Motra e Shtëpisë së Shenjtë

old-kaba.png

Shtëpia e gjyshit të Hatixhes, Esed ibn Abdul Uza, ndodhej afërsisht 3 metra në anën perëndimore të Qabesë, Shtëpisë së Shenjtë. Kur dielli ngrihej në agim, shtëpia e tij ishte nën hijen e Shtëpisë së Shenjtë dhe kur dielli binte në perëndim, Shtëpia e Shenjtë ishte nën hijen e shtëpisë së tij. Për shkak të kësaj afërsie, kjo shtëpi u quajt si “Motra e Shtëpisë së Shenjtë”.

Në fakt një degë e një peme nga kopshti i kësaj shtëpie shtrihej drejt Shtëpisë së Shenjtë dhe pelegrinët pengoheshin prej saj gjatë tavafit. Omeri, më vonë, e preu pemën dhe dha si kompensim një lopë. Ai gjithashtu gjeti një zgjidhje përfundimtare për problemin duke paguar për truallin dhe duke e përfshirë atë në Haram, Zonën e Shenjtë.

Përpara martesës së saj me Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të, Hatixhja ishte vendosur në lagjen Azhjad, një vend i njohur gjithashtu si “Mali Kështjellë”. Më vonë, ajo do t’ia jepte këtë shtëpi si dhuratë vajzës së saj, Zejnebes, kur ajo u martua me Ebu Asin. Ndërsa Umame, e cila do të bëhej bashkëshortja e Aliut pas vdekjes së Fatimes, do të lindte pikërisht në këtë shtëpi. Pas emigrimit të Ebu Asit në Medinë, kjo shtëpi do të konfiskohej nga kushërinjtë e saj, dhe ashtu si edhe të gjitha pronat e Muhaxhirëve që mbetën në duart e mekasve, trashëgimisë së saj do t’i vinte fundi.

Pas martesës së saj me Profetin, Hatixhja u zhvendos në një shtëpi të cilën ia blenë Hakim ibn Hizamit, shtëpi kjo ku do të lindnin dhe fëmijët e tyre. Pas emigrimit, kjo shtëpi do të shitej nga djali tjetër i Ebu Talibit, Akili, dhe kështu, shtëpia që dëshmoi zbritjen e shumë ajeteve kuranore dhe në të cilën u thirrën në Islam njerëzit për 13 vjet me radhë, ra në duart e të tjerëve. Në të vërtetë, para emigrimit, kjo shtëpi ishte shndërruar në vendin ku të gjithë njerëzit, jo vetëm myslimanët, vinin shpesh për vizitë. Për shembull, disa nga emrat e rëndësishëm të Mekës si, Ebu Xhehli, Ebu Sufjani dhe Aknas ibn Shariku, vinin deri në afërsi të shtëpisë për të dëgjuar Kuran.

Lajmet e mira

Në kohën kur lindi Hatixhja, Hixhazi gjendej në një periudhë injorance me të gjithë kuptimin e fjalës. Megjithatë, ishte akoma e mundur të gjeje trëndafila midis ferrave, njerëz të cilët ishin të paprekur nga ndyrësia e injorancës. Njerëz si Uaraka ibn Neufeli, Ubejdullah ibn Xhahshi, Kus ibn Saida, Aksam ibn Sejfi, Zuhajr ibn Ebi Sulma, Osman ibn Huvajrithi dhe Zejd ibn Amri ishin disa prej këtij komuniteti të vogël. Ata kërkonin të vërtetën duke u përpjekur të ndiqnin themelet e rrugës së Ibrahimit alejhi selam, me shpresën që të tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve në këtë rrugë dhe këto vlera.

Në fakt, shtëpitë e këtyre njerëzve që kishin arritur shkallët më të larta të dijes së vërtetë ekzistuese në atë kohë, u kthyen në qendra ku thirreshin njerëzit, të cilët ashtu si ata, kërkonin të vërtetën. Herë pas here, ata u jepnin këshilla njerëzve dhe ndonjëherë përdornin forcën e poezisë për të shprehur mesazhet e atëhershme.

Shkurtimisht, Hatixhja ishte një nga personat e rrallë që nuk ishte ndikuar nga prishja dhe ndyrësia e Epokës së Injorancës. Ajo, gjithashtu, mbështetej te Uaraka, i cili ishte jo vetëm një i afërm i saj, por edhe një burim i rëndësishëm dijesh që ia zgjidhte të gjitha problemet që ajo kishte.

Ajo kishte jetuar ngahera një jetë të drejtë. Nderi, dinjiteti dhe mirësjellja e saj ishin virtyte të njohura dhe të diskutuara nga të gjithë. Për këtë arsye e quanin atë “Tahira”, që do të thotë “e Dëlirë”, edhe në ato ditë ku virtytet e larta kishin humbur krejtësisht. Midis grave të Kurejshëve, ajo thirrej “Sejjide”, një term që nënkuptonte respekt dhe do të thoshte “grua e lartë”. Ajo njihej gjithashtu si “Xhejjide”, që i referohej mendjes së saj të mprehtë që i kapte aq shpejt ato situata me kuptim mjaft të thellë.

Qabeja, Shtëpia e Shenjtë, ishte një vend i shenjtë shumë kohë përpara Islamit. Pasi riti i pelegrinazhit ishte ndryshuar dhe përdhosur, njerëzit vinin aty dhe bënin tavaf të zhveshur lakuriq. Ndërsa politeizmi përhapej përgjatë gjithë Arabisë, njerëzit i atribuuan asaj Hyjni duke vendosur në të idhuj, ku secili përfaqësonte një fis. Të kishe në zotësi Shtëpinë e Shenjtë dhe të kujdeseshe për nevojat e pelegrinëve që e vizitonin atë, ishte një shkak krenarie në ato ditë, ashtu siç është edhe në ditët tona. Kjo detyrë e rëndësishme kalonte si trashëgimi nga brezi në brez, prandaj kujdestarët e saj ishin shumë të respektuar. Kusaj ibn Kilabi, i cili gjendej në zinxhirin gjenealogjik të Profetit Muhamed dhe njëkohësisht kushëri i brezit të 4-t i Hatixhes. Ai ishte një nga personat e pakët që ishin liderë në këtë detyrë prestigjioze.

Pra, Hatixhja u rrit dhe u edukua në këtë atmosferë, ku tradita e Ibrahimit alejhi selam mbahej akoma gjallë nga diskutimet me natyrë fetare që vazhdoheshin, ku ajo e përvetësoi të gjithë këtë. Në veçanti Uaraka, gjerësisht i respektuar për virtytet e tij, kishte njohuri të thella për besimet e vjetra hebreje dhe të krishtera. Ai jepte lajme për Profetin që do të vinte. Ai e dinte se çdo Profet që kishte ardhur më parë kishte dhënë sihariqe për Profetin e Fundit. Teurati dhe Inxhili gjithashtu e përmendnin atë disa herë.

Në të vërtetë, kjo ardhje e shumëpritur ishte një temë e preferuar, jo vetëm për Uarakan, por edhe për të gjithë Hixhazin dhe gadishullin Arabik. Shumica e arabëve dukej se konkurronin ndërmjet veti, sekush të mund të fliste më shumë për të dhe diskutonin përshkrimet dhe cilësitë e tij sikur të prisnin ardhjen e fëmijës së tyre. Ata flisnin rreth ambientit në të cilin ai do të vinte dhe shenjave që do ta paraprinin atë.

Hatixhja, gjithashtu, kishte dëgjuar lajmet e mira dhe ishte në pritje të ardhjes së këtij Profeti me besim të plotë. Të gjitha këto biseda rreth tij kishin jehuar në veshët e saj dhe ajo e kishte ndjerë praninë gjithnjë e më afër të tij si një ëndërr të pakapshme, ndërsa dëgjonte të tregohej për të çdo aspekt, nga shtatlartësia tek zëri i tij, nga virtytet deri tek fisnikëria.

Dijetarët flisnin rreth profetësive të ardhshme të Profetit të Shumëpritur. Kështu shenjat filluan një nga një të vërtetohen. Kudo mund të ndieje hijen e Profetit të Parathënë. Gjithandej, në atë vend dukej se frynte një erë gjithnjë në rritje e përgatitjes së Festës së Shumëpritur.

ilmihali

Share this post

scroll to top