Vitet që kaluan pranë mëndeshës

profeti-muhamed-50.jpg

Nga atdheu i Beni Sadëve, prej nga vinin shumë familje për të marrë fëmijë të gjirit, kishin ardhur edhe Harith bin Abduluza bashkë me gruan e tij Halime binti Abdullah bin Harith. Bashkë me ta kishin ardhur edhe dhjetë gra të tjera po me të njëjtin qëllim. Sepse thatësira kishte pushtuar krejt rretherrotullin në Mekë aq keqani, sa nuk kishin më as ç’t’i jepnin trupit kundrejt nevojave të tij për ushqim. Andaj, këto nëna nuk dinin as me se të ushqenin edhe vetë foshnjat e tyre që qanin nga uria. Qumështi u kishte shterur pasi as vetë nuk kishin me çfarë të ushqeheshin, duke ia bërë kësisoj të harruar ndjesinë e dhënies së gjirit ndaj fëmijëve të tyre. E vetmja shpresë ishte që të nisnin reshjet e një shiu freskues. Dhe rruga ishte tmerrësisht e gjatë e nuk i shihej fundi.

Mbi të gjitha, ecja e gomarit të dobët ku kishte hipur Halimja, dhe devesë së plakur të Harithit ishte ngadalësuar ndjeshëm. Ata tashmë nuk po i arrinin dot bashkudhëtarët e tyre. Kësisoj, kur mbërritën në Mekë, e panë se foshnjat i kishin marrë, madje edhe kishin nisur rrugën e kthimit.

Harithi dhe Halimja nisën të trokisnin derë më derë me të njëjtin qëllim. Fëmija që kishte ngelur pa iu dhënë askujt ishte vetëm jetimi i Abdullahut, Muhamedi. Çdokush që trokiste, pasi e merrte vesh se Ai ishte jetim, hiqte menjëherë dorë duke u kthyer mbrapsht për të trokitur në një tjetër familje, ngase mendonte se nuk do të merrte dot kurrfarë shpërblimi kundrejt shërbimit që do të bënte. Më në fund, aty erdhi edhe Harithi me Halimen, por edhe ata si të tjerët hoqën dorë me shpresën se mund të gjenin një fëmijë tjetër. Nuk e dinin ata se pikërisht aty ishte njeriu që do t’i drejtonte të gjithë njerëzit drejt vetes. Kërkimet e tyre vazhduan, por më kot, nuk gjetën askënd. As të ktheheshin duarbosh nuk ishte afër mendjes. Halimja, sakaq i tha të shoqit të saj:

-Nuk dua të kthehem pranë shoqeve pa gjetur një foshnje, andaj eja ta marrim atë fëmijë jetim e të kthehemi për në shtëpi.

-Si të duash, le të shkojmë e ta marrim. Ndoshta Allahu na fal begati për hir të atij fëmije,[1] – iu përgjigj Harithi së shoqes, duke u drejtuar saora për nga porta e shtëpisë së Abdulmutalibit.

Kur Amina e pa se çifti erdhi sërish, u mundua t’u shpjegonte atyre se fëmija që po merrnin nuk ishte një fëmijë si gjithë të tjerët. Nga pas u bëri fjalë për rehatinë që kishte pasur gjatë lindjes, për ëndrrat e para gjatë periudhës së shtatzënisë dhe për shpjegimet që u ishin dhënë atyre ëndrrave. U bëri fjalë, se ky nuk ishte amanet vetëm i Aminës, por ishte njëkohësisht edhe i mbarë njerëzimit, prandaj edhe rëndësia dhe kujdesi i treguar ndaj Tij duhet të ishte po i kësaj natyre. Ai duhej të ruhej si sytë e ballit nga çdo lloj rreziku i mundshëm.

Familja e Harithit ndjeu një kënaqësi shpirtërore kur e morën foshnjën nga nëna e tij, Amina. Halimja nga Sa’di deshi ta mëkonte menjëherë me qumësht fëmijën e porsamarrë. Mirëpo, pa se menjëherë u përball me diçka të panatyrshme:gjiri i saj që thuajse ishte tharë nga qumështi, tashmë e ndiente se ishte dendur me qumësht. Më parë piu Prijësi i Njerëzimit, e më pas mundi të pinte edhe vetë fëmija i saj, Abdullahu, i cili kishte muaj të tërë që detyrohej të binte në gjumë i pangopur. Të dy i zuri gjumi. Mirëpo, Abdullahu ishte përgjithësisht në siklet, dhe gjumi nuk e zinte edhe aq lehtë.

Kur erdhën pranë devesë së tyre, panë se edhe tek ajo kishte diçka të veçantë; edhe asaj i ishin mbushur gjinjtë me qumësht, dhe pos kësaj kishte fituar një gjallëri, të cilën nuk e kishte pasur gjatë gjithë udhëtimit. E molën dhe pinë nga qumështi i saj derisa u ngopën. Ajo natë që kaluan në Mekë, ishte ndoshta nata më e bukur e tyre prej shumë kohësh. Ditën tjetër në mëngjes, Harithi iu drejtua gruas së tij:

-Vallahi, dije mirë o Halime, se ti ke zgjedhur një fëmijë që rrjedh nga një familje e sojshme!

Këtë begati e kishte vënë re edhe ajo, ashtu si i shoqi.

-Lëvduar qoftë Allahu, edhe unë ashtu mendoj, – i tha.

Mandej, kjo familje, e cila e kishte gjetur fëmijën që do të merrte me vete dhe i kishte mbyllur të gjitha punët që kishte në Mekë, u nis për t’u kthyer në vendin ne tyre. Nga pas shihnin Aminën, e cila e ndiqte me sy largimin e djalit të saj të vetëm, duke iu lutur Zotëruesit të krenarisë dhe fuqisë, Zotit Mëshirues që t’ia ruante asaj dritën e syve.

Halimja nga Sa’di hipi në gomarin e saj duke e marrë foshnjën e vogël në krahë, mirëpo ç’të shihte, kafsha e saj e dobët dhe e ngathët filloi të lëvizte me shpejtësi dhe me një shkathtësi të paparë. Madje nga kjo gjallëri ajo i kishte arritur gjatë rrugës të gjitha shoqet e saj që kishin ardhur bashkë në Mekë, por që ishin nisur për t’u kthyer një ditë më parë. Këtë herë ishte ajo që po u tregonte me vepra se këtë herë nuk kishte për të ngelur e fundit.

Ata që e panë Harithin dhe Halimen, megjithëse ishin tejet të lodhur, u habitën së tepërmi dhe filluan t’i jepnin kuptim kësaj ndodhie të pazakontë. Mirëpo nuk po ia arrinin dot. Pa kaluar shumë kohë, ata iu drejtuan vetë Halimes për ta pyetur:

-O e bija e Zubejrëve, ç’është kjo gjallëri? A nuk ishte ti ajo që ngeleshe përherë nga pas se nuk na arrije dot? Apo mos nuk është ky gomari me të cilin ti erdhe për në Mekë?

Halimja, e sigurt në vetvete dhe tejet e entuziazmuar nga begatia që po e ndiqte, ia ktheu:

-Vallahi po! Ky është gomari me të cilin erdha për në Mekë, dora vetë! Si dhe ju betohem se unë kam marrë fëmijën më të hairit për nga begatia që mund të më kenë zënë sytë.

Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

-Mos është gjë fëmija që ishte në familjen e Abdulmutalibit?

Po, padyshim që këtu kishte një begati të dukshme qartazi. Ishte pikërisht Harithi me Halimen ata që po e përjetonin me plot kuptimin e fjalës këtë mbarësi që mbartte ky fëmijë.[2]

Kishin kaluar plot dy vjet me vizita një herë në gjashtë muaj në Mekë. Kësisoj, Mbreti i Universit ishte rritur dhe zhvilluar së tepërmi. Tashmë ai ishte larguar edhe nga qumështi dhe koha e marrëveshjes po i afrohej fundit; kishte ardhur koha për t’u kthyer në vendlindje. Megjithëse zemra nuk u donte që ta kthenin, ata kishin një fjalë për të mbajtur, kështu që e morën Muhamedin e vogël dhe u nisën për në Mekë që t’ia dorëzonin të ëmës.

Nga ana tjetër ishte edhe Halimja, e cila e ndjente veten plotësisht nënë të këtij fëmije kaq të mbarë. Asaj, gjatë gjithë rrugës, i dukej sikur do t’i dilte zemra prej vendit. E ndjente veten sikur do t’i shkëpusnin një pjesë nga trupi i saj. Ç’të keqe do të kishte sikur Arsyeja e Krenarisë së Universit të rrinte edhe sadopak pranë tyre? Po, po, ky ishte mendimi që nuk po i shqitej saora nga mendja. Ngase i kishte ende disa shpresa, ajo iu drejtua Aminës me këto fjalë:

-Jam e shqetësuar mos preket edhe Ai nga epidemia që ka pushtuar Mekën. Të lutem, na lejo ta mbajmë djalkën edhe për pak, – iu gjend ajo në një kërkesë të tillë të përshpirtshme.

Kjo ishte një kërkesë tejet e vështirë për t’iu drejtuar një nëne. Andaj, edhe Amina e nderuar, nuk e pa krejtësisht të arsyeshme në fillim. Mirëpo n’anë tjetër, ekzistonte me të vërtetë një sëmundje ngjitëse, dhe ajo nuk donte kurrsesi që fëmija e saj të prekej. Ajo u mendua, dhe mendoi se do të ishte më e mira të bënte edhe pak durim, ashtu si pa pëlqim e pranoi kërkesën e Halimes. Familjen e Harithit, që po kthehej në tokën e bijve të Sa’dit e kishte kapluar sakaq një hare e papërshkrueshme.

[1] Ibni Hisham, Sire, 1/300; Ibni Sad, tabakat, 1/110-1

[2] Ibni Hisham, Sire, 1/301; Ibni Sad, tabakat, 1/111; Taberi, tarih, 2/127

ilmihali

Share this post

scroll to top