Vetitë udhëheqëse të Profetit (a.s): Kërkesa e të pasurve për t’u diferencuar

white-male-1874801_960_720.jpg

Në fillimet e Islamit, në mjedisin e të Dërguarit të Allahut kishte njerëz të varfër, shumica e të cilëve ishin të rinj. Të moshuarit, të lidhur fort dhe me këmbëngulje pas mohimit, mbanin ndaj të Dërguarit të Allahut vazhdimisht një qëndrim kundërshtues dhe kryeneç. Në të vërtetë, kur doli në shesh e vërteta, “… hynë tufa-tufa në fenë e Allahut…” (Nasr, 110/2), edhe ata ndjenë nevojën për ta pranuar të Dërguarin e Allahut dhe e pranuan, por në fillim rreth tij kishte vetëm e vetëm të rinj. Dhe të rinj të varfër!..

Ata nga politeistët mekas që e mbanin veten për të mëdhenj, nuk ishin aspak të kënaqur nga kjo gjendje. Duke iu drejtuar shpesh të Dërguarit të Allahut, i kërkonin që për takimin me ta të caktonte një ditë të veçantë kur pranë tij të mos vinte askush tjetër veç tyre, sidomos nga të varfrit, domethënë, Bilalët, Ammarët, Jasirët, Habbabët. Ata ishin njerëz të parisë, nuk mund të uleshin bashkë me njerëzit e shtresës së ulët![1] Ndoshta pse kërkonin një trajtim dhe qëndrim të tillë me të cilin shoqëria e asaj dite ishte mësuar, ata e quanin këtë një kërkesë mjaft të arsyeshme e logjike. Por gjendja nuk ishte aspak ashtu siç e pandehnin ata! Ndërsa ata kujtonin se kërkesa e tyre do të pritej me miratim dhe kënaqësi, Allahu e kishte paralajmëruar dhe përgatitur të dashurin e Tij! “Mos i përzë ata që i luten Zotit mëngjes e mbrëmje duke kërkuar pëlqimin e Tij! Ti nuk mban përgjegjësi për llogarinë e tyre dhe as ata nuk mbajnë përgjegjësi për llogarinë tënde që t’i përzësh dhe të bëhesh nga të padrejtët dhe mizorët!” (En’am, 6/52)

Ti je njeriu i llogarive të mëdha! Ti nuk mund t’u hysh llogarive të vogla duke i përzënë të varfrit që të rrinë pranë për të shpresuar që politeistët të hyjnë në rrugë të drejtë! Sepse kjo është padrejtësi dhe dhunë, kurse ti je shumë larg nga padrejtësia dhe dhuna! Po, sigurisht, largimi i të varfërve vetëm për t’i kënaqur politeistët ishte padrejtësia më e madhe, kurse Allahu, atë njeri të madh të drejtësisë e kishte marrë nën garanci qysh në krye të herës!

Kjo temë e rëndësishme trajtohet dhe shqyrtohet një herë edhe në suren Kehf: “Duro edhe ti bashkë me ata që, duke dëshiruar pëlqimin e Zotit të tyre mëngjes e mbrëmje, i luten Atij! Mos i largo sytë prej atyre njerëzve të varfër, për të kërkuar bukuritë e jetës së kësaj bote! Kurrsesi mos bëj si të thotë ai njeri që e kemi bërë të harrojë për të na kujtuar Ne dhe që e tepron në veprimet e veta, duke vepruar me pasion!” (Kehf, 18/28)

Kur’ani i thoshte kështu atij:

Rri bashkë me ata që mëngjes e mbrëmje, në kauzën, në mendimin dhe në ndjenjën e tyre thonë “Allah” dhe rënkojnë dhe mos ua ngul sytë të tjerëve! Me ta ulu e ngrihu! Sepse mëshira e Allahut (xh.xh.) me ta është! Kurrë mos ua ndaj sytë atyre! Gjithsesi, duke treguar mëshirë për njerëzimin, Allahu (xh.xh.) sheh Ammarin dhe e mëshiron, sheh Jasirin dhe e mëshiron, sheh Aliun e vogël dhe e mëshiron, sheh Habbabin dhe e mëshiron, sheh Ibni Mes’udin dhe e mëshiron! Ata janë mbi tokë pikëvështrimi i Allahut (xh.xh.)! Ata janë si rrufepritësit që i largojnë kokëçarjet, shqetësimet dhe fatkeqësitë! Ti shih të ndodhesh me ta! Dhe Kur’ani i thotë këto në një kohë të tillë kur përreth të Dërguarit të Allahut nuk ndodhej askush tjetër veç këtyre katër-pesë të rinjve të varfër! Mirëpo edhe në një kohë të tillë, madje, i Dërguari i Allahut ishte jashtëzakonisht i sigurt për të ardhmen dhe besonte se çdo njeri, madje edhe ata njerëz të ashpër që s’u qeshte buza, ata faraonë, shumë prej tyre, do të zbuteshin, do ta pranonin Islamin dhe do ta bënin Kur’anin kryekurorë të tyre! Prandaj, kur e ardhmja do të ishte, sidoqoftë e tillë, pse t’i përzinte në emër të saj ata që sot, në ditët më të vështira i rrinin pranë?

Dhe si mund t’i përzinte ata i Dërguari i Allahut që thoshte vetë se “xheneti ishte i dëshiruar për tre njerëz: Aliun, Selmanin dhe Ammarin!..”[2]

Po, ndërsa çdokush ishte i dëshiruar për xhenetin, xheneti ishte i dëshiruar për ta; i dëshiruar me plot dëshirë si i dashuri për të dashurën, si sytë për bukurinë, si ndërgjegjet për pamjen e Zotit, si zemra për soditjen…

Zotëria i dy botëve e dinte që në krye të herës se këta kuadro të parë që i rrinin përreth, këta njerëz të varfër, ishin kuadrot që një ditë do të bënin një transformim në përmasa botërore dhe, çdo hap që hidhte, sipas këtij mendimi e hidhte. Ai nuk kishte qoftë edhe një thërrime dyshim se, një ditë, edhe lindja, edhe perëndimi i botës do t’u dorëzoheshin të vërtetave të sjella prej tij. Ai kishte siguri për premtimin e Zotit dhe e kishte zemrën plot!

I Dërguari i Allahut e hodhi poshtë kërkesën e politeistëve. Ai nuk tregoi as nderim për ta. Ai i pa njerëzit e dobët dhe të varfër të mjedisit të vet si dritën e syve dhe i çmoi ata gjithmonë si banorë të nderuar të Audiencës së Lartë!

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/129.

[2] Tirmidhi, Menakib, 34.

ilmihali

Share this post

scroll to top