Letra e Profetit Muhamed për mbretin e Abisinisë (Etiopisë), Nexhashiun

profeti-muhamed-33-letra.jpg

Nga i Dërguari i Allahut për Nexhashiun e Abisinisë, Etiopisë së sotme

Amrr b. Umeje,një nga emisarët e të Dërguarit të Allahut ishte i njohur për guximin, trimërinë dhe zgjuarsinë e tij. Jetonte në një fshat të vogël në krahinat e Bedrit. Në betejën e Bedrit dhe të Uhudit luftoi përkrah paganëve kundër myslimanëve, por pas betejës së Uhudit u bë mysliman. Pasi u bë mysliman, Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) e dërgonte Amrin në krahinat e Medines për t’ju shpjeguar fenë islame njerëzve atje. Po ashtu, ai është dërguar edhe në Mekë dhe në vende të tjera si emisar. Edhe këtë here Profeti (s.a.s) e zgjodhi atë si emisar për tek Nexhashiu i Abisinisë.

Menjëherë, sapo Amri (R.a ) mori letrën nga Profeti (s.a.s) u nis me kalë drejt Abisinisë. Për arsye se donte që letra e Profetit të arrite sa me parë në destinacion, ai nuk ndaloi vetëm se pak gjatë rrugës. Pas disa ditësh arriti në bregun e Detit të Kuq. Pas një udhëtimi të lodhshëm e të gjatë arriti në Abisini. Ishte shume kurioz se si do të dilte përpara Nexhashiut, Perandorit të Abisinisë.

Nexhashiu, perandori i Abisinisë ishte një i krishterë i cili i donte shumë Isain (a.s) dhe nënën e tij Merjem. Nexhashiu, i njohur për drejtësinë e tij, kishte  dijeni edhe më herët rreth islamit dhe myslimanëve. Për arsye se besimtarët hasën tortura nga më të ndryshmet gjatë viteve të para të islamit, dhe ata kërkuan një rrugëdalje. Shkuan tek Profeti (s.a.s) dhe kërkuan që ai tu tregonte një vend ku ata mund ta jetonin  të qete fenë e tyre.

Profeti (s.a.s) u tha: “Shkoni në Abisini. Aty është një mbret, ku askujt nuk i bëhet padrejtësi në prani të tij. Shpresohet që Allahu t’ju shpëtojë nga padrejtësitë.”

Sapo morën lejen për të emigruar një grup prej 15 personash u nisën për në Abisini. Kur e morën vesh paganët e Mekës këtë gjë u munduan t’i ndalonin, por kur mësuan se myslimanët ishin languar me një anije nga deti i Kuq, u kthyen pa ia arritur qëllimit.

Grupi i parë i myslimanëve që emigroi në Abisini u prit shumë mirë atje dhe e jetuan në qetësi fenë e tyre duke shpëtuar nga padrejtësitë që u bëheshin në Mekë. Dy vjet më vonë, pasi u mor vesh lajmi për pritjen e mirë të tyre, u nis drejt Abisinisë grupi i dytë i emigruesve nga Meka i përbërë nga 90 veta, nën kryesimin e Xhaferr b. Ebi Talib.

Ky perandor i drejtë, i cili më parë i kishte hapur dyert e vendit të tij myslimanëve, tashmë do të mirëpriste një emisar të fesë islame. Amri, i cili ndodhej në sarajet e Nexhashiut, së pari priti për pak kohë në pjesën ku priteshin emisarët. Pastaj  punonjësit e sarajit, shkuan tek Nexhashiu dhe e njoftuan atë për dëshirën që ky emisar kishte për tu takuar me të.  Pasi Nexhashiu pranoi të takohej me Amrin, ky i fundit ia paraqiti me plot mirësjellje letrën e të Dërguarit të Allahut. Nexhashiu sapo e mori letrën e puthi dhe e vuri në ballë. Pastaj ia zgjati njërit nga njerëzve të tij për t’ia lexuar letrën. Lexuesi filloi të lexonte:

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Nga Muhamedi, i Dërguari i Allahut, sundimtarit të Etiopisë, Nexhashi.
Paqe për ty o mbret! Dëshmoj se Isai (a.s) është shpirti i Zotit dhe fjala që Allahu ia la virgjëreshës, të ndershmes e të pastrës Merjeme…
O sundues i drejtë! Unë të ftoj ty që të besosh Allahun një të vetëm, që nuk ka shok në adhurim. Të ftoj të adhurosh Atë dhe të besosh ato që më janë shpallur mua nga Allahu. Sepse, Unë jam i dërguari i Allahut.
Edhe popullin tënd e ftoj që të besojë Allahun. Në këtë mënyrë unë jua përcolla juve fenë e Zotit dhe ju këshillova. Dhe ju pranojeni këshillën time. Paqja qoftë për ata që pasojnë rrugën e drejtë!”

Nexhashiu e dëgjoi letrën me respekt deri në fund. U emocionua shumë. Nuk I mbajti dot lotët. Zbriti nga froni dhe u ul me modesti ne tokë. Më pas u bë mysliman duke thënë shehadetin (fjalën e dëshmisë). Pastaj tha këto fjalë, që i dëgjuan edhe të pranishmit: Ai është profeti I fundit që kanë pritur kaq shumë hebrenjtë dhe të krishterët. Nëse do të kisha mundësi për të shkuar pranë Tij, do të shkoja pa asnjë hezitim. Ah sikur në këmbim të këtij pushteti të bëhesha shërbëtor i Profetit të fundit. T’i shërbesh Atij, është diçka më madhështore sesa kjo mbretëri.

Pasi i tha të gjitha këto,e mori letrën plot respekt,e puthi dhe e vendosi në një kuti të fildishtë duke thënë : “Nuk  do të pakësohet e mira dhe begatia tek abisinasit për aq kohë sa kjo letër është mes tyre”.

Ndërkohë, në Abisini ndodhej edhe Amrr b. As një nga burrat e parisë së Mekës, i cili nuk e kishte gjetur akoma rrugën e drejtë. Ai ishte mik i Nexhashiut. Kishte ardhur në Abisini për t’i kthyer mbrapsht besimtarët që kishin emigruar nga Meka aty. Ai e kishte parë emisarin e Profetit që hynte dhe dilte në pallatin mbretëror. Nervozohej shumë nga kjo situatë dhe, duke menduar se kjo do t’ia vështirësonte punën thoshte me vete: Po ky, çfarë pune ka në pallat?! Madje mendoi të ngrinte kurth dhe ta vriste emisarin por nuk ja arriti.

Një ditë doli para Nexhashiut dhe pasi i dha dhuratat që kishte sjellë për atë I tha: O Perandor! Po shoh që në pallatin tënd hyn e del një njeri i ardhur nga Medina, që është emisar i armikut tonë. Na e dorëzo ne atë, ta vrasim.

Nexhashiu u nxeh shumë nga këto fjalë, aq sa e goditi me grusht Amrr b. El’asin. Gati sa nuk ia theu hundën. Amrri u çudit shumë. Nuk e priste aspak këtë nga Nexhashiu. Në sallë kaploi heshtja për pak çaste.

Nexhashiu iu kthye Amrit gjithë nerva dhe me një ton të ashpër e pyeti: Ti do të vrasësh emisarin e Profetit që i vjen shpallja nga Xhibrili ashtu si i ka ardhur edhe Musait e Isait?

Karshi këtyre fjalëve të Nexhashiut, Amri i çuditur edhe më shumë e pyeti: “O Mbret! Muhamedi është me të vërtetë profet?”  Nexhashiu ishte akoma i nevrikosur: “Turp të kesh o Amrr! Ti veri veshin mirë këtyre që po të them unë, mblidh mendjen dhe shko ndiq profetin e fundit. Të betohem se Ai është në rrugën e drejtë. Ashtu si Musai triumfoi ndaj Faraonin dhe ushtrisë së tij, edhe Ai ka për të triumfuar kundër kundërshtarëve të tij.

Amrr b. Asi u ndikua shumë nga sjellja e Nexhashiut. Pas një heshtje të shkurtër u kthye nga Nexhashiu dhe tha: “O Mbret! Nëse bëhem mysliman a ma pranon ti këtë dhe a bëhesh dëshmitar për mua?”

Nexhashiu e pranoi këtë propozim dhe Amrri u bë menjëherë mysliman aty. Por, këtë gjë e mbajti të fshehtë nga shokët e tij dhe vetëm pas një viti kur shkoi në Medine e shfaqi hapur para Profetit se ishte bërë mysliman.

Ndërsa Amri, emisari i Profetit qëndroi edhe për pak kohë në Abisini pasi takoi Nexhashiun. Atje u takua edhe me myslimanët e tjerë që kishin emigruar më herët aty. Ai u përcolli atyre përshëndetjet e Profetit (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Iu tha atyre se myslimanët në Medine kanë bërë marrëveshje me paganët e Mekës dhe se kjo marrëveshje do të zgjaste dhjetë vjet. U tha atyre se myslimanët kishin shpëtuar përfundimisht nga torturat e mekasve paganë, mund të jetonin të qetë tashmë fenë e tyre në Medine dhe i përgëzoi ata se Profeti (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) i ftonte ata të ktheheshin në Medine. Më pas, emigruesit dhe Amrri u bënë gati për tu kthyer në Medine. Ditën e fundit të qëndrimit në Abisini, Nexhashiu e thirri Amrrin dhe i dha një letër e dhurata të shumta për Profetin (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Tashmë kishte ardhur koha për tu larguar. Nexhashiu e përcolli Amrrin dhe emigruesit e tjerë për tek anija me të cilën do ktheheshin për në Medine. Pas një udhëtimi të gjatë, anija arriti në bregun tjetër të detit dhe morën rrugën për Medine.Pas disa ditësh karvani mbërriti në Medien. Aty emigruesit i pritën me mall të afërmit dhe shokët e tyre. Menjëherë shkuan tek xhamia e Profetit dhe u çmallën me Mbretin e Zemrave (s.a.s). Ndërsa Amrri kishte dy gëzime, detyrën e kreu me sukses edhe po takohej serish me Profetin (sal’la llahu alejhi ue sel’lem). Amrri ia dorzoi të Dërguarit të Allahut letrën dhe dhuratat që I kishte dërguar As’hame Nexhashiu i Abisinisë. Profeti dëshironte që t’i lexohej letra e ardhur nga Nexhashiu, ku ai thoshte:

“Me emrin e Allahut!

Nga As’hame, Nexhashiu i Abisinisë për Muhamedin të Dërguarin e Allahut.

O Profet i Zotit! Paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Ti je i dërguari i Tij. Më arriti letra me emisarin tënd. Betohem për Allahu se ato që thua Ti nuk janë të ndryshme nga ato që ka thënë Isai. Nëse më urdhëron, e le mbretërinë dhe vij aty menjëherë. Por, unë tani jam vetëm zot i vetes time. Nuk kam pushtet mbi popullin tim për këtë. Nuk mund të them asgjë për ta. Edhe njëherë dëshmoj se çdo gjë që thua ti është e vërtetë”.

Pasi u lexua letra, Amrri ja shpjegoi Profetit gjendjen e Nexhashiut dhe gjithë çka pa atje. Shkëlqesia e tij (sal’la llahu alejhi ue sel’lem)  bëri dua për As’hamen, Nexhashiun e Abisinisë dhe të gjithë u gëzuan që ai u bë mysliman.

Veçoritë e profetëve 5 – Thirrje për unitet

profeti-muhamed-32.jpg

Në Kuran, kur tregohet se si u janë drejtuar profetë të ndryshëm fiseve të veta, përdoret kjo shprehje: “O njerëz të mi! Allahun adhurojeni, se nuk keni zot tjetër përveç Tij!” (Hud: 84).

Kauza e çdo profeti me këtë të vërtetë fillon dhe me të i vihet pika.

Marrëveshja e njëzëshme në këtë pikë e këtyre personaliteteve të shquar të ardhur në kohë e vende të ndryshme si dhe fakti që kanë proklamuar gjithmonë të njëjtat të vërteta, nuk le asnjë lëkundje e dyshim që ata nuk kanë kumtuar idetë dhe mendimet e veta, por mesazhet e marra nga Zoti i tyre. Eshtë e papranueshme mendërisht që të jenë unanimë për të njëjtën çështje njerëz me dhunti dhe aftësi krejt të ndrysh-me e që kanë jetuar në kohë dhe vende të ndryshme. Ju bëheni dëshmi-tarë të faktit se midis ndjekësve të një shkolle, madje edhe midis bashkëkohësve, në çështje shumë të vogla e të thjeshta të një pjese rrymash filozofike ka shumë ndryshime dhe kontradikta. Ja, pra, ky kontradiksion në rrymat me burim mendimin njerëzor dhe polemikën si dhe ky unanimitet në sistemet e ofruara nga individë të zgjedhur me revelacionin hyj-nor, tregon se të parat janë me burim subjektiv e iluziv, kurse të dytat janë të orientuara e të qëndrueshme, me një fizionomi përfundimtare. Sigurisht, uniteti i fjalës te profetët dhe fakti që të gjithë ata kanë ardhur me të vërtetën e unitetit hyjnor, është, përsëri, një specifikë e atij institucioni. Eshtë për këtë arsye që i Dërguari i Allahut ka urdhëruar: “Fjala më e lartë dhe e virtytshme e thënë prej meje dhe prej të gjithë profetëve të ardhur para meje, është fjala që përmblidhet në këtë shprehje: “La ilahe illallahu vahdehu la sherike lehu”, “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut Një të Vetëm e të Pashoq!”

Veçoritë e profetëve 4 – Këshillë e mirë

profeti-muhamed-31.jpg

Duke bërë të njohur dhe përhapur kauzën e tyre, profetët kategorikisht nuk hyjnë në dialektikë. Ata u afrohen njerëzve me urtësi dhe këshillë të mirë. Me të vërtetë, Kur’ani i shprehet kështu Profetit: “Ti thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ta në formën më të pëlqyeshme…” (Nahl: 125). Me fjalë të tjera, kërkon t’i thotë që urtësinë e fshehur në materie dhe të fshehtën e krijimit ta tregojë në mënyrë të butë dhe me një stil bindës. Të përpiqet për t’ua ngopur mendjet dhe zemrat pa ua prekur ndjenjat.

Profetët nuk i kanë pëlqyer aspak demagogjinë, dialektikën dhe stilin filozofik. Në se dje apo sot i janë drejtuar demagogjisë disa kokëtrashë, me këtë rrugë askujt nuk ka qenë e mundur t’i tregohet diçka. Edhe Providenca Hyjnore nuk ka dashur t’i preokupojë profetët me të tilla gjëra boshe. Detyra e tyre ka qenë kumtimi dhe përhapja e çështjeve fetare me urtësi dhe këshillë të mirë.

Njeriu nuk është identitet i vetëm një koke dhe mendjeje; ai ka edhe një zemër, një shpirt, ka enigmën e tij dhe të gjitha këto kërkojnë e presin të kënaqen. Ja, pra, profetët, duke i trajtuar njerëzit në të gjitha këto aspekte e duke u kumtuar mesazhet e tyre profetike, i bindin dhe i kënaqin ata në të gjitha aspektet e individualitetit të tyre. Dhe rezultati i një kumtese të realizuar pa lënë mangët asnjë prej specifikave njerëzore, është afrimi i lëkundjeve te ideja e unitetit e asgjësuar në besimin e bashkëbiseduesit, gjë që është vetë qëllimi i krijimit të njeriut.

Te të përgatiturit në rrethin e mësimit të profetëve del në pah një fakt tjetër. Në praninë e tyre, krahas syve që shohin këtë botë, hapen edhe kapakët e syve të zemrës dhe çështjet e papërceptuara e të panjohura për dikë tjetër, për ta bëhen të qarta më në fund. Sikur e gjithë bota tjetër të fryhet e të derdhet me lëkundje e dyshime, këta njerëz s’bëjnë gjë tjetër veç të kalojnë duke hedhur sytë me një vështrim ironik. Sepse në hojet e intuitës së krijuar në ndërgjegjet e tyre nuk mund të hyjë e të vendoset asnjë mizë dyshimi…

Njëshin që njohin ata, Allahu ua bën një mijë, njohurive u jep bereqet dhe ua mëson ato që s’dinë. Erërat frymëzonjëse që vijnë nga qiejt, i shndërrojnë pothuaj në qiell zemrat e tyre dhe ata, duke i zbatuar shkronjë për shkronjë ato që dinë, gjejnë pegasin që quhet “fjala e bukur” dhe lartësohen lart pa pra.

Madje midis tyre përgatiten të tillë si Hz. Aliu që thotë: “Edhe sikur perdja e së fshehtës të hapet, faktet që shoh nuk do të ndriçohen më shumë!” Me fjalë të tjera, kërkon të thotë se edhe sikur të hiqet perdja e së padukshmes dhe, si rezultat, të shohë çdo gjë që i duhet të shohë, prapëseprapë nuk mendon se do të arrijë një horizont besimi më të largët se ai i sotmi, sepse ajo çka di ai, është e tillë që e vendos atë pikë-risht në fokusin e besimit për të panjohurën. Kjo fjalë në gojën e një njeriu si Hz. Aliu, është një fjalë e thënë në nivelin e “falenderimit për të mirën”. I Dërguari i Allahut e ka shpallur atë, me miratimin e Zotit, si atin e prijësve gjer në Kiamet. E pati sjellë atë në qelizën e tij të lumturisë, e pati martuar me Hz. Fatimenë, me atë lulen e bahçes profetike, dhe nga ajo martesë e lumtur patën ardhur në botë dy bukuri, Hz. Hasani dhe Hz. Hyseni. Në mënyrë të veçantë, të gjithë prijësit dhe majat ndërmjet tyre gjithë prej këtij burimi patën shpërthyer…

Po, ashtu siç qe Hz. Aliu, edhe pothuaj çdo hallkë e zinxhirit të artë të lidhur pas tij qenë bërë heronj përfaqësues të kësaj vetëdijeje.

Kjo vetëdijë zhvillohet tek ata që kanë rrokur enigmën e favorit si rezultat i besimit, të cilët, duke qenë ende në këtë botë, meritojnë komunikimin “…ta hoqëm perden dhe ti tashmë sheh shumë prehtë!” (Kurani, 50/22). Sapo që kjo gjendje e cila në terminologjinë perëndimore quhet “intuitë”, fillon të veprojë në ndërgjegjen e njeriut, bota e jashtme hesht dhe vetveten e mbështjellin tingujt zhurmërues të parandjenjave të brendshme duke kaluar, kështu, në një situatë shpirtërore disaplanëshe, sepse Mbreti i ndjenjave intuitive është ulur në fronin e tyre. E, atëherë, pse duhet kërkuar Ai jashtë?

Ja, pra, Profeti që i lartëson nxënësit e vet në një ndiesi dhe mendim të tillë, në metodë ka marrë për parim gjithmonë këshillën e mirë në kuptimin e plotë e të përgjithshëm të saj, po ashtu edhe ndërtesën e orientimit mbi këtë themel e ka ngritur.

Specifikat për të cilat u përpoqëm të flasim në këtë kapitull, ajeti i mëposhtëm i shpreh me stilin më konçiz e më të mrekullueshëm:

“Ju dërguam një Përfaqësues nga mesi juaj që t’ju lexojë ajetet tona, t’ju pastrojë, t’ju sjellë librin e urtësitë e t’ju mësojë ato që s’i dini.” (Bakara: 151).

Pasi kemi parashtruar dhe ilustruar nisur nga raste të ndryshme ndjeshmërinë dhe metodën e Profetit të të Dy Botëve lidhur me tematikën në fjalë, e shohim të tepërt të shtojmë diçka tjetër. Megjithatë, po qe se do të bënim një përmbledhje me dy-tri fjali, do të mund të thoshim kështu: Ai gjithmonë i fliste bashkëbiseduesit me një mënyrë dhe metodë brenda kuadrit të urtësisë, të pastër nga mangësitë dhe tepritë, të tillë që do t’ia ngopte mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen, në përputh-je me gjendjen dhe nivelin e tij. Për rrjedhojë, në përgjithësi, ata që ndaheshin prej tij pasi e kishin dëgjuar, ndaheshin të tillë që kishin fituar besim e siguri. Në se ka ndodhur që të ketë raste si ai i Velid b. Mugires dhe Utbe b. Rebiait që, megjithëse e kanë pranuar se thëniet e Hz. Muhamedit janë të vërteta, nuk kanë shpëtuar dot nga të qenit robër të krenarisë dhe mendjemadhësisë bashkë me ata që janë bërë kurban i frikës nga e reja dhe, për pasojë, kanë mbetur në herezi, pra, në se ka pasur raste të tilla, këto janë mangësi që u përkasin plotësisht subjekteve në pozitën e receptorit. Disa herë ka pasur edhe raste si poeti Asha që, megjithëse e kanë pranuar çdo gjë, kanë kërkuar kohë për shkak se nuk kanë mundur t’i braktisin veset e tyre; në se këta kanë vdekur para se të hynin në rrugë të drejtë, kjo duhet të shpjegohet me faktin që kaderi dhe kadaja përkatëse e tyre ka hyrë në veprim që më parë. Në asnjërin nga këto raste nuk ekziston ndonjë mangësi dhe e metë që t’i reflektohet të Dërguarit të Allahut dhe nuk mund të ekzistojë, madje!

Veçoritë e profetëve 3- Principialitet

profeti-muhamed-30.jpg

Principialitet do të thotë që çdo gjë që bën, ta bësh për Allahun dhe, gjithashtu, çdo gjë që nuk bën, për hir të Allahut të mos e bësh. Profetët janë personalitete të përgatitur pikërisht me një principialitet të tillë që në krye të herës. Ç’është e vërteta, njeriu me përpjekje mund të arrijë në principialitet në një pikë të caktuar, por ç’e do se pika ku mund të arrijnë njerëzit e zakonshëm është vetëm një fillim për profetët. Ata janë bërë pothuajse vetë esenca e principialitetit. Këtë specifikë Kur’ani e shtjellon kështu duke e personifikuar te disa profetë: “Përmendju në libër edhe Musanë! Ai ishte një i dërguar dhe profet i zgjedhur.” (Merjem: 51).

Po ashtu edhe për Hz. Jusufin: “Vërtet ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur!” (Jusuf: 24).

Kurse për personalitetin e të Dërguarit të Allahut i flet kështu ummetit, bashkësisë së tij: “Pa dyshim që Ne ta zbritëm librin për hir të së vërtetës, prandaj ti adhuroje sinqerisht Allahun!” (Zumer: 2)

Dhe në një vend tjetër Allahu e porosit kështu të flasë të dashurin e Tij: “Thuaj: Unë e adhuroj Allahun sinqerisht duke ia dedikuar fenë vetëm Atij!” (Zumer: 14).

Shkaku i adhurimit është urdhri i Allahut dhe rezultati, pëlqimi dhe miratimi i Tij; kurse frytet dhe përfitimi janë ato që do të japë Zoti në jetën tjetër. Adhurimi e përfshin në vetvete tërë një jetë dhe e bën veten të ndihet si një vetëdijë e konceptim në të gjitha sjelljet e besimtarit.

Mendimtari i madh i shekullit tonë, duke thënë “Punoni për Allahun, filloni për Allahun, përpiquni për Allahun dhe veproni brenda kuadrit të pëlqimit dhe të miratimit të Tij!”, edhe bën përkufizimin e principialitetit, edhe flet për rëndësinë e tij.

Principialiteti është emërtimi i të qenit i drejtë e i orientuar për njeriun. Në jetën e një njeriu të tillë nuk ka zigzage. Diagrama e zhvillimit të tij shpirtëror është gjithmonë në ngjitje. Eshtë për këtë që njerëz të tillë kanë mundur ta ruajnë thjeshtësinë e ditëve të para edhe pasi janë ngjitur në maja. Mirëpo ç’e do që ata janë aq shumë pak!

Në historinë e njerëzimit është vetëm një njeri që ka arritur në këtë majë dhe ai është i Dërguari i Allahut. E si të mos jetë kur midis ditës së parë kur nisi të bëjë të njohur kauzën e tij dhe ditës kur u triumfua Meka, në sjelljet e tij përsa i përket thjeshtësisë nuk pati treguar edhe ndryshimin më të vogël?

Meka qe marrë me paqe. Në se pati nja-dy ngjarje të veçuara, përfshirja e tyre në të përgjithshmen nuk është e drejtë. Duke hyrë në atë vend të bekuar nga ku ishte nxjerrë vite më parë, Profeti i të Dy Botëve nuk hynte me pamjen e një komandanti triumfator. I hipur mbi kalë, e mbante kokën aq ulur, sa ajo kokë e bekuar pothuaj do t’i prekte në jelet e kafshës.

Ai nuk e pati ndryshuar sjelljen dhe qëndrimin as gjatë periudhës kur pati ndejtur në Medine. Sahabet, pasuesit e tij, ngriheshin në këmbë kur hynte ai. Dhe ashtu është, duhet të ngriheshin! Madje edhe të vdekurit duhet të ngriheshin nga varret e t’i shprehnin respektin e tyre! Ai e meritonte me të tepërt një respekt të tillë. Kurse ai ndjehej seriozisht i shqetësuar nga ngritja në këmbë e pasuesve dhe çdo herë u thoshte: “Mos u ngrini në këmbë si fëmijët ndaj të mëdhenjve” dhe i qortonte.

Po, ashtu si ta fillonte ai një detyrë të shenjtë, ashtu edhe e mbaronte. Jeta e tij pati kaluar pothuajse si në një harmoni melodike. E mbaronte punën në po atë perde ku e pati filluar dhe kjo do të thoshte një sukses i madh. Madje, në një aspekt, ai e pati filluar këtë melodi hyjnore në “lento” dhe, në përfundim, pati kaluar në “fortissimo” duke gjëmuar qiej e tokë!

Gjatë gjithë jetës ai adhuroi vetëm Allahun duke ia dedikuar Atij fenë, ndiesitë ia mbushën zemrën e dolën nga shtrati me afërsinë e ndjerë për Të, syri i kërkoi në çdo vend veprën e Tij, gjithë ndjenjat i valuan e u derdhën me kënaqësinë shpirtërore të buruar prej Tij! Ai pati hapur sytë te e vërteta, pati hapur velat drejt së vërtetës dhe qe sjellë kudo duke thënë gjithmonë “Allah!” me një oreks që s’dinte të ngopej. Sepse ai ishte njeri i principialitetit!

Edhe vetëdija e favorit tek ai përbënte një dimension të veçantë. Sepse favori brenda përkufizimit të tij personalisht ishte kryerja e adhurimit sikur ta shihje Allahun. Po qe se çështjen do ta shpjegonim figurativisht, do të thoshim se, ndërsa të tjerët faleshin duke u kthyer nga Qabeja, ai e falte namazin brenda në Qabe!

scroll to top