Profetët, pavarësisht nga ndryshimi i nivelit mes tyre, janë shpirtra të zgjedhur, të denjë për shfaqjen e personit të Providencës Hyjnore. Allahu (Xh.Xh.) i ka pranuar ata si të posaçëm vetëm për veten, i ka rritur në mjedise të mbyllura për të tjerët, i ka zhvilluar dhe ka prerë mundësinë që në sytë e tyre të hyjnë, përveç vetes, iluzione të tjera.
Ashtu si te të gjithë profetët, për më tepër te Profeti ynë, syri i tij nuk ka parë gjë tjetër përveç Zotit të vet. Po, tjetërkushi nuk ka mundur ta mjegullojë shikimin e tij, nuk ka mundur t’ia turbullojë mendjen. Kur i hapte sytë, ai Zotin e vet shihte; po ashtu, edhe kur i mbyllte, duke e vështruar përsëri Atë, thoshte: “Allahu im, o miku më i Lartë!” Dhe tani le të dëgjojmë se ç’thotë vetë Hz. Aisheja:
“Kur sëmurej ndonjëherë, i Dërguari i Allahut më vinte pranë dhe më thoshte: “Lutu për mua!” Dhe unë merrja në njërën dorë dorën e tij të bekuar dhe, duke shprehur shpresën për shërimin e tij me begatinë e asaj dore, vija dorën tjetër mbi atë ballë që qëndronte mbi kohën dhe hapësirën dhe lutesha… Kur në sëmundjen e fundit desha t’ia marr dorën për të njëjtin qëllim, e tërhoqi me forcë dhe u lut: “Allahu im, o miku më i Lartë!” (36).
Ndoshta i Dërguari i Allahut nuk e kishte më mendjen te miqtë e tij tokësorë, por dëshironte Zotin, Mikun e tij të Vërtetë dhe kërkonte të shkonte tek ai në një dimension tjetër.
Ja, pra, profetët që kanë bërë një jetë të tillë me ardhjen dhe shkuarjen e tyre, veçanërisht Profeti ynë, përse, vallë, kanë ardhur në këtë botë dhe në bazë të ç’qëllimi janë dërguar? Analiza e kësaj teme shumë të rëndësishme paraqet rëndësi edhe më shumë si rrjedhojë e veçanërisht dy parimeve kryesore:
E para: Duke vështruar pozitën e lartë dhe sublime të institucionit të profetësisë, profetët nuk duhen konsideruar si njerëz të zakonshëm.
E dyta: Duhet treguar se ç’rrugë dhe sistem duhet të ndjekin në ditët tona ata që ndodhen nën barrën e përfaqësimit të detyrës profetike.
Nga çfarëdo aspekt që ta trajtojmë çështjen, hapi i rëndësisë së temës nuk do të ndryshojë. Prandaj edhe ne do të përpiqemi që, pa zgjedhur ndonjë renditje të caktuar, t’i paraqesim mendimet tona lidhur me te-mën në fjalë në trajtën e disa nënçështjeve.