ORIGJINALITETI I PROFETIT NË ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE: VLERËSIMI I KAPACITETEVE

smilies-1607163_960_720.jpg

VLERËSIMI I KAPACITETEVE

I Dërguari i Allahut i ka përdorur njerëzit që e kanë ndjekur në mënyrë shumë të qëlluar dhe në vendin e duhur. Veprimtaria e tij ka treguar se personi që ai e pati ngarkuar me një detyrë, pati qenë absolutisht më i afti dhe më i denji ndër gjithë kandidatët e tjerë për atë detyrë, dhe se zgjedhja e Profetit pati qenë tejet e qëlluar. Edhe sikur të mos ekzistonte asnjë argument dhe provë për profetësinë e tij, vetëm zbulimi i aftësive dhe mundësive të njerëzve dhe vendosja e tyre me detyrën përkatëse, përfitimi i plotë nga energjitë e individëve, duke mos gabuar kurrë në këtë drejtim, fakti që, me përjashtim të disa personave të mbajtur përkohësisht në detyrë, për shkak të ndjenjave të tyre, çdo person i caktuar prej tij në një detyrë apo pozitë, pati mbetur aty gjer në fund; të gjitha këto janë argumenti dhe prova më e madhe e profetësisë së të Dërguarit të Allahut dhe na bën të themi se Muhamedi është i Dërguari i Allahut!

Periudha e parë e Islamit pati kaluar ngarkuar me vuajtje dhe ankth. Brenda 5-6 vjetësh, numri i besimtarëve pati arritur vetëm gjer te dyzeta! Në atë periudhë ishte e pamundur t’i tregoje dikujt për diçka, pa marrë parasysh vdekjen!

Edhe një person si Ebu Bekri (r.a.) madje, që ishte një njeri i respektuar në Mekë, qe rrahur disa herë, aq sa iu deshën shumë ditë për t’u shëruar![1]

Hz. Omeri (r.a.) ishte një burrë që matej me devetë! Edhe ai nuk pati shpëtuar nga rrahja dhe rropasja me këmbë, disa herë me radhë![2]

Gjersa dhuna dhe tortura pati arritur edhe te njerëz të këtij niveli, mendoni vetë, tani, vuajtjet dhe mundimet që patën hequr besimtarët e tjerë!

Ja pra, në këtë arenë vdekjeje, marrëdhënia e Profetit me çdo njeri ishte diçka krejt e veçantë! Për shembull, ai s’i pati dhënë urdhër hixhreti as Hz. Ebu Bekrit (r.a.), as Hz. Omerit (r.a.). As ata që asokohe ishin në moshë që mund të quhej fëminore, si Aliu e Zubejri, nuk qenë dërguar në Etiopi. Sepse të gjithë këta ishin njerëz që kishin mundësi t’i duronin gjërat që ndodhnin në Mekë!

Hz. Osmani (r.a.) ishte njeri me natyrë të butë e delikate. Ai e kishte shumë të vështirë ta duronte atmosferën tejet të ashpër të Mekës së asaj dite, ndërkaq që ishte i vetmi ndër muslimanët që mund të kujdesej e t’i mbronte më mirë se kushdo muslimanët që shkonin për në Etiopi. Prandaj i Dërguari i Allahut e pati ngarkuar Hz. Osmanin (r.a.) me këtë detyrë dhe e pati dërguar në Etiopi.[3]

  1. Ebu Dher el-Gifari (r.a.)

 

Për shembull, kalon njëfarë kohe dhe Hz. Ebu Dheri vjen dhe bëhet musliman. Meqë qëndrimi i këtij njeriu emocional në atë periudhë në Mekë do të shkaktonte dëme edhe për atë vetë, edhe për të tjerët, i Dërguari i Allahut e ktheu prapë për në fisin e vet, duke e ngarkuar me detyrën e përhapjes së fesë atje, e duke i dhënë këtë porosi: “Kur ta marrësh vesh se kemi dalë fitimtarë, atëherë eja!” Ebu Dheri (r.a.) shkoi te Profeti pas fitores së Hajberit dhe u bashkua me të. Kurse ai qe bërë musliman qysh në vitet e para të periudhës së Mekës![1] Ebu Dheri ishte abid (adhurues shembullor), ishte zahid (i përkushtuar shembullor)![2] Ebu Dheri ishte përkrahës i drejtësisë shoqërore, i tillë që do t’ua merrte mendtë sociologëve të sotëm, madje, sipas autorëve socialistë, është i pari që ka parashtruar idenë e socializmit! Ky mendim le të mbetet i tyri, por është fakt që Ebu Dheri është heroi i parë që ka bërë pyetjet: “Ç’do të thotë varfëri?” “Si bëhet lufta kundër varfërisë?” Në të njëjtën kohë, ai është njëri ndër personat që e ka dëshiruar xheneti.[3] Pavarësisht nga të gjitha këto, Ebu Dheri shkoi një ditë te i Dërguari i Allahut dhe i tha kështu: “Më jep dhe mua një post, o i Dërguari i Allahut!” Me këtë, ai donte t’i thoshte të Dërguarit të Allahut ta caktonte komandant në krye të një ushtrie ose vali (guvernator) në krye të një vilajeti (guverne). I Dërguari i Allahut i dha këtë përgjigje: “Ti je i dobët, o Ebu Dher, kurse këto punë janë shumë të rënda! Mos e kërko një detyrë të tillë! Kjo detyrë nuk i jepet atij që e kërkon!”[4]

Ndërsa i thoshte kështu Ebu Dherit, i Dërguari i Allahut nuk u thoshte po këto gjëra Ebu Bekrit dhe Omerit! Përkundrazi! Me vlerën e aludimit për pozitën e tyre, e kapte me dorën e djathtë Hz. Ebu Bekrin, me të majtën, Hz. Omerin, dhe thoshte kështu: “Unë kam dy vezirë në qiell dhe dy vezirë në tokë. Në qiell janë Xhebraili dhe Mikaili, kurse në tokë, Ebu Bekri dhe Omeri!”[5]

Nga ana tjetër, me syrin e njohësit të së vërtetës, Profeti i pati parë ngjarjet e së ardhmes dhe pati bërë aludime mbi katër kalifët e parë. Sa për Hz. Osmanin (r.a.), pati shtuar se kalifati i tij do të ishte me shumë sprova[6] dhe, me të vërtetë, kalifati i Hz. Osmanit pati kaluar pak me shqetësime.

Ja, kështu, njerëzit e kuadrit të tij ai i njihte më mirë se ç’e njihnin ata vetë veten e tyre! Ai kurrë nuk gaboi kur i ngarkoi njerëzit me detyrë. Ebu Dheri (r.a.) mund të kërkojë post, mund ta shohë veten të aftë për ta përballuar detyrën që kërkon, por i Dërguari i Allahut e njeh Ebu Dherin më mirë se Ebu Dheri! Prandaj i thotë se “është i dobët, kurse ato punë janë shumë të rënda” dhe nuk i jep detyrë komanduese dhe qeverisëse.

Dhe, tani, në lidhje me këtë specifikë, le të parashtrojmë nja dy shembuj.

 

  1. Amr b. Abese (r.a.)

 

Ahmed b. Hanbel na përcjell: “Amr. b. Abese erdhi te i Dërguari i Allahut dhe e pyeti në mënyrë mjaft të rëndomtë e të ashpër, krejt si beduin: “Ç’je ti?” Kurse i Dërguari i Allahut, me një pamje dhe sjellje mjaft të qetë iu përgjigj: “Unë jam profeti i Allahut!” Kjo butësi ndaj ashpërsisë së vet e kishte vrarë Amr b. Abesenë! Ai u përgjunj menjëherë para Profetit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Këtej e tutje mua më ke pas!” Kjo ngjarje ndodh në Mekë… Numri i besimtarëve, i njerëzve që kishte Profeti pas, ishte i vogël. Në një kohë të tillë, për t’u dukur i fuqishëm, njeriu të paktën ka nevojë për njerëz. Megjithëkëtë, i Dërguari i Allahut nuk e mbajti Amr b. Abesenë në Mekë. Ai e dinte se ku duhej vënë secili dhe në këtë çështje nuk bënte asnjë lëshim. Ashtu siç kishte vepruar me Ebu Dherin, i Dërguari i Allahut i tha Amr b. Abese-së: “Ti je i dobët. Ti s’ke fuqi për të qëndruar tani këtu. Kthehu te fisi yt dhe kryeje detyrën e orientimit të njerëzve në rrugën e drejtë. Kur të dëgjosh se kam dalë fitimtar, atëhere eja dhe bashkohu me mua!”

Amri shkoi. Kishin kaluar vite. Pastaj fitoret e njëpasnjëshme të të Dërguarit të Allahut nisën të dëgjoheshin në të katër anët dhe Amr b. Abese e kuptoi se kishte ardhur koha që kishte pritur. Ai doli në rrugë dhe arriti në Medinë, ku ndodhej tashmë Profeti. I Dërguari i Allahut po rrinte në faltore. Amr b. Abese hyn në faltore dhe afrohet pranë të Dërguarit të Allahut që po bisedonte. Kur e mbaroi fjalën, Amr b. Abese gjeti rast dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a më njohe?”

Pa ngurruar aspak, zotëria i dy botëve iu përgjigj: “A nuk je ti, filani, që pate ardhur te unë kur ndodhesha në Mekë?”

Dhe i Dërguari i Allahut vazhdon sikur ngjarja me të të kishte ndodhur dje: “Unë të pata kthyer prapë duke të porositur kështu e kështu!” Amr b. Abese ia vërteton fjalët i habitur.[7]

Fakti që Amr b. Asi nuk e kishte harruar ngjarjen, nuk ka aspak rëndësi, sepse ajo ishte kujtimi më i paharruar i jetës së tij. Por për Profetin, puna ndryshon krejtësisht. Gjatë kësaj kohe ai pati përjetuar shumë ngjarje si kjo. Gjithashtu, shqetësimet e rënda dhe vuajtjet që pati kaluar gjatë shumë viteve, qenë të tilla që do ta bënin të harronte jo më njeriun që e pati takuar dikur vetëm për pesë minuta dhe e pati kthyer prapë, por edhe miqtë më të afërt! Por, siç u pa, i Dërguari i Allahut nuk ka harruar asnjeri me të cilin është takuar dhe lidhur. Ishte krejt e mundur që, po të mos i shkonin vetë Amri ose Ebu Dheri, pas fitores së Mekës ai do të dërgonte njeri për t’i kërkuar dhe ftuar, sepse fitorja e plotë pati ndodhur pas fitores së Mekës.

Po, ai i njihte personalisht të gjithë ndjekësit e tij më mirë se ç’i njohim ne bijtë tanë, sepse çdo njeri që i ndodhej përreth kishte një vend të veçantë në zemrën e të Dërguarit të Allahut! Në mënyrë të veçantë, kjo njohje kishte shumë rëndësi për t’i caktuar çdo dhuntie dhe talenti detyrën përkatëse sipas kapaciteteve të veta!

A mund të tregohet, vallë, në historinë e njerëzimit një lider i dytë që t’i njohë nga kaq afër ndjekësit e tij? Nuk pandeh! Sepse i Dërguari i Allahut nuk ishte vetëm një lider; në të njëjtën kohë, ai ishte një profet. Në fakt, pika fokusale e fjalës sonë është çështja e profetësisë së tij!

[1] Muslim, Fedail, 132-133; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/45-47.

[2] Ibni Haxher, Isabe, 4/62.

[3] Mexhmau’z-Zevaid, 9/330.

[4] Muslim, Imare, 16, 17.

[5] Kenzu’l-Ummal, 11/563, 13/15.

[6] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 5-7; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 29.

[7] Muslim, Musafirin, 294; Musned, 4/112.

[1] shih. Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/40, 41.

[2] shih. Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/102, 103; Ibni Hisham, Sire, 1/234.

[3] Ibni Hisham, Sire, 1/344; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/84.

ilmihali

Share this post

scroll to top