Patën ardhur të gjithë në Medinë. Megjithatë të Dërguarin e Allahut e prisnin ende shumë probleme që duheshin zgjidhur. Ata që vinin nuk ishin tri-katër. Kishte ende shumë myslimanë që qëndronin ende në Mekë, ndërsa të tjerët kishin ardhur të gjithë në Medinë. Mbi të gjitha, ata që migronin, vinin bashkë me familjet, ose e binte më mbrapa. Zaten nuk kishte tjetër alternativë, e nuk kishte si të kishte… Ishin bërë gjithsej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë familje. E familjet nuk ishin të vogla të përbëra prej tri-katër vetash, por bëhej fjalë për familje të madhe. Mirëpo, ku do të priteshin gjithë këta njerëz? Hajde, se një zgjidhje disaditëshe mund të gjendej, mirëpo ky udhëtim nuk ishte i atillë që të zgjaste vetëm disa ditë të vetme.
Pikërisht, për t’u gjetur zgjidhje, puna e parë që bëri i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, ishte të formonte lidhje vëllarëzore mes ensarëve vendas dhe muhaxhirëve ardhanakë. Me anë të këtyre vëllazërive do të zgjidhej çështja disi për dyzet e pesë familje. Ishin mbledhur bashkë në shtëpinë e Enes ibni Malikut,[1] dhe po i këshillonte:
– Bëhuni dyshe dyshe vëllezër me njëri-tjetrin në emër të Allahut!
Botëkuptimi i vëllazërisë që po u tregonte ai myslimanëve sot, nuk ishte një praktikë e saponjohur. Ai, që kur ishte në Mekë, i kishte bërë vëllezër me njëri-tjetrin Zubejr ibni Avamin dhe Abdullah ibni Mes’udin. Ai synonte që me anë të vëllazërisë t’i priste nga rrënjët vështirësitë e së ardhmes.
Prapëseprapë ishte i pari që do ta praktikonte. Andaj, mori dorën e Aliut të nderuar, e ngriti sipër që ta shihnin të gjithë, dhe tha:
– Ja, ky është vëllai im! Ai nuk ia linte askujt atë që e kishte pasur pranë që prej fëmijërisë, e që për më tepër ishte rritur me një moral profetik, madje tani po e shpallte edhe vëlla të vetin. Mandej shpalli vëllezër me njëri-tjetrin xhaxhanë e Tij, Hamzanë, me Zejd ibni Harithin, i cili sipas paracaktimit kishte jetuar si skllav, por që kishte shpëtuar duke shërbyer pranë të Dërguarit të Allahut. Këta ishin edhe njerëzit, të cilët donte t’i kishte përherë pranë vetes.
Për një çast, të gjithë medinasit filluan të kërkonin me sy, se cili prej muhaxhirëve mund të ishte vëllai i tij më i mirë i mundshëm. Nuk kaloi shumë kohë, dhe numri i vëllazërimeve arriti njëqind e pesëdhjetë, e pas pak u bë njëqind e tetëdhjetë e gjashtë, duke bërë që të mos ngelej asnjë familje e pavëllazëruar.
Disa njerëz menduan se ky vëllazërim do të prekte edhe çështjet e lidhura me vëllazërinë mes tyre, prandaj ata vendosën që të pyesnin të Dërguarin e Allahut në lidhje me këtë:
– Ndaji edhe kopshtet tona të hurmave me ta!
Ishte e habitshme, se ata që po e kërkonin diçka të tillë, ishin vetë ensarët.
– Jo, – u përgjigj Ai fillimisht. – Bashkëpunoni me njëri-tjetrin duke derdhur djersën e ballit, dhe frytet e arritura ndajini ndër vedi.
Kuptimi i këtyre fjalëve ishte i qartë. Këndej e tutje, të gjithë do të përpiqeshin vetë për ushqimin e tyre, dhe ensarët me muhaxhirët do të bashkëpunonin për ta rregulluar jetesën e tyre. Nuk u vonua përgjigjja që i bënte ata të quheshin sahabë me tërë kuptimin e kësaj fjale:
– Dëgjuam dhe bindemi!
Ndërkohë zbriti edhe ajeti i tridhjetë e tretë i sures Nisa, që shpjegonte se këto lidhje vëllazërore nuk i përfshinin marrëdhëniet e trashëgimisë.
[1] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/111