Veçoritë e profetëve 2- Vullnetarizëm

profeti-muhamed-29.jpg

Profetët nuk presin asnjë pagesë shpirtërore e materiale si kundërvlerë të shërbimit të kryer. Kur’ani bën fjalë për këtë specifikë të tyre në raste të ndryshme dhe në ajete të ndryshme. Momenti i përbashkët i thënieve të tyre përqëndrohet te e vërteta “Shpërblimi im i përket vetëm Allahut”. Sa për ne, mundet të presim një shpërblim shpirtëror edhe në mos qoftë fjala për shpërblim material. Kurse profetët nuk e presin as këtë dhe të gjitha bëmat i bëjnë duke i vlerësuar nga këndvështrimi se ato janë urdhri i Zotit. Për supozim, edhe po ta dinin se, në përfundim, do të digjeshin mes flakëve të xhehenemit, prapëseprapë kthjelltësia e mendimeve të tyre nuk do të turbullohej dhe do të vazhdonin të mendonin vetëm për kryerjen e detyrës së tyre…

Profetët janë njerëz që flijojnë ndjenjat e përfitimit materialo-shpirtëror dhe në këtë çështje janë qenie eprore. Nuk janë as sevdaja për xhenetin apo frika për xhehenemin që i shtyjnë për të kryer këtë detyrë të rëndë e të vështirë, por vetëm e vetëm dëshira për të fituar miratimin e Zotit të tyre.

Çdo profet është një vullnetar. Kurse pika më e lartë e vullnetarizmit i përket Mbretit të Profetëve. “Umeti, njerëzit e mi!” ka thënë kur ka lindur dhe edhe në ditën e ringjalljes ashtu do të thotë. Shihni se çfarë vullnetarizmi dhe vetëmohimi që, ndërsa portat e xhenetit të hapura kat më kat presin të nderohen me ardhjen e tij, ai parapëlqen të përjetojë çastet më të turbullta të ringjalljes pas katastrofës me qëllim që të marrë me vete edhe umetin, bashkësinë e tij! Jo vetëm farefisin dhe ata që i kanë ndejtur afër, por të gjithë umetin, përfshi edhe atë më mëkatarin!

Po, udhëkalimet shpirtërore të tyre janë të hapura vetëm për një gjë: për pëlqimin dhe miratimin e Allahut! Për çdo gjë tjetër i kanë vënë derës shulin nga pas.

Veçanërisht në ditët e sotme, ata që i kanë vënë shpatullat detyrës së kumtesës e të orientimit që është një detyrë profetike, duhet të kenë shumë kujdes në këtë pikë dhe duhet të sillen me shumë ndjeshmëri. Sepse forca ndikuese e fjalës është e fshehur jo në kumtesën dhe në ligjërimin e bukur, por në të qenit i sinqertë. E të qenët i sinqertë kërkon vullnetarizëm dhe flijim. Pikërisht për të vënë gishtin në këtë konceptim, në Kuran thuhet: “Ndiqni njerëzit që nuk kërkojnë ndonjë shpërblim prej jush e që janë në rrugë të drejtë!” (Jasin: 21) Po, ndërsa ata fluturojnë në qiejt e orientimit, edhe ju ndiqini ata. Sepse nuk kërkojnë prej jush ndonjë gjë në emër të kësaj bote. I mendoni mirë njerëzit që do t’i ndiqni pas me mendje të fjetur, i matni dhe lidhuni pas atij që jeton natë e ditë i mbushur plot me ashkun e shërbimit. Ai duhet të parapëlqejë përgatitjen e rrugëve nga do të kalojnë karrocat e fitores së brezit të ardhshëm, konceptimin dhe arritjen e ditëve të mrekullueshme e të përshndritshme të asaj kohe. Dhe në botën ndiesore të tij të mbrujtur me vullnetarizëm e sakrificë të mos bjerë qoftë edhe hija e një kërkese të pafajshme. Ja, të tillë prijës e të parë zgjidhni për vete dhe u shkoni pas!

I Dërguari i Allahut ishte njeriu i vullnetarizmit e i sakrificës. Gjatë gjithë jetës as me bukë thekre nuk e pati mbushur barkun. Ndodhte që kalonin ditë, javë e muaj e në banesën e tij të mbushur plot lumturi të mos ndizej zjarr për të gatuar e të mos ziente një enë me supë. Ebu Hurejre tregon: “Shkova një ditë pranë të Dërguarit të Allahut dhe e gjeta tek po falej ulur. Pasi mbaroi, e pyeta:

– O i Dërguari i Allahut, mos je i sëmurë?

– Jo, o Hurejre, e kam nga të pangrënët.

Fillova të qaja. I dashuri i Allahut, për të cilin ishte krijuar gjithësia, falej ulur nga të pangrënët! Kurse ai më qetësoi kështu kur më pa të përlotesha:

– Mos qaj, o Eba Hurejre! Ai që vuan në këtë botë ankthin e urisë, do të jetë i sigurt nga ana tjetër se do të jetë i mbrojtur nga ndëshkimi i Zotit!

Një grua medinase i kishte sjellë Profetit një si dyshek dhe Hz. Aisheja e kishte shtruar mbi rrogozin mbi të cilin ulej e prehej gjithmonë ai. Kur Profeti kishte ardhur dhe e kishte vënë re ndryshimin, kishte kërkuar shpjegim për këtë. Pas përgjigjes së marrë, kishte thënë:

– O Aishe! Ktheje mbrapsht menjëherë këtë. Betohem në Allahun se, po të desha, Allahu më vinte djathtas e majtas male me ar e argjend, por unë s’dua…

Ashtu është, po të donte, ai mund të kalonte një jetë komode. Një ditë kishte ardhur një engjëll e i kishte sjellë të fala nga Zoti: “A do të bëhesh një profet sundimtar apo një profet rob?”

Engjëlli Xhebrail i vjen në ndihmë: “O i Dërguari i Allahut, tregohu i thjeshtë!” Dhe Profeti e bën zgjedhjen: “Dua të jem një profet që një ditë i pangrënë lutet e që një ditë tjetër i ngopur falenderon!”

Profeti rrinte bashkë e hante bukë me shërbëtorët e skllevërit. Një grua që një ditë sheh një pamje të tillë, i thotë me përbuzje: “Je ulur e ha bukë si një skllav!” Kurse Zotëria i Gjithësisë i përgjigjet: “A mund të ketë skllav më të lumtur se unë? Unë jam skllav i Zotit!”

E gjithë jeta e të Dërguarit të Allahut është e mbushur me tabllo vullnetarizmi e sakrifice. Tani për tani, hollësitë po ua lemë mijëra librave që kanë për tematikë jetën e tij të lartë. Po, të gjithë profetët me të në krye kanë jetuar si vullnetarë dhe njerëz të sakrificës dhe nuk kanë kërkuar asgjë nga sendet e kësaj bote apo tjetrës si kundërvlerë të shërbimeve që kanë sjellë. Është për këtë që fjalët e tyre kanë pasur ndikim. Në qoftë kështu, ata që kërkojnë që fjalët e tyre të kenë aftësi ndikimi si të ishin një eliksir, para çdo gjëje tjetër duhet të mësojnë të mos kërkojnë asgjë dhe prej askujt në përgjigje të shërbimit të kryer!

ilmihali

Share this post

scroll to top