PËFITIMET E HUDEJBIJES

hudeybiye_antlasmasi_nedir_h95407_f329b.jpg

Duke jua treguar një ngjarje gjerë e gjatë, u përpoqa të përgatis hyrjen e një specifike të rëndësishme që është përfitimet e Hudejbijes. Ç’solli Hudejbije? I Dërguari i Allahut bëri aty një paqe. Ç’fituan muslimanët nga kjo paqe?

 

  1. Ata që vrapojnë për në Islam

 

Më së pari, në periudhën e kësaj paqeje, Halid b. Velidi (r.a.) që më vonë u mbiquajt Shpata e Islamit, u bë musliman.

Halid b. Velidi nuk ishte një njeri që mund të përgjunjej me luftë. Dhe nuk duhej të ishte! Për sa kohë që ta ruante atë krenari, që më vonë do të kthehej në dinjitet islam, ishte krejt e pamundur të detyrohej të futej në Islam me forcën e shpatës. Ndërkaq, Zoti e kishte mbrojtur me bujari këtë komandant të pashoq të së ardhmes, duke përgatitur truallin që ai të futej në Islam me dinjitet. Si do të treteshin akujt e Halidit po të mos ishte një periudhë e tillë paqeje?

Kështu, kur në Mekë nuk kishte mbetur më punë për të bërë, Halidi, ai njeri që kërkonte sherr, të paktën kishte gjetur mundësinë për t’u menduar pak. Padrejtësia në dukje që u ishte bërë muslimanëve në Hudejbije dhe pastaj, pamja dhe gjendja e tyre shpirtërore një vit më pas kur kishin ardhur në Mekë për umre, kishin ndikuar thellë mbi Halidin dhe ata që mendonin si ai. Po, periudha e paqes u bë edhe për të një periudhë kthjelltësimi. Dhe pas një kohe, shkoi te i Dërguari i Allahut dhe shpalli se ishte nënshtruar![1] Ky nënshtrim dha si rezultat që ai të bëhej Sejfullah, Shpata e Allahut! Fundja, i Dërguari i Allahut e priste këtë rezultat. Edhe Amr b. As është një ndër ata që u bënë muslimanë në këtë periudhë.[2] Monotonia e ardhur bashkë me paqen e Hudejbijes, jeta e mefshtë i mërziti rëndë këta trima, këta heronj të çartur të shesheve të luftës; ata zgjodhën frontin e aksionit dhe kaluan në anë të të Dërguarit të Allahut!

Edhe Osman b. Talha (r.a.) është një nga njerëzit e mëdhenj të fituar në këtë periudhë. Osman b. Talha i pati bartur gjer atëherë gjatë gjithë jetës çelësat e Shtëpisë së Allahut dhe i Dërguari i Allahut ia pati dorëzuar ato çelësa përsëri atij. Këta persona që u përmendën këtu, me gjenialitetin e tyre ushtarak, ishin persona që shkatërronin ushtri! Ja pra, këta njerëz kishin mundur ta njihnin dhe gjenin veten vetëm në klimën e butë të paqes!

 

  1. Qabja nuk mund të jetë monopol i askujt

 

E dyta: Gjer atë ditë, kurejshët e shihnin çdo gjë nga lart, thoshin “Qabja është e jona” dhe s’pranonin asnjeri të afrohej. Kushdo që dëshironte ta vizitonte Qaben, duhet t’u paguante kurejshve taksë. Ndryshe as që mund të ndodhte!

Mirëpo në marrëveshjen e bërë me të Dërguarin e Allahut, nuk ishte vënë një kusht i tillë, gjë që përbënte një harresë dhe një gabim të rëndë për kurejshët. Kur vitin tjetër muslimanët shkuan dhe e bënë Qaben tavaf pa paguar taksë,[3] te fiset e tjera ndodhi një zgjim. Nga kjo ngjarje ata e kuptuan se kurejshët nuk ishin të zotët e vetëm të Qabes! Po të ishte ashtu, a do të mund të vinin muslimanët nga Medina dhe ta vizitonin Qaben pa paguar gjë? Po ata vetë, pse të mos e kishin një të drejtë të tillë? Ja pra, ky mendim u zgjua tek të gjithë dhe doli në shesh se kurejshët nuk ishin të vetmit ata që urdhëronin në Qabe! Kështu, në vitet e mëpasme, çdo njeri do të shkonte në Qabe për ta vizituar, pa hasur në asnjë pengesë dhe do të mund ta ngrinte zërin sheshit!

 

  1. Shërbimi kryhet në atmosferë paqeje

 

E treta: Me paqen e Hudejbijes, garantohej që, për dhjetë vjet, kurejshët nuk do të përbënin shqetësim për muslimanët. Kjo periudhë dhjetëvjeçare kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe për muslimanët. Gjatë kësaj periudhe Profeti gjeti rastin të dërgonte në zona të ndryshme ekipin e mësuesve dhe kumtuesve të Islamit të përgatitur prej tij dhe kjo, do të thoshte dëgjimi i zërit të Islamit në tërë Gadishullin Arabik! Tashmë zëri i Kur’anit lartësohej kudo dhe çdo njeri vraponte drejt Islamit. Ja, ky ishte çasti i gëzuar që paralajmëronte Kur’ani kur thoshte “… dhe t’i shohësh njerëzit të futen turma-turma në fenë e Allahut…” (Nasr, 110/2) Dhjetë vjet do të thoshte rritje dhe përgatitje e një brezi të ri! Kurejshët nuk i binin dot në të se ç’rast dhe ç’mundësi u kishin dhënë muslimanëve! Ndryshe, as që do të arrinin në një marrëveshje të tillë. Gjatë kësaj kohe muslimanët përparuan shumë si nga ana sasiore, ashtu dhe cilësore. Hyrjet e reja në Islam shtonin, nga njëra anë, shpresën, nga ana tjetër, fuqinë ushtarake. Dhe kur një ditë muslimanët arritën në portat e Mekës me këtë fuqi, kurejshve nuk u mbetej më gjë për të bërë!

 

  1. Ata u njohën me Islamin në paqe

 

E katërta: Një avantazh tjetër që siguroi marrëveshja e Hudejbijes ishte fillimi i vajtje-ardhjeve të dyanshme mes Mekës dhe Medinës. Gjer në paqen e Hudejbijes nuk kishte komunikim mes dy anëve. Takimet ndodhnin gjithmonë në sheshet ku flisnin shpatat. Ishte e pamundur t’ia tregoje anës tjetër të vërtetat islame në kushtet e psikologjisë së luftës. Por kur u lidh paqja, filluan vajtje-ardhjet nga të dy anët. Ata që kishin jetuar gjer atëherë pa ditur gjë për bukuritë e Islamit, kur i shihnin me sytë e vet këto bukuri, nuk e fshihnin habinë dhe admirimin! Jeta në Medinë nuk kishte ndryshim nga jeta parajsore dhe ai që e shihte, magjepsej. Abdesti, ezani, namazi i falur në bashkësi dhe përshpirtshmëria e qetësia e atyre njerëzve në namaz e tërhiqnin zemrën e mekasve me një forcë marramendëse. Në sajë të paqes së Hudejbijes nuk kishte mbetur shtëpi pa hyrë në të zëri dhe fryma e Islamit, mesazhi i Kur’anit. Po të kishte jetuar gjer atë ditë, edhe Ebu Xhehli do të shihte të hynte Islami në shtëpi të tij dhe ai të mbetej i vetëm në shtëpi të vet! Prandaj Hudejbije ishte një triumf para triumfit së Mekës!

Kur hidhte një hap, i Dërguari i Allahut e dinte shumë mirë se si e hidhte! Ai vinte këmbën atje ku i arrinte shikimi. Ai i zotëronte ngjarjet në sajë të njësisë së shikimit dhe hapit dhe i zgjidhte problemet një nga një!

 

  1. Islami fillon të njihet zyrtarisht

 

E pesta: Si rrjedhojë e kësaj paqeje, të gjitha fiset dhe tributë filluan ta pranonin se Profeti dhe shteti-qytet që përfaqësonte ai, zotëronin prerogativat për të bërë marrëveshje me tërë personat apo entet politiko-ekonomike përreth. Ashtu siç ndodh sot që, kur themelohet një shtet i ri, ka nevojë të njihet zyrtarisht nga shtetet e tjerë, për rrjedhojë, të fitojë legjitimitet të cilin e përdor, pastaj, si referencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu dhe duke lidhur marrëveshjen e Hudejbijes, Profeti siguronte njohjen e muslimanëve dhe të shtetit të tyre. Në qoftë se i njihnin kurejshët, pse të mos i njihnin taifasit? Po, aktet e njohjes ndoqën njëri-tjetrin!

Ja pra, i Dërguari i Allahut ishte një njeri i cili, nga një marrëveshje e nënshkruar prej tij në kushtet më të rënda për të si ajo e Hudejbijes, nxirrte fitore të tilla të njëpasnjëshme! Aftësia për të përgatitur truallin e një triumfi të tillë të paimagjinueshëm pa u menduar aspak, mes atmosferës së detyrimit të pashmangshëm për të marrë vendim aty për aty, pa dyshim ishte një sukses që i kalon kufijtë e mendimit njerëzor dhe që mund t’i themi mrekulli, gjë që është dëshmuesi më i gjallë i profetësisë së tij. Sepse nuk është parë kurrë që ndonjë njeri, qoftë edhe gjeni, të arrijë një triumf të tillë nga një marrëveshje në dukje si disfatë. Sepse një sukses i tillë kërkon një fuqi, vullnet dhe dije që i kapërcen mundësitë njerëzore!

 

  1. Pas tij ishte Allahu

 

Po të shihen problemet e zgjidhura prej tij, është e pamundur të mos e dallosh pas tij Fuqinë e Pafundme që sundon mbi çdo gjë!

Veçanërisht, pas përballimit me lehtësi prej tij të këtyre çështjeve të rënda, ne shohim Dorën e Fuqisë Hyjnore, mbrojtjen e Zotit, thënien e Zotit, “ky është i dërguari im” dhe, duke u entuziazmuar me të gjithë qenien tonë, thërrasim me zë të lartë: Muhammedu’r-Resulullah, Muhamedi është i Dërguari i Allahut!

Duke marrë vendim, i Dërguari i Allahut vepronte shumë shpejt, megjithatë, i hynte punës brenda dhe çdo pune që i hynte brenda, ia dilte në krye. Megjithëkëtë, si ndodhte që në jetën e tij – historia dëshmitare – nuk hasim në asnjë sjellje apo veprim që të kërkojë korrigjim, rregullim, madje edhe në situatat që për të tjerët janë tronditje, humbje, disfatë, mundet të nxjerrë një fitore dhe prapësitë t’i bëjë mbarësi për llogari të vet? Po, në dorën e tij humbjet shndërroheshin në sukses, disfatat në fitore dhe prishjet, në sajë të tij, fillonin të shfaqeshin si ngadhënjime. Pothuajse në kundërshtim me ecurinë dhe natyrën e materies, ai nxirrte në shesh një ecuri dhe natyrë tjetër. Kurse këto ishin punë që i përkisnin Zotit: “Është Allahu që ju krijon edhe ju, edhe punët tuaja!” (Saffat, 37/96) Allahu i krijonte punët e veta me dorën e krijesës së Tij më të përsosur, më të nderuar, më të çmuar… Pse? Për të thënë: “Ta dini se ky është robi im, është i dërguari im!” Dhe: “Ta dini se unë e mbështes atë në çdo gjë! Edhe sikur ju të jeni miliona dhe miliarda, kurse ai një i vetëm, prapë ai do të dalë fitues mbi të gjithë ju. Pse? Sepse unë e mbështes atë me të gjitha thesaret e fuqive të mia! Pas tij jam unë dhe askush s’duhet të harrojë se t’i shpallësh luftë personit pas të cilit është Allahu (xh.xh.), do të thotë t’i shpallësh luftë Allahut (xh.xh.)!”

Profeti Muhamed (s.a.s.) nuk u mund dhe nuk do të mundet! Ata që i ka zënë sevdaja për ta mundur atë, bien në kundërshtim me mendjet dhe zemrat e veta. Më saktë, janë të pafat që e kanë lëshuar veten në iluzione të kota! Të tillët Allahu i shkund, i paralajmëron dhe u thotë: “ejani në vete, o të paturpshëm!” Dhe pasi të mos marrin vesh nga të gjitha këto, i shkatërron dhe i jep fund punës së tyre!

Po, me Profetin Muhamed (s.a.s.) nuk bëhet luftë, nuk dilet kundër tij. Mbështetësi i tij është Allahu (xh.xh.). Madje në një rast, kur bashkëshortet i bënë një kundërshtim të vogël, Mbrojtësi i tij, për ta ngushëlluar, i thotë: “Allahu është pas teje, engjëjt janë pas teje!” (Tahrim, 66/4) Pra, atë e mbron tërë bota shpirtërore qiellore. Nëse këta janë ushtritë e tij, atij s’mund t’i kundërvihen as milionat dhe miliardat! Kush i del kundër, do të thotë se e përplas kokën pas një vendi të fortë dhe e bën copë-copë! Po, Allahu ndoshta bën lëshim, u jep atyre afat dhjetë herë, njëzet herë, tridhjetë herë në mënyrë që të mos u mbesë ndonjë kundërshtim apo justifikim për përtej dhe pothuajse u thotë kështu: “Shihni, kuptoni, ejani në rrugë të drejtë që të mos ju mbesë kundërshtim për në ahiret!” Por, siç shprehet hadithi profetik, “po të rroku një herë, s’të lë më!”[4]

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/272.

[2] Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/269.

[3] Ibni Hisham, Sire, 4/12.

[4] Buhari, Tefsir, Sure 11/5.

ilmihali

Share this post

scroll to top