Qëllimi i dërgimit të profetëve bashkohet në të njejtën pikë me qëllimin e krijimit të njeriut. Dhe kjo pikë qëndron në vijën që përcakton pozitën e njeriut si rob i Zotit, për rrjedhojë, adhurimin e Tij nga njeriu.
Allahu urdhëron kështu në Kuran: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar!” (Dharijat: 56).
Kjo do të thotë se qëllimi themelor për të cilin jemi krijuar, është ta njohim Zotin dhe ta kryejmë denjësisht detyrën e robit ndaj tij. Nuk është të hamë e të pimë, të vemë mall e pasuri e të bëhemi pronarë ndërtesash të dimensioneve të kësaj bote. Ç’është e vërteta, këto janë nevojat tona të krijimit, por jo qëllimi i krijimit tonë. Ja, pra, profetët na kanë ardhur për të na treguar këtë rrugë enigmatike. Në Kur’an bëhet fjalë për këtë specifikë: “Nuk pati të dërguar para teje që të mos i kemi reveluar: “Nuk ka zot tjetër përveç Meje, prandaj më adhuroni!” (Enbija: 25).
Edhe në ajetin e mëposhtëm preket e njëjta specifikë duke e lidhur qëllimin e dërgimit të profetëve me urtësinë e largimit dhe ruajtjes nga idhujt si dhe kryerjes së rolit të prijësit të njerëzimit në udhën e adhurimit të Zotit: “Ne i dërguam çdo populli nga një të dërguar me porosinë: “Adhuroni vetëm Allahun dhe largohuni prej djajve!” Allahu i orientoi një pjesë të njerëzve në rrugë të drejtë, por pati edhe prej atyre që u gjykuan me humbje. Udhëtoni, pra, nëpër botë dhe shihni sesi qe fundi i përgënjeshtruesve të së Vërtetës!” (Nahl: 36).
E veçanta e Profetit tonë
Kurse gjendja e Profetit tonë është më e veçantë. I dërguar si mëshirë për të gjitha botët, ai është i ngarkuar me detyrën për të futur në rrugën e adhurimit edhe njerëzit, edhe xhindët. Abdullah b. Mesud e përcjell kështu një ngjarje të jetuar nga ai vetë:
“Shkuam bashkë me Profetin diku. Pasi vizatoi një rreth përreth meje, më tha të mos largohesha prej aty, kurse vetë u largua. Më pas fillova të dëgjoja zhurma. Po shqetësohesha seriozisht se mos i kishte ndodhur ndonjë e keqe të Dërguarit të Allahut, por edhe nuk mund të lëvizja sepse ashtu më kishte porositur. Pas një farë kohe, Profeti u kthye. E pyeta për shkakun e zhurmës: “O i dërguari i Allahut, ç’ishin ato zhurma e ato të goditura?” Dhe ai m’u përgjigj: “Fisi i xhindëve më shprehu besimin dhe më dha fjalën. Pastaj filloi polemika midis tyre. Besimtarët dhe mosbesimtarët u zunë mes tyre. Ajo ishte zhurma që dëgjove ti. Përveç kësaj, m’u lajmërua edhe vdekja.”
Me fjalët e tij të fundit, Profeti donte të thoshte se qëllimi i dërgimit të tij ishte hapja e rrugës së drejtë për xhindët dhe njerëzit. Fakti që atë ditë atij i kishin shprehur besimin dhe bindjen edhe xhindët, do të thoshte se qëndrimi i mëtejshëm i tij në botë s’kishte më kuptim.
Kështu mendonte ai dhe, përmes pohimeve të veta, zbërthente enigmën e synimit e të qëllimit të kumtesës profetike të tij. Në të vërtetë, ai na pati mësuar një lutje neve lidhur me çështjen e zgjedhjes mes kësaj bote dhe jetës së pasosur: “Zoti im, më mbaj gjallë përsa kohë jeta ime të jetë e dobishme për mua. Kur të vijë çasti që vdekja të më jetë më e dobishme, merrma shpirtin duke i dhënë fund jetës sime!”