Veçoritë e profetëve 4 – Këshillë e mirë

profeti-muhamed-31.jpg

Duke bërë të njohur dhe përhapur kauzën e tyre, profetët kategorikisht nuk hyjnë në dialektikë. Ata u afrohen njerëzve me urtësi dhe këshillë të mirë. Me të vërtetë, Kur’ani i shprehet kështu Profetit: “Ti thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ta në formën më të pëlqyeshme…” (Nahl: 125). Me fjalë të tjera, kërkon t’i thotë që urtësinë e fshehur në materie dhe të fshehtën e krijimit ta tregojë në mënyrë të butë dhe me një stil bindës. Të përpiqet për t’ua ngopur mendjet dhe zemrat pa ua prekur ndjenjat.

Profetët nuk i kanë pëlqyer aspak demagogjinë, dialektikën dhe stilin filozofik. Në se dje apo sot i janë drejtuar demagogjisë disa kokëtrashë, me këtë rrugë askujt nuk ka qenë e mundur t’i tregohet diçka. Edhe Providenca Hyjnore nuk ka dashur t’i preokupojë profetët me të tilla gjëra boshe. Detyra e tyre ka qenë kumtimi dhe përhapja e çështjeve fetare me urtësi dhe këshillë të mirë.

Njeriu nuk është identitet i vetëm një koke dhe mendjeje; ai ka edhe një zemër, një shpirt, ka enigmën e tij dhe të gjitha këto kërkojnë e presin të kënaqen. Ja, pra, profetët, duke i trajtuar njerëzit në të gjitha këto aspekte e duke u kumtuar mesazhet e tyre profetike, i bindin dhe i kënaqin ata në të gjitha aspektet e individualitetit të tyre. Dhe rezultati i një kumtese të realizuar pa lënë mangët asnjë prej specifikave njerëzore, është afrimi i lëkundjeve te ideja e unitetit e asgjësuar në besimin e bashkëbiseduesit, gjë që është vetë qëllimi i krijimit të njeriut.

Te të përgatiturit në rrethin e mësimit të profetëve del në pah një fakt tjetër. Në praninë e tyre, krahas syve që shohin këtë botë, hapen edhe kapakët e syve të zemrës dhe çështjet e papërceptuara e të panjohura për dikë tjetër, për ta bëhen të qarta më në fund. Sikur e gjithë bota tjetër të fryhet e të derdhet me lëkundje e dyshime, këta njerëz s’bëjnë gjë tjetër veç të kalojnë duke hedhur sytë me një vështrim ironik. Sepse në hojet e intuitës së krijuar në ndërgjegjet e tyre nuk mund të hyjë e të vendoset asnjë mizë dyshimi…

Njëshin që njohin ata, Allahu ua bën një mijë, njohurive u jep bereqet dhe ua mëson ato që s’dinë. Erërat frymëzonjëse që vijnë nga qiejt, i shndërrojnë pothuaj në qiell zemrat e tyre dhe ata, duke i zbatuar shkronjë për shkronjë ato që dinë, gjejnë pegasin që quhet “fjala e bukur” dhe lartësohen lart pa pra.

Madje midis tyre përgatiten të tillë si Hz. Aliu që thotë: “Edhe sikur perdja e së fshehtës të hapet, faktet që shoh nuk do të ndriçohen më shumë!” Me fjalë të tjera, kërkon të thotë se edhe sikur të hiqet perdja e së padukshmes dhe, si rezultat, të shohë çdo gjë që i duhet të shohë, prapëseprapë nuk mendon se do të arrijë një horizont besimi më të largët se ai i sotmi, sepse ajo çka di ai, është e tillë që e vendos atë pikë-risht në fokusin e besimit për të panjohurën. Kjo fjalë në gojën e një njeriu si Hz. Aliu, është një fjalë e thënë në nivelin e “falenderimit për të mirën”. I Dërguari i Allahut e ka shpallur atë, me miratimin e Zotit, si atin e prijësve gjer në Kiamet. E pati sjellë atë në qelizën e tij të lumturisë, e pati martuar me Hz. Fatimenë, me atë lulen e bahçes profetike, dhe nga ajo martesë e lumtur patën ardhur në botë dy bukuri, Hz. Hasani dhe Hz. Hyseni. Në mënyrë të veçantë, të gjithë prijësit dhe majat ndërmjet tyre gjithë prej këtij burimi patën shpërthyer…

Po, ashtu siç qe Hz. Aliu, edhe pothuaj çdo hallkë e zinxhirit të artë të lidhur pas tij qenë bërë heronj përfaqësues të kësaj vetëdijeje.

Kjo vetëdijë zhvillohet tek ata që kanë rrokur enigmën e favorit si rezultat i besimit, të cilët, duke qenë ende në këtë botë, meritojnë komunikimin “…ta hoqëm perden dhe ti tashmë sheh shumë prehtë!” (Kurani, 50/22). Sapo që kjo gjendje e cila në terminologjinë perëndimore quhet “intuitë”, fillon të veprojë në ndërgjegjen e njeriut, bota e jashtme hesht dhe vetveten e mbështjellin tingujt zhurmërues të parandjenjave të brendshme duke kaluar, kështu, në një situatë shpirtërore disaplanëshe, sepse Mbreti i ndjenjave intuitive është ulur në fronin e tyre. E, atëherë, pse duhet kërkuar Ai jashtë?

Ja, pra, Profeti që i lartëson nxënësit e vet në një ndiesi dhe mendim të tillë, në metodë ka marrë për parim gjithmonë këshillën e mirë në kuptimin e plotë e të përgjithshëm të saj, po ashtu edhe ndërtesën e orientimit mbi këtë themel e ka ngritur.

Specifikat për të cilat u përpoqëm të flasim në këtë kapitull, ajeti i mëposhtëm i shpreh me stilin më konçiz e më të mrekullueshëm:

“Ju dërguam një Përfaqësues nga mesi juaj që t’ju lexojë ajetet tona, t’ju pastrojë, t’ju sjellë librin e urtësitë e t’ju mësojë ato që s’i dini.” (Bakara: 151).

Pasi kemi parashtruar dhe ilustruar nisur nga raste të ndryshme ndjeshmërinë dhe metodën e Profetit të të Dy Botëve lidhur me tematikën në fjalë, e shohim të tepërt të shtojmë diçka tjetër. Megjithatë, po qe se do të bënim një përmbledhje me dy-tri fjali, do të mund të thoshim kështu: Ai gjithmonë i fliste bashkëbiseduesit me një mënyrë dhe metodë brenda kuadrit të urtësisë, të pastër nga mangësitë dhe tepritë, të tillë që do t’ia ngopte mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen, në përputh-je me gjendjen dhe nivelin e tij. Për rrjedhojë, në përgjithësi, ata që ndaheshin prej tij pasi e kishin dëgjuar, ndaheshin të tillë që kishin fituar besim e siguri. Në se ka ndodhur që të ketë raste si ai i Velid b. Mugires dhe Utbe b. Rebiait që, megjithëse e kanë pranuar se thëniet e Hz. Muhamedit janë të vërteta, nuk kanë shpëtuar dot nga të qenit robër të krenarisë dhe mendjemadhësisë bashkë me ata që janë bërë kurban i frikës nga e reja dhe, për pasojë, kanë mbetur në herezi, pra, në se ka pasur raste të tilla, këto janë mangësi që u përkasin plotësisht subjekteve në pozitën e receptorit. Disa herë ka pasur edhe raste si poeti Asha që, megjithëse e kanë pranuar çdo gjë, kanë kërkuar kohë për shkak se nuk kanë mundur t’i braktisin veset e tyre; në se këta kanë vdekur para se të hynin në rrugë të drejtë, kjo duhet të shpjegohet me faktin që kaderi dhe kadaja përkatëse e tyre ka hyrë në veprim që më parë. Në asnjërin nga këto raste nuk ekziston ndonjë mangësi dhe e metë që t’i reflektohet të Dërguarit të Allahut dhe nuk mund të ekzistojë, madje!

ilmihali

Share this post

scroll to top