Ndodhia e hapjes së kraharorit të Profetit Muhamed (s.a.s)

profeti-muhamed-52.jpg

Që nga koha e rimarrjes së Halimes kishte kaluar një kohë e konsiderueshme. Mbreti i Njerëzimit luante vazhdimisht me vëllezërit e tij të qumështit dhe me fëmijët e tjerë të bijve të Sa’dit; venin e vinin vazhdimisht për të kullotur shelegët e vegjël. Prapë, një ditë prej ditësh, teksa po luanin në pjesën e pasme të shtëpisë me qengjat, vëllai i tij i qumështit, Abdullahu, erdhi me vrap për te nëna e tij Halimja.

  • Vëllai nga Kurejshi, nënë! Atë e morën dy burra të veshur në të bardha, e shtrinë përdhe dhe i hapën kraharorin; mandej, e mbyllën me ngadalë,[1] – i thoshte ai nxitimthi nënës së tij. Ardhësit, nuk ishin tjetër pos engjëj, ku njëri ishte Xhebraili. Ata kishin ardhur për të pastruar zemrën e Të Dërguarit të Allahut me ujin e zemzemit, e cila do t’i mbartte mesazhin hyjnor në mbarë njerëzimin.

Nënën dhe babain i kishte kapluar një shqetësim i rëndë. E mbajtën menjëherë frymën atje ku po i tregonte i biri. Me të vërtetë, Muhamedi i vogël, po i priste në këmbë i zverdhur në fytyrë. Harithit dhe Halimes i kishte ardhur zemra në gojë. E morën dhe e përqafuan me dashuri, fillimisht mëndesha e tij, Halimja, e më pas edhe Harithi.

  • Ç’të ndodhi kështu ty o biri ynë, – i thanë ata njëzëri.
  • Erdhën dy burra të veshur në të bardha. Në duart e njërit ishte një enë e larë prej floriri, e mbushur me akull të bardhë. Ata më morën dhe më shtrinë në tokë. Më hapën gjoksin duke ma ndanë në dy pjesë. Prej andej nxorën diçka të zezë dhe e hodhën në tokë, duke ma larë zemrën derisa filloi të ndriçonte. Më pas njëri prej tyre i tha tjetrit:
  • “Peshoje këtë njeri tani me dhjetë njerëz nga ymeti i tij.” Më peshuan me dhjetë njerëz, dhe unë isha më i rëndë. Më pas i tha që të më peshonte me njëqind, dhe pasi më peshuan, panë se unë isha sërish më i rëndë. Më pasi ai iu drejtua sërish, duke i thënë: “Tanimë peshoje me njëmijë prej tyre.” Ata më peshuan, dhe unë erdha prapë më i rëndë. Mandej, ai i tha se edhe sikur të më peshonin karshi gjithë ymetit, unë prapëseprapë do të isha më i rëndë.[2]

Burrë e grua ata u shqetësuan sa nuk dinin se si ta shpjegonin ndodhinë me të cilën u përballën. Me t’u kthyer në shtëpi, Harithi i tha së shoqes:

  • Halime! Kam frikë se mos i ndodh ndonjë gjë e keqe këtij fëmije. Si thua, sikur ta shpjemë shëndoshë e mirë e t’ia dorëzojmë familjes së tij.

Edhe Halimja ishte e një mendjeje. Po, ishte e vërtetë që kishin përfituar aq shumë begati nga prania e tij, mirëpo tani ngjarjet kishin marrë një rrjedhë që… Disa “të panjohur” kishin filluar të përkujdeseshin për të. Ishte plotësisht e pamundur ta merrje me mend se deri ku mund të shkonte kjo çështje. Prandaj, më e mira e të mirave ishte që ta dorëzonin shëndoshë e mirë prej nga e kishin marrë.

Duke pasur të njëjtin mendim, u nisën për ta kthyer Muhamedin e vogël pranë nënës së tij. Kur mbërritën dhe trokitën në portën e Aminës, ajo u doli menjëherë përpara duke u thënë:

  • Ç’e mirë të të ketë prurë deri këtu o Halime? – e pyeti ajo Halimen. – A nuk ishe ti ajo që ngulte këmbë që ta merrte sërish me vete djalin e vogël. Halimja nuk rrinte dot pa ia treguar shkakun e mistershëm për të cilin e kishin prurë mbrapsht fëmijën e vogël.
  • Është e vërtetë, nga ky fëmijë ne përftuam aq shumë mirësi, dhe unë u përpoqa vazhdimisht që t’i kryeja të gjitha detyrimet e mia ndaj tij. Mirëpo, unë kam shumë frikë për të. Meqë mendova se edhe ti do të kënaqeshe së tepërmi, vendosa që ta ktheja në shtëpinë e tij. Mirëpo, këto nuk ishin përgjigje që mund ta qetësonin një nënë si Amina.
  • Ç’paske kështu, më thuaj të vërtetën! As mos të të shkojë nëpërmend se do të të le të ikësh nëse nuk më tregon se çfarë ka ndodhur. Apo mos ke frikë prej djallit për të? Më thuaj, – i tha ajo e shqetësuar.
  • Po, – iu përgjigj ajo.
  • Jo, kjo është e pamundur, – reagoi ashpër Amina, – Vallahi, që djalli nuk mund t’i sjellë kurrfarë dëmi atij fëmije. Thuamë si qëndron puna. Kam frikë se është diçka tejet e rëndësishme. A nuk ta pata thënë unë ty të vërtetën në lidhje me atë fëmijë? – shtoi ajo.
  • Po, ma pate treguar, – iu përgjigj Halimja me gjysmë zëri. Kësisoj, Amina ndjeu nevojën që t’ia tregonte edhe njëherë.
  • Kur unë isha shtatzënë me të, pashë që nga trupi të më dilte një nur, dhe me të pashë të ndriçoheshin krejt sarajet e Basrës dhe të Sirisë. Gjithashtu, gjatë gjithë shtatzënisë, unë nuk ndjeva asnjë nga shqetësimet që ndjen çdo shtatzënë. Kur e linda, ai rrinte me duar në shtroje, duke parë nga qielli. Andaj, meqë qenka kështu, lëre atë këtu tek unë, dhe mund të largohesh pa kurrfarë shqetësimi në vendin tënd.[3]

Kështu, periudha e jetës së Profetit tonë të Dashur në vendin e bijve të Sa’dit mori fund.


[1] Enes ibni Malik (r.a.) na tregon se në kraharorin e të Dërguarit të Allahut gjendej një shenjë si pasojë e kësaj hapjeje të kraharorit prej engjëjve. Ajo dukej sikur një vijë e hollë, – tregon ai. shih: Muslim, sahih, 1/147
[2] Ibni Hisham, Sire, 1/301; Taberi, tarih, 2/128
[3] Ibni Hisham, Sire, 1/301-2; Ibni Sad, tabakat, 1/112; Taberi, tarih, 2/128

Një specifikë e Profetit (s.a.s), agjërimi në muajin Sheual

profeti-muhamed-51.jpg

 Në muajin Sheual, i cili vjen pas muajit Ramazan dhe tre ditët e  para të të cilit i festojmë si bajrami i Ramazit (përveç ditës së parë të bajramit[1]) agjërimi i gjashtë ditëve të këtij muaji është sunet të cilin i Dërguari Allahut (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) nuk e ka braktisur, dhe po ashtu ja ka këshilluar sahabët të nderuar.

Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) e shpreh kështu se, ai që agjëron Ramazanin dhe gjashtë ditët e muajit Sheual është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin:

عَنْ أَبِى أَيُّوبَ الأَنْصَارِىِّ – رضى الله عنه – أَنَّهُ حَدَّثَهُ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم قَالَ مَنْ صَامَ رَمَضَانَ ثُمَّ أَتْبَعَهُ سِتًّا مِنْ شَوَّالٍ كَانَ كَصِيَامِ الدَّهْرِ

Ebu Hurejre (r.a) tregon se Profeti ( s.a.s) ka thënë: “Kush mban agjërimin e ramazanit dhe këtij i shton, edhe gjashtë ditë agjërim në muajin sheual, është sikur ta kishte kaluar gjithë vitin me agjërim!”[2]

 Si agjërohet Sheuali?

Dita e parë e sheualit që është edhe dita e parë e Bajramit, është e ndaluar të agjërohet. Në ditët e tjera të bajramit mund të agjërohet kaza ose agjërim suplementar (nafile). Këto gjashtë ditë nuk është e detyrueshme që të agjërohen njëra pas tjeter, mund të agjërohen edhe të ndara.[3] Për shembull, mund të agjërohet gjatë ditëve të hënë e të enjte gjatë muajit. Aq më tepër që, agjërimi i të hënës dhe të enjtes është prej sunetit të Profetit (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Na transmetohet se Ai e priste me padurim ardhjen e ditës së hënë e të enjte. [4] Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) e shpjegon kështu arsyen e agjërimit në këto ditë:

“Veprat e njerëzve i paraqiten Allahut dy herë në javë, të hënë e të enjte dhe për çdo rob besimtar urdhërohet falje. Përveç robit që ka armiqësi me vëllain e tij besimtar. Thuhet ‘Këta të dy lërini derisa të pajtohen’.”[5]

Veprat i paraqiten Zotit të hënën dhe të enjten dhe unë do të desha që kur t’i paraqiten Zotit veprat e mia, të jem i agjëruar!”[6]

Mënyra se si do të përfitohen shpërblimet (sevapet) e një viti agjërim duke agjëruar gjashtë ditë nga muaji Sheual shpjegohet në këtë formë:

Në ajetin 160 të sures En’am thuhet: مَن جَاء بِالْحَسَنَةِ فَلَهُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا “Kush vepron një të mirë, do të shpërblehet me dhjetëfishin e saj…” Ky ajet na tregon se çdo punë e mirë do të shpërblehet dhjetëfish. Duke u bazuar në ajet, ai që agjëron 30 ditë Ramazan do të marrë shpërblimin e 300 ditëve. Gjashtë ditë në muajin Sheual pas Ramazanit e kanë shpërblimit 60 sevape, të cilat së bashku bëjnë 360 sevape, pra sa gjithë vit. Kësodore, merr shpërblim sikur të ketë agjëruar gjithë vitin.


[1] Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) e ak ndaluar agjërimin në ditën e parë të Bajramit.
[2] Muslim, Sijam, 204; Tirmidhi, Savm, 52; Ibni Maxhe, Sijam, 33.
[3] İbn Abidin, Reddu’l-muhtar 3/421.
[4] Tirmidhî, Saum 44.
[5] Muslim, Birr ve sila 36.
[6] Tirmidhi, Savm, 44; Nesai, Sijam, 70.

 

Vitet që kaluan pranë mëndeshës

profeti-muhamed-50.jpg

Nga atdheu i Beni Sadëve, prej nga vinin shumë familje për të marrë fëmijë të gjirit, kishin ardhur edhe Harith bin Abduluza bashkë me gruan e tij Halime binti Abdullah bin Harith. Bashkë me ta kishin ardhur edhe dhjetë gra të tjera po me të njëjtin qëllim. Sepse thatësira kishte pushtuar krejt rretherrotullin në Mekë aq keqani, sa nuk kishin më as ç’t’i jepnin trupit kundrejt nevojave të tij për ushqim. Andaj, këto nëna nuk dinin as me se të ushqenin edhe vetë foshnjat e tyre që qanin nga uria. Qumështi u kishte shterur pasi as vetë nuk kishin me çfarë të ushqeheshin, duke ia bërë kësisoj të harruar ndjesinë e dhënies së gjirit ndaj fëmijëve të tyre. E vetmja shpresë ishte që të nisnin reshjet e një shiu freskues. Dhe rruga ishte tmerrësisht e gjatë e nuk i shihej fundi.

Mbi të gjitha, ecja e gomarit të dobët ku kishte hipur Halimja, dhe devesë së plakur të Harithit ishte ngadalësuar ndjeshëm. Ata tashmë nuk po i arrinin dot bashkudhëtarët e tyre. Kësisoj, kur mbërritën në Mekë, e panë se foshnjat i kishin marrë, madje edhe kishin nisur rrugën e kthimit.

Harithi dhe Halimja nisën të trokisnin derë më derë me të njëjtin qëllim. Fëmija që kishte ngelur pa iu dhënë askujt ishte vetëm jetimi i Abdullahut, Muhamedi. Çdokush që trokiste, pasi e merrte vesh se Ai ishte jetim, hiqte menjëherë dorë duke u kthyer mbrapsht për të trokitur në një tjetër familje, ngase mendonte se nuk do të merrte dot kurrfarë shpërblimi kundrejt shërbimit që do të bënte. Më në fund, aty erdhi edhe Harithi me Halimen, por edhe ata si të tjerët hoqën dorë me shpresën se mund të gjenin një fëmijë tjetër. Nuk e dinin ata se pikërisht aty ishte njeriu që do t’i drejtonte të gjithë njerëzit drejt vetes. Kërkimet e tyre vazhduan, por më kot, nuk gjetën askënd. As të ktheheshin duarbosh nuk ishte afër mendjes. Halimja, sakaq i tha të shoqit të saj:

-Nuk dua të kthehem pranë shoqeve pa gjetur një foshnje, andaj eja ta marrim atë fëmijë jetim e të kthehemi për në shtëpi.

-Si të duash, le të shkojmë e ta marrim. Ndoshta Allahu na fal begati për hir të atij fëmije,[1] – iu përgjigj Harithi së shoqes, duke u drejtuar saora për nga porta e shtëpisë së Abdulmutalibit.

Kur Amina e pa se çifti erdhi sërish, u mundua t’u shpjegonte atyre se fëmija që po merrnin nuk ishte një fëmijë si gjithë të tjerët. Nga pas u bëri fjalë për rehatinë që kishte pasur gjatë lindjes, për ëndrrat e para gjatë periudhës së shtatzënisë dhe për shpjegimet që u ishin dhënë atyre ëndrrave. U bëri fjalë, se ky nuk ishte amanet vetëm i Aminës, por ishte njëkohësisht edhe i mbarë njerëzimit, prandaj edhe rëndësia dhe kujdesi i treguar ndaj Tij duhet të ishte po i kësaj natyre. Ai duhej të ruhej si sytë e ballit nga çdo lloj rreziku i mundshëm.

Familja e Harithit ndjeu një kënaqësi shpirtërore kur e morën foshnjën nga nëna e tij, Amina. Halimja nga Sa’di deshi ta mëkonte menjëherë me qumësht fëmijën e porsamarrë. Mirëpo, pa se menjëherë u përball me diçka të panatyrshme:gjiri i saj që thuajse ishte tharë nga qumështi, tashmë e ndiente se ishte dendur me qumësht. Më parë piu Prijësi i Njerëzimit, e më pas mundi të pinte edhe vetë fëmija i saj, Abdullahu, i cili kishte muaj të tërë që detyrohej të binte në gjumë i pangopur. Të dy i zuri gjumi. Mirëpo, Abdullahu ishte përgjithësisht në siklet, dhe gjumi nuk e zinte edhe aq lehtë.

Kur erdhën pranë devesë së tyre, panë se edhe tek ajo kishte diçka të veçantë; edhe asaj i ishin mbushur gjinjtë me qumësht, dhe pos kësaj kishte fituar një gjallëri, të cilën nuk e kishte pasur gjatë gjithë udhëtimit. E molën dhe pinë nga qumështi i saj derisa u ngopën. Ajo natë që kaluan në Mekë, ishte ndoshta nata më e bukur e tyre prej shumë kohësh. Ditën tjetër në mëngjes, Harithi iu drejtua gruas së tij:

-Vallahi, dije mirë o Halime, se ti ke zgjedhur një fëmijë që rrjedh nga një familje e sojshme!

Këtë begati e kishte vënë re edhe ajo, ashtu si i shoqi.

-Lëvduar qoftë Allahu, edhe unë ashtu mendoj, – i tha.

Mandej, kjo familje, e cila e kishte gjetur fëmijën që do të merrte me vete dhe i kishte mbyllur të gjitha punët që kishte në Mekë, u nis për t’u kthyer në vendin ne tyre. Nga pas shihnin Aminën, e cila e ndiqte me sy largimin e djalit të saj të vetëm, duke iu lutur Zotëruesit të krenarisë dhe fuqisë, Zotit Mëshirues që t’ia ruante asaj dritën e syve.

Halimja nga Sa’di hipi në gomarin e saj duke e marrë foshnjën e vogël në krahë, mirëpo ç’të shihte, kafsha e saj e dobët dhe e ngathët filloi të lëvizte me shpejtësi dhe me një shkathtësi të paparë. Madje nga kjo gjallëri ajo i kishte arritur gjatë rrugës të gjitha shoqet e saj që kishin ardhur bashkë në Mekë, por që ishin nisur për t’u kthyer një ditë më parë. Këtë herë ishte ajo që po u tregonte me vepra se këtë herë nuk kishte për të ngelur e fundit.

Ata që e panë Harithin dhe Halimen, megjithëse ishin tejet të lodhur, u habitën së tepërmi dhe filluan t’i jepnin kuptim kësaj ndodhie të pazakontë. Mirëpo nuk po ia arrinin dot. Pa kaluar shumë kohë, ata iu drejtuan vetë Halimes për ta pyetur:

-O e bija e Zubejrëve, ç’është kjo gjallëri? A nuk ishte ti ajo që ngeleshe përherë nga pas se nuk na arrije dot? Apo mos nuk është ky gomari me të cilin ti erdhe për në Mekë?

Halimja, e sigurt në vetvete dhe tejet e entuziazmuar nga begatia që po e ndiqte, ia ktheu:

-Vallahi po! Ky është gomari me të cilin erdha për në Mekë, dora vetë! Si dhe ju betohem se unë kam marrë fëmijën më të hairit për nga begatia që mund të më kenë zënë sytë.

Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

-Mos është gjë fëmija që ishte në familjen e Abdulmutalibit?

Po, padyshim që këtu kishte një begati të dukshme qartazi. Ishte pikërisht Harithi me Halimen ata që po e përjetonin me plot kuptimin e fjalës këtë mbarësi që mbartte ky fëmijë.[2]

Kishin kaluar plot dy vjet me vizita një herë në gjashtë muaj në Mekë. Kësisoj, Mbreti i Universit ishte rritur dhe zhvilluar së tepërmi. Tashmë ai ishte larguar edhe nga qumështi dhe koha e marrëveshjes po i afrohej fundit; kishte ardhur koha për t’u kthyer në vendlindje. Megjithëse zemra nuk u donte që ta kthenin, ata kishin një fjalë për të mbajtur, kështu që e morën Muhamedin e vogël dhe u nisën për në Mekë që t’ia dorëzonin të ëmës.

Nga ana tjetër ishte edhe Halimja, e cila e ndjente veten plotësisht nënë të këtij fëmije kaq të mbarë. Asaj, gjatë gjithë rrugës, i dukej sikur do t’i dilte zemra prej vendit. E ndjente veten sikur do t’i shkëpusnin një pjesë nga trupi i saj. Ç’të keqe do të kishte sikur Arsyeja e Krenarisë së Universit të rrinte edhe sadopak pranë tyre? Po, po, ky ishte mendimi që nuk po i shqitej saora nga mendja. Ngase i kishte ende disa shpresa, ajo iu drejtua Aminës me këto fjalë:

-Jam e shqetësuar mos preket edhe Ai nga epidemia që ka pushtuar Mekën. Të lutem, na lejo ta mbajmë djalkën edhe për pak, – iu gjend ajo në një kërkesë të tillë të përshpirtshme.

Kjo ishte një kërkesë tejet e vështirë për t’iu drejtuar një nëne. Andaj, edhe Amina e nderuar, nuk e pa krejtësisht të arsyeshme në fillim. Mirëpo n’anë tjetër, ekzistonte me të vërtetë një sëmundje ngjitëse, dhe ajo nuk donte kurrsesi që fëmija e saj të prekej. Ajo u mendua, dhe mendoi se do të ishte më e mira të bënte edhe pak durim, ashtu si pa pëlqim e pranoi kërkesën e Halimes. Familjen e Harithit, që po kthehej në tokën e bijve të Sa’dit e kishte kapluar sakaq një hare e papërshkrueshme.

[1] Ibni Hisham, Sire, 1/300; Ibni Sad, tabakat, 1/110-1

[2] Ibni Hisham, Sire, 1/301; Ibni Sad, tabakat, 1/111; Taberi, tarih, 2/127

Lindja e Bekuar, një ngjarje e pazakontë për mbarë njerëzimin

profeti-muhamed-49.jpg

Shtatzënë me Shpëtimtarin e Fundit që po priste njerëzimi, Amina nuk i jetonte vështirësitë që jetonin kandidatet e tjera për nënë. Ajo po kalonte një shtatzëni të rrethuar nga të gjitha anët me flladin e ëmbël të mëshirës hyjnore. Mbi të gjitha si kurorë, kishte shumë sihariqe që i vinin të pëshpëritura në vesh. Ajo tregonte se një ditë dëgjoi:

-Padyshim, që ti je shtatzënë me Prijësin e njerëzimit. Kur ta sjellësh atë në jetë, thuaj se po e lë në mbrojtjen e Atij që është Një, dhe më pas vendosi emrin “Muhamed”.[1]

Amina u prek shumë nga e gjithë kjo. Po, ajo do të sillte në jetë një fëmijë që do të ishte jetim. Por, çfarë do të thoshte se fëmija i saj do të ishte prijësi i mbarë njerëzimit. Mbi të gjitha ajo nuk e kishte dëgjuar asnjëherë emrin “Muhamed”. Sepse emri “Muhamed” nuk ishte ndonjë emër i njohur në atë kohë dhe atë vend. Ai ishte një emër të cilin e kishin vetëm tre vetë në të gjithë Arabinë. Dhe etërit e të treve ishin njerëz që kishin jetuar pranë mbretërve, dhe ishin të gjithë ndjekës të librave hyjnorë. Dhe secili prej tyre kishte vdekur në periudhën kur gratë e tyre ishin me barrë, dhe pa ndërruar jetë i kishin këshilluar gratë e tyre, se nëse lindnin djem, t’ia vinin emrin Muhamed. Sepse e dinin, që emri i Profetit të fundit që do të vinte në kohën e fundit do të ishte i atillë. Ata e kishin parë që ylli i Tij ishte në prag të lindjes.[2]

Amaneti që ajo mbartte në bark bëhej temë qendrore e ëndrrave të saj, andaj edhe nuk e ndiente shumë rëndesën e shtatzënisë që t’i lirohej sa vjen e më tepër. Një natë, Amina, do të shihte në ëndërr sikur prej trupit të saj dilte një nur, dhe me këtë nur do të dëshmonte se si ndriçoheshin sarajet e Basrës dhe të Sirisë.[3]

Data ishte 20 prill 571. Kishin kaluar vetëm pesëdhjetë ditë nga ndodhia e elefantit. Ndërsa kalendari hënor shënonte ditën e dymbëdhjetët të muajit Rebiuleuel. Ishte e hënë. Në këtë çast kur drita kishte kapluar gjithë rruzullin, po përjetohej një lindje që do ta nxirrte krejt njerëzimin prej errësirës në dritë.

Ndërkaq, Mbreti i fundit, Muhamedi (s.a.s), sihariqi i të cilit kishte shëtitur rruzullin për shekuj me radhë, kishte nderuar botën me ardhjen e Tij në paqe. Në botë erdhi jetimi i Aminës, megjithëse nuk i ngjante asnjë fëmije tjetër. Buzët i lëviznin dhe diç thoshte. Kur tregoi pak kujdes ndaj kësaj dukurie, ajo dëgjoi: “Allahu të mëshiroftë!”. Dhoma për një çast ishte ndriçuar plotësisht; Lindja dhe Perëndimi ishin kapluar nga drita, dhe kësisoj çdo anë e shtëpisë ishte bërë dritë.[4]

Menjëherë u lajmërua gjysh Abdulmutalibi, i cili në atë kohë ishte duke adhuruar Allahun në Qabe. Me ta marrë vesh, ai hyri menjëherë në shtëpi i mbështjellë nga emocione të papërshkrueshme. Në çastin që e mori në krahë Dritën që po priste njerëzimi, mjekra po i lagej nga lotët e gëzimit. Jetimi i Abdullahut, djalit, të cilin e donte më së tepërmi, kishte lindur shëndoshë e mirë, dhe me atë vështrimin e tij zhbirues zuri ta kundronte me kujdes. Shenja që dukej mes kockave të shpatullave tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Sepse, sipas përshkrimeve të dijetarëve të fesë, ajo ishte “vula e profetësisë”.

Kur i erdhi radha vendosjes së emrit, Amina e nderuar, i tregoi Abdulmutalibit gjithçka që kishte përjetuar gjatë shtatzënisë, dhe kësisoj Atë e quajtën Muhamed. Më pas, Abdulmutalibi e shpuri Atë në krahë për në Qabe, që të falënderonte Allahun. Qabeja po takohej për herë të parë me binjakun e saj. Kur e pyetën Abdulmutalibin se përse i dha pikërish këtë emër nipit të tij, ai do t’i përgjigjej me këto fjalë:

-Në ëndërr pashë një si zinxhir të argjendtë; në mes kishte një shtyllë të nxjerrë, një pjesë për nëpër qiell, dhe tjetra e futur thellë në tokë, njëra tregonte drejtim kah perëndimi e tjetra nga lindja. Më vonë, kjo sikur u mblodh duke u bërë e vogël sa një grusht. Të gjithë, nga Lindja në Perëndim, sikur ishin drejtuar kah kjo pemë për t’u kapur pas saj.[5]

 

Lajme që vijnë nga të katër anët

Pa kaluar shumë kohë, filluan të vinin lajme nga të katër anët. S’ka dyshim që gjithësia po tregonte se ishte e interesuar në ardhjen e Tij, dhe me rrezatime të ndryshme, po e tërhiqte vëmendjen e gjithkujt kah kjo lindje.

Fillimisht, Meka u trondit nga lajmet e rrëzimit dhe thyerjes së idhujve që gjendeshin brenda në Qabe… Askush nuk e mori vesh se kush e bëri dhe se si kishte mundësi që ishin përballur me një ngjarje të këtillë.

Zaten kishte kohë, që në qiell po përjetohej një gëzim dhenjerëzit dëshmonin pareshtur rënien e yjeve. Të gjitha këto quheshin si myzhde të ardhjes së shpëtimtarit të fundit, andaj dijetarët e kohës filluan të mos e largonin vështrimin e tyre nga qielli. Në mëngjesin e asaj dite, Meka do të dëgjonte një dijetar që i pyeste:

-O popull i Kurejshit! Mos lindi gjë një fëmijë sonte në mesin tuaj?

Askush nuk kishte ende ndonjë lajm të tillë, andaj:

-Vallahi që nuk dimë gjë, – thanë ata.

Njeriu që pyeste fillimisht lëshoi tekbir, për t’i këshilluar më pas:

-Keni bërë një gabim; shkoni shihni dhe mos i harroni ato që do t’ju them: Mbrëmë, lindi Ahmedi, profeti i fundit i njerëzimit. Kontrolloni me kujdes, sepse nëse nuk ka lindur këtu, atëherë ka lindur në Palestinë. Në mes të dy kockave të shpatullave, mbuluar nga qime të verdheme dhe të zezë, ai mbart një shenjë që është vula e profetësisë.

Mekasit ishin shushatur nga fjalët e këtij njeriu të ditur. Ashtu të habitur zunë të shihnin njëri-tjetrin, por prapëseprapë e dinin që nuk kishin dëgjuar gjë për një lindje të këtillë. Populli u nda si gjithmonë, dhe sakaq të gjithë u shpërndanë për në familjet e tyre. Pa kaluar shumë kohë, të gjithë po merrnin lajmin se mbrëmë, në shtëpinë e Abdulmutalibit kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vendosur emrin Muhamed. Ajo që ishte më e veçanta, ishte se ashtu siç kishte lajmëruar dijetari, në mes të shpatullave ai kishte një shenjë në trajtën e vulës.

Ata zunë të shkonin pranë dijetarit që i pati lajmëruar i pari, duke i thënë:

-Na the se në mesin tonë ka ardhur në jetë një fëmijë…

Pa mbaruar fjalinë, dijetari i pyeti i shqetësuar:

-A ka lindur përpara se t’ju thosha unë, apo më pas?

-Më parë.

Dijetari u emocionua jashtëzakonisht shumë dhe i kërkoi atyre që ta shpinin menjëherë atje ku ishte foshnja i sapolindur. Mirëpo, kur erdhi pranë Aminës, me të parë shenjën në mes të krahëve, atij i ra të fikët menjëherë. Kur erdhi në vete, tha:

-Turp t’ju vijë!

Kur e pyetën se ç’po i ndodhte, ai iu përgjigj:

-Tashmë, nderi i profetësisë nuk është më i hebrenjve. Kështu është e shkruar. Tashmë begatia profetike u takon arabëve. Gëzohuni, o njerëz të Kurejshit! Sepse ai, bashkë me ndihmën tuaj do të arrijë një fuqi të atillë, që zëri i saj ka për ta mbushur distancën mes Lindjes dhe Perëndimit.

Një ngjarje e ngjashme po përjetohej edhe në Medinë. Hasan bin Thabiti, që megjithëse në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, vite më vonë, emocionin e asaj kohe do ta tregonte me këto fjali:

-Unë në ato kohë isha shtatë a tetë vjeç, por i kuptoja mjaft mirë ato që dëgjoja. Pashë një dijetar hebre të bërtiste në majë të njërës prej kalave të Jethribit:

-O popull medinas! O popull i Jethribit!

Të gjithë ishin habitur nga kjo sjellje. S’kishte më dyshim se kishte ndodhur ndonjë ngjarje shumë e rëndësishme, ose kishin të bënin me ndonjë rrezik. Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

-Ç’është gjithë ky telash? Çfarë të ka ndodhur?, – duke iu mbledhur rreth vetes. Ai i përgjigjej atyre që e kishin rrethuar:

-Mbrëmë në darkë lindi ylli i Ahmedit.


[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 2/263
[2] Ibnu Sej’jidi’n-Nas, ujun’ul eser, 1/88
[3] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/127; 5/262; Ibni Hisham, Sire, 1/293
[4] Kastalani, Meuahib, 1/122
[5] Ebu Zehra, Hatemu’n Nebij’jin, 1/140

scroll to top