Vlerësimi siç duhet i natës së Kadrit

spirituality-illuminated-majestic-ancient-islamic-architecture-generated-by-ai-scaled.jpg

Nata e Kadrit është një natë, kur Allahu (xhel’le xhelaluhu) do t’u falë njerëzve shpërblime të shumta. E thënë me fjalë të tjera, kjo natë është një prerje e bekuar e kohës kur Mbreti i Pafillimësisë dhe i Përjetësisë do t’u shpërndajë dhurata e shpërblime atyre që i besojnë Atij. Gjatë kësaj nate, pothuajse të gjithë atyre që hyjnë në atë atmosferë Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) u fal secilit nga diçka sipas kuptimit dhe vlerës që ka tek Ai. Poende, atë natë, Allahu vepron me robërit e Tij si Sundues i Gjithësisë; nuk i shikon mëkatarët, skllevërit, lypësit dhe nevojtarët sipas rrënimit shpirtëror apo shprishjes fizike që mund të kenë përjetuar; nuk i vëren, por i trajton ata me mirësi sipas madhështisë së Vet. Për rrjedhojë, i Dërguari i Allahut, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë kështu në lidhje me këtë natë:

“Atij që e vlerëson natën e Kadrit siç duhet, duke besuar te virtyti i saj dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, i falen të gjitha mëkatet e shkuara.”

Kuptimi dhe kapja e orës së bekuar, kur çdo gjë kthehet një me njëmijë, në Qabe, në Arafat, në Muzdelife, në Muuaxhehe, apo gjatë natës së Kadrit dhe në ditën e premte, përbëjnë një rëndësi shumë të madhe për sa i përket kapjes së të gjithë lartësimit dhe shpërblimeve që do të vijnë nga Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu). Prandaj, kur i kupton plotësisht këtë hapësirë dhe kohë, njeriu duhet ta harrojë vetveten tërësisht dhe, për shembull, të lutet me këto fjalë:

“O Zot! Lartësoji edhe njëherë nëpër çdo anë të botës emrin Tënd të Lartë, të drejtën dhe të vërtetën. Na i hap edhe njëherë zemrat, si neve, ashtu edhe mbarë robërve të Tu nëpër botë, ndaj besimit, Islamit, Kuranit dhe shërbimit në besim dhe na mbaj neve të ngarkuar e në krye të kësaj detyre. Përhap mes robërve të Tu në qiell dhe në tokë dashuri dhe pranim për ne. Na bëj neve prej robërve të Tu të sinqertë, të pranuar me sinqeritet, të devotshëm, që kanë frikë të gabojnë ndaj Teje, të përkushtuar në adhurim dhe që meritojnë të jenë pranë me Ty, të kënaqur me Zotin e tyre dhe që Zoti i tyre është i kënaqur me ta, që të duan Ty dhe që duhen pranë Teje, që janë të përshpirtshëm, të thjeshtë dhe që moral kanë moralin e Kuranit. Dërgoju o Zot, salavate pa fund Profetit tonë, Muhamedit (pqmT), dhe paqe të gjithë sahabëve të Tij! Amin! Pafundësisht amin!”

Në një farë kuptimi ky horizont i “Nëse e shoh të shpëtuar besimin e popullit tim, jam i kënaqur edhe ta shoh veten mes flakëve të Ferrit.” – duhet të quhet detyrë nga ana e çdo besimtari. Ky është një horizont, në të cilin njeriu e ka harruar tashmë vuajtjen e vet dhe nuk ndien asgjë tjetër veç vuajtjeve që kanë të tjerët.

Po, sot njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për Allahun dhe për mesazhin e ndritur dhe të bekuar që Allahu ia pati dërguar me dorën e Profetit tonë të Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Prandaj, edhe pse mund të duken të vogla, përpjeket e bëra në këtë drejtim të ngadhënjimit dhe çlirimit të zemrave, ma merr mendja se kanë një rëndësi shumë të madhe pranë Allahut. Dhe të mendosh kështu, të përpiqesh në këtë çështje dhe të përgjërohesh me lutje pas lutjesh, është një sjellje profetike.

Veç kësaj, veçanërisht për këtë natë, ne duhet ta bëjmë sa më shumë këtë lutje që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na e ka mësuar nëpërmjet Aishes së nderuar (radijallahu anha):
“O Zot! Ti je shumë falës, Bujaria është e Jotja, e Ti e do që të falësh. Falmë edhe mua!”

Këtë natë të ndritur deri në të zbardhur dhe gostinë hyjnore të saj e bëjnë të gëzueshme zbritja dhe prania në tokë e engjëjve dhe krijesave shpirtërore, me në krye Xhebrailin (alejhis’selam), i Cili ka sjellë edhe Kuranin Madhështor. Për çdo gërmë të lexuar nga Kurani në këtë natë, jepen tridhjetëmijë shpërblime. E po të njëjtën rritje të shumëfishtë kanë edhe shpërblimet për adhurimet e tjera. Në këtë këndvështrim, për ta vlerësuar drejt natën dhe për ta shtuar përfitimin nga begatia dhe shkëlqimi i asaj kohe, falet namaz, lexohet Kuran dhe përmendet Allahu (xhel’le xhelaluhu) me uirde dhe dhikre nga më të shumtat, thuhen salavate, i lutemi dhe i përgjërohemi të dorëzuar Allahut, si dhe u jepet të varfërve dhe njerëzve të vetmuar sa më shumë sadaka. Me pak fjalë, bëhet çdo përpjekje për t’u vlerësuar sa më shumë kjo natë.

Agjërimi forcon lidhjen me Allahun

profeti-muhamed-30.jpg

Njeriu quhet se ka hyrë në rrugën e kthimit në njeri të përsosur për aq sa ç’është e fortë lidhja që ai ka me Zotin. Nuk mund të hasësh asgjë që të mos jetë e plotësuar në jetën e një besimtari që e ka të fortë lidhjen me Allahun. Ai, njësoj siç thuhet në ajetin kuranor: “Çohen nga shtretërit dhe adhurojnë Zotin me ndjenjat e frikës dhe shpresës.”– ngrihet në njërën prej gjysmave të mbrëmjes, pa i kushtuar rëndësi nëse është e gjatë apo e shkurtër dhe i shqetësuar nga ndëshkimi i ashpër i Allahut, por edhe duke shpresuar te mëshira e Tij, qëndron i gatitur në kijam përpara Allahut. Gjatë Ramazanit, braktis shtratin e ngrohtë në mes të natës, që të mund të bëjë syfyr për hir të Allahut. Dhe vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij, duron të qëndrojë i uritur dhe i etur gjatë gjithë ditës. Dhe kështu, kjo sakrificë bën që mes Allahut dhe atij robi të Tij të krijohet një lidhje shumë e fortë. Në këmbim të kësaj sakrifice, në amshim Allahu do t’i thotë atij: “Hani dhe pini në shëndet të mirë në këmbim të punëve të mira që bëtë në të shkuarën.” Siç thuhet edhe në një hadith kudsi, Allahu nuk të bën që t’i përjetosh bashkë dy frikëra dhe dy siguri. Ata që nuk bëjnë dot lëshim nga rehatia në këtë botë, që nuk durojnë ca pak vështirësi në emër të fesë, që nuk përballen me diçka të vështirë, do të përballet në ahiret me të gjitha këto. Krejt e kundërta do të ndodhë me atë që çohet në mesnatë nga shtrati i tij i ngrohtë, që gjatë gjithë ditës duron vështirësitë e urisë dhe etjes, ai do të jetë i sigurt e nuk do të përballet me vështirësitë dhe mundimet e jetës së përtejme.

Mbajtja e përsinqertë e agjërimit

silhouette-man-doing-prayer-namaz-front-mosque_1302-18379.jpg

Ka edhe një aspekt tjetër të agjërimit, për të cilin duhet treguar një kujdes i jashtëzakonshëm, që është se robi duhet të bëjë çdo përpjekje  që agjërimi i tij të jetë i sinqertë dhe vetëm e vetëm për hir të kënaqësisë së Allahut. Robi duhet të jetë i fiksuar në sinqeritet, kur agjëron; duhet ta konsiderojë agjërimin si një dhuratë e rrallë që ia ka falur Allahu vetë, ndaj nuk duhet të përfshijë në të asgjë tjetër, përpos kënaqësisë së Tij. Për më tepër, ai duhet të jetë gjithmonë i mbërthyer nga mendime të llojit: “Nuk e mbajta dot agjërimin siç duhej, nuk e kreva dot detyrën time ashtu siç duhej dhe nuk e vlerësova dot Ramazanin sa ç’duhej.” Përndryshe, nëse e kap vetëpëlqimi, që ‘unë diçka jam duke e bërë’, si për shembull, ‘unë e mbaj agjërimin kështu, e mbaj ashtu…’, duke u mburrur, shprehur vetëpëlqim dhe mendjemadhësi e vetëpëlqim, e gjithçka që bëhet për t’i bërë të tjerët se adhurimi yt është tejet i thellë është pengesë për sinqeritetin.

Kështu që agjërimi duhet lidhur tërësej vetëm e vetëm me Allahun dhe synimin e arritjes së kënaqësisë së Tij. Dhe, zaten kjo bie ndesh me urtësinë e shpalljes së agjërimit, që njeriu t’ia marrë Allahut agjërimin dhe t’ia atribuojë atë vetes, duke u përpjekur që të nxjerrë një përfitim vetjak prej tij. Sepse Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) thotë:
“Agjërimi mbahet vetëm e vetëm për kënaqësinë Time dhe shpërblimin për të e caktoj, e jap vetëm Unë.”

Mrekullia e ndarjes së hënës

moon-1527501_1280.jpg

Nga ana tjetër, mekasit bënin ç’të ishte e mundur që ta shqetësonin Resulullahun (s.a.s.). Një ditë, të parët e Mekës u mblodhën në kodrën e Minës, dhe po i kërkonin të Dërguarit të Allahut një tjetër mrekulli që t’i besonin. Madje, kësaj here kishin mbërritur deri atje sa edhe e kishin përshkruar vetë mrekullonë që donin të shihnin. Nëse arrinte ta bënte, atëherë do t’i besonin. I Dërguari i Allahut, që, megjithëse e dinte mirë se ata prapë nuk do të besonin, por që njëkohësisht e dëshironte shumë besimin e tyre, filloi të shpresonte me të vërtetë tek fjala e tyre.
– Po, nëse arrin ta ndash hënën në mes, atëherë ne do të të besojmë, – i thanë ata.

Profeti ynë i dashur e ngriti gishtin e Tij tregues në drejtim të hënës, dhe duke treguar hënën filloi ta ulte poshtë. Sakaq ajo që pritej ndodhi, hëna tashmë u nda më dysh. Aq sa njëra pjesë rrinte mbi malin e Ebu Kubejsit, e tjetra mbi majën e malit të Kuajkëanit. Me ta realizuar mrekullinë, i Dërguari i Allahut u kthye nga kurejshët, të cilët ishin kapluar nga një habi e madhe. Si ishte e mundur, që hëna aq e largme, të ndahej në dy pjesë vetëm me një të lëvizur të dorës, e pastaj të kthehej prapë në gjendjen e mëparshme? Mbi të gjitha, ata dhanë edhe fjalën. Që nuk kishin për të besuar, kjo dihej, por nuk dinin si të dilnin nga situata edhe kësaj here. Nga mesi i tyre doli një i atillë, të cilët ishin të shumtë, që ishin të aftë t’ia hidhnin edhe vetë djallit, dhe tha:

– Kjo është veçse një magji e Ibni Ebi Kebshes. Ai ju hodhi hi syve. Pa pyetini njerëzit që kanë qenë duke kaluar andejmi! Nëse e kanë parë edhe ata atë që pamë ne, atëherë Muhamedi thotë të vërtetën. Ama, nëse nuk i ka parë asnjeri, atëherë ta dini se Muhamedi ju ka bërë magji.

Të paktën kjo ishte një rrugëdalje e çastit. Hapën lajm në të katër anët, dhe ia pyetën ngjarjen çdokujt që rastisnin në rrugë. Përgjigja që merrnin nuk ishte aspak ashtu siç e parapëlqenin mekasit. Të gjithë dëshmonin se ishin përballur me një ndodhi të pagjasë. Ishte ndarë hëna më dysh, secila prej syresh rrinte mbi majën e një mali, derisa u kthye sërish në gjendjen e saj të mëparshme. Çdo portë po u mbyllej përpara syve. Ajo që e kishin parë me sytë e tyre, tanimë mohohej edhe pse po u dëshmohej edhe prej të tjerëve. Pas ngelte vetëm një alternativë e mundshme. Të shtrëngoheshin fort pas shpifjeve të mëparshme, duke vazhduar të ishin të flijuarit e inatit të tyre.
– Kjo nuk është asgjë tjetër veç magjisë së Ibni Ebi Kebshes.

Nuk mund të fshihej dielli me shoshë. Ai që mbyllte sytë, vetëm sa i bënte errësirë vetes. Pa kaluar shumë kohë, erdhi prapë Xhebraili fjalëdrejtë, i cili solli ajetet që do të vulosnin të vërtetën e së vërtetës:
– Ora e fundit afroi dhe hëna u nda më dysh. Mirëpo ata idhujtarë edhe po të shohin ndonjë mrekulli, prapë kthejnë shpinën, duke ngulur këmbë se “ajo është veçse një magji”.

scroll to top