Pararojës së ushtrisë së shenjtë, të parit në të kaluarën dhe në të ardhmen, iu mundësua udhëtimi përtej hapësirave qiellore, i pamundësuar për të tjerët, për arsye të ndjenjës së besnikërisë në shpirtin e Tij. Me anë të besnikërisë së Tij, Ai arriti në hapësira të paarritura për melekët dhe shkeli në ato vende ku asnjeri nuk kishte mbërritur. Pastaj nga ndjenja e besnikërisë që ushqente ndaj umetit të Tij braktisi botën e lumturisë në të cilën verbohen sytë dhe kënaqen shpirtrat, për t’u kthyer afër miqve të Tij. Do të kacafytej me ngjarje, do të përballonte vështirësitë e dala përpara dhe do t’i ngrinte ato në hapësirat e shenjta. Ndjenja e besnikërisë ndaj miqve dhe shokëve të Tij e bënte të harronte xhenetin dhe bukuritë e tij. Ishte fjala e dhënë atyre, ajo e cila e ktheu përsëri në botën e vuajtjeve dhe të dhimbjes pranë shokëve, duke lënë gjithë nivelet shpirtërore mënjanë, në një kohë kur kishte arritur madhështinë qiellore.
Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ishte një simboli i besnikërisë. Mbajtja e fjalës së dhënë, mbajtja e premtimit, mosharresa e atyre që e kishin ndihmuar atë apo të tjerët rreth tij, interesimi dhe përkujdesja për miqtë dhe gjendjen e tyre, respekti ndaj të vdekurve, sakrificat e mëdha, të bëra në emër të umetit, pasqyrojnë në kuptimin më të gjerë besnikërinë e Profetit dhe kjo cilësi mjaftonte për të treguar se Ai ishte Profet. Njeriu i besës i këshillonte vazhdimisht myslimanët të ishin besnikë.
Ai ishte njeri besnik. Në rrugën e hapur prej tij iu përkushtua me besnikëri, deri në frymën e fundit, njerëzve të zemrës. Aq shumë ishte lidhur me ta, saqë edhe kur mendoi se do të shkonte pranë Zotit – gjë që ishte në dëshirën e Tij – mendimi se do të ndahej prej tyre e kishte bërë të qante me dënesë dhe ishte mjaftuar me fjalët: “Së afërmi do të më pyesin për ju.”
Një herë Herakliu e kishte pyetur Ebu Sufjanin rreth Profetit tonë. Njëra nga pyetjet ishte:
- Çfarë ju urdhëron të bëni?
- Na urdhëron të falim namaz, të jemi të drejtë, të jemi të sjellshëm, të mbajmë fjalën dhe premtimin e dhënë dhe të respektojmë amanetin, – ishte përgjigjur Ebu Sufjani.
- Ja, këto janë cilësitë e një Profeti! – kishte thënë Herakliu.[1]
Kur tregon për gjendjen e njeriut të pabesë, ditën e kiametit, Ai shprehet: “Në ditën e kiametit, do të ngrihet një flamur për atë njeri i cili e ka nëpërkëmbur, shtypur, fjalën dhe betimin. Ja, kjo është gjëja të cilën nëpërkëmbe”, do t’i thuhet.[2]
[1]Buhari, 2/952.
[2]Buhari, 5/2285; Muslimi, 3/1359; Ebu Davudi, 2/91.