KLIMA E SJELLË NGA I DËRGUARI I ALLAHUT

shutterstock_1655888563.jpg

Mundësia e të Dërguarit të Allahut për t’i parë të nesërmet si të sotme, madje sikur t’i shihte në pëllëmbë të dorës, ishte një cilësi e posaçme vetëm për të. Ky, pra, ishte ai mësimi i madh që nxorëm nga Hudejbija. I Dërguari i Allahut pati vënë parime të tilla, të cilat, në kundërshtim me plakjen dhe ndryshimin e kohës, mbeten gjithmonë të reja, madje që rinohen edhe më shumë. I Dërguari i Allahut u shfaq nga ana e Allahut me një sërë disiplinash dhe parimesh fetare dhe, në kohën e vet, ua kumtoi dhe praktikoi këto njerëzve të asaj kohe. Dhe njerëzit e asaj kohe i kanë sjellë këto çështje gjer tek ne. Allahu (xh.xh.) qoftë përjetësisht i kënaqur nga të gjithë paraardhësit tanë! Si një shprehje mirënjohjeje, Kur’ani na mëson të themi kështu në lidhje me këtë çështje: “Zoti ynë, falna ne dhe të gjithë paraardhësit tanë që i kanë vënë supet kësaj pune, që i kanë vënë gjoksin kësaj kauze, që e kanë sjellë këtë punë gjer këtu dhe na i mbro zemrat nga urrejtja ndaj besimtarëve!” (Hashr, 59/10) Kjo është në gojën tonë shprehje e vlerësimit dhe mirënjohjes për të gjithë të shkuarit gjer te sahabet bujarë! Sa herë që dalim në krye të një varri dhe këndojmë Fatihan, përpiqemi ta shprehim këtë vlerësim dhe mirënjohje për ta. Të parët tanë, duke treguar një angazhim dhe aftësi të paparashikuar gjer më sot, patën themeluar, pas Profetit, një sërë shtetesh që kanë ndjekur njëri-tjetrin. Një person nga perëndimi thotë: “Profeti Muhamed është shumë i madh!” Pse? Sepse me parimet dhe disiplinat e parashtruara prej tij, janë ngritur afro njëqind shtete, janë bërë arkitekturat e shumë qytetërimeve, janë dërguar ushtri në të katër anët e botës dhe këto ushtri, me njerëzit e denjë në krye të tyre, janë kthyer fitimtare nga çdo vend ku janë dërguar. Madje ato janë dërguar në ato vende jo vetëm si ushtri triumfuese, por edhe si pishtarë diturie dhe kanë ngritur vatra diturie në të katër anët e botës. Ja Bagdadi, ja në Azinë e Mesme faltoret tona, komplekset tona arsimore e shëndetësore të cilat, me gjithë veprimtarinë shkatërruese të armikut, nuk janë asgjësuar. Ja dhe Andaluzia e shkëlqyer me të gjitha veprat e vjetra, me kulturën dhe artin, me moralin dhe respektin ndaj vlerave të përbashkëta të të gjithë njerëzimit, gjëra, këto, që i kanë lënë dhe i lënë pa mend edhe gjenitë e dijes dhe artit! Edhe pas pesëqind vjet veprimtarie shkatërruese, është e pamundur të mos rrëqethesh para kësaj trashëgimie-viktimë!

Po sikur ato të shihen me sytë e artistëve dhe mendimtarëve të matur që e njohin estetikën, kushedi ç’gjëra të mrekullueshme do të kuptohen në to dhe në ç’ndjenja sublime do të arrihet!

Po, pas tij dhe në gjurmë të tij, jo vetëm u ngritën mijëra çerdhe diturie e u përgatitën qindra-mijëra njerëz të shkencës dhe artit, por dhe u themeluan qindra shtete që përfaqësonin sistemin e sjellë prej tij. Omejadët, abasidët, selçukët, harzemitët, karahanët dhe shteti i famshëm osman janë vetëm disa prej tyre. Feja islame nuk duhet krahasuar me krishtërimin. Krishtërimi kurrë nuk e kapërceu dot kishën. Shteti u drejtua ose me opinionet e dala nga kokat e priftërinjve, që e quajmë sistem administrativ teokratik, ose me parimet materiale të kufizuara të dala nga kokat e njerëzve materialistë. Kurse mesazhi dhe feja e Profetit Muhamed nuk ishin të tillë. Shteti i tij u ngrit mbi parimet e gjalla, të thella, universale, të hapura ndaj ideatimit dhe me thellësi rinovuese të Kur’anit dhe Sunetit, Traditës Profetike dhe ashtu vazhdoi. Në klimën e tij, koha ndryshonte, pamja ndryshonte, por kuptimi dhe përmbajtja mbeteshin të pandryshuara. Në këtë botë, njëri nga qytetërimet, nga shtetet, përmbysej, pas tij tjetri lindte dhe diejt vazhdonin të ndriçonin pa pushim.

Kështu, shtete të mëdhenj e të vegjël me këtë përmbajtje e me këtë kuptim gjithmonë Profetin Muhamed (s.a.s.) përfaqësuan, nga sofra qiellore e tij përfituan, me të u formësuan dhe me të u ndërtuan…

ilmihali

Share this post

scroll to top