Ëndërra e Hatixhes (r.a.), udhëzim Hyjnor

enderra.jpg

Ëndrrat janë një burim i rëndësishëm informacioni që i dhurohet profetësisë. Zakonisht ato janë një mënyrë për Shpalljen dhe një nga format e udhëzimit hyjnor. Sipas të nderuarës Aishe, ëndrrat e Profetit Muhamed ishin të qarta si drita e mëngjesit dhe nuk linin nevojë për interpretim.

Mund të thuhet se kjo ishte e njëjtë edhe për të gjithë banorët e shtëpisë së Profetit në përputhje me pozitën dhe shkallën në të cilën gjendeshin. Për t’u dhënë ushqim shpirtëror atyre që do të ishin afër Profetit të ardhshëm, Allahu po i përgatiste ata për ngjarjet që do të vinin. Edhe përpara se rrugët e tyre të takoheshin, Hatixhja kishte parë në ëndërr dhe kishte parë shenja të Profetit me të cilin do të takohej.

Në një rast, ajo pa një dritë të fortë, si Dielli ose Hëna, duke ardhur drejt shtëpisë, që hyri në kraharorin e saj dhe më pas u shpërnda duke ndriçuar mbarë universin.

Ajo u zgjua e frikësuar dhe në gjendje ankthi. Ajo mendoi se kjo duhej të kishte një kuptim, pasi në botë nuk mund të kishte rastësi të tilla. Hatixhja shkoi te mësuesi dhe udhëheqësi i saj shpirtëror, kushëriri Uaraka, për t’i treguar ëndrrën që kishte parë.

Uaraka, në atë kohë një burrë i moshuar, e kuptoi se diçka kishte ndodhur sapo e pa, dhe kur dëgjoi ato që ajo i tregoi, shtangu. Komentet dhe mendimet e tij nuk ishin shumë të ndryshme nga ato çfarë kishte thënë më parë, sepse ai ishte nga ata njerëz të rrallë që shihnin anën metafizike të ngjarjeve. Ai tha me një ngazëllim të madh: “Sihariq për ty, o Hatixhe! Sihariq për ty! Kjo ëndërr pa dyshim është një dhuratë nga mirësitë e Allahut për ty. Së afërmi, Allahu do ta begatojë shtëpinë tënde me dritën e Shpalljes Hyjnore. Sigurisht, Allahu e di më së miri, por unë mendoj se ajo është drita e Profetësisë.”

Megjithëse interpretimi i pëlqeu pa masë, ajo nuk mund të mjaftohej me kaq, donte të dëgjonte më tepër. Kështu që vazhdoi të qëndronte për pak kohë aty. Uaraka, duke parë gjendjen e saj, vendosi të shpaloste parashikimin e tij dhe bëri një pohim të mahnitshëm:

“Profeti i fundit ka ardhur në botë. Ti do të bëhesh familja e tij. Gjatë jetës suaj, atij do t’i zbresë Shpallja Hyjnore dhe feja e tij do të përfshijë të gjithë universin. Ti do të jesh e para që do ta besojë atë. Ky Profet do të jetë nga Kurejshët, nga familja e Hashimit.”

Ky parashikim, kaq i saktë dhe specifik do të bëhej realitet. Uaraka kishte folur pa asnjë dyshim. Ai, jo vetëm ishte i sigurt për ardhjen e Profetit, por ishte po ashtu i sigurt se ai do të martohej me Hatixhen. Nëpërmjet tij, feja e fundit do t’i prezantohej njerëzimit, duke përfshirë të gjithë botën. Ai madje pa se ky Profet do të dilte nga Kurejshët dhe nga dega gjenealogjike e Hashimit. Dukej e qartë si kristali që ndërsa interpretonte ëndrrën, Uaraka perceptoi realitetin e ngjarjeve që do të pasonin një nga një.

Sigurisht, Hatixhja kishte parë shumë ëndrra të tjera si këto. Për më tepër, atë ditë, përveç ëndrrës së saj dhe interpretimit të Uarakas, diku tjetër në Mekë dhe në Hixhaz, do të ndodhnin të tjera ngjarje të pazakonta, siç do ta zbulonte më vonë.

Ishte një mëngjes festiv dhe gratë e Mekës ishin ulur së bashku duke festuar midis tyre. Hatixhja kishte përfunduar tavafin rreth Qabesë dhe po lutej, ndoshta që ëndrra e saj të bëhej realitet. Më pas ajo shkoi dhe u bashkua me gratë e tjera që qëndronin ulur. Papritur u shfaq një burrë të cilin ato nuk e njihnin. Kur iu afrua atyre, ngriti zërin dhe tha: “O gra të Mekës!”

Pa dyshim, të gjitha kthyen kokat andej nga vinte zëri. U bënë kureshtare se çfarë kishte për të thënë ky njeri i huaj. Pse kishte shkuar dhe u kishte folur atyre së pari?

Ndërsa këto pyetje ngriheshin në mendjet e tyre, ai vijoi: “Nuk ka dyshim se një Profet do të dalë nga ky vend. Emri i tij do të jetë Ahmed (një tjetër emër për Profetin i përmendur në Kuran). Kushdo prej jush që do të ketë mundësi të martohet me të, le të thotë “po” pa u menduar dy herë.”

Shumica e grave që e dëgjuan, menduan se ai burrë ishte i çmendur. Prandaj, vazhduan bisedën e tyre duke i thënë “të mos fliste më broçkulla”, ndërsa disa të tjera filluan të hedhin gurë drejt këtij njeriu “të çmendur”.

Por, ajo së cilës këto fjalë i drejtoheshin, Hatixhja, ishte e vetmja që i mori seriozisht. Çdo ditë që kalonte, copat sa vinin e bashkoheshin me njëra tjetrën, në përgatitje të formimit të tablosë së plotë.

Siç mund të shihet, fati kishte përgatitur një rrugë për Hatixhen dhe ajo po ecte në të hap pas hapi me mëshirën hyjnore. Çdo gjë të çonte tek ardhja e tij. Koha që rrugët e tyre të takoheshin po afronte. Ashtu siç Profeti një herë tha: “Njerëzit janë si mineralet ende të pazbuluar. Nëse ata kanë vlerë, kjo do të dalë në pah, duke i dhënë atyre vendin që u takon. Në të njëjtën kohë, shpirtrat e ngjashëm do ta tërheqin njëri tjetrin dhe herët a vonë do të takohen.”

Por, në fakt, nuk ishte nevoja as të mendoheshe për diçka të tillë, sepse gjendej vetëm një grusht njerëzish të ndershëm në atë kohë, kur njerëzimi ishte moralisht i prishur. Kështu që, ajo nuk e pati shumë të vështirë të gjente adresën e duhur. Në Mekën e ditëve të saj, gjendej vetëm një njeri të cilit i përshtateshin të gjitha përshkrimet që ajo kishte dëgjuar dhe ngjashmëria ndërmjet tij dhe të Shumëpriturit ishte e mahnitshme. Cilësia më e rëndësishme në atë komunitet ishte besueshmëria dhe shembulli më i përkryer për këtë mund të gjendej vetëm tek Muhamed Emini, i biri i Abdullahut. Hatixhja filloi të shqyrtonte çdo veprim të tij, të zbulonte gjithçka që mundej rreth jetës së tij.

ilmihali

Share this post

scroll to top