Dimensioni i masave të marra për të bërë hixhret

profeti-muhamed-44.jpg

Meqë të gjitha kushtet ishin gati, kishte ngelur vetëm që të niste udhëtimi. Ebu Bekri do të tregonte se ishte Siddik. Ai do të merrte të gjitha masat që ky rrugëtim të kalonte sa më i paqtë. Sepse nuk mund të lihej çdo gjë në mëshirë të fatit. Pasi edhe një udhëtim kaq i gjatë vetëm me deve, nuk ishte aq e lehtë. Fillimisht ranë dakord me një person që quhej Abdullah ibni Urejkit, i cili do t’i printe gjatë rrugëtimit. Pas tri ditësh do të takoheshin në Theur. Kur të vinte, Abdullahu do të kishte me vete edhe dy devetë e marra prej të Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), dhe sakaq do të niste më në fund rrugëtimi.

Ebu Bekri e pati paralajmëruar vajzën e tij, Esmanë, e cila do t’u përgatiste dhe do t’u çonte ushqime gjatë kohës që do të shkonin për në Theur. Ebu Bekri i nderuar kishte edhe një masë tjetër për të marrë. Thirri pranë vetes Amirin, i cili ishte bariu i gjedhëve të tij, të cilit i kërkoi, që pasi të niseshin ata të dy, t’ia ngjiste delet nga pas, në mënyrë që të fshinin gjurmët e tyre. Sepse e dinte mirë, që mekasit nuk do të hiqnin dorë aq lehtë. Andaj, nëse nuk ruheshin mirë, kurejshët mund t’i zbulonin dhe t’i fusnin në turlifarë telashesh.[1]

Edhe Abdullahu, i biri i Ebu Bekrit do të vinte bashkë me Amrin, të cilët njëkohësisht do t’u sillnin atyre lajme nga ajo çfarë ishin duke bërë kurejshët. Abdullahu vinte çdo mbrëmje në shpellë, rrinte me ta gjer në mëngjes, ndërsa Amiri mbante delet për të kullotur aty rreth e rrotull Theurit. Dhe kjo, ishte një ndodhi e cila do të përsëritej çdo ditë gjatë atyre ditëve. Njëkohësisht, me këtë arsye, ata do të mund t’i ushqenin me qumësht udhëtarët më të vyer.

Një tjetër masë duhej marrë nga vetë Profeti ynë i dashur. Ai e kishte lënë Aliun, si mëkëmbës në dhomëzën e Tij, pasi kishte ardhur koha që t’i jepej amanetet t’u jepeshin të zotëve. Ç’madhështi ishte kjo, që ruante edhe mallin e atyre që përpiqeshin ta vrisnin, që edhe sikur të ishte duke vënë në rrezik jetën e gjakut të vet, ia dinte për borxh vetes që ta kryente detyrën gjer në cak, duke kërkuar që amanetet t’u ktheheshin atyre që u përkisnin.

Patjetër që gjithë këto masa nuk mund të mendohet se ishin të tepruara. Profeti i profetëve i kundronte me vëmendje të gjitha sa ndodhnin, duke mos parë asgjë si të parëndësishme. Sepse Ai ishte dërguar si mëshirë për umetin e Tij. E dinte që Allahu (xh.xh.) nuk do ta ruante Atë nëse nuk e kryente detyrën gjer në fund. Allahu (xh.xh.) ia kishte bërë të ditur se do ta mbronte, andaj Ai po i lexonte këto ajete në çdo rekat të namazit. Me një fjalë, çështja ishte krejt ndryshe. I Dërguari i Allahut ishte një shembull model për të gjithë njerëzit e tjerë që ndiqnin veprimet e Tij një më një. Nëse do të nisej për të migruar bashkë me Omerin e nderuar, edhe umeti i Tij do të kishte ngelur i detyruar ta bënte diçka të këtillë. Dhe një veprim i tillë do të thoshte t’i hidhje të gjithë në duart e gjithë sprovave të mundshme me duart e tua. Andaj, Ai do të përllogariste edhe anëtarin më të ngathët të umetit të Tij, në mënyrë që çdo gjë t’i ecte sipas planeve të bëra. Kësodore, Ai nuk linte asgjë mangët nga masat që duheshin marrë, dhe njëkohësisht u jepte njerëzve një mësim të mirë në lidhje me ndjekjen e shkaqeve një më një.

Nga ana tjetër, Kurejshi ishte duke arritur disa përfundime sipas vetes. Ishin mbledhur të gjithë, dhe po rrethonin dhomëzën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Këta fatkeqë syerrësuar kishin rrethuar dhomëzën e Tij, e po prisnin minutat për të dhënë goditjen e fundit.

Vetëm se Allahu (xh.xh.) ishte zotërues karshi gjithçkaje, dhe i dinte më së miri të gjitha ç’po ngjasnin. E gjithë materia e tokës dhe qiellit ishte në duart e Tij të kontrollit, dhe Ai mund të vepronte si të donte me të, dhe askush nuk kishte se ç’të thoshte. Duke qenë kështu, nuk kishte asnjë rëndësi, dhe nuk kishte se si të kishte, se ç’do të paramendonte komandoja e vdekjes. Dhe përfundimi do të ishte pikërisht ashtu siç do të donte Ai.

Në kushtet normale, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shtrihej për disa çaste pasi falte namazin e jacisë. Kur të gjithë largoheshin për në shtëpitë e tyre, Ai shkonte në Qabe dhe fillonte të adhuronte Allahun (xh.xh.) me një qetësi të pashoqe shpirtërore. Vetëm se këtë natë çdo gjë ishte ndryshe. Me të marrë vesh ç’do të ndodhte, thirri pranë Aliun e nderuar (r.a.):

– Merr atë shtrojën jeshile, dhe eja e shtrihu në shtratin tim! Mos u shqetëso aspak, veç shtrihu dhe fli. Sepse nuk kanë për të të shkaktuar asnjë dëm.

Saora, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli prej shtëpisë duke kënduar nëntë ajetet e para të sures JaSin. Përjashta shtëpisë gjendej një rojë prej kurejshëve, i cili bënte rojë.

– Ne u vumë atyre nga një pengues, nga para dhe nga pas, dhe përpara syve u kemi vendosur nga një perde. Tanimë ata nuk mund të shohin dot asgjë.

Këto ishin fjalët e ajetit në fjalë. Ndërkohë, Ai mori një grusht dhè nga toka, dhe e hodhi mbi ata që i kishin rrethuar dhomëzën për ta ruajtur. Dhe teksa e kryente këtë veprim, thoshte:

– Sytë iu errësofshin!

Çdo copë dheu kishte rënë mbi secilin syresh, dhe Ai, habitshëm, kaloi mespërmes tyre, duke mos e parë askush. Ata kishin ngritur një kurth për ta vrarë, për ta larguar prej vendit të Tij, Atë që veç i ftonte drejt besimit në Zot. Por nëse ata kishin një plan, edhe Allahu (xh.xh.) e kishte një plan për ta mbrojtur Profetin e Vet. Dhe ja tek po shihej sërish, se sado që të vlonte mohimi, nuk mund të dilej përballë vullnetit hyjnor, duke bërë që të dilte po ajo që thoshte Ai.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte larguar sakaq. Pranë atyre që ruanin përballë portës së dhomëzës së Tij erdhi dikush, i cili me t’i parë në këtë gjendje, u tha:

– Pse prisni këtu ju?

– Po presim Muhamedin, – u përgjigjën ata.

Burri u nxeh shumë. Njerëzit më të përzgjedhur, të cilët i kishin ngarkuar me vrasjen e Tij, ishin kthyer në nga një mace të butë pranë portës së Tij. Ata nuk e kishin ndjerë aspak dheun që u ishte hedhur sysh. Profeti ynë ishte nisur bashkë me mikun e Tij besnik, ndërsa këta rrinin urtë-urtë, si të përgjumur, përballë portës së Tij, gjoja duke bërë plane se si do ta vrisnin. Ky ishte një budallallëk i hapur.

– Turp t’ju vijë, more të paaftë! Ai ju ka hedhur hi sysh, duke ju fluturuar me kohë duarsh.

– Vallahi ne nuk e kemi parë.

Ishin thuajse të rrënuar prej këtyre që kishin dëgjuar. Sikur t’u ishin marrë shqisat e ndijimit, dhe megjithëse shihnin, nuk e kishin vërejtur dot të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) teksa largohej. I çuan duart mbi krye dhe filluan të shihnin njëri-tjetrin në sy. Fjalët e atij njeriu ishin të vërteta. Filluan të pastronin dheun që kishin mbi rroba.

Pa kaluar shumë kohë, kjo ndodhi u dëgjua edhe në mesin e Kurejshit. Prijësit e tjerë, të cilit ishin duke pritur për lajmin “e mirë” të vrasjes, kur dëgjuan se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte nisur për të kryer migrimin e Tij. Kur të gjithë të përzgjedhurit e fiseve hynë të gjithë njëherazi në dhomë, filluan të merrnin frymë me vështirësi, pasi shtrati nuk ishte bosh. Me një turfullim ndaj burrit që i kishte merakosur kot, thanë:

– Ja tek është edhe Muhamedi.

Të gjithë filluan të mendonin se tërë ai shqetësim kishte qenë i kotë. Mirëpo edhe kjo nuk zgjati shumë. Sepse Aliu i nderuar u ngrit përnjëherë nga shtrati, dhe po u rrinte përballë me një qëndrim sikur të donte t’u tregonte vendin.

– Ku është Muhamedi? – filluan ta pyesnin atë gjithë nervozizëm.

– Nuk ia kam idenë. – u përgjigj Aliu i nderuar.

Ishin sërish ata që po dilnin të humbur. Përgjigja që po merrnin i mërziti akoma më shumë, dhe kërcënonin këdo që u dilte përpara. Nuk donin ta linin as Aliun e nderuar, të cilin filluan ta shtynin njëherë sa andej këndej, derisa me prunë deri në Qabe. Ndoshta mund t’u thoshte vendin ku gjendeshin udhëtarët, duke u dhënë ndonjë shenjë, madje edhe e burgosën për një kohë të shkurtër. Mirëpo e patën kuptuar se sado që ta detyronin, nuk do ta detyronin dot që të fliste. Zaten, të mos e lëshonin Aliun do të ishte akoma më keq për ta. Sepse ai kishte ndenjur pas pikërisht për t’u shpërndarë amanetet që ia kishin lënë duarve të sigurta të Muhamedit.

Ebu Xhehli, i cili ishte faraoni i asaj bashkësie, filloi të fliste disa fjalë, të cilat ia bënin të merituar këtë epitet:

– Do t’i jap njëqind deve shpërblim atij që ma bie Muhamedin këtu, të gjallë a të vdekur!

Tashmë ishin duke e humbur krejt Muhamedin dhe Ebu Bekrin e nderuar, për të cilin ishin gëzuar aq shumë që do ta zhduknin njëherë e mirë. Dukej qartë, se vetëm nuk do t’ia dilnin dot, andaj i dolën të gjithë zot asaj që premtoi Ebu Xhehli, duke u bërë diçka e ditur, se ai që e kryente këtë detyrë do të merrte plot njëqind deve si shpërblim.

Njëkohësisht, Ebu Xhehli megjithëse nuk e përdorte siç duhej mendjen, ishte një njeri shumë i zgjuar. Pa humbur kohë, u nis për te shtëpia e Ebu Bekrit. Ishte Esmaja ajo që e hapi derën. Fillimisht ai e pyeti se ku gjendej i ati. Esmaja po i përgjigjej se nuk e dinte. Për Ebu Xhehlin ishte krejt e pamundur që ajo të mos dinte asgjë, andaj i dha një të goditur me shpullë, saqë Esmasë i ra njëri vëth që mbante në vesh. Mirëpo, sipas zakoneve të atyre ditëve, një sjellje e tillë karshi një gruaje shtatzënë shihej si një turp mjaft i rëndë. Vetëm se ky që po e kryente ishte Ebu Xhehli. Ajo nuk do ta harronte asnjëherë këtë goditje, dhe sa herë që të bëhej fjalë për Ebu Xhehlin, ajo thoshte:

– Një njeri i ndyrë dhe krejt i pafytyrë!


[1] Buhari, Sahih, 3/1087

Thirrja e ezanit të parë në xhaminë e Profetit

profeti-muhamed-43.jpg

Meka ishte e mbushur me njerëz që villnin vetëm dhunë, andaj ta falje aty namazin bashkërisht, bëhej e mundur vetëm nëpër vende të mbyllura e tejet të fshehta. Mirëpo Medina, jo vetëm që ishte më miqësore, por edhe më e përshtatshme për sa i përket kësaj ane. Për më tepër, këtu u ndërtua edhe faltorja profetike, që i priste krahëhapur për t’i falur namazet vetëm bashkërisht.

Edhe kohët e namazeve ishin të qarta. Megjithatë nuk kishte ende një mënyrë se si t’i thërrisnin njerëzit që të mblidheshin për t’u falur. Kështu, e para që përmendën ishte mënyra e borisë, e cila kishte qenë edhe te hebrenjtë. U fol edhe për një mjet si ai që kishin përdorur të krishterët, por edhe kjo nuk ishte e përshtatshme, kështu që e refuzuan. Me sa duket po vinte një mënyrë e re e thirrjes.

Pikërisht një prej këtyre ditëve, që të gjithë flisnin posaçërisht për këtë çështje, Abdullah ibni Zejdi kishte parë një ëndërr, andaj po shkonte që ta ndante me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

– O i Dërguari i Allahut! Sonte, pashë në ëndërr një burrë të veshur në të gjelbërta, i ndarë në dy pjesë, i cili m’u afrua pranë. Në duar kishte një instrument si ai i të krishterëve. Unë e pyeta:

– O robi i Allahut! A ma shet mua këtë?

– Çfarë do të bësh me të? – më pyeti.

– Do të thërras njerëzit që të mblidhen për të falur namazin.

– A të të mësoj unë një më të hairit?

– Hë? – e pyeta, dhe sakaq ai m’u përgjigj:

Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber

Eshhedu en la ilahe il’lallah! Eshhedu en la ilahe il’lallah!

Eshhedu enne Muhammeden Resulullah! Eshhedu enne Muhammeden Resulullah!

Haje ales salah Haje ales salah

Haje alel felah Haje alel felah

Allahu Ekber Allahu Ekber

La ilahe il’lallah.

I Dërguari i Allahut, me të dëgjuar këto fjalë, tha:

– Padyshim që kjo është një ëndërr e vërtetë dhe besnike!

Dukej që ato që dëgjoi i dukeshin mjaft të ëmbla. Sakaq, filloi të ndjehej atmosfera e ardhjes së Xhebrailit. Me sa duket po vinte një lajm i ri. Mori edhe Abdullahun me vete dhe i tha këto fjalë:

– Shko dhe mësoja këto edhe Bilalit! Le t’u thërrasë me këto fjalë njerëzve, meqë ka zërin edhe më të fortë prej të gjithëve.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Bilali filloi të këndonte ezanin, që t’i ftonte të gjithë për të falur namazin.

Omeri i nderuar sapo kishte dalë prej shtëpisë për të shkuar që të falte namazin. Mezi po priste që ta ndante me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ëndrrën që kishte parë. Kjo ëndërr ishte e atillë, që megjithëse kishin folur me ditë të tëra për të, nuk po i gjenin dot zgjidhje thirrjes për në namaz. Kur… U dëgjua zëri i Bilalit tek po thërriste ezanin. U habit krejt. Sepse zëri po përsëriste ato fjali, të cilat ai i kishte parë në ëndërr. Mos ato nuk kishin qenë në ëndërr, por në zhgjëndërr? Apo ishte ende duke parë ëndërr?

Mblodhi rrobat dhe filloi të vraponte në drejtim të faltores profetike. Kur mbërriti mezi po merrte frymë.

– O i Dërguari i Allahut! Të betohem për Atë që të ngarkoi Ty me të drejtën, se unë i kam parë këto fjalë në ëndërr.

Profeti i Allahut në pamje dukej sikur të ishte duke i thënë, se Ai kishte parë edhe më shumë se kaq, andaj u kthye nga Omeri i nderuar dhe i tha tërë përgëzim:

– Lëvduar qoftë Allahu prej kësaj dhe ëndrrës së Omerit![1]

Këndej e tutje, mënyra se si do t’i thërrisnin besimtarët për të falur namazin u zgjidh, dhe pesë herë në ditë, qielli do të kumbonte emrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Kjo mandej u quajt “ezan”.


[1] Shih: Ebu Daud, Sunen, 1/189; Ibni Hiban, Sahih, 4/573; Bejheki, Sunen, 1/390; Ibni Hisham, Sire, 3/40-42

Ndërtimi i faltores profetike në Medine

profeti-muhamed-42.jpg

Patën ardhur në Medinë, por kishte edhe disa probleme të tjera që duheshin zgjidhur. Fillimisht duheshin bashkuar besimtarët me njëri-tjetrin, por për këtë kishte nevojë që të ndërtohej një vend i përbashkët, ku të mund të ndanin ajetet e Kuranit me njëri-tjetrin, të mund të falnin namazin, të flisnin për problemet nga më të ndryshmet, që mund të lindnin, apo edhe për të formësuar atë që do të quhej vetëdija e bashkësisë. Tanimë nuk kishte më një Qabe, e cila t’i mblidhte të gjithë bashkë, në të njëjtin vend. Namazet faleshin pikërisht nëpër vendet ku i zinte koha e tij.

Në fillim përcaktuan vendin se ku mund t’ia fillonin ndërtimit. Ky ishte vendi ku qëndroi deveja për herë të parë, dhe u përkiste dy djemve, Sehlit dhe Suhejlit, dhe gjendeshin nën kontrollin e Esad ibni Dhurares. Ishte një vend ku gjendeshin disa kasolle dhensh, nja dy ndërtesa të vjetra dhe disa varre.[1]

Profeti ynë i nderuar paqja qoftë mbi Të i thirri pranë bijtë e Nexharit, që ishin njëkohësisht edhe të afërmit e Tij nga nëna. Po ua kërkonte atë tokë në këmbim të vleftës që i jepnin ata.

– Vallahi, që ne nuk duam asnjë para në këmbim të saj. Ne mendojmë vetëm për atë që mund të na japë Allahu.

Donin të ishin në krye të atyre që e përqafonin të parët flamurin e mbarësisë dhe gjithë punëve të mbara. Megjithatë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk donte që t’i bëhej askujt ngarkesë. Për këtë, thirri Ebu Bekrin dhe e bleu tokën kundrejt dhjetë dinarëve.[2]

Sakaq u zgjidh edhe çështja e tokës, dhe radha i erdhi ndërtimit. Të gjithë zjarrmonin prej dëshirës për të punuar. Dikush mbartte gurë, një tjetër qerpiç, ndërsa të tjerët e merrnin atë që sillej dhe e ngjisnin sipër, duke vendosur sakaq një gur në qytetërimin e ri që po ngrihej.

Në mes të atyre që punonin, gjendej edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai nuk hiqte assesi dorë prej punës, duke treguar se do të ishte përherë brenda dhe në krye të çdo pune të bashkësisë së Tij. Kohë pas kohe merrte edhe Ai pjesë në gëzimin e ensarëve dhe muhaxhirëve, duke thënë:

– O Zot! Vetëm ahireti është vendi i shpërblimit! Fali ensarët dhe muhaxhirët siç vepron me mëshirë me ta! Nuk janë hamallët e Hajberit kurrsesi më të mirë dhe më të pastër se këta njerëz!

Përpjekjet e Tij i emociononin akoma më tepër si ensarët ashtu edhe muhaxhirët.

– Si mund të ulemi ne, kur është duke punuar edhe vetë Profeti fisnik! Përkundrazi, ne duhet të tregojmë më tepër përpjekje, madje duhet të punojmë më shumë.

Pas pak kohësh, muret u ngritën prej qerpiçit, tavani prej degësh të pemëve të hurmave, shtylla ishin pemët e hurmave, poshtë qëndronte toka. Këtej e tutje, këtu do të faleshin namazet. Kjo faltore kishte tri porta, me katër qoshe, në trajtën e katrorit me brinjë gjashtëdhjetë metra.

Namazet, që deri më sot ishin falur me nga dy rekate, këtej e tutje do të faleshin nga katër; ishte qartësuar që gjatë udhëtimeve do t’i falnin nga dy, ndërsa kur të ishin në Medinë, do t’i falnin përherë nga katër.


[1] Ibni Sad, Tabakat, 1/239-40
[2] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/211; Ibni Sad, Tabakat, 1/239-40

Lidhjet vëllazërore mes ensarëve dhe muhaxhirëve

profeti-muhamed-41.jpg

Patën ardhur të gjithë në Medinë. Megjithatë të Dërguarin e Allahut e prisnin ende shumë probleme që duheshin zgjidhur. Ata që vinin nuk ishin tri-katër. Kishte ende shumë myslimanë që qëndronin ende në Mekë, ndërsa të tjerët kishin ardhur të gjithë në Medinë. Mbi të gjitha, ata që migronin, vinin bashkë me familjet, ose e binte më mbrapa. Zaten nuk kishte tjetër alternativë, e nuk kishte si të kishte… Ishin bërë gjithsej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë familje. E familjet nuk ishin të vogla të përbëra prej tri-katër vetash, por bëhej fjalë për familje të madhe. Mirëpo, ku do të priteshin gjithë këta njerëz? Hajde, se një zgjidhje disaditëshe mund të gjendej, mirëpo ky udhëtim nuk ishte i atillë që të zgjaste vetëm disa ditë të vetme.

Pikërisht, për t’u gjetur zgjidhje, puna e parë që bëri i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, ishte të formonte lidhje vëllarëzore mes ensarëve vendas dhe muhaxhirëve ardhanakë. Me anë të këtyre vëllazërive do të zgjidhej çështja disi për dyzet e pesë familje. Ishin mbledhur bashkë në shtëpinë e Enes ibni Malikut,[1] dhe po i këshillonte:

– Bëhuni dyshe dyshe vëllezër me njëri-tjetrin në emër të Allahut!

Botëkuptimi i vëllazërisë që po u tregonte ai myslimanëve sot, nuk ishte një praktikë e saponjohur. Ai, që kur ishte në Mekë, i kishte bërë vëllezër me njëri-tjetrin Zubejr ibni Avamin dhe Abdullah ibni Mes’udin. Ai synonte që me anë të vëllazërisë t’i priste nga rrënjët vështirësitë e së ardhmes.

Prapëseprapë ishte i pari që do ta praktikonte. Andaj, mori dorën e Aliut të nderuar, e ngriti sipër që ta shihnin të gjithë, dhe tha:

– Ja, ky është vëllai im! Ai nuk ia linte askujt atë që e kishte pasur pranë që prej fëmijërisë, e që për më tepër ishte rritur me një moral profetik, madje tani po e shpallte edhe vëlla të vetin. Mandej shpalli vëllezër me njëri-tjetrin xhaxhanë e Tij, Hamzanë, me Zejd ibni Harithin, i cili sipas paracaktimit kishte jetuar si skllav, por që kishte shpëtuar duke shërbyer pranë të Dërguarit të Allahut. Këta ishin edhe njerëzit, të cilët donte t’i kishte përherë pranë vetes.

Për një çast, të gjithë medinasit filluan të kërkonin me sy, se cili prej muhaxhirëve mund të ishte vëllai i tij më i mirë i mundshëm. Nuk kaloi shumë kohë, dhe numri i vëllazërimeve arriti njëqind e pesëdhjetë, e pas pak u bë njëqind e tetëdhjetë e gjashtë, duke bërë që të mos ngelej asnjë familje e pavëllazëruar.

Disa njerëz menduan se ky vëllazërim do të prekte edhe çështjet e lidhura me vëllazërinë mes tyre, prandaj ata vendosën që të pyesnin të Dërguarin e Allahut në lidhje me këtë:

– Ndaji edhe kopshtet tona të hurmave me ta!

Ishte e habitshme, se ata që po e kërkonin diçka të tillë, ishin vetë ensarët.

– Jo, – u përgjigj Ai fillimisht. – Bashkëpunoni me njëri-tjetrin duke derdhur djersën e ballit, dhe frytet e arritura ndajini ndër vedi.

Kuptimi i këtyre fjalëve ishte i qartë. Këndej e tutje, të gjithë do të përpiqeshin vetë për ushqimin e tyre, dhe ensarët me muhaxhirët do të bashkëpunonin për ta rregulluar jetesën e tyre. Nuk u vonua përgjigjja që i bënte ata të quheshin sahabë me tërë kuptimin e kësaj fjale:

– Dëgjuam dhe bindemi!

Ndërkohë zbriti edhe ajeti i tridhjetë e tretë i sures Nisa, që shpjegonte se këto lidhje vëllazërore nuk i përfshinin marrëdhëniet e trashëgimisë.


[1] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/111

scroll to top