Vlera që Profeti Muhamed (s.a.s.) u jepte bashkëshorteve të Tij

shutterstock_776264908.jpg

1. Vlera që u jepte bashkëshorteve

Vlera që i pati dhënë i Dërguari i Allahut gruas ishte e një niveli të paparë gjer atëherë dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot. Sikur të ngrihej një natë e të pyeste për shëndetin dhe mirëqenien e ndonjërës nga gratë, ai, do të shkonte edhe te të tjerat për t’i pyetur e respektuar po njëlloj. Nuk vërehej që, në sjelljen ndaj tyre, ai të parapëlqente ndonjërën ndaj të tjerave. Si çdo njeri tjetër, edhe secila nga gratë e pandehte veten si njeriun më të dashur për të Dërguarin e Allahut, gjë që buronte nga mirësia dhe bujaria e tij e madhe. Ndërkaq, ashtu siç asnjë njeri nuk mund t’i sundojë prirjet e zemrës, kjo gjë nuk duhej pritur as prej tij. Prandaj Profeti i kërkonte falje Allahut për prirjet e zemrës që s’i kishte në dorë dhe thoshte kështu: “Mund të ndodhë që, pa i rënë as vetë në të, ta dua njërën më shumë se të tjerat dhe kjo do të ishte padrejtësi. Prandaj, o Zoti im, strehohem në mëshirën tënde nga kjo gjë që s’e kam në dorë!”
O Zot i madh! Ç’delikatesë, kjo, ç’hijeshi! Po ju pyes: a mundët gjer më sot t’i doni djemtë apo vajzat pa bërë dallime mes tyre? Me lejen tuaj, do të përgjigjem unë në vendin tuaj: Jo! Sigurisht, njëqind mijë herë jo! Le “jo”-në, sikur të mundnim t’i fshihnim prirjet tona ndjesore, ne, do ta quanim për vete shenjë karakteri e vullneti të fortë, kurse jo vetëm që këtë s’e bëjmë dot, por, ashtu siç lëvdohet koptiu për trimëritë e tij, e themi me të madhe! Kurse i Dërguari i Allahut pendohej për mundësinë e lindjes së pavullnetshme të një prirjeje të tillë në vetvete dhe i lutej Allahut ta falte!
Kjo delikatesë te ai do të ishte reflektuar me të gjithë anët e veta edhe te shpirtrat e bashkëshorteve që ndarja e tij pati lënë pas një vetmi dhe mall të pambarim. Ndoshta nuk i jepnin fund jetës sepse këtë gjë Islami e ndalonte, mirëpo, pas largimit të të Dërguarit të Allahut, jeta për to qe bërë një klithmë e gjatë, një dhimbje e pashuar!
Në të vërtetë, Profeti sillej me delikatesë dhe respekt ndaj të gjitha grave dhe këtë gjë ua këshillonte edhe të tjerëve. Nga ana tjetër, atë që ua këshillonte të tjerëve, e bënte vetë praktikisht me gratë e veta. Këtë hollësi sjelljeje të tij e shohim kështu te Buhariu. Ngjarjen na e përcjell Sad b. Ebi Vakasi nga Hz. Omeri. Hz. Omeri thotë: “Një ditë, hyra te i Dërguari i Allahut dhe e gjeta duke qeshur. Ai vazhdoi të qeshte edhe pasi unë u ula. I thashë: “Allahu të dhëntë buzëqeshje të përjetshme, o i Dërguari i Allahut! Pse qesh?” Ai m’u përgjigj pa e lënë buzëqeshjen: “Qesh me këto gratë! Ishin ulur e po bisedonin me mua. Sapo ta dëgjuan zërin, u fshehën secila në një qoshe!” U fola me zë të lartë grave që s’i shihja, por që e dija se ishin fshehur aty rrotull dhe më dëgjonin: “O armike të vetvetes! Domethënë keni frikë nga unë e jo nga i Dërguari i Allahut dhe silleni pa respekt pranë tij, apo jo?” Ato m’u përgjigjën: “Ti je i ashpër e i egër!”
Në të vërtetë, Hz. Omeri s’ishte i ashpër, zemërak dhe i egër. Edhe ai mbante qëndrim delikat ndaj grave, por ashtu si njeriu i zakonshëm kur krahasohet me Hz. Jusufin me bukuri të pashoqe, duket i shëmtuar, ashtu dhe Hz. Omeri, kur krahasohej me Profetin në sjelljen e butë dhe delikate ndaj grave, dukej i ashpër, zemërak e i egër. Ky konkluzion relativ buronte nga krahasimi i tij me të Dërguarin e Allahut, mirëpo askush nuk mund të krahasohej me të Dërguarin e Allahut!
Gratë qenë mësuar me butësinë dhe delikatesën e të Dërguarit të Allahut, prandaj sjelljet e Hz. Omerit u dukeshin të ashpra e të egra. Kurse Hz. Omeri ishte ai që në të ardhmen do ta mbante mbi supe pa të metë peshën e zëvendësit të Profetit! Ai do të bënte një jetë të përkorë por tejet të ngjeshur dhe do të bëhej një nga shembujt më të shquar pas profetëve. Në kohën për të cilën po flasim, këtë s’e dinte askush, megjithëse qysh në atë kohë Hz. Omeri qe shquar për karakter të jashtëzakonshëm dhe drejtësi. Erdhi dita dhe personaliteti i tij u shpalos me të gjitha cilësitë dhe ai la pas një emër të pashlyeshëm. Hz. Omeri kërkonte pjekuri në të gjitha qëndrimet e sjelljet si për veten, ashtu dhe për të tjerët dhe bënte përpjekjet më të mëdha për ta parë dhe treguar të drejtën-të drejtë dhe të shtrembrën-të shtrembër!
Te ai kishte një cilësi shpirtërore që do ta sillte në pozitën e kalifatit, zëvendësit profetik. kjo cilësi shpirtërore mund t’u dukej e ashpër të tjerëve. Mirëpo vetëm me një cilësi shpirtërore të tillë do të mund të bëhej i suksesshëm ai kur t’i vinte supet kauzës së madhe që do ta përfaqësonte, dhe u bë!

2. Këshillimi me bashkëshortet

I Dërguari i Allahut ulej e bisedonte me gratë, madje disa çështje i diskutonte me to si shok. Profeti nuk kishte aspak nevojë për idetë dhe mendimet e tyre sepse ai mbështetej nga zbulesa hyjnore. Mirëpo Profeti donte t’i mësonte disa gjëra umetit, bashkësisë së tij. Sa për gratë, ato do të viheshin në një vend shumë të lartë, në kundërshtim me vendin që u ishte dhënë gjer atë ditë dhe, si çdo praktikë tjetër, edhe këtë i Dërguari i Allahut e fillonte nga shtëpia e vet!

… dhe një shembull

Marrëveshja e Hudejbijes u kishte ardhur shumë e rëndë muslimanëve! Pas nënshkrimit të saj, askujt s’i kishte mbetur më as fuqi e as dëshirë për të lëvizur vendit. Në këtë mes, Profeti u tha shokëve të thernin kurbanët që kishin marrë me vete me qëllim për umre, dhe të dilnin nga ihrami. Mirëpo sahabet nuk u ngutën ta zbatonin kërkesën e profetit me shpresën se mos bëhej ndonjë ndryshim në marrëveshje dhe shkonin në Qabe për vizitën e umres ashtu siç e kishin vënë si qëllim në nisje. Profeti e përsëriti kërkesën. Por qëndrimi i shokëve nuk ndryshoi. Kjo s’ishte aspak një opozitë ndaj Profetit. Ata prisnin vetëm një gjë: një ndryshim në urdhër, sepse ishin nisur me tjetër qëllim! Ato që ishin thënë aty, në Hudejbije, mund të mos zbatoheshin, por të rishikoheshin.
Profeti i kuptoi shokët pa fjalë dhe hyri në çadrën e vet. Ai u këshillua me gruan që kishte me vete, Ummu Selemen. Kjo grua me horizont të gjerë e dha mendimin e vet vetëm për hir të këshillës, sepse edhe ajo e dinte se Profeti nuk kishte aspak nevojë për ato gjëra që do t’i thoshte ajo. Me këtë këshillim, Profeti na jepte një mësim me vlerë shoqërore. Në kushte dhe raste të tilla nuk ishte aspak pa vend këshillimi me gruan, pra, duhej bërë një këshillim i tillë.
Ummu Seleme i dha Profetit pak a shumë këtë mendim: “O i Dërguari i Allahut! Mos e përsërit edhe një herë tjetër urdhrin se mos të kundërshtojnë dhe kjo gjë do t’i dëmtonte ata. Dil ti i pari, there kurbanin tënd dhe, pa thënë asnjë fjalë, dil nga ihrami. Me këtë, ata do ta kuptojnë se urdhri yt është i formës së prerë dhe, dashje pa dashje, do të të binden!” Profeti qe i një mendjeje me të. Ai doli jashtë dhe, pa thënë asnjë fjalë, pa komunikuar me asnjeri, filloi t’i therë kurbanet e tij. Atëherë edhe shokët filluan t’i therin kurbanet e vetë e të dilnin nga ihrami. Secili e kishte kuptuar se nga marrëveshja e bërë s’kishte kthim!
Nuk do të bëj dot pa ju pyetur: Cili nga ne ka treguar një konsideratë të tillë ndaj gruas? Sa kryetarë shtetesh ka që këshillohen me gruan e vet në çastet më të vështira? A mund t’i shumëfishojmë pyetjet për t’ua drejtuar të njëjtën pyetje të gjitha uniteteve shoqërore? Le t’u kumbojnë veshët të gjithë atyre me gojën sa një çorape që thonë se Islami e ka robëruar femrën! Cili feminist, vallë, ka arritur në këtë nivel?
Edhe këshilla dhe këshillimi, si çdo punë tjetër e dobishme dhe e bekuar, u praktikua më parë në shtëpinë profetike dhe i Dërguari i Allahut u këshillua me bashkëshortet. Ne ende vijmë rrotull rreth kësaj mendësie dhe nuk e dimë se nga mund të hapet kjo portë enigmatike. Madje, ne nuk e kemi arritur mundësinë për t’i rënë tokmakut të kësaj porte. Sot, edhe në mendimin e atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e femrës, madje, femra nuk ka shpëtuar ende nga të qenit një qenie e dorës së dytë. Kurse ne e shohim femrën si gjysmën e një uniteti, ekzistenca e së cilës është kusht për ekzistencën e gjysmës tjetër të këtij uniteti. Ne besojmë se uniteti njerëzor mund të formohet vetëm nëse bashkohen të dyja pjesët. Aty ku s’është ky unitet, nuk ka as njerëzí. Nuk ka as profetësi, as Islam, as komb.
Ashtu siç paraqitej në qëndrime e sjellje bujar dhe nderues ndaj grave të veta, ashtu dhe me fjalët e tij të ndritshme, Profeti nxiste dhe mbështeste të tjerët të silleshin bujarë e respektues ndaj grave. Në një porosi të tij, Profeti thotë: “Muslimani me besimin më të patëmetë, është ai me moralin më të lartë. (Me anë të moralit të lartë njeriu arrin nivele të tilla, lartësohet në qiej njerëzorë të tillë, që nuk mund t’i arrijë me asnjë lloj adhurimi.) Kurse muslimani me moralin më të lartë është ai që sillet më mirë me gratë!”
Shihet se, nëse në historinë e njerëzimit femra e ka gjetur ndonjëherë atë që ka kërkuar dhe është nderuar ndonjëherë, kjo ka ndodhur në kohën e profetit Muhamed (s.a.s.)!

3. Ngjarja e lejimit të bashkëshorteve për të zgjedhur

Këtu është fjala për lejimin nga ana e Profetit të bashkëshorteve të veta të lira për të jetuar apo jo së bashku me të. Pavarësisht nga burimi, kjo ngjarje ka të bëjë me një urdhër të engjëllit Xhebrail drejtpërdrejt për Profetin. Ajeti kur’anor mbi këtë çështje thotë kështu: “O i Dërguar! Thuaju grave: “Po qe se doni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, ejani t’ju fal dhe t’ju lë të lira me të mirë! Por po qe se doni Allahun, të Dërguarin dhe jetën e ahiretit, dijeni se Allahu ka përgatitur për ato nga ju që sillen mirë, shpërblim të madh!” (Ahzab, 33:28-29)
Ka mundësi që disa nga gratë e Profetit të kenë dëshiruar një jetë më me mirëqenie dhe të kenë thënë: “A s’mund të jetojmë edhe ne, si gjithë muslimanët e tjerë, pak më mirë? Të paktën, të gatuajmë një herë në ditë! Edhe rrobat t’i ndërrojmë pak më shpesh!” etj. Në shikim të parë, meqë kjo dhe kërkesa të ngjashme janë legjitime, mund të duken si mjaft të pafajshme e të drejta. Mirëpo ato ndodheshin në një shtëpi të tillë që do të mbetej shembull për të gjitha foletë familjare gjer në kiamet. Edhe me këtë aspekt, bashkëshortet e Profetit ndodheshin në qendër të vëmendjes. Për rrjedhojë, ato nuk mund të silleshin dhe vepronin si muslimanët e tjerë, sepse ato ishin ndër njerëzit e afërt të Zotit. Gjërat e konsideruara të mira e mirësi për të tjerat, duhet të pranoheshin si mëkat për bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut!
Kur Profeti ndjeu një dëshirë të tillë te disa prej bashkëshorteve, kaloi menjëherë në një korrigjim qëndrimi. Ai u betua se nuk do të takohej me to dhe u tërhoq në ballkonin e shtëpisë. Ngjarja u dëgjua menjëherë. Çdo njeri vrapoi në faltore dhe zuri të qajë, sepse edhe dëshpërimi më i vogël i të Dërguarit të Allahut mjaftonte për t’i bërë muslimanët të qajnë. Të gjithë muslimanët ishin njësuar aq shumë me Profetin, saqë shqetësimi më i vogël në shtëpinë e tij merrej vesh menjëherë dhe muslimanët prisnin me padurim të merrte fund. Kështu ndodhi edhe atë ditë.
Ky korrigjim qëndrimi e sjelljeje nga Profeti quhet edhe “ngjarja i’la”. Veç vlerësimeve të mësipërme për këtë ngjarje, kishte nga ata që e shihnin me sy tjetër. Ndër këta të dytët ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri që kishin vajzat e tyre mes bashkëshorteve të Profetit. Edhe Ebu Bekri dhe Omeri, sapo e mësuan ngjarjen, vrapuan për në faltore.
Ata kërkuan leje për të hyrë te Profeti por nuk iu dha. Atëherë, si gjithë të tjerët, edhe ata filluan të presin në faltore. Herën e tretë të kërkesës morën leje, hynë brenda dhe filluan t’i qëllojnë të bijat me shuplaka. Profeti i ndiqte veprimet e tyre nga larg dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, tha vetëm këto fjalë: “Këto kërkojnë prej meje gjëra që s’janë në dorën time!” Kurse Kur’ani u thoshte atyre: “O gra të të Dërguarit! Ju s’jeni si gratë e tjera!” (Ahzab, 33:32)
Gratë e tjera mund të shpëtonin vetëm duke kryer farzet, kurse ato që i vinin supet kësaj pune në qendër, ato që në mjedisin e tij intim ishin prezantueset intime të shumë të vërtetave, duhet ta sakrifikonin tërë qenien e tyre në mënyrë që në qendër të mos ndihej dobësi. Të qenët bashkëshorte profeti kishte shumë përparësi, por, edhe po aq rreziqe. I Dërguari i Allahut i përgatiste ato për të qenë modele për fenë dhe botën. Ai kujdesej për to që të mos i hanin dhuntitë e botës së përjetshme qysh në këtë botë e të mos pësonin shuplakën e ajetit që thotë: “… ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e kësaj bote…!” (Ahkaf, 46:20) Profeti i ruante ato si dritën e syve! Prandaj, nga disa anë, në shtëpinë bëhej një jetë e vështirë. Ja, pra, si rrjedhojë e kësaj jete ndodhnin hapur ose tërthorazi disa kërkesa të vogla. Ndërkaq, pozita e tyre s’ishte si e të gjithave. Ato kishin disa përgjegjësi si rrjedhojë e pozitës ku ndodheshin. Ato s’mund të qeshnin si të gjitha, s’mund të hanin e pinin si të gjitha! Me të vërtetë, disa njerëz të mëdhenj kanë qeshur vetëm nja dy herë gjatë gjithë jetës, kurse disa të tjerë, gjatë gjithë jetës nuk e kanë mbushur barkun asnjëherë!
Fudajl b. Ijad pothuaj nuk qeshte kurrë. Vetëm një herë e patën parë duke qeshur dhe e patën pyetur të çuditur për shkakun. Dhe ai e pati shpjeguar kështu shkakun e asaj buzëqeshjeje të rrallë: “Sot më njoftuan për vdekjen e tim biri, Aliut. “E paska dashur Allahu” – u gëzova me vete dhe buzëqesha!”
Kur puna qëndron kështu me të mëdhenjtë, sigurisht që Profeti i cili ishte i madhi i të mëdhenjve dhe bashkëshortet e virtytshme të Profetit, të cilat ishin si nënat e të gjithë umetit, do të ishin shumë të ndryshme nga të tjerët!
Denjësia për të qenë bashkë me Profetin në këtë botë dhe në përjetësi nuk është një përfitim që mund të arrihet aq lehtë. Prandaj, siç e thekson ajeti, këto gra të veçanta e të zgjedhura jepnin një provë vullneti. I Dërguari i Allahut i linte të lira ato të zgjidhnin midis shtëpisë së tij të varfër dhe pasurisë e shkëlqimit të kësaj bote. Po qe se do të zgjidhnin pasurinë dhe shkëlqimin e kësaj bote, Profeti do t’u jepte ç’të kërkonin, por pastaj do t’i linte. Por po qe se do të zgjidhnin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do t’u duhej të pranonin standardin e jetesës që kishin bërë gjer atëherë, sepse kjo ishte një nga specifikat e asaj shtëpie. Meqë ajo shtëpi ishte e veçantë, e posaçme, edhe banorët dhe banoret e saj duhet të ishin të veçantë e të posaçëm. I tillë ishte kryetari i asaj familjeje. Atëherë edhe gratë dhe fëmijët duhet të ishin si ai!
Profeti thirri të parën Hz. Aishen dhe i tha: “Dua të bisedoj diçka me ty, por mos u nxito të më japësh përgjigje pa biseduar me prindërit!” Pastaj Profeti i lexoi asaj ajetin që përmendëm në krye të kësaj çështjeje. Përgjigjja e Aishes qe e denjë për vajzën besnike të babait besnik: “O i Dërguari i Allahut! Për këtë çështje do të bisedoj unë me prindërit? Vallahi, unë zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”
Vazhdimin na e tregon Hz. Aishja kështu: “I Dërguari i Allahut bisedoi me të gjitha gratë dhe mori të njëjtën përgjigje prej secilës. Asnjëra prej tyre nuk shfaqi ndonjë mendim tjetër. Ç’të kisha thënë unë, thanë edhe ato!”
Ato thanë të njëjtën gjë sepse të gjitha ishin lidhur dhe bërë një me të Dërguarin e Allahut dhe s’mund të thonin të kundërtën. Po qe se i Dërguari i Allahut do t’u thoshte të agjëronin gjatë gjithë jetës pa prishur në iftar, ato do të pranonin, siç edhe pranuan dhe ashtu pranuan që iftari i këtij agjërimi u bë për to sherbeti i vdekjes së tyre i ofruar nga Azraili!
Mes grave të Profetit kishte nga ato që kishin bërë jetë pallati. E tillë ishte Hz. Safija. Në Hajber ajo humbi të atin dhe të shoqin. Të dy ata kishin qenë zotërinjtë e Hajberit. Safija ndodhej mes robërve të luftës, gjë që e kishte prekur rëndë atë grua krenare. Prandaj dhe, kur e pa të Dërguarin e Allahut, u nxeh shumë me të, aq sa, ndoshta, nuk ishte nxehur me njeri tjetër në botë gjer atëherë. Por zemërimi i saj nuk vazhdoi gjatë. Ndjenjat e saj ndërruan menjëherë… Kështu, pra, në shtëpinë e Profetit kishte edhe gra si Safija, e ardhur nga pallati, e cila pranonte jetën e rëndë të shtëpisë profetike ku nuk mundej as ta mbushte barkun me bukë! Safija bënte të njëjtën jetë si gratë e tjera. Ndërkaq, me personalitetin e tij tejet të veçantë e të shquar, Profeti kishte hyrë në zemrat e tyre në atë mënyrë që bashkëjetesa me të, pavarësisht nga çmimi që duhej të paguanin, përbënte qëllimin e vetëm të të gjitha grave të tij!
Nga prejardhja, Safija ishte çifute. Një ditë, njëra nga gratë ia përplasi syve asaj këtë fakt, duke i thënë: “Moj çifute!” Safija ia tregoi Profetit incidentin dhe i foli për hidhërimin dhe dëshpërimin e saj. Profeti e ngushëlloi dhe qetësoi atë me këto fjalë: “Po qe se të thonë edhe një herë kështu, jepu këtë përgjigje: “Im atë është Haruni, im ungj është Musai, kurse im shoq, siç e dini, Muhamed Mustafai! Po ju, me ç’mund të krenoheni para meje?” Dhe Safija, duke u larguar nga prania e Profetit, e linte pas të gjithë hidhërimin dhe dëshpërimin, sepse burri i saj ishte Muhamed Mustafai! Aty e tutje ajo do të krenohej vazhdimisht me këto fjalë!
Shkurt, cilësia e Profetit si kryetar familjeje e kapërcente nivelin e të mrekullueshmes me sa e pranojmë ne zakonisht. Fakti që ai i administronte kaq gra me kaq lehtësi duke u dashur gjer në fund prej tyre, fakti që ai ishte i dashuri i zemrave, mësuesi i mendjeve dhe edukatori i shpirtrave të tyre, fakti që, pavarësisht nga të gjitha këto, ai nuk bënte asnjë lëshim në detyrën e tij dhe nuk nënvleftësonte asgjë nga punët që kishin të bënin me shtetin dhe popullin, janë argument dhe provë e hapur e profetësisë së tij. Po qe se për profetësinë e tij s’do të kishte asnjë argument tjetër, vija që ndiqte ai si kryetar familjeje do të ishte e mjaftueshme si argument dhe provë e profetësisë së tij!

ilmihali

Share this post

scroll to top