, kështu që pyetën se ku mund ta gjenin. Adresa që iu dha tregonte Qaben.

Pa kaluar shumë kohë, Abdulmutalibin e gjetën të ulur mbi një shilte pranë Qabes. Pasi u përshëndetën, muhabetin e prunë te djaloshi që kishin parë përgjatë rrugës për në Qabe.

-Sot u përballëm me një fëmijë shumë të bukur. Gruaja që ishte me të na tha se ishte i yti, – i thanë ata.

-Po, djali im është, – ia ktheu Abdulmutalibi.

-Kjo nuk është e mundur,- u hodh njëri prej tyre. – S’është e mundur, pasi babai i këtij fëmije duhet të ketë vdekur përpara se të lindte ai, – shtoi ai.

Këta njerëz diç dinin, andaj duhej folur më hapur. Me shumë gjasa edhe këta dinin disa gjëra të veçanta si mbreti i Jemenit.

-Po, ai është amaneti i djalit tim të dashur, nipi im me një fjalë.

Çdo gjë që u zinin sytë u fliste se ky fëmijë nuk ishte tjetër pos ai Njeri i Mezipritur. Një tjetër prej tyre u hodh e tha:

-Gjurmët e këmbëve të këtij fëmije përputhen plotësisht me gjurmën e këmbës së Ibrahimit. Me pak fjalë, ky fëmijë rrjedh prej sojit të profetit Ibrahim (a.s.). Hijeshia e fytyrës, ngjyra e syve… Qëndrimi i pastër dhe mbajtja e trupit drejt… Karakteri i tij i lartësuar… Sidomos ajo shenja aty në mes të shpatullave, të gjitha bashkë tregojnë se ai është Profeti i Shumëpritur.

-Ne kemi kohë që po e lexojmë nëpër librat tanë ardhjen dhe cilësitë e një profeti të fundit. Sipas njohurive që kemi përvetësuar, ai vend është pikërisht ky, Meka, – ia pat një tjetër ndërkohë.

Ndërkohë, pranë Abdulmutalibit erdhi dhe nipi i tij i dashur. Shikimet u dendën të gjitha mbi Të, duke e vështruar imtësisht në çdo detaj Besnikun e Njerëzisë. Njëri syresh u afrua dhe filloi t’i pëshpëriste diç në vesh Abdulmutalibit:

-Vetëm se duhet ta ruash si sytë e ballit këtë fëmijë. Sepse nëse disa njerëz dashakeqë të fesë e marrin vesh se ai është këtu, do të orvaten që t’i sjellin të këqija. Lëre që e dinë më së miri ardhjen e këtij fëmije. Kam frikë se mund t’i bëjnë ndonjë të keqe.[3]

Abdulmutalibi tanimë me të vërtetë që po mendohej akoma më thellë; çdokush që kishte lexuar ndofarë nëpër librat e fesë, e dinte se Muhamedi, i biri i Abdullahut, ishte Profeti i fundit i shumëpritur. Dhe të gjithë kishin një të përbashkët: shqetësimin për të ardhmen dhe kujdesin ndaj tij. Frikë se mos ai fëmijë nuk ruhej prej të keqes së besimtarëve të asokohshëm. Me pak fjalë, përgjegjësia për Abdulmutalibin ishte tejet e lartë.

Ndërkohë, mosha e më Besnikut ndër njerëz kishte kaluar pak mbi tetë vjeç. Një ditë, thirri të birin, Ebu Talibin për t’i thënë disa fjalë të cilat dukej nga qëndrimi i tij i drejtë dhe i palëkundur në seriozitet se ishin tejet të rëndësishme.

-Emri dhe zëri i këtij djali do të dëgjohet gjithandej, andaj ai është amaneti im për ty,- i tha ai të birit.[4]

Pa kaluar shumë kohë, vdiq edhe Abdulmutalibi që tashmë kishte prekur të tetëdhjetat. Më besniku ndër njerëz, kur mori vesh se edhe gjyshi i vdiq, qëndronte mbi trupin tij të pajetë. Kishte filluar të derdhte lot mbi gjyshin e tij që e kishte përqafuar deri më tani me krahët e ngrohtë të dhembshurisë prindërore.


[1] Ibni Sad, tabakat, 1/118
[2] Ibni Haxher, isabe, 2/134-5; Halebi, Insanu’l ujun, 1/187
[3] Ibni Kethir, el-Bidaje, 2/272
[4] Sujuti, Hasaisu’l Kubra, 1/90

Vdekja e Aminës së nderuar

profeti-muhamed-53.jpg

Robi i dashur i Allahut ndenji për një farë kohe edhe me nënën e Tij, Aminën. Nëna jonë e nderuar, Amina, mundohej që të mos ia bënte Atij të ndjeshme mungesën e të atit. Ai nganjëherë dilte për të bërë shëtitje me gjyshin e Tij, Abdulmutalibin, dhe nganjëherë e merrnin xhaxhallarët e vet që t’ia bënin kohën akoma më të kënaqshme.

Në zemrën e Aminës ishte rizgjuar dashuria për Medinën. Ajo donte të vizitonte të afërmit e saj që nuk i kishte parë për një kohë të gjatë, si dhe të kalonte pak kohë mbi varrin e burrit të saj, Abdullahut, i cili kishte ndërruar jetë pikërisht atje. Andaj, ajo vendosi të nisej për atje, duke marrë me vete të birin, Muhamedin, dhe Umu Ejmenin, të cilën e kishte kujtim të të shoqit. Me të mbërritur në Medinë, e panë se si kujtimet e së shkuarës filluan të gjelbëronin në thellësitë e kujtesës, të cilat shoqëroheshin herë nga një gëzim i papërshkrueshëm, herë nga vrunduj ndjenjash pikëllimi të thellë. Mbreti i mbretërve, që nuk e kishte parë dot të atin me sytë e kësaj bote, tashmë po e vizitonte në varrin e tij, dhe megjithëse pa e njohur ai lutej për të. Rrinte kokulur. Ndoshta, kjo duhet të ketë qenë edhe hera e parë që e ndjente se ishte jetim. Edhe nëna e ndjeu pikëllimin e të birit dhe u prek së tepërmi.

Pa kaluar shumë kohë, edhe nëna e Tij Amina u sëmur po në Medinë. Sëmundja sa vinte e i përkeqësohej. Kishin vetëm një muaj që kishin ardhur në Medinë, mirëpo tani u duhej medoemos të ktheheshin sërish për në Mekë. Nuk kishin se ç’të bënin tjetër veç të ktheheshin.

Teksa mbërritën pranë një fshati të quajtur Ebua gjatë udhës së kthimit, sëmundja e Aminës kishte arritur cakun e padurimit. Ajo nuk kishte tashmë as fuqi për të qëndruar në këmbë, andaj ata u detyruan që të pushonin ndanë një peme. Sa keq, me sa dukej bashkëshoqërimit të nënës në këtë botë po i vinte fundi. Edhe nënë Amina ishte duke i lënë lamtumirën kësaj jete.

Në një çast, u vu re se si sytë e nënës së pikëlluar ishin përqendruar mbi të birin, të cilin e prisnin punë shumë të rëndësishme për tërë njerëzimin. Sytë lëshonin rrëke lotësh, ndërsa zemra kapërcente gllënjka të tëra pikëllimi. Djalkën e saj të vetëm, i cili kishte qenë jetim deri më tani, ajo do ta linte tashmë të vetëm e pa njeri. Lotët që i lëshoheshin prej syve, i bënë të qanin edhe Umu Ejmenin me Muhamedin e vogël. Ngjante sikur e tërë Ebuaja të ishte kapluar nga zija. Mes nënës dhe të birit po përjetohej një përmbytje e papërshkrueshme ndjenjash. Më në fund, duke ia marrë duart e tij të vogla brenda duarve të saj të kadifenjta, e pa njëherë me kujdes, dhe i tha këto fjalë:

– Allahu të bëftë ty veç të begatë! O ti që je i biri i atij babai që shpëtoi nga goditja e shigjetës në këmbim të njëqind deveve, me ndihmën e Allahut që është Mbreti Bamirës! Nëse ato që unë pashë në ëndërr janë të vërteta, Ti do të jesh Profeti i shumëpritur, i dërguar nga Zotëruesi i plotë i Fuqisë dhe Bujarisë, për mbarë krijesat. Ti do t’u tregosh atyre të lejuarën dhe të ndaluarën, duke e plotësuar atë që paraardhësi yt, statuja e mirësisë, Profeti Ibrahim i pati sjellë njerëzimit. Andaj, Ti, me ndihmesën e Allahut, do të qëndrosh larg edhe nga idhujt që njerëzia aq shumë ka filluar t’i pëlqejë.

Çdo gjë e gjallë, është çdo çast fqinje me vdekjen. Ajo mund t’i vijë e t’i trokasë në derë nga çasti në çast, ashtu si çdo gjë e re është e paracaktuar që të vjetrohet. Ja, ashtu siç po vdes unë sot. Vetëm se emri im ka për të qenë i përjetshëm, sepse unë solla në jetë një fëmijë më se të pastër, të cilin po e lë sot pas si më të hairit ndër njerëz.[1]

Pasi i tha të gjitha këto, ajo i mbylli sytë për të mos i hapur më, dhe kësisoj dha edhe frymën e fundit. Kështu që, pas vdekjes së të atit në Medinë, për Profetin e Njerëzimit do të vendosej edhe vula tjetër në Ebua.

Në këtë kohë, që data tregonte vitin 576 sipas kalendarit diellor, Mbreti i mbretërve do të ngelej i vetëm e pa njeri. Pranë vetes tashmë kishte vetëm Umu Ejmenin. Këndej e tutje do të ishte ajo që do të merrte përsipër detyrën e prindit karshi këtij fëmije, duke u munduar sakaq që t’ia bënte të pandjeshme mungesën e prindërve. Ata u kthyen të dy për në Mekë, duke e groposur mërzinë që i kishte mbërthyer nga ndarja kaq e papritur prej Aminës së dashur.


[1] Isfahani, Delailu’n Nubuue, 119-20

scroll to top