Mrekullia e Profetit Muhamed (s.a.s), begatimi i të ngrënave

pexels-alesia-kozik-6072108-scaled.jpg

* Enes b. Malik tregon: Ebu Talha i tha Umu Sulemes: “Unë e dëgjova të Dërguarin e Allahut të fliste me zë të dobët dhe e kuptova se është i uritur. A ke ndonjë gjë për të ngrënë me vete?” Umu Seleme iu përgjigj “po” dhe nxori një copë bukë elbi. Këputi një copë nga buka, e mbështolli dhe ma futi nën rrobë. Pastaj më dërgoi te i Dërguari i Allahut. Unë e gjeta të Dërguarin e Allahut tek po rrinte në faltore me shokët. Unë zura vend. I Dërguari i Allahut më pyeti:

“Ebu Talhai të dërgoi ty?”

“Po!”, i thashë.

“A për të ngrënë?”

“Po!”, iu përgjigja. Atëherë, i Dërguari i Allahut u tha të pranishmëve “ngrihuni” dhe vetë eci para. Edhe unë dola para dhe arrita i pari te Ebu Talhaja për ta lajmëruar. Ebu Talha i tha Umu Selemes:

“O Umu Seleme, i Dërguari i Allahut po vjen me shokët, kurse ne s’kemi aq gjë sa për t’i ushqyer dhe ngopur ata!”

 “E dinë Allahu dhe i Dërguari i Tij!”, tha Umu Seleme

Ebu Talha doli dhe e priti të Dërguarin e Allahut dhe, pastaj, së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut i tha Umu Selemes:

“Ç’të kesh, nxirre, o Umu Seleme!”

Ai e solli bukën dhe i shtroi sipër gjalpë nga tullumbi. I Dërguari i Allahut bëri një lutje për bukën. Pastaj i tha Ebu Talhait:

“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”

Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë. Ata hëngrën, u ngopën dhe dolën.

Pastaj i Dërguari i Allahut i tha sërish Ebu Talhait:

“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”

Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë të tjerë që hëngrën, u ngopën dhe dolën.

Kështu, me radhë, të gjithë shokët hëngrën dhe u ngopën. Ata ishin rreth shtatëdhjetë-tetëdhjetë vetë![1]

 

* Në një rrëfim të Buhariut dhe Muslimit, Abdurrahman b. Ebu Bekr tregon:

Gjatë një ekspedite, ishim njëqind e tridhjetë vetë bashkë me të Dërguarin e Allahut. Ai na pyeti:

“A ka ndokush nga ju ndonjë gjë për të ngrënë?”

Dikush nga ne kishte miell. Menjëherë zumë brumë. Ndërkaq, një idhujtar shtat gjatë me një tufë dhen u afrua tek ne. I Dërguari i Allahut e pyeti:

“Për t’i shitur i ke, apo për t’i falur?”

“Jo, për t’i shitur!,” iu përgjigj burri.

Ne blemë një dele. Delen e therëm dhe i Dërguari i Allahut urdhëroi t’i skuqej mëlçia. Pastaj i Dërguari i Allahut i dha secilit nga ta njëqind e tridhjetë vetët një copë nga mëlçia e pjekur dhe la mënjanë edhe për ata që s’ndodheshin aty. Pastaj mishin e gatuar e ndau në dy çanakë. Të gjithë hëngrëm dhe u ngopëm, kurse enët vazhdonin të rrinin plot sikur s’ishin prekur fare!

Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullahit te Buhariu, një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe gjatë luftës së Hendekut. Njerëzit që hëngrën atë radhë ishin një mijë.[2]


 

[1] Buhari, Ejman, 22; Muslim, Eshribe, 142.
[2] Buhari, Et’ime, 6; Hibe, 8; Muslim, Eshribe, 175.

Pranimi i lutjeve të Profetit (s.a.s.)

XIKMAD.jpg

* Enes b. Malik tregon: Ditën e xhuma, ndërsa i Dërguari i Allahut po mbante hutben, erdhi një burrë dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, s’po bie shi fare. Lutiu Allahut të na lëshojë shi!”

I Dërguari i Allahut e bëri lutjen menjëherë dhe ja ku filloi të bjerë shi që u bë aq i dendur, sa nuk do të arrinim dot nëpër shtëpi. Dhe gjer në xhumanë tjetër mbi ne vazhdoi të bjerë pa pushim mëshirë!

Xhumanë tjetër, ai apo dikush tjetër u ngrit e tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutiu Allahut ta largojë këtë shi prej nesh!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im lëshoje shiun rreth nesh, jo mbi ne!”

Dhe unë ju betohem se e kam parë se si u copëtuan retë e u shpërndanë andej-këtej dhe, ndërsa në të gjithë zonën sa të hante syri, binte shi, kurse mbi Medine, jo![1]

 

* Abdullah ibn Omer tregon: I Dërguari i Allahut lut kështu:

“Allahu im! Bekoje Islamin me më të dashurin për Ty nga këta dy vetë (nga Ebu Xhehli ose Omer b. Hatabi)!”

Të nesërmen në mëngjes, Omer b. Hatabi doli para të Dërguarit të Allahut dhe u bë mysliman![2]

 

* Abdullah b. Abasi tregon: I Dërguari i Allahut kishte hyrë për të kryer nevojën. Unë vura jashtë ujë që të merrte abdes. Kur doli jashtë dhe pa ujin, pyeti:

“Kush e vuri këtë ujë?”

“Unë e vura!”, iu përgjigja unë. Atëherë ai u lut:

“Allahu im, bëje atë dijetar në fe!”

Ne të gjithë e dimë se kjo lutje e të Dërguarit të Allahut u pranua. Ibni Abasi qysh i ri pati zënë vendin e tij në kuvendin e dijetarëve të Hz. Omerit dhe është bërë i njohur me titujt “Habrul Ume” (I dituri i umetit) dhe “Terxhumanul Kuran” (Interpretuesi i Kuranit).[3]

Kurse në Musned, lutja e Profetit është kështu:

“Allahu im, bëje atë ta njohë frymën e fesë dhe mësoja interpretimin!”[4]

 

* Enes b. Malik tregon: Nëna më solli te i Dërguari i Allahut dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ky është im bir, Enesi i vogël! Ta solla ty që të të shërbejë. Lutiu Allahut për të!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im! Bëje këtë fëmijë me pasuri dhe fëmijë dhe shumoja pasurinë dhe fëmijët!”

Dhe unë po ju them se, vallahi, kam shumë pasuri, kurse rreth njëqind fëmijë e nipër![5]

 

* Enes b. Malik tregon: Një ditë, i Dërguari i Allahut erdhi për vizitë te Umu Haram. Tezja e gostiti me të ngrëna. Pasi hëngri, i Dërguari i Allahut u shtri pak për të fjetur. Ai u zgjua duke qeshur. Umu Haram e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, ç’të bëri të qeshësh?”

 “Pashë në ëndërr ca njerëz të hipur dhe shtruar mbi ca gjemi që vozitnin në det të gjerë si sundimtarë të shtruar mbi fron dhe po shkonin për të luftuar në rrugë të Allahut. Kjo më kënaqi dhe më bëri të qeshja!” -* tha ai.

Atëherë, Umu Haram i tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutu për mua që edhe unë të jem mes atyre fitimtarëve të asaj ekspedite detare!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut për Ummu Haramin.

Me të vërtetë, në kohën kur Muavije b. Ebu Sufjan ishte guvernator i Sirisë, Ummu Haram hipi në një gjemi të ekspeditës së Qipros nën komandën e Muavijes. Pasi dolën në tokë dhe do të fillonin marshimin, Ummu Haram hipi në kalë por u rrëzua dhe vdiq si dëshmore e asaj fushate![6]


 

[1] Buhari, Istiska, 7; Muslim, Istiska, 1.
[2] Tirmidhi, Menakib, 18; Musned, II, 95.
[3] Buhari, Ilm, 17; Vudu, 10, Itisam, 2; Muslim, Fezail, 137; Isabe, 3/186.
[4] Musned, I/266.
[5] Muslim, Fedailus Sahabe, 143.
[6] Buhari, Xhihad, 3; Muslim, Imare, 160, 161.

Fushë ndikimi nga nxënësi te familja dhe të afërmit

43c038d6-a6de-4b70-9685-e9416a302a20.sized-1000x1000-1.jpg

Megjithëse shumë prej nxënësve mund të mos jenë të prirur kah dëshmimi i të vërtetave të besimit, nga këndvështrimi i psikologjisë njerëzore janë dëshmitarët më të fortë të botës.[1] Atyre u besohet çfarëdo që të thonë. Madje ne kemi edhe një proverbë “Lajmin merre prej fëmijës”. Vetëm se, bashkëbiseduesit e vetëm të mësuesve nuk janë veç nxënësit. Sepse çdo nxënës ka një nënë, ka një baba, dajë, xhaxha, vëlla, dhe shumë të afërm të tjerë. Kur të kthehet në shtëpi, fëmija do të fillojë të përçojë te të tjerët përreth pikërisht ato që ka jetuar gjatë ditës nga marrëdhëniet e tij me mësuesin. Fëmija do të shprehet në familje njëlloj siç është shprehur mësuesi me të në klasë. Për shembull, për një mësues që e do shumë në shkollë, meqë ai përkujdeset shumë për të, ai do të thotë: “Profesori na u soll me shumë delikatesë. Na i dëgjoi të gjitha shqetësimet. Na gjeti zgjidhje për problemin që po na shqetësonte. Kështu na qetësoi atëherë kur ishim më shumë të mërzitur…” etj., duke bërë që edhe te familjarët të ndizen ndjesitë e mendimit të mirë. Sidomos edhe nëse ky mësues ka lidhur disa ura dialogu me familjen e nxënësit duke përdorur mundësitë e vizitave në shtëpi, veç kur shihni se nëpërmjet një nxënësi të vetëm keni mbërritur te një fis i tërë. Nga ky pikëvështrim e shihni se si një mësues që i del për zot një nxënësi arrin t’i dalë për zot edhe një familjeje, madje edhe të afërmve apo njerëzve që janë në lidhje me ta. Kështu që, fusha e ndikimit të një mësuesi është tejet e gjerë.

Për mendimin tim, një profesion me kaq shumë prurje, duhet zgjedhur pavarësisht stërmundimeve të mëdha që mund ta karakterizojnë. Nëse është e nevojshme ta shtyjnë jetën qoftë edhe me aq sa për të mbajtur gjallë frymën, e të mos krijohen probleme të natyrës se rroga është shumë e vogël. Pasi jo çdo gjë sillet vërdallë parasë. Profetët kanë qenë ndoshta njerëzit më të varfër në historinë e njerëzimit. Por prapëseprapë kanë qenë ata që kanë skalitur frone në zemrat e njerëzve, që i kanë drejtuar ata për nga e dobishmja, duke u përftuar saora jetë mbi jetë. Me këto që po them, nuk dua të nënkuptoj se mësuesit duhet të kërkojnë një varfëri artificiale. Vetëm dua t’u them se paraja nuk është gjithçka, përveç asaj ka edhe shumë pasuri të tjera, siç janë, fitimi i zemrave, hyrja në shpirtrat e të tjerëve, për t’i drejtuar ata kah synimet e epërme.

Profesioni i mësuesit dhe veprimtaritë edukative, veçanërisht sot, në ditët tona, në këtë botë që po globalizohet sa vjen e më tepër, fitojnë një rëndësi të veçantë. Në vend të të tjerëve që mund të kërkojnë medoemos të hyjnë në shpirtrat e të tjerëve, pa i marrë parasysh reagimet e ardhura, e që mund ta bëjnë këtë punë të përzierë me ndjesinë e urrejtjes, ju do të niseni, me gjendjen tuaj të butë dhe të dashur, për të realizuar një rrugëtim për në zemrat e të tjerëve. Medoemos që fuqia e saj është profesioni i mësuesit. Nga ky këndvështrim, besoj se nxënësit pikërisht kësisoj duhet të motivohen, e të drejtohen për t’u bërë mësues. Të mos keqkuptohet, patjetër që duhet të zgjidhen edhe profesione të tjera, të cilat e mbajnë në këmbë një shoqëri, për të mos iu dhënë shkas asnjë mangësie përgjatë jetës; por gjithashtu nuk duhet të harrohet se mësuesia zë një vend të posaçëm në ringjalljen e shoqërisë.


 

[1] Shih: es-Serahsi, el-Mebsut, 30/153.

Mrekullia në Profetësinë e Profetit Muhamed (a.s), Atë e njihnin edhe kafshët

luledielli.jpg

* Duke u nisur për në hixhret, Profeti qe fshehur në një shpellë së bashku me Ebu Bekrin. Atëherë, një merimangë e kishte mbyllur hyrjen e shpellës duke thurur një pezhishkë që zinte tërë hyrjen. Dhe politeistët që i kërkonin të dy shokët gjithandej, patën ardhur edhe te hyrja e asaj shpelle, por, kur patën parë se hyrja e saj ishte e zënë e gjitha me një pezhishkë merimange, patën kujtuar se aty s’mund të kishte hyrë njeri dhe qenë kthyer.[1]

* Xhabir b. Abdullah tregon: Gjatë një ekspedite ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut dhe ecnim krah për krah. Ndërkaq, deveja ime mbeti pas.

I Dërguari i Allahut u kthye dhe e nxiti devenë time për të ecur më shpejt. Deveja u hodh para dhe nisi të ecte aq shpejt, sa, për t’i dëgjuar fjalët e të Dërguarit të Allahut, tashmë më duhej t’ia shtrëngoja frerët që të ecte më ngadalë, por, prapëseprapë, s’e ndaloja dot![2]

* Enes b. Malik tregon: Një grua çifute prej Hajberi i solli të Dërguarit të Allahut një qengj të gatuar por të helmuar dhe ai hëngri. Pastaj gruan e sollën para të Dërguarit të Allahut dhe ai e pyeti se pse e kishte bërë këtë.

“Desha të të helmoj që të vdesësh!”, i tha gruaja.

“Allahu s’të lëshon ty mbi mua që të më bësh keq!”, ia ktheu i Dërguari i Allahut.[3]

Kurse në rrëfimin e Ebu Davudit shënohet se vetë shpatulla e qengjit tregoi se ishte e helmuar.[4]

* Hz. Aishja tregon: Në dhomën e të Dërguarit të Allahut kishte një zog që, kur dilte ai jashtë, këndonte, luante, lëvizte andej-këtej, por, kur i Dërguari i Allahut hynte brenda, qetësohej dhe nuk bënte zë fare që të mos e shqetësonte.[5]

* Enes b. Malik tregon: I Dërguari i Allahut ishte më i bukuri, më bujari dhe më i guximshmi i njerëzve. Një natë, popullsia e Medines u tremb me të vërtetë dhe disa njerëz shkuan në drejtimin nga vinte zëri. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut që kishte shkuar para tyre, po kthehej. Kishte hipur mbi një kalin e pashaluar të Ebu Talhait dhe po u thoshte njerëzve:

“Mos u frikësoni, mos u frikësoni!”

Kurse Ebu Talhait i tha se e kishte kapur kalin në revan. Ai kalë njihej si i pashtruar. Mirëpo atë ditë e pas u bë i urtë e i shtruar.[6]


 

[1] Musned, I, 348.
[2] Buhari, Nikah, 10, 22; Muslim, Musakat, 112-113.
[3] Muslim, Selam, 45.
[4] Ebu Davud, Dijat, 6.
[5] Musned, VI, 112; 150.
[6] Buhari, Edeb, 39; Xhihad, 117; Muslim, Fezail, 48; Musned, III, 147.

scroll to top