Mënyra e fjetjes së Profetit Muhamed (s.a.s.)

profetimuhamed-123.jpg

Profeti paqja qoftë mbi të! falte namazin e jacisë me sahabet dhe nëse nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme për të bërë, pa folur me askënd, shkonte të pushonte.[1]  Gjithashtu lutej para se të flinte.

Profeti ynë e ka cilësuar gjumin si vëllai i vogël i vdekjes.[2] Me fjalët “syri im fle, por zemra jo[3]”, i Dërguari i Zotit ka shfaqur sjellje të cilat janë shembull për umetin e tij rreth mënyrës së fjetjes.

Kur përgatitej për të fjetur, Profeti ynë sillej në krahun e djathtë, shputën e dorës së djathtë e vendoste nën faqen e djathtë dhe lutej kështu: “O Zoti im! Më largo nga dënimi yt ditën kur do të ringjallësh dhe mbledhësh robërit e tu!”[4]

Kur zgjohej lutej kështu: “Lavdi Zotit i cili na vuri në gjumë, vëllain e vogël të vdekjes dhe na ktheu përsëri në jetë. Padyshim kthimi ynë tek Ai do të jetë.”[5]

I Dërguari i Zotit këndonte këto sure para se të shtrihej në shtrat:

Pjesën e parë të sures Bekare dhe dy ajetet e fundit (Amene resulu),[6]

Ajetul Kursi,[7]

Suren Jasin,[8]

Suren Sexhde,[9] dhe suren Mulk.[10]

Pas tyre lexonte nga tri herë suret Ihlas dhe Muavidhetejn (Felek-Nas) dhe një herë suren Kafirun[11], duke i bashkuar duart i frynte shputave dhe pastaj prekte çdo pjesë të trupit deri ku arrinin duart.[12]

Pasi shtrihej në shtrat lexonte 33 herë “Subhanallah”, 33 herë “Elhamdulil’lah” dhe 33 herë (sipas një transmetimi 34) “Allahu Ekber” dhe pastaj lexonte shumë lutje.[13]

Sipas Abdullah b.Abasit Profeti gërhiste kur flinte. Kur vinte Bilali për ta zgjuar për namaz ngrihej dhe falej.[14]

Hz. Aishja (r.a.) na ka transmetuar se lënda e shtratit që përdorte Profeti përbëhej nga një lëkurë e mbushur me fije hurmash.

Kur e pyetën Hz. Hafsën si ishte shtrati që kishte përdorur Profeti, ajo u përgjigj: “Vendi ku flinte Profeti ishte një qilim i palosur më dysh nga ne. Një natë menduam ta palosnim katër herë në mënyrë që të ishte më e butë dhe më e rehatshme për Profetin dhe ashtu bëmë. Në mëngjes Profeti na pyeti: “Ç’ishte ai dyshek që më kishit përgatitur mbrëmë?” Ne i thamë se ishte e njëjta gjë, vetëm se kësaj here e kishim palosur katër herë. Pas kësaj Profeti na tha: “Tani e mbrapa përgatiteni siç e keni përgatitur gjithmonë. Sepse mbrëmë, për shkak të butësisë së shtratit, nuk munda të ngrihem për namazin e natës.”


[1] Një nga ngjarjet më të rëndësishme transmetohet kështu: Sipas Evs b. Hudhejfes, Profeti zhvillonte biseda me një grup të ardhur në Medinë, çdo natë pas jacie. Por një natë u vonua. Kur e pyetën për arsyen, ishte përgjigjur: “Nuk kisha lexuar pjesën ditore nga Kurani dhe nuk desha të vij pa e lexuar atë.” Ebu Davud, 1/443; Ibn Maxhe, 1/427; Tajalisi, 1/151.
[2] Ebu Nuajm, Hilje, 7/90.
[3] Buhariu, 1/293, 3/1308; Ahmed b. Hanbel, 2/251.
[4] Nesai, Amelu’l-jevm vel-lejle, 752-760.
[5] Nesai, Amelu’l-jevm vel-lejle, 1/456, 491.
[6] Darimi, 2/540.
[7] Tirmidhiu, 5/161; Darimi, 2/540.
[8] Hejsemi, Mexhmau’z-Zevaid, 7/97.
[9] Tirmidhiu, 5/165.
[10] Tirmidhiu, 5/165.
[11] Ebu Davud, 2/733; Tirmidhiu, 5/474.
[12] Tirmidhiu, 5/473.
[13] Buhariu, 5/2329; Muslimi, 4/2091.
[14] Buhariu, 1/247, 5/2327.

ilmihali

Share this post

scroll to top