Atmosfera e përgjithshme edukative e Shtëpisë Profetike

images-3.jpg

Në banesën e lumtur të të Dërguarit të Allahut frynte vazhdimisht një frymë drojtjeje ndaj Allahut. Të gjitha lëvizjet që bëheshin atje, përshkoheshin nga një drojtje e vazhdueshme. Ata që mundnin t’i rroknin shikimet e Profetit, në ato shikime në çdo kohë mundnin të ndjenin, madje të shihnin qartë mahnitjen dhe zilinë për xhenetet ose rrëqethjen prej xhehenemeve. Profeti falte namaz duke u dridhur dhe rrëqethur, duke u tundur sa para, pas, duke u tronditur nga frika e xhehenemit ose duke marrë krahë si pëllumbat me dëshirën e xhenetit; të gjitha këto ishin nga të veçantat e asaj banese dhe gjëra që shiheshin gjithmonë e diheshin. Po, ai që e shihte Profetin, gjithmonë kujtonte Allahun. Imam Nesaiu na përcjell: “Kur i Dërguari i Allahut falte namaz, nga brenda i dëgjohej një gurgullimë sikur ziente diçka!” Ai i drejtohej Allahut gjithmonë me një botë të brendshme që qante e ziente dhe ashtu e falte namazin. Sa herë e kishte gjetur atë Hz. Aishja të drejtuar nga Allahu, me ballin në tokë duke bërë sexhde duke u dridhur e përpëlitur.
Natyrisht që qëndrimi dhe gjendja e tij ndikonte pozitivisht tek njerëzit e shtëpisë dhe u përftonte shumë gjëra atyre në lidhje me edukatën. E njëjta drojtje, e njëjta frikë ishte edhe te gratë dhe fëmijët e këtij mbreti të profetëve, i cili e kishte shumë frikë Allahun, sepse Profeti gjithmonë thoshte atë që ndjente dhe, ato që thoshte, i mbështeste me ndjenjat dhe bëmat e veta. Ndikimin e unitetit të fjalës me bëmën në formën e vet më të qartë dhe me cilësinë e vet më të shquar, vetëm në banesën e tij mund ta shikojmë! Sikur të bashkohen të gjithë pedagogët dhe edukatorët e botës në emër të të gjitha sistemeve të edukimit dhe të përdorin të gjitha njohuritë e tyre, nuk mund të arrijnë atë që është arritur në atë banesë në lidhje me përgatitjen dhe edukimin e njeriut, dhe nuk kanë mundur ta arrijnë!
Gjërat që ka dashur t’i bëjë e t’i tregojë, i Dërguari i Allahut i ka shëmbëllyer dhe shprehur më shumë me qëndrimet dhe sjelljet e tij dhe pastaj u është bërë interpret gjërave të komunikuara me anë të qëndrimeve dhe sjelljeve të veta. I Dërguari i Allahut pati treguar duke vepruar vetë në shtëpinë e tij si duhet ndjerë frikë nga Allahu, si duhet mbajtur qëndrim i thjeshtë e i përulur, se me ç’thellësi duhen bërë sexhdet, si duhet bërë rukuja dhe si duhet qëndruar i përkulur më dysh gjatë ndenjjeve ulur, si duhet qarë natën dhe, pastaj, gjatë bisedave me shokët pati thënë: “Njerëzit duhet të veprojnë kështu e kështu. Fëmijëve të tyre duhet t’u dalin për zot në këtë mënyrë. Ata duhet të bëhen interpretë të tillë të së drejtës dhe së vërtetës, etj., dhe thëniet e tij patën gjetur miratim dhe pranim edhe në banesën e vet, edhe jashtë, dhe qenë reflektuar në zemrat e njerëzve që besonin.
Para së gjithash, ai ishte një baba dhe gjysh i pashembullt e i pashoq. Kjo veçori jetësore që na duket ne shumë e thjeshtë, është, në fakt, për çdo njeri, njëra prej pengesave më të vështira që duhen kapërcyer. I Dërguari i Allahut është babai dhe gjyshi më i dalluar që e ka kapërcyer këtë pengesë në mënyrën më të lehtë. Dhe ai ka rritur dhe përgatitur fëmijë dhe nipër të tillë, pasardhësit e të cilëve janë si diej, si hëna dhe yje të përhapur nëpër të gjithë shekujt në të gjithë horizontin e njeriut. Kjo veçori është një meritim i posaçëm vetëm për të Dërguarin e Allahut. Allahu e ka bërë atë të vetëm e të papërsëritshëm në këtë veçori. I vetmi brez prej miliona individësh, nga i cili nuk ka dalë asnjë renegat, pra, që s’përmban asnjë renegat, është brezi i të Dërguarit të Allahut!
Sa miq të Allahut ka që, megjithëse vetë janë shumë të mëdhenj, përsa u përket fëmijëve që kanë rritur në shtëpitë e veta, janë jashtëzakonisht të varfër. Fëmijët e tyre ose fëmijët e fëmijëve të tyre kanë rrëshqitur në perversitet dhe kanë rënë në rrjetën e djallit. Sot është plotësisht e mundur të jepen qindra shembuj të kësaj. Kurse asnjëri nga fëmijët dhe nipërit e të Dërguarit të Allahut nuk e kanë tradhtuar banesën ku janë rritur si dhe rrënjët ideore të asaj banese. Jo vetëm që nuk e kanë tradhtuar, por në çdo rast e kanë shfaqur këtë lidhje rrënjësore dhe janë bërë modele besnikërie.
Edhe ky fakt është një argument i profetësisë së të Dërguarit të Allahut. Sado gjeni që të jetë njeriu, është krejt e pamundur të bëhet një edukator i tillë!

ilmihali

Share this post

scroll to top