Arsyet kryesore se përse nuk e besuan që në fillim

profeti-muhamed-17.jpg

Në të vërtetë, të gjithë çifutët dhe krishterët e dinin dhe e njihnin të Dërguarin e Allahut, por zilia dhe urrejtja u bëheshin pengesë për t’i besuar. Gjithashtu kjo njohje ishte aq e saktë dhe e qartë, saqë mjaftonte ta shihnin vetëm një herë të Dërguarin e Allahut. Sepse ata e njihnin atë në të gjithë portretin e vet. Këtë të vërtetë Kur’ani e shënon në këtë mënyrë: “Ata që u kemi dhënë librin, e njohin Atë siç i njohin fëmijët e tyre të vërtetë. Megjithatë, një grup prej tyre e fshehin të vërtetën megjithëse e dinë atë.” (Bakara: 146). Fakti që në ajet për të Dërguarin e Allahut thuhet “Atë” pa ia përmendur emrin, aludon se të gjithë adhuruesit e librit (çifutët dhe krishterët), kur thoshin “Ai” duke e pasur fjalën për profetin e fundit, kujtonin Personin që përmendej në Testamentin e Vjetër e në Ungjill. Dhe, pa asnjë dyshim, ai ishte Hz. Muhamedi (sav). Dhe atë e njihnin më mirë se ç’njihnin bijtë e tyre të vërtetë.

Hz. Omeri e pyet Abdullah b. Selamin:

– A e njihje të Dërguarin e Allahut si birin tënd të vërtetë?

Dhe ai i përgjigjet:

– Po, e njihja më mirë se birin tim të vërtetë!

Kur Hz. Omeri e pyet “Si?”, ai i jep një përgjigje të tillë: “Mund të dyshoj për tim bir se mos më ka mashtruar gruaja. Por nuk kam dyshim as sa grimca se i Dërguari i Allahut është profeti i fundit!” Kjo përgjigje e gëzon aq shumë Hz. Omerin, sa ngrihet dhe e puth në ballë Abdullah b. Selamin!

Zili dhe xhelozi

Po, ata e njihnin shumë mirë të Dërguarin e Allahut. Mirëpo njohja është tjetër dhe besimi tjetër gjë. E njihnin, por nuk i shfaqnin besim, sepse u bëheshin pengesë zilia dhe xhelozia: “E kur u erdhi prej Allahut libri (Kur’ani) vërtetues i librit të tyre e të cilin ata e kërkonin më parë si ndihmë kundër mosbesimtarëve, e mohuan atë (Muhamedin) që e njihnin.” (Bakara: 2/89).

Me këtë ajet-argument Zoti tregonte shkakun e vërtetë për të cilin ata nuk e pranonin të Dërguarin e Allahut. E gjithë çështja qëndronte në atë se profeti i fundit nuk ishte hebre. Pa dyshim, po qe se profeti i fundit do të kishte dalë mes hebrenjve, qëndrimi i tyre do të ndryshonte.

Me të vërtetë, Abdullah b. Selami shkon te i Dërguari i Allahut dhe i propozon: “Më fshihni mua dhe thirrni të gjithë dijetarët çifutë të Medines. Pastaj pyetini ata se si më njohin mua dhe tim atë. Sigurisht që përgjigjja e tyre do të jetë pozitive. Pastaj unë do të dal nga vendi i fshehur e do të shpall se jam bërë musliman!” I Dërguari i Allahut e pranon këtë propozim. Kur dijetarët çifutë hyjnë në dhomë dhe zënë vend, Profeti i pyet: “Si i njihni Abdullah b. Selamin dhe të atin?” Dhe ata i përgjigjen: “Ai dhe i ati janë më të diturit e më të nderuarit mes nesh!” Pastaj Profeti i pyet sërish: “Ç’do të thoshit po qe se ai më vërteton mua?” Dhe ata i thonë: “Eshtë krejt e pamundur, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë!” Atë çast del nga vendi i fshehur Abdullah b. Selami dhe, duke shqiptuar Fjalën e Dëshmisë, e vërteton profetësinë e Profetit tonë. Dijetarët çifutë shtangen nga habia dhe, duke i marrë prapë fjalët lavdëruese të shprehura vetëm pak çaste më parë për Abdullah b.Selamin dhe të atin, thonë: “Ky është më ngatërrestari dhe i biri i më ngatërrestarit midis nesh!” Pas këtyre fjalëve, i Dërguari i Allahut i jep fund takimit.

Edhe kjo ndodhi vërteton hapur se çifutët e njihnin dhe e dinin se kush ishte i Dërguari i Allahut, por paragjykimi dhe ideja fikse që ushqenin, u bëhej pengesë në besim.

Edhe Selmani Farisiu është një argument më vete në këtë çështje. Fillimisht ai pati qenë adhurues i zjarrit, megjithatë digjej nga dëshira për të gjetur fenë e vërtetë. Pastaj u njoh me kristianizmin dhe u mbyll në kishë. Nga murgu pas të cilit ishte lidhur, kërkoi, kur po vdiste, t’i rekomandonte një tjetër murg. Në këtë mënyrë, ai pati qëndruar pranë disa vetëve. Kur i pati shprehur të njëjtën dëshirë një murgu fatlumë që po jetonte minutat e fundit, ai i pati thënë: “Biri im, s’ka mbetur kush që mund të ta rekomandoj. Por është afruar mjaft koha e shfaqjes së profetit të fundit. Ai do të vijë mbi fenë Hanif të Hz. Ibrahimit duke u shfaqur atje ku emigroi Ibrahimi, por do të emigrojë dhe do të vendoset diku tjetër. Ekzistojnë argumente të qarta mbi profetësinë e tij. Po munde, atje shko. Ai nuk ha sadaka, pranon dhurata dhe midis dy shpatullave ka një vulë si provë të profetësisë.”

Vazhdimin ta dëgjojmë prej gojës së tij.

“Kërkova një karvan për të shkuar atje ku më tha murgu. Më në fund e gjeta dhe u thashë njerëzve të më çonin sipas një shpërblimi të caktuar. Pranuan. Mirëpo kur arritëm në luginën e quajtur Kura, më shitën si skllav te një çifut. Kur pashë kopshtet me hurma, mendova se ndoshta ky ishte vendi për të cilin më kish folur murgu. Pastaj, një ditë, erdhi një çifut i fisit Beni Kurejza, më bleu dhe më çoi në Medine. Në Medine punoja në kopshtet me hurma. Ndërkaq, nuk kisha marrë asnjë lajm për të Dërguarin e Allahut. Një ditë prej ditësh kisha hipur mbi një pemë e po mblidhja hurma, kurse imzot po pushonte poshtë. Një çast se nga doli njëri prej djemve të xhaxhallarëve të tij dhe i foli me zemërim: “Zoti i vraftë! I gjithë mileti po shkon në Kuba. Paska ardhur një burrë nga Meka, paska shpallur se është profet dhe ata i besojnë!” Fillova të dridhesha nga emocioni, aq sa do të bija poshtë mbi kryet e timzoti! Zbrita shpejt dhe i thashë djalit: “Ç’thua more, ç’lajm është ky?” Kur imzot vuri re emocionin tim, më dha një të qëlluar me të pasmen e pëllëmbës duke më thënë: “E ç’të duhet ty? Shih punën!” Kurse unë e mblodha veten: “Hiç…vetëm desha të marr vesh se ç’ka ndodhur…” Dhe hipa përsëri në pemë. Kur u err, mblodha ç’më ndodheshin dhe shkova në Kuba. I Dërguari i Allahut po rrinte së bashku me pasuesit e tij. “Ju jeni të varfër – u thashë – kurse unë kërkoja dikë që të jepja sadaka. Ja, merrini këto e hajini!” I Dërguari i Allahut u tha të pranishmëve të hanin, kurse vetë nuk preku asgjë. Në vetvete thashë: “Ja shenja e parë që tha murgu!” Të nesërmen në mbrëmje shkova prapë dhe u thashë: “Kjo nuk është sadaka, por dhuratë. Urdhëroni e hani!” I Dërguari i Allahut i ftoi të tjerët të hanin, por mori edhe vetë. “Në rregull – thashë – u vërtetua edhe shenja e dytë siç tha murgu.”

Kishte vdekur njëri nga sahabet, pasuesit e Profetit. Në varrezat e Medines kishte ardhur edhe Ai. Iu afrova pranë dhe i dhashë selam (*). Pastaj i kalova pas dhe u përpoqa t’i shihja myhyrin mes dy shpatullave. E kishte kuptuar qëllimin tim…Megjithëse edhe shpatullat të zbuluara i kishte. E pashë myhyrin! Edhe shenja e tretë ishte siç ma kish përshkru-ar vite më parë murgu im. S’e mbajta dot veten, iu vara në supet e fillova t’i puthja myhyrin. “Dale – më tha i dërguari i Allahut. Prit të marrim vesh…” U hoqa, u ulëm mënjanë dhe ia tregova një për një ç’më kishin rënë në kokë. U gëzua shumë. Kërkoi që rrëfimin tim ta dëgjonin edhe pasuesit.”

Po, ata që e kanë vështruar atë duke lënë mënjanë inatin dhe zilinë, e kanë gjetur dhe janë shtënë pas tij. Në këtë fakt nuk ka asnjë thërrime ndryshim në aspektin cilësor midis të djeshmes e të sotmes. Edhe sot, me mijëra dhe qindramijëra vetë, duke parë fisnikërinë e tij, e vërtetojnë Atë dhe i thërrasin me zë të lartë botës se profeti i fundit është Ai! Megjithatë, është një fakt pa asnjë ndryshim midis së djeshmes e së sotmes, fakti që ata që nuk e lenë mënjanë inatin dhe këmbënguljen, nuk e pranojnë kumtesën profetike të tij edhe pse e dinë shumë mirë një gjë të tillë!..

Ndjenja e rivalitetit

Mugire b. Shube tregon: “Po rrinim bashkë me Ebu Xhehlin. Erdhi i Dërguari i Allahut dhe nisi të na fliste e të na kumtonte. Atëherë Ebu Xhehli iu drejtua vrazhdësisht: “O Muhamed! Po qe se na i tregon këto gjëra me prapaqëllim për të gjetur dëshmitarë, mos u lodh kot, unë dëshmoj për ty! Dhe tani na lërë të qetë!” I Dërguari i Allahut u nda prej nesh. E pyeta Ebu Xhehlin:

– Me të vërtetë, a e beson atë? – Dhe ai m’u përgjigj:

– Ç’është e vërteta, e di që është profet. Mirëpo midis nesh dhe Hashimitëve ekziston një rivalitet i hershëm. Hashimitët krenohen se kanë rezervuar uji, se dinë të bëjnë kompresa… Të ngrihen e të thonë tani se prej tyre ka dalë edhe një profet, këtë s’e duroj dot!

U mblodhën Kurejshët në këshillë dhe vendosën ta çojnë Utbe b. Rebianë te i Dërguari i Allahut. Ky do të shkonte dhe do ta bindte atë të hiqte dorë prej kauzës së vet. Utbe b. Rebiai ishte nga klasa e intelektualëve të kohës dhe kompetent në letërsi. Shkoi te Profeti dhe, duke paramenduar të bëjë lojëra logjike me të, e pyeti: “O Muhamed! Kush është më i dobishëm, ti, apo yt atë, Abdullai?

Profeti nuk iu përgjegj. Ndoshta pati menduar se përgjigjja më e mirë për njeriun sjelljetrashë ishte heshtja. Utbe vazhdoi:

– Po qe se e pranon që ai ka qenë më i dobishëm se ti, dije se ai pati adhuruar pikërisht këta idhuj që ti sot i poshtëron. Por po qe se e quan veten më të dobishëm, atëherë fol se po të dëgjoj!

I Dërguari i Allahut e pyeti: “A mbarove?”

“Po” – tha Utbe dhe heshti. Atëherë Profeti i Dy Botëve u ul në gjunjë dhe nisi ta këndonte nga kreu kaptinën “Fussilet”. Kur Profeti arriti te ajeti – argument i 13-të, “Në qoftë se ata nuk përgjigjen, ti thuaju: “Unë po ju tërheq vemendjen për një rrufe si rrufeja mbi Adin dhe Themudin!” , Utbe nuk mundi të duronte më! Po dridhej si ndër ethe! E vuri dorën në buzët e bekuara të të Dërguarit të Allahut. Nuk i kishte mbetur pikë fuqie! “Mjaft, o Muhamed! Për emrin e Allahut që beson, mjaft!” – tha dhe u ngrit e iku.

Paria e Mekës prisnin përfundimin. Ebu Xhehli nuk e kishte pëlqyer fare pamjen e Utbes në kthim. U tha atyre që kishte pranë: “Nuk po kthehet siç shkoi!” Ashtu ishte! Utbeja nuk shkoi ku po e prisnin, por drejt e në shtëpinë e vet. Argumentet që kishte dëgjuar, e kishin goditur siç godet rrufeja. Pas pak në derë i kishte shkuar Ebu Xhehli që i jepte mend edhe djallit. Kishte frikë se mos Utbeja kishte besuar dhe mendonte se hekuri duhej rrahur pa u ftohur. I njihte mirë dobësitë e Utbes. Do ta godiste në krenarinë e tij! Dhe i tha kështu: “O Utbe! Dëgjova se Muhamedi të kishte bërë komplimenta e ndere me të tepërt. Të kishte shtruar të ngrëna e të pira! Dhe ti, duke mos i përballuar nderet, kishe besuar! njerëzit kështu flasin…” Utbeja u zemërua tepër. I hipi damari: “Ju të gjithë e dini mirë se unë s’jam nevojtar për të ngrënat e tij. Unë jam më i pasuri ndër ju! Ishin të thënat e Muhamedit që më tronditën! Ajo ç’ka këndoi ai, s’ishte poezi. Nuk di ç’të them! Ai është një njeri fjalëdrejtë! Kur po e dëgjoja tek këndonte, pata frikë se mos na binte mbi kokë ajo që u pat rënë Adit dhe Themudit…

Shkaqe të tjera

Në të vërtetë, këto kundërshtime nuk kufizoheshin vetëm në dy-tre vetë. Në ndërgjegjen e përgjithshme opinioni ishte gjithherë i njëjtë. Mirëpo ndikime të faktorëve negativë të tilla si frika, zemërngushtësia, inati, shpirti i kundërshtimit u bëheshin pengesë në besim dhe nuk arrinin ta deklaronin atë edhe pse e dinin se si qëndronte puna.

Kur’ani, duke treguar për gjendjen e tyre si dhe duke e qetësuar Profetin, urdhëron kështu: “E dimë se ty të brengosin thëniet e tyre, por e vërteta është se ata nuk të quajnë gënjeshtar ty. Të padrejtë e mizorë, ata i mohojnë me ndërgjegje ajetet e Allahut!” (En’am: 33). Sikur të donte t’i thoshte: “Ata të bëjnë ty akuza të ndryshme që të mërzisin e të hidhërojnë. Por kujdes! Të mos të hidhërojnë ty thëniet e atyre që ndo-dhen të shtypur nën dëshirat trupore e të fatkeqëve të dobët që nuk munden të braktisin veset! Në të vërtetë, ata nuk të mohojnë ty personalisht. Po, asnjëri prej tyre s’ngrihet të të akuzojë ty për gënjeshtër, sepse ata e dinë mirë se ti je i pastër nga gënjeshtrat. Janë pikërisht ata që të kanë vënë emrin “Emin”, “I Besueshmi”. Vër re absurditetin e sjelljes së tyre: megjithëse as vetë nuk u besojnë akuzave që të drejtojnë ty, prapëseprapë gjejnë guxim për një gjë të tillë! E në qoftë kështu, përse duhet të mërzitesh?!”

Po, në se duhet të jetë dikush që duhet të mërzitet e të hidhërohet, janë ata që i rrinë kundër Personalitetit që i mban në dorë frenat e kësaj bote e të botës tjetër!

ilmihali

Share this post

scroll to top