VEREJTJET QË I BËN KURANI PROFETIT DHE PRAPASKENA E TYRE: Sjellja ndaj të varfërve

arab-market.jpg

Një tjetër kompliment i veshur me një tis vërejtjeje, është shpallur në lidhje me këtë kërkesë të Kurejshëve. Ata erdhën në praninë e të Dërguarit të Allahut dhe thanë kështu: “Pranë Teje rrinë gjithmonë këta njerëz të varfët e të mjerë e këta skllevër. Ne nuk mund të ulemi në të njëjtin kuvend me ta. Ose cakto një ditë të veçantë për ne, ose largoji ata kur ne vijmë pranë Teje.423 Në lidhje me këtë çështje, zbriti ajeti i mëposhtëm: “Mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar Fytyrën (mirësinë) e Tij! Ti nuk je aspak përgjegjës për ata e as ata nuk janë përgjegjës për ty. Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të jesh keqbërës.” (En’am 6/52). Përveç kësaj edhe në suren Kehf është ky ajet që ka të njëjtin kuptim: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Kehf 18/28). Që ditën e parë që Profeti nisi misionin e Tij të kumtimit, rreth Tij u mblodhën njerëz, të cilët ishin të varfër e të mjerë. Në sistemin heretik të atyre ditëve, varfëria e mjerimi pranoheshin si turp e si mangësi. Po Profeti kishte ardhur me një fe të tillë, e cila e lidhte epërsinë vetëm me forcën e virtytit e me lidhjen me Allahun. (Huxhurat 49/13) . Në atë fe as që bëhet fjalë për epërsinë e të pasurit ndaj të varfrit. Profeti ynë ka urdhëruar se “Parajsa pret me dëshirë katër njerëz”424 Që të katër ata njerëz ishin të varfër. Ammari ishte i varfër, Selmani ishte i varfër, Mikdadi ishte i varfër e i nderuari Ali, gjithashtu i varfër. Gjithkush kërkon me pasion parajsën, parajsa kërkon me pasion këta katër. Sikur mezi i kalon ditët në pritje që ata të vijnë, zemra e të cilëve ishte plot dashuri e respekt për Allahun (xh.xh.), mëngjes e mbrëmje përmendnin Zotin dhe çdo çast të jetës e kalonin sikur ishin në prani të Tij. E si mund të largonte Profeti prej Tij, ata që Allahu i kishte programuar që të ishin afër Tij. Ai Profet që kur Ebu Dherri (r.a.) i ishte drejtuar Bilalit (r.a.): “O bir i zezakes!”, i kishte thënë atij: “Ti ke ende mbeturina injorance”425 duke e qortuar e këshilluar me këto fjalë që nuk vdesin kurrë: “Ata që punojnë nën urdhrin tuaj, janë vëllezërit tuaj. Ushqejini me atë që ushqeheni vetë, vishini me atë që visheni vetë dhe mos i ngarkoni me punë që u vinë të rënda. Nëse i ngarkoni, ndihmojini!”426

Ai Profet, i kishte shtrirë përtokë flatrat e modestisë. Kushdo që donte, hynte e dilte lirshëm në kuvendin e Tij. Edhe në shpirtin e fesë së Tij, këta ishin parimet që spikasnin të parat. A nuk rreshtohen në të njëjtën radhë, në të njëjtën faltore i pasuri e i varfëri, fisniku e skllavi, pronari e shërbyesi, të gjithë besimtarët, për të kryer adhurimet e veta? Si mund të mendohet se ai Profet i Lartë mund të dëbonte njerëzit, vetëm se ata ishin të varfër? A nuk thoshte vetë Ai: “O Zot, më jep një jetë të varfër, më bëj të vdes si i varfër e të ringjallem me të varfërit”427. A mund të mendohet se njeriu që lutet kështu të mund të largojë nga vetja miqtë e tij të varfër? Jo, kurrsesi jo! Profeti nuk përzuri asnjë të varfër, nuk i largoi ata nga kuvendi i vet, bile as që e çoi nëpërmend një gjë të tillë. Megjithatë, ai ishte profet. Ai kërkonte shpëtimin për të gjithë njëlloj dhe përpiqej për të gjithë njëlloj. Sipas një hadithi, ai iu lut Zotit shumë që Omeri të hynte në Islam. Madje, sipas disa transmetuesve, në atë lutje ishte përmendur edhe emri i Ebu Xhehlit, emri i vërtetë i të cilit është Amr bin Hisham.428 Lutja e Tij është kështu : “O Zot, përforcoje këtë fe me Omer bin Hattabin!”429

Ka mundësi që Allahu (xh.xh.) t’ia ketë bërë të ditur Profetit triumfet e Omerit në të ardhmen, ashtu si i ka treguar edhe shumë të vërteta që i përkasin të ardhmes. Profeti ynë, duke e ditur këtë, ishte lutur që ai të hynte në Islam sa më parë. Ose Profeti, me intuitën e Tij të jashtëzakonshme, e kishte lexuar në fytyrën e Omerit se sa i përshtatshëm ishte karakteri i tij, ndaj dhe ishte lutur kështu. Gjithashtu, hyrja në Islam e parisë së Kurejshëve, ishte dëshira më e madhe e të Dërguarit të Allahut. Ai i kishte ftuar ata sa herë, i kishte gostitur e ishte përpjekur të hynte në zemrat e në ndjenjat e tyre. Po çdo herë ajo dëshirë e Tij ishte ndeshur me refuzimin e tyre. Kushedi sa herë kishte fluturuar pëllumbi i fatit mbi kokën e secilit nga Kurejshët, kushedi sa herë ata e kishin humbur këtë fat. Po këtë herë Ai e kishte marrë propozimin për takim nga ana e tyre: “Duam të takohemi me Ty!” i kishin thënë. A thua donin të pranonin ftesën e Tij për Islam? Kjo nuk dihej saktë. Por edhe një mundësi, një përqindje e vogël, i kishte ngjallur shpresat profetit. Ashtu sikur Ai kishte bërë gjithato përpjekje për hyrjen në Islam të Omerit dhe ishte e qartë sa me vend kishin qenë këto përpjekje, edhe hyrja në Islam e këtyre njerëzve do bëhej shkak për zhvillime të mëtejshme në emër të Islamit. Po një gjë dukej sheshit, cilësia e propozimit të tyre ishte në kundërshtim me shpirtin e Islamit. Ndaj dhe Profeti, me mundësi të madhe, ishte dëshpëruar e ishte thyer kur i kishin sjellë një kërkesë të tillë. Sepse ky propozim që po i bëhej Atij, i ishte bërë gjithë profetëve me radhë. Ashtu sikur e kishin refuzuar ata, ashtu do e refuzonte edhe Ai. Po ja që nuk ishte në dorën e Tij të mos mërzitej. Shpëtimi u kishte ardhur në derë, po ata e kishin shtyrë mënjanë, për hatër të një krenarie pa vlerë.430 Ja, kjo humbje e tyre ishte ajo që e dëshpëronte Profetin, ndaj dhe ajeti e ngushëllon Atë, duke i thënë: “Nuk ke përgjegjësi Ti, për shkak të llogarisë së tyre.” Profeti e kishte dhënë vendimin e Tij, nuk do i largonte as të varfrit dhe as skllevërit nga kuvendi i Tij. Po Ai përpiqej të gjente rrugëzgjidhje edhe për shpëtimin e të tjerëve. Vallë, a kishte vepruar si duhej duke vendosur kështu? Ndaj dhe menjëherë zbret ky ajet, duke e qetësuar Atë e duke i bërë të ditur saktësinë e vendimit që kishte marrë, sepse Ai nuk do i përzinte miqtë e Tij dhe ajeti i thoshte: “Mos i përzë të varfrit!”

Një kujtesë e vogël

 

Në këtë pikë dua t’ju tërheq vëmendjen edhe në një çështje tjetër. Në Kur’an ndodhen qindra urdhra që jepen duke iu drejtuar direkt Profetit, bashkë me të edhe besimtarëve të tjerë. Këta urdhra e ndalesa të zbritura, shprehnin njëkohësisht edhe një normë. Këto fjali nuk shprehin kryerjen e të kundërtës së asaj urdhërese. Për shembull në Kur’an Profetit i thuhet: “Fale namazin, agjëro dhe jep zekatin!”. Këto shprehen me fjali urdhërore dhe nuk ka asnjë sens që të interpretohen si fjali që tërheqin vëmendjen e Profetit se ai nuk i ka kryer këto. Si në këtë rast, Kur’ani i drejtohet Profetit duke i thënë: “Mos i përzë të varfrit!”. Po kjo shprehje nuk ka asnjë mundësi të kuptohet “Pse i përzë të varfrit nga kuvendi yt?” dike nxjerrë një përfundim sikur këtu ka njëfarë hije mbi pafajësinë e Profetit. Ndërsa këtu nuk ka as nuancën më të vogël të pohimit se ky urdhër ka zbritur mbi një veprim të Profetit në kundërshtim me atë që i urdhërohet. Ndaj kjo normë ka zbritur si vërtetim i drejtësisë së vendimit të Profetit, duke shpallur kështu edhe zgjuarsinë e intuitën e Tij profetike, edhe virtytin e pafajësisë së Tij. Këta që ne përmendëm, shprehen më qartë në ajetin e sures Kehf. Sepse në këtë ajet, Allahu i drejtohet të Nderuarit të Dy Botëve me këta fjalë: “Bëj durim edhe Ti bashkë me ata që përmendin Zotin ditë e natë.” “Bëj durim” do të thotë vazhdo kështu siç je. Po të kishte njëfarë ndryshimi, sado të vogël, nuk do të bëhej fjalë për durim. Për shembull, një person sillet i duruar ndaj adhurimit, nuk e braktis atë, po vazhdon atë rrugë me aq sa di e mundet. Ose duron në fatkeqësi, ajo e keqe që i ndodh nuk pasohet nga asnjë farë ndryshimi në sjelljen e tij. Ai vazhdon jetën sikur nuk ka ndodhur gjë. Edhe durimi përballë mëkatit shpreh të njëjtin kuptim. Për të mos kryer mëkat, duhet ruajtur gjendja e mëparshme pa mëkate. Ndaj shprehja: “Bëj durim” që i drejtohet Profetit, në të njëjtën kohë do të thotë “vazhdo të qëndrosh mbi pozitën që ndodhesh e mbi vendimet që merr.” Kjo tregon se sjellja e mëparshme e Profetit është një sjellje e aprovuar nga Allahu, sepse durimi nuk shpreh rinovimin e linjës ku ndodhesh, po vijueshmërinë e gjendjes në atë linjë. Në këtë kuptim, këtu ka një vlerësim drejtuar Profetit, një sihariq se vepra e Tij është pëlqyer nga Allahu, si dhe një kompliment të anasjelltë të shprehur këtu. “Mos u sill aspak nga ata që janë dashuruar me jetën e kësaj bote! Sidoqoftë, Ti nuk u afrohesh atyre, sepse kjo do ta ngryste horizontin Tënd. Ti, që je më i Pastër i të Pastërve, pa asnjë njollë në qiellin e Tij!” Ai i tillë është, i tillë jetoi dhe i tillë shkoi pranë Allahut (xh.xh.). Ai ka lindur i virtytshëm dhe ka jetuar një jetë të tillë, që e ka ruajtur të pacënuar virtytin e Tij, deri ditën që ka shkuar nga kjo botë.

423 Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/129

424 Mexhmauz-Zevaid 9/307; Ebu Nuajm, Kilje 1/142; Sujuti el- Fethul Kebir 1/297-298

425 Buhari, Iman, 22; Edeb, 44; Muslim, Iman, 38

426 Buhari, Iman, 22, Itk, 15; Muslim Iman, 40

427 Tirmidhi, Zuhd, 37; Ibn Maxhe, Zuhd, 7

428 Tirmidhi, Menak 618

429  Mustedrek, 3/83

430 Ibn Kethir, el- Bidaje, 3/83; Kenzul Ummal, 14/39-40

ilmihali

Share this post

scroll to top