Përdorimi i Kënasë dhe i syrmes nga Profeti Muhamed (s.a.s)

profeti-muhamed-60.jpg

PËRDORIMI I KËNASË NGA PROFETI

Kënaja përftohet nga grimcimi i gjetheve të thara të një bime të quajtur lawsonid. Ekziston një lidhje mes vendeve në të cilat përdoret kënaja dhe vendeve ku shfaqen myku. Këto vende të trupit janë: flokët, pjesa mes gishtërinjve, shputa e këmbës, pëllëmba e dorës dhe thonjtë. Kënaja është përdorur shumë kohë më parë në këto pjesë të trupit. Mbështetur në traditë dhe fe, përdorimi i saj njeh në një të kaluar të largët. Përveç shmangies së mykut, kënaja ndihmon dhe në zhdukjen e disa sëmundjeve bakteriale. Tani le të shohim sesi e ka përdorur Profeti ynë atë.

Ebu Rimse thotë: “Dola para Profetit bashkë me djalin tim. Ai më tha:

-Ky është djali yt?

-Po, o i Dërguari i Zotit, është djali im. Dëshmoj se ai është djali im.

-Ti nuk mund të qortohesh për shkak të një faji që ka bërë djali yt dhe djali yt nuk mund të qortohet për shkak të një faji tëndin, – u përgjigj Profeti.

Ebu Rimse transmeton se pas kësaj bisede kishte vënë re se Profeti kishte lyer me këna thinjat në kokë.[1]

Transmetime të tilla na tregojnë se Profeti e ka përdorur kënanë herë pas here për flokët dhe mjekrën. Sepse Ebu Hurejre pyetet:

-A e ka përdorur ndonjëherë kënanë i Dërguari i Zotit?

-Po, – përgjigjet ai.[2]

Fjala e një sahabe që është takuar shpesh me Profetin është shumë e rëndësishme. Ka shumë transmetime që dëshmojnë për përdorimin e kënasë nga Profeti paqja qoftë mbi të![3]

Profeti e ka miratuar sahaben që ka përdorur këna. Ndonjëherë nuk pëlqehej përdorimi i kënasë nga ana e grave. Nënës tonë, Aishes (r.a.), i erdhi një grua. E pyeti rreth përdorimit të kënasë nga një grua. Ajo iu përgjigj: “Nuk ka problem, por i dashuri im nuk e pëlqente shumë për shkak të erës jo të mirë.”[4] Kjo mund të jetë një lloj tjetër kënaje. Sepse kemi dhe një hadith tjetër në lidhje me lyerjen e duarve të grave me këna. Hz. Aishja transmeton: “Një ditë, pranë Profetit erdhi Utbe binti Hind. Gruaja ia shtriu dorën Profetit duke i thënë:

“O i Dërguari i Zotit! Pranoje besën time!”

“Ku ta kuptoj unë se çfarë je ti, burrë apo grua? Nuk do ta marr besën tënde pa ndryshuar duart, thonjtë (pa i lyer ma këna)”, iu përgjigj Ai.[5] Në një transmetim tjetër thuhet: “Po të kishe dorë gruaje, do t’i kishe ndryshe thonjtë, të lyer me këna.”[6]

 

PËRDORIMI I SYRMES

Syrme është një material që përmban zink. Këshillat e Profetit në lidhje me përdorimin e syrmes mbartin rëndësi të veçantë pasi njihen mirë dobitë e syrmes. Në një hadith të transmetuar nga Ibn Abasi, Profeti ka thënë: “Përdoreni për sytë tuaj syrmen e quajtur ismid. Forcon shikimin dhe ushqen qerpikët.”[7] Ismid që përmendet në hadith është një lloj guri pothuajse në të kuqe që gjendet me shumicë në zonën e Hixhazit. Ndërsa në Isfahan ndodhet i vërteti. Madje Profeti e përdorte syrmen para se të flinte, lyente me të nga tre herë syrin e djathë dhe të majtë.[8]


[1] Ebu Davud, 2/ 575; Ahmed b. Hanbel, 2/226.
[2] Muvatta, 3/430.
[3] Buhariu, 3/1303; Muslimi, 4/1821; Ahmed b. Hanbel, 3/108, 178, 206.
[4] Ebu Davud, 2/275.
[5] Ebu Davud, 2/275
[6] Ebu Davud, 2/275.
[7] Ahmed b. Hanbel, 3/476, 499; Tajalisi, Musned, 1/349.
[8] Tirmidhiu, 4/388; Ibn Maxhe, 2/1157; Ahmed b. Hanbel, 1/354.

Flokët e bekuar të Profetit Muhamed (s.a.s)

profeti-muhamed-59.jpg

Profetit tonë të zgjedhur paqja qoftë mbi të!, nuk i pëlqente zbukurimi dhe dalja mes njerëzve i zbukuruar. Madje dhe kur krihte flokët e bekuar, këshillonte që të zgjidhej vendi.[1]

Zotëria i gjithësisë ka qenë gjithnjë në kundërshtim me mushrikët dhe i ka urdhëruar myslimanët që të mos u ngjasojnë atyre për nga pamja e jashtme, flokët apo mjekra. Në transmetimet në lidhje me flokët e profetit, gjatësisë apo formës së tyre, shihet mirë shembulli i fërkimit me mushrikët. “Silluni në mënyrën e kundërt me mushrikët. Shkurtojini mustaqet dhe zgjatini mjekrat.”[2] Ibn Abasi transmeton një hadith në lidhje me këtë temë: “Më përpara Profeti i linte flokët mbi ballë. Kurse mushrikët i lëshonin duke i ndarë djathtas dhe majtas. Pavarësisht se nuk ishte urdhëruar për këtë, atij i pëlqente të vepronte si të krishterët dhe hebrenjtë (ehli kitab). Ndërsa më vonë ka pasur raste kur flokët i ka krehur dhe ndarë në mes.”[3]

Ndryshimet ndërmjet haditheve për këtë temë tregojnë se Profeti i ka krehur dhe prerë flokët në forma të ndryshme sipas kohës dhe nevojave që ka pasur.

Në një hadith të Hz. Enesit (r.a.) thuhet: “Flokët e bekuara të Profetit tonë, rrezatim i bukurisë, zgjateshin deri tek bulat e veshit.”[4]

Ndërsa një transmetim i Hz. Aishes (r.a.) është: “Unë dhe i Dërguari i Zotit merrnim gusul nga një enë. Flokët e tij të bekuar, pavarësisht se nuk vinin deri në supe, i shtriheshin deri tek bulat e veshëve. I zgjateshin deri tek gusha.”[5]

Ndërsa motra e Hz. Aliut, Umu Hani, transmeton se kur Profeti erdhi në Mekë, në flokët e tij kishte katër rrica.

 

KREHJA E FLOKËVE TË PROFETIT

Profeti ynë, më i përsosuri ndër njerëz, tregonte kujdes në mbajtjen e flokëve. Madje në lidhje me mirëmbajtjen e flokëve në një hadith thotë: ”Kujt i ka dhënë Zoti flokë dhe kush ka flokë, le të kujdeset për ta sikur kujdeset dhe qeras mysafirin.”[6]

Besimtari përpiqet t’i përngjasojë Profetit në çdo aspekt. Prandaj është shumë e rëndësishme për të mënyra sesi Profeti ka krehur flokët dhe mjekrën. Nëna e besimtarëve, Aishja (r.a.) thotë: “Unë i krihja flokët e bekuar të Profetit edhe gjatë kohës së menstruacioneve.”[7] Njeriu mund t’ia krehë flokët e ndonjë familjari qoftë me abdes apo pa abdest. Madje Profeti ynë i ka lyer flokët edhe me vaj ulliri. Aq shumë i lyente, saqë rrobat e Profetit dukeshin si rrobat e ndonjë punëtori që punonte me vaj.[8]

 

THINJAT NË KOKËN DHE MJEKRËN E BEKUAR TË PROFETIT

Katade (r.a.) një ditë e pyet shërbëtorin e të Dërguarit të Zotit, se a kishte përdorur Profeti këna për flokët, apo për mjekrën. Hazreti Enes (r.a.) i përgjigjet:

-Profeti ynë nuk ka përdorur asnjëherë këna për flokët, apo për mjekrën. Sepse nuk kishte ndonjë thinjë që të lyhej me këna. Kishte vetëm disa fije floku të zbardhura dhe ca të tjera në fund të mjekrës.

Sipas një transmetimi te Buhariu, Profeti kishte pak thinja në mjekër dhe sipër mjekrës dhe pak në majë të kokës. Në një transmetim tjetër të Hz. Enesit (r.a.): “I numërova thinjat e bekuara në kokën e Profetit. Kishte vetëm 14 fije. Madje një herë Ebu Bekri (r.a.) i ka thënë Profetit:

-O i Dërguari i Zotit! Filluan të shfaqen shenjat e pleqërisë, keni filluar të thinjeni në kokë dhe në mjekër.

-Më ka thinjur surja Hud, surja Vakia, Surja Velmurselat, surja Amme dhe surja idhesh shemsu kuvvirat (tekvir), – i është përgjigjur Profeti.

Përse vallë e kanë thinjur Profetin këto sure? Sepse në këto sure flitet rreth kiametit.

Ebu Rimse et Tejmi thotë: Shkova tek Profeti. Kisha marrë me vete edhe djalin. Djali më tha:

-Mua më është treguar i Dërguari i Zotit. Kur pashë atë dritë vezulluese, Profetin tonë, thashë:

-Ky njeri është i Dërguari i Zotit dhe Profet i drejtë.

Ajo bukuri e përsosur, madhështi dhe ngrohtësi, ishin argumente të qarta që Ai ishte i Dërguari i Zotit. Nuk kishte nevojë as për realizimin e ndonjë mrekullie. Ishte veshur në ngjyrë të gjelbër dhe veshja e tij përbëhej nga dy pjesë. Mjekra sapo i kishte filluar t’i zbardhej. Ato fije akoma nuk ishin zbardhur krejt, ishin si të kuqërreme.


[1] Ebu Davud, 2/474.
[2] Buhariu, 5/2209; Muslimi, 1/ 222.
[3] Ebu Davud, 2/482; Tirmidhiu, 4/246.
[4] Buhariu, 5/2211; Ebu Davud, 2/281.
[5] Tirmidhiu, 4/233.
[6] Ebu Davud, 2/475].
[7] Muvatta, 1/60; Buhariu, 1/114; Muslimi, 1/244; Ibn Maxhe, 1/160.
[8] Tirmidhiu, Shemail, 30; Tebrizi, Mishkatul- Mesabih, 2/508.

Përdorimi i aromës së mirë nga Profeti Muhamed (s.a.s.)

profeti-muhamed-58.jpg

Përdorimi i aromave të mira është një element pastërtie për njerëzit që jetojnë në shoqëri. Profeti ynë është pajisur me veçori që nuk gjenden tek asnjë nga profetët e tjerë. Kjo nuk është vetëm pastërti e urdhëruar nga legjislacioni islam, por është natyrale dhe duhet të jetë e tillë kur jetohet në shoqëri. Profeti ynë u mëson besimtarëve me sjelljet dhe veprat e tij se si duhet të jetojë një mysliman në shoqëri. Ai thotë: “Feja qëndron mbi pastërtinë”.[1]

Imam Kastalani thotë: “Profeti ynë edhe po të mos përdorte ndonjë aromë të mirë, mbajtja e erës së mirë ishte një nga veçoritë e profetësisë së Tij.” Madje shërbëtori i të Dërguarit të Zotit, Enesi (r.a.), transmeton: “Nuk kam ndjerë erë më të mirë, se era e Profetit tonë.”[2] Në një transmetim të Bejhakiut, Darimiut, Ebu Nuajm Xhabiri bin Abdillah, thuhet: “Kur Zotëria i Gjithësisë kalonte pranë një mjedisi, atëherë ai mjedis mbante aromë shumë të mirë. Madje edhe ata që s’e kishin parë Profetin duke kaluar aty, mund të pohonin se kishte kaluar vetëm nga nuhatja e aromës së Tij.”

Në një transmetim të Taberanit, gruaja e Utbe ibn Ferkadit, Umu Asim, thotë: “Ne gratë e martuara me Utben përdornim shumë erëra të mira. Madje përdornim aq shumë, sa dukej sikur kishim hyrë në garë me njëra-tjetrën. Ndërsa burri ynë nuk përdorte asnjë lloj ere. Por mbante erë aq të mirë, saqë as ne që përdornim gjithë ato erëra, nuk i afroheshim erës së tij. Një ditë e pyeta burrin tim. Dhe ai ma shpjegoi:

“Një ditë kam qenë shumë i sëmurë. Profeti ynë më fërkoi barkun dhe shpinën me pështymën e Tij të bekuar duke mbuluar vendet e turpshme. Me ndihmën e Zotit u shërova. Dhe kjo erë e mirë më mbeti përgjithnjë.”[3]

Përsëri Taberani transmeton nga Ebu Hurejre: “Njëri nga sahabet erdhi tek Profeti dhe i tha: O i Dërguari i Zotit! Dua të martoj vajzën. Më ndihmo në përgatitjen e pajës së saj. Profeti iu përgjigj:

Tani nuk kam asgjë, nesër merr një shishe me grykë të gjerë dhe një copë dru dhe hajde. Të nesërmen, ky person erdhi te Profeti. Në dorë mbante një shishe me grykë të gjerë dhe një copë dru. Profeti ynë e fërkoi parakrahun e Tij të bekuar me copën e drurit dhe djersën e nxjerrë e futi në shishe. Pastaj i tha:

-Thuaji vajzës ta përdorë për erë të mirë. Që atëherë, kur ajo grua lyhej me atë aromë, i gjithë populli i Medinës e ndiente. Madje shtëpinë e saj e quanin ‘Bejtul Metibin’.[4]

Enesi transmeton: “Një ditë Profeti na nderoi me ardhjen e tij. Ndërkohë ai nisi të djersijë. Nëna ime mblodhi ato pika djerse të bekuara brenda një shisheje. Kur Profeti e pa se ç’po bënte, e pyeti:

-Çfarë po bën Umu Sulejm?

-Do ta përdor si aromë, o i Dërguari i Zotit, – iu gjegj ime më. Pas kësaj Profeti i tha:

-Po, nuk ka erë më të mirë se ajo.[5]

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! e pëlqente shumë erën e mirë. Përdorte një erë të veçantë të quajtur ’sukke’.[6] Ishte një erë e nxjerrë nga misku. Ai e përdorte gjithmonë. Ndonjëherë e vendoste në temjan dhe e përdorte për tymosje. Sumame ibn Abdilah transmeton se sipas Enesit (r.a.), Ai nuk i sprapste erërat e mira që i dhuroheshin. Enesi thotë: “Profeti ynë nuk e kthente erën e mirë që i dhurohej.”[7] Kemi dhe një hadith tjetër nga Ibn Omeri: “Ka tri gjëra, të cilat nëse të ofrohen, nuk refuzohen: Jastëk, aromë e mirë dhe qumësht.”[8] Me jastëk nënkuptohet jastëku që i jepet dikujt për t’u mbështetur apo dikujt që do të flejë. Nga Xhelaledin Sujuti na transmetohen këto fjalë:

Sunet është konsideruar mosrefuzimi i shtatë gjërave: Këpucë, erë e mirë, ëmbëlsirë, perlë, jastëk, mjete për pastrim, një shishe me erë të mirë, një lloj bari me erë të mirë.”[9]

Ebu Hurejre transmeton në një hadith se Profeti ynë ka thënë: “Aroma që përdorin burrat duhet të jetë e tillë që të përhapet, por mos t’i shihet ngjyra. Ndërsa tek gratë nuk duhet të përhapet aromë, përveç të afërmve, dhe ngjyra duhet të shihet.”[10] Sepse gruaja duhet të përdorë erë të mirë vetëm afër atyre njerëzve ndaj të cilëve e ka të lejuar ose afër grave të tjera. Ajo që do të theksojë këtu Profeti është mospërdorimi i tyre jashtë shtëpisë.

Disa nga imamët selefi salihin radhisin disa nga vendet në të cilat burrat mund të përdorin erë të mirë si p.sh.: në tubime, ditën e xhuma, ditën e Bajramit, kur hyjnë në ihram, në mbledhje, kur lexojnë Kuran, kur japin mësim, kur kryejnë adhurimet. Ndërsa gratë mund të përdorin erë të mirë për burrat dhe për familjen e tyre.

Le të japim dhe një transmetim të fundit rreth kësaj teme. Osman bin Nehdi transmeton këto fjalë të Profetit tonë: “Nëse ndonjërit prej jush i dhurohet një bimë me erë të mirë, le të mos e sprapsë. Sepse ajo ka dalë nga xheneti.” Sigurisht që elementi që përdoret në hadith nuk është në kuptimin e të njëjtës erë. Erërat e mira dhe të lejuara të cilat i përdorim dhe i nuhasim në jetën tonë të përditshme janë një model i erërave të vërteta të xhenetit.

Profeti ishte shumë i kujdesshëm përsa i përket pastërtisë. Edhe Zoti i Madhëruar nuk e vendosi në pozitë të vështirë të Dërguarin e tij para njerëzve të tjerë. Një ditë, nëna jonë Aishe (r.a.), iu drejtua Profetit:

-O i Dërguari i Zotit! Ne nuk shohim asgjë pasi ju kryeni nevojat tuaja personale.

-O Aishe! A nuk e di ti? Toka thith nevojën e profetëve. Prandaj nuk shihet asgjë, – i përgjigjet Profeti.[11]

Hz. Ali (r.a.) ishte i pranishëm pas vdekjes së Profetit në larjen dhe mbështjelljen me qefin. Ai thotë: “Unë isha një nga larësit e të Dërguarit të Zotit. Pashë shenjat që kishte lënë vdekja mbi trupin e tij të bekuar. Nuk pashë asnjë ndryshim. I thashë: “O i Dërguari i Zotit! Jeni i këndshëm si i gjallë, ashtu dhe i vdekur! Ishin përhapur aq erëra të mira, saqë asnjëherë më parë nuk kisha ndjerë një të tillë.”[12]


[1] Imam Gazali thekson në librin Ihja se nuk e ka gjetur këtë hadith. Taberani transmeton në Evsat hadithin: “Islami është pastërti. Pastrohuni. Në xhennet do hyjnë të pastrit.” Keshful- Hafa, 1/ 340.
[2] Muslimi 4/1484; Ahmed b. Hanbel, 3/200.
[3] Taberani, Muxhemul- Kebir, 17/ 133, 134; Taberani, Mu’xhemus-Sagir, 1/77.
[4] Taberani, Muxhemul- Evsat, 3/190; Hejsemi, Mexhmeu’z-Zevaid, 8/503; Ibn Haxher, Fet’h-ul Bari, 6/573.
[5] Buhariu, 5/2316; Muslimi, 4/1815; Nesai, 8/218; Ahmed b.Hanbel, 3/226.
[6] Ebu Davud, 2/475.
[7] Buhariu 27/912, 5/2216; Tirmidhiu, 5/108; Amedn b. Hanbel, 3/133, 261.
[8] Hejsemi, Mexhmeu’z-Zevaid, 5/54; Keshful- Hafa, 2/1528.
[9] Keshful-Hafa, 2/1528.
[10] Ebu Davud, 1/659; Tirmidhiu, 5/107; Nesai, 8/151; Ahemd b. Hanbel, 2/540.
[11] Kadi Ijaz, Shifa, 49.
[12] Kadi Ijaz, 50; Kasani, Bedaiu’s-Sanai, 2/24.

Delikatesa e Profetit Muhamed (s.a.s) në veshje dhe ngjyrat që pëlqente Ai

profeti-muhamed-57-2.jpg

Profetit nuk i pëlqente luksi dhe demonstrimi. Por, nganjëherë, Ai vishte edhe veshje të bukura dhe të shtrenjta. Kur Abdullah ibn Abasi shkoi si përfaqësues në Harurije, ishte veshur me një nga stofrat më të çmuar të Jemenit. Harurije i ishte drejtuar atij:

– Ç’është kjo veshje, o ibn Abas?

-Nuk të pëlqen veshja ime? Unë e kam parë Profetin me veshjet më të bukura, – i përgjigjet Ibn Abasi.[1]

Disa udhëheqës shteti dhe zotërinj i kanë dërguar Profetit veshje shumë të çmuara si dhuratë. Profeti, paqja qoftë mbi të!, i ka pranuar dhe ndonjëherë edhe i ka veshur.

 

NGJYRAT QË I PELQENIN DHE NUK I PËLQENIN PROFETIT

Mes ngjyrave pëlqente shumë ngjyrën e verdhë. Siç e dimë edhe nga hadithet, nganjëherë i ngjyroste të gjitha rrobat, përfshi dhe çallmën në të verdhë.[2] Pëlqente shumë dhe ngjyrën e bardhë. Rreth kësaj ngjyre ka thënë: “Ngjyra e bardhë është më e bukura mes ngjyrave.”[3]

Nuk e pëlqente shumë veshjen me ngjyrë të kuqe të theksuar. Njëherë, kur Abdullah ibn Omeri (r.a.) shkoi te Profeti i veshur me të kuqe, Ai tha:

-Ç’është kjo veshje?

Abdullahu (r.a.) u largua dhe e dogji veshjen në zjarr. Kur Profeti dëgjoi për këtë, i tha:

-Nuk ishte e nevojshme ta digjte, mund t’ia jepte ndonjërës prej grave të familjes.[4]

Në Arabi ka dhe një ngjyrë të kuqe të quajtur ‘megarra’. Më parë me të ngjyrosnin stofrat. Kjo ngjyrë nuk i pëlqente aspak Profetit, paqja qoftë mbi të!. Një herë, Hz. Zejneb po ngjyroste me të një stof. Kur i Dërguari i Zotit shkoi në shtëpi dhe e pa, u largua prej aty. Zejneb (r.a.) e kuptoi dhe e lau copën për t’i hequr ngjyrën. Kur Profeti, paqja qoftë mbi të! u kthye në shtëpi dhe nuk e pa më atë ngjyrë, hyri brenda.[5]

Një ditë, kur erdhi një person i veshur me të kuqe, i Dërguari i Zotit nuk ia ktheu selamin. Përsëri një ditë kur shokët e Profetit kishin vënë qilima të kuq mbi shpinat e deveve, i Dërguari i Zotit i tha: “Nuk dua që kjo ngjyrë të vlerësohet nga ju.” Sahabet vrapuan menjëherë dhe i hoqën qilimat.[6]


[1] Taberani, Muxhemul- Kebir, 10/ 257.
[2] Ebu Davud, 2/449; Tebrizi, Mishkatul- Mesabih,2/515.
[3] Ebu Davud, 2/401, 449; Nesai, 4/34; Ahmed b. Hanbel, 1/ 247, 328, 363, 5/10.
[4] Ebu Davud, 2/450; Bezzar, Musned, 6/ 373.
[5] Ebu Davud, 2/451; Taberani, Muxhemul-Kebir, 24/57
[6] Për më shumë hollësi mund të shihni pjesën ‘Libas’ në Sunenin e Ebu Davudit.

scroll to top