Hatixhja(r.a.) vinte nga një familje fisnike

lule.jpg

Kur arriti moshën madhore, Hatixhja ishte një kandidate për bashkëshorte, me të cilën shumë burra të rinj e fisnikë donin të martoheshin. Në të vërtetë, kush nuk donte të martohej me një grua si ajo? Sa i përket prejardhjes, ajo vinte nga një familje fisnike dhe me pushtet; sa i përket pozitës shoqërore, ajo i përkiste një familjeje të respektuar dhe për së mbari. Ajo ishte gjithashtu e afrueshme dhe inteligjente, dhe sjellja e saj tregonte maturi dhe ekuilibër. Bashkëshorti i saj i parë ishte Ebu Hala Hind ibn Zara. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër Ebu Hala vdiq duke i lënë Hatixhes një pasuri shumë të madhe. Nga martesa e tyre lindën 2 djem të quajtur Hind dhe Hala.

Hindi qëndroi pranë nënës së tij gjatë gjithë kohës, edhe kur ajo u martua me Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të. Kështu që ai do të edukohej nën mbikëqyrjen e Profetit Muhamed dhe do t’i jepej titulli “Rabibu Resulullah”, “i edukuar nga Profeti”.

Hindi mori pjesë në krah të Profetit në luftën e Bedrit dhe të Uhudit. Pas vdekjes së Profetit, ai ishte gjithashtu në radhët e ushtrisë së Kalifit të katërt, Ali ibn Ebu Talib, në Betejën e Xhemelit ku edhe ra shehid në përpjekjen për të vendosur drejtësinë.

Hindi, i cili jetoi një jetë të pashembullt në çdo aspekt, ruajti dhe transmetoi kujtime të çmuara. Ai u kujtoi dhe përshkroi në detaje pamjen fizike të Profetit, moralin e tij shembullor dhe kujdesin e tij ndaj Hasanit, djalit të Fatimes, kur Hasani donte të dëgjonte për gjyshin e tij, Profetin Muhamed. Në fakt, si përpara edhe pas vdekjes së Profetit paqja qoftë mbi Të, përderisa Hindi jetoi me të, ai nuk kishte vështirësi ta përshkruante Profetin, ndërsa njerëzit e tjerë e kishin të pamundur ta shihnin drejt në sy Profetin për shkak të madhështisë dhe bukurisë së tij.

Pas vdekjes së Ebu Halas, Hatixhja u martua me Atik ibn Aidhin nga fisi Beni Mahzum. Megjithëse, edhe kjo martesë, ishte e destinuar të mos zgjaste shumë. Atik ibn Aidh vdiq pak kohë më pas, duke lënë një vajzë të quajtur Hind.

Hindi, e cila iu la në kujdes Hatixhes, qëndroi me nënën e saj deri sa arriti moshën madhore dhe u martua me Safij ibn Umejen nga fisi Beni Mahzum. Nga kjo martesë Hatixhja pati një nip të quajtur Muhamed. Prej këtu e tutje, Muhamedi, i biri i Hindit dhe pasardhësit e tij, do të kujtoheshin si “bijtë e Tahiras” – bijtë e të dëlirës.

Motra e Shtëpisë së Shenjtë

old-kaba.png

Shtëpia e gjyshit të Hatixhes, Esed ibn Abdul Uza, ndodhej afërsisht 3 metra në anën perëndimore të Qabesë, Shtëpisë së Shenjtë. Kur dielli ngrihej në agim, shtëpia e tij ishte nën hijen e Shtëpisë së Shenjtë dhe kur dielli binte në perëndim, Shtëpia e Shenjtë ishte nën hijen e shtëpisë së tij. Për shkak të kësaj afërsie, kjo shtëpi u quajt si “Motra e Shtëpisë së Shenjtë”.

Në fakt një degë e një peme nga kopshti i kësaj shtëpie shtrihej drejt Shtëpisë së Shenjtë dhe pelegrinët pengoheshin prej saj gjatë tavafit. Omeri, më vonë, e preu pemën dhe dha si kompensim një lopë. Ai gjithashtu gjeti një zgjidhje përfundimtare për problemin duke paguar për truallin dhe duke e përfshirë atë në Haram, Zonën e Shenjtë.

Përpara martesës së saj me Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të, Hatixhja ishte vendosur në lagjen Azhjad, një vend i njohur gjithashtu si “Mali Kështjellë”. Më vonë, ajo do t’ia jepte këtë shtëpi si dhuratë vajzës së saj, Zejnebes, kur ajo u martua me Ebu Asin. Ndërsa Umame, e cila do të bëhej bashkëshortja e Aliut pas vdekjes së Fatimes, do të lindte pikërisht në këtë shtëpi. Pas emigrimit të Ebu Asit në Medinë, kjo shtëpi do të konfiskohej nga kushërinjtë e saj, dhe ashtu si edhe të gjitha pronat e Muhaxhirëve që mbetën në duart e mekasve, trashëgimisë së saj do t’i vinte fundi.

Pas martesës së saj me Profetin, Hatixhja u zhvendos në një shtëpi të cilën ia blenë Hakim ibn Hizamit, shtëpi kjo ku do të lindnin dhe fëmijët e tyre. Pas emigrimit, kjo shtëpi do të shitej nga djali tjetër i Ebu Talibit, Akili, dhe kështu, shtëpia që dëshmoi zbritjen e shumë ajeteve kuranore dhe në të cilën u thirrën në Islam njerëzit për 13 vjet me radhë, ra në duart e të tjerëve. Në të vërtetë, para emigrimit, kjo shtëpi ishte shndërruar në vendin ku të gjithë njerëzit, jo vetëm myslimanët, vinin shpesh për vizitë. Për shembull, disa nga emrat e rëndësishëm të Mekës si, Ebu Xhehli, Ebu Sufjani dhe Aknas ibn Shariku, vinin deri në afërsi të shtëpisë për të dëgjuar Kuran.

Lajmet e mira

Në kohën kur lindi Hatixhja, Hixhazi gjendej në një periudhë injorance me të gjithë kuptimin e fjalës. Megjithatë, ishte akoma e mundur të gjeje trëndafila midis ferrave, njerëz të cilët ishin të paprekur nga ndyrësia e injorancës. Njerëz si Uaraka ibn Neufeli, Ubejdullah ibn Xhahshi, Kus ibn Saida, Aksam ibn Sejfi, Zuhajr ibn Ebi Sulma, Osman ibn Huvajrithi dhe Zejd ibn Amri ishin disa prej këtij komuniteti të vogël. Ata kërkonin të vërtetën duke u përpjekur të ndiqnin themelet e rrugës së Ibrahimit alejhi selam, me shpresën që të tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve në këtë rrugë dhe këto vlera.

Në fakt, shtëpitë e këtyre njerëzve që kishin arritur shkallët më të larta të dijes së vërtetë ekzistuese në atë kohë, u kthyen në qendra ku thirreshin njerëzit, të cilët ashtu si ata, kërkonin të vërtetën. Herë pas here, ata u jepnin këshilla njerëzve dhe ndonjëherë përdornin forcën e poezisë për të shprehur mesazhet e atëhershme.

Shkurtimisht, Hatixhja ishte një nga personat e rrallë që nuk ishte ndikuar nga prishja dhe ndyrësia e Epokës së Injorancës. Ajo, gjithashtu, mbështetej te Uaraka, i cili ishte jo vetëm një i afërm i saj, por edhe një burim i rëndësishëm dijesh që ia zgjidhte të gjitha problemet që ajo kishte.

Ajo kishte jetuar ngahera një jetë të drejtë. Nderi, dinjiteti dhe mirësjellja e saj ishin virtyte të njohura dhe të diskutuara nga të gjithë. Për këtë arsye e quanin atë “Tahira”, që do të thotë “e Dëlirë”, edhe në ato ditë ku virtytet e larta kishin humbur krejtësisht. Midis grave të Kurejshëve, ajo thirrej “Sejjide”, një term që nënkuptonte respekt dhe do të thoshte “grua e lartë”. Ajo njihej gjithashtu si “Xhejjide”, që i referohej mendjes së saj të mprehtë që i kapte aq shpejt ato situata me kuptim mjaft të thellë.

Qabeja, Shtëpia e Shenjtë, ishte një vend i shenjtë shumë kohë përpara Islamit. Pasi riti i pelegrinazhit ishte ndryshuar dhe përdhosur, njerëzit vinin aty dhe bënin tavaf të zhveshur lakuriq. Ndërsa politeizmi përhapej përgjatë gjithë Arabisë, njerëzit i atribuuan asaj Hyjni duke vendosur në të idhuj, ku secili përfaqësonte një fis. Të kishe në zotësi Shtëpinë e Shenjtë dhe të kujdeseshe për nevojat e pelegrinëve që e vizitonin atë, ishte një shkak krenarie në ato ditë, ashtu siç është edhe në ditët tona. Kjo detyrë e rëndësishme kalonte si trashëgimi nga brezi në brez, prandaj kujdestarët e saj ishin shumë të respektuar. Kusaj ibn Kilabi, i cili gjendej në zinxhirin gjenealogjik të Profetit Muhamed dhe njëkohësisht kushëri i brezit të 4-t i Hatixhes. Ai ishte një nga personat e pakët që ishin liderë në këtë detyrë prestigjioze.

Pra, Hatixhja u rrit dhe u edukua në këtë atmosferë, ku tradita e Ibrahimit alejhi selam mbahej akoma gjallë nga diskutimet me natyrë fetare që vazhdoheshin, ku ajo e përvetësoi të gjithë këtë. Në veçanti Uaraka, gjerësisht i respektuar për virtytet e tij, kishte njohuri të thella për besimet e vjetra hebreje dhe të krishtera. Ai jepte lajme për Profetin që do të vinte. Ai e dinte se çdo Profet që kishte ardhur më parë kishte dhënë sihariqe për Profetin e Fundit. Teurati dhe Inxhili gjithashtu e përmendnin atë disa herë.

Në të vërtetë, kjo ardhje e shumëpritur ishte një temë e preferuar, jo vetëm për Uarakan, por edhe për të gjithë Hixhazin dhe gadishullin Arabik. Shumica e arabëve dukej se konkurronin ndërmjet veti, sekush të mund të fliste më shumë për të dhe diskutonin përshkrimet dhe cilësitë e tij sikur të prisnin ardhjen e fëmijës së tyre. Ata flisnin rreth ambientit në të cilin ai do të vinte dhe shenjave që do ta paraprinin atë.

Hatixhja, gjithashtu, kishte dëgjuar lajmet e mira dhe ishte në pritje të ardhjes së këtij Profeti me besim të plotë. Të gjitha këto biseda rreth tij kishin jehuar në veshët e saj dhe ajo e kishte ndjerë praninë gjithnjë e më afër të tij si një ëndërr të pakapshme, ndërsa dëgjonte të tregohej për të çdo aspekt, nga shtatlartësia tek zëri i tij, nga virtytet deri tek fisnikëria.

Dijetarët flisnin rreth profetësive të ardhshme të Profetit të Shumëpritur. Kështu shenjat filluan një nga një të vërtetohen. Kudo mund të ndieje hijen e Profetit të Parathënë. Gjithandej, në atë vend dukej se frynte një erë gjithnjë në rritje e përgatitjes së Festës së Shumëpritur.

Një familje fisnike

profeti-muhamed-jeta-familjare.jpg

“Mos u frikëso! Allahu pa dyshim do të të mbrojë ty. Ti je i tillë që ruan lidhjet farefisnore, ndihmon të dobëtit dhe ushqen të varfrit. Ti je gjithmonë mikpritës me mysafirin, ti vazhdimisht kërkon të vërtetën duke iu përkushtuar plotësisht rrugës së drejtë…”

Këto ishin fjalët që Hatixhja i tha bashkëshortit të saj, Muhamed, të Dërguarit të Allahut, në kthimin e Tij në Mekë nga shpella Hira, e cila gjendej në majën e një mali në periferi të Mekës, ku atij i erdhën fjalët e para të Shpalljes Hyjnore përmes Kryeengjëllit Xhebrail. Ai kishte nxituar për tek bashkëshortja e tij e dashur për të gjetur ngushëllim pas eksperiencës tronditëse të takimit të parë me Engjëllin e Shpalljes.

Pra, kush ishte Hatixhja, e cila mundi të tregonte një forcë kaq bindëse pa hezitimin më të vogël, menjëherë pas dëgjimit të lajmit? Kush ishte kjo grua që e mbështeti dhe i dha siguri Profetit kur ai shkoi tek ajo, duke i kujtuar atij veprat e kaluara si një konfirmim që eksperienca e pazakontë ishte me të vërtetë nga Allahu, duke i sugjeruar më pas të kërkonin këshillë nga dijetari Uaraka ibn Neufel, në mënyrë që ai të vërtetonte ato që ajo i kishte thënë? Cilat ishin burimet e saj të ushqimit shpirtëror dhe këshillës, dhe cilat ishin ato virtyte që fitoi ajo përmes vendosmërisë së saj?

E nderuara Hatixhe, Allahu qoftë i kënaqur me të, lindi rreth vitit 555 e.s., 15 vjet përpara se mbreti i Jemenit, Ebreheja dhe ushtria e tij të sulmonin Qabenë, një ngjarje e përdorur si pikë referimi në historinë arabe. Babai i saj ishte Huvejlid ibn Esedi ndërsa nëna Fatime bint Zejda.

Huvejlidi ishte ndër anëtarët më të nderuar të fisit Kurejsh dhe mekasit kërkonin mendimin e tij për çështjet e tyre më të rëndësishme. Së bashku me gjyshin e Profetit, Abdulmutalibin, ai ishte një nga anëtarët e delegacionit të nisur për të parandaluar një rrezik që do të vinte nga Jemeni.

Ajo gjithashtu kishte një linjë të përbashkët prejardhjeje me Muhamedin paqja qoftë mbi Të: Kusaj ibn Kilabi ishte ai që lidhte familjet e tyre 5 gjenerata më parë. Po ashtu nga ana e nënës së saj, Fatimes, kishte një lidhje të ngjashme me familjen e Muhamedit me anë të paraardhësve të saj, Luajit dhe Abdul Menafit.

Në të njëjtën kohë, rrethi më i afërt familjar i Hatixhes luajti një rol me rëndësi të madhe në përgatitjen e saj për ditët që do të vinin. Ia vlen të përshkruajmë shkurtimisht këtu personat më të afërt të saj për të kuptuar ambientin nga rridhte ajo.

* Xhaxhai i saj, Amr ibn Esed, i cili mori përsipër detyrën e babait të saj pas vdekjes së këtij të fundit në luftën e Fixharit, ishte një nga liderët e Mekës.

* Motra e saj, Hala, u martua me Rebi ibn Abduluzan dhe ata patën një fëmijë, Ebu Asin, i cili u njoh më vonë si “i besueshmi”. Pasi mori miratimin e Profetit, Hatixhja e martoi vajzën e tyre Zejneben me këtë nip të saj, të njohur për ndershmërinë e tij.

* Hakim ibn Hizami ishte nipi tjetër i Hatixhes. Hakimi, i njohur si fëmija i parë i lindur në Qabe, ishte një mbështetës i fuqishëm i tezes së tij në punët e saj të tregtisë. Ai lindi 3 vjet përpara vitit të Elefantit dhe ishte në të njëjtën kohë një nga shokët më të afërt të Muhamedit para profetësisë. Ai kishte marrë përsipër detyrën të ndihmonte pelegrinët që vinin në Mekë; këtë detyrë ai e trashëgonte nga stërgjyshi i tij, Kusaji.

Ishte ai që bleu Zejdin, i cili do të bëhej një nga ndihmësit më të mëdhenj të Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të në ditët e para të përhapjes së Islamit, nga Panairi i Ukazit dhe ia dhuroi atë Hatixhes. (Profeti e liroi Zejdin dhe e bëri ndihmësin e tij.) Hakimi gjithashtu bëri sakrifica të mëdha për të ndihmuar bashkësinë myslimane për sigurimin e të ardhurave gjatë viteve të bojkotit.

Pas betejës së Hunejnit ndërmjet besimtarëve dhe politeistëve Kurejshë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të i dha Hakimit 100 deve nga plaçka e luftës, sepse ai dëshironte të fitonte zemrën e këtij njeriu me vlerë. Vite më vonë, kur Hakimi u bë mysliman, pasi Meka ishte çliruar, Profeti e uroi atë duke i thënë: “Pa dyshim, kur ti u bëre mysliman, more me vete shumë të mira”, duke iu referuar bamirësive të mëparshme të tij.

Dar’un Nedva (Shtëpia e Nedvës) ishte një vend pritjeje ku merreshin vendime të rëndësishme. Kjo i ishte lënë si trashëgim Hakimit dhe ai ia shiti atë Muavijes, duke dhuruar të gjitha përfitimet në rrugën e Allahut. Ai vdiq 54 vjet pas Hixhretit (emigrimi i Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të dhe shokëve të tij në qytetin e Medinës në vitin 622 (e.s.).

Hakimi ishte tregtar. Kur u çlirua Meka, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të e përfshiu atë në përshëndetjet e tij dhe deklaroi se ata që kërkonin strehim në shtëpinë e Hakim ibn Hizamit ishin në duar të sigurta. Hakimi tregoi një ndjenjë të pashembullt sakrifice vetjake për të shlyer kohën gjatë së cilës ai nuk kishte pranuar Islamin, megjithëse kishte qenë shumë i afërt; ai dëshironte të kompensonte kohën e harxhuar pa vlerë në jetën e tij të kaluar. Në një rast, ai vendosi të shkonte për Haxh dhe përpara se të nisej, dhuroi 100 deve, 1000 dele dhe liroi 100 skllevër. Pasi i bëri një premtim Allahut dhe Profetit në Hunejn, ai kurrë nuk kërkoi asgjë nga askush dhe nuk pranoi madje as gjëra që i takonin me të drejtë nga plaçka e luftës. Ai ndërroi jetë në moshën 120 vjeçare; kishte jetuar për 60 vite në Epokën e Injorancës, para Islamit, dhe 60 vite të tjera si mysliman.

* Uaraka ibn Neufeli ishte kushëriri i Hatixhes, dhe gjatë viteve të rinisë së saj, burimi më i madh i dijes. Ai kishte mësuar mjaft për të lexuar dhe kuptuar Teuratin dhe Inxhilin (Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re) në hebraisht dhe ishte një kërkues i rrugës së vërtetë, sepse për të, ishte e qartë se adhurimi i idhujve ishte absurd. Kërkimi dhe studimi i teksteve të vjetra e çoi atë në gjetjen e informacionit që parashikonte ardhjen e Profetit të Fundit, duke e bërë të qëndronte tërë ankth në pritje.

Ai i kishte treguar kushërirës së tij, Hatixhes, për këtë eksperiencë; ai po e përgatiste atë për ditët që do të vinin. Kjo ishte arsyeja që ajo i besonte atij çdo informacion të ri dhe ai ia interpretonte duke ia shpjeguar në një mënyrë që ajo ta kuptonte.

Në ato ditë poezia ishte një mjet i rëndësishëm komunikimi dhe Uaraka, herë pas here, i shprehte qëllimet e tij me poezi. Një ditë, kur Hatixhja kishte shkuar ta pyeste atë për disa gjëra, vargjet e tij treguan gjëra të mrekullueshme. Megjithëse ai thoshte që e ardhmja ishte e fshehur, ai e dinte se Engjëlli Xhebrail do t’i sillte Shpalljen dikujt të quajtur Ahmed (Kurani i referohet Muhamedit paqja qoftë mbi Të gjithashtu si “Ahmed”, që do të thotë “më i lëvduari”), i cili do të shpallej Profet i dërguar me mesazhin e Allahut dhe detyrën e shpëtimit të njerëzimit.

Vite më vonë, Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të e pyetën për Uaraka ibn Neufelin, i cili kishte studiuar shkrimet e shenjta dhe kishte refuzuar politeizmin e Mekës në epokën paraislame. Hatixhja, që ishte e pranishme, tha: “Nuk ka dyshim se ai të vërtetoi ty, megjithëse vdiq përpara se të deklarohej profetësia.” Më pas, Profeti shtoi: “Unë jam i sigurt që e kam parë atë të veshur me të bardha. Nëse ai do të kishte qenë nga banorët e zjarrit, do ta kisha parë të veshur ndryshe.”

Në një ditë tjetër, pasi dëgjoi dikë që fliste rreth Uarakas, Profeti dha lajme të mira se ai ishte në Xhenet (gjë e cila i ishte shfaqur atij).

Një ditë, Uaraka qëlloi të kalonte pranë Bilalit, një skllav që e besonte Profetin dhe po torturohej mizorisht për t’u detyruar që të braktiste fenë e tij. Duke parë këtë skenë të padurueshme persekutimi dhe torture të Kurejshëve kundrejt Bilalit, ai tha: “Një! Një! Betohem në Allah se nëse ata e vrasin sot atë, do të jetë një mirësi.”

Për shkak të këtyre dhe pohimeve të tjera të bëra nga Profeti për të, disa dijetarë kanë thënë se Uaraka ibn Neufeli ishte një mysliman dhe e kanë numëruar atë midis Sahabëve. Meqenëse ai vdiq menjëherë pas fillimit të ardhjes së Shpalljes, ai shkoi në botën e përtejme pa pasur shansin të ndante me të vuajtjet e jetës dhe të misionit profetik.

* Zubejr ibn Avami, i cili do të njihej më vonë si apostulli i Profetit, ishte një tjetër nga nipat e Hatixhes. Në të njëjtën kohë, nëna e Zubejrit, Safija, ishte halla e Muhamedit (s.a.s.).

Zubejri u bë mysliman kur ishte 12 vjeç dhe emigroi në fillim në Abisini (Etiopia e sotme), dhe më pas në Medine. Zubejri ishte myslimani i parë që përdori shpatën me trimëri në mbrojtje ndaj dhunës së jobesimtarëve. Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të tha se në ditën e Luftës së Bedrit engjëjt po zbrisnin nga qielli në imazhin e Zubejrit. Ai po ashtu tha në Fushatën Kurejdha: “Çdo Profet ka një apostull dhe apostulli im është Zubejri.”

Ai ishte një nga 10 Sahabët e përgëzuar me sihariqin e Xhenetit ndërsa ishin akoma në këtë jetë. Në kohën pas vdekjes së Profetit, ai u bë një lider i bashkësisë myslimane, duke qenë një nga 6 anëtarët e këshillit të formuar prej Omerit, i cili luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Kalifit të ri.

Emrat e Profetit

profeti-muhamed-2.jpeg

Me emrat e Profetit kuptojmë ato emra që janë përdorur për Të. Ebu Bekir ibn Arabi thotë: “Zoti i Madhëruar ka 1000 emra. Dhe Profeti i nderuar ka 1000 emra.” Emri më i përdorur i Profetit është Muhamed. Ka pasur dijetarë që kanë gjetur deri në 500 emra të Profetit. Rreth kësaj teme ka shkruar edhe Sujuti në librin e tij “el Behixhetu’s Senijje”.

Hazreti Xhubejr b. Mut’im transmeton një hadith rreth kësaj teme: Profeti ka thënë: “Unë kam emrat e mi: Jam Muhamedi, Ahmedi, el Mahi (shkatërruesi) me të cilin Zoti do të shkatërrojë mosbesimin. Unë jam Hashir (mbledhës, njerëzit do tubohen pas meje). Jam Akib (i fundit), nuk do ketë profet tjetër pas meje.”[1] Në hadith Profeti thotë se ka emrat e tij, por përmend vetëm pesë syresh.

Në një hadith tjetër transmetohet: “Unë jam Muhamedi, Ahmedi, Nebiju’r Rahme, jam Nebiju’t Tevbe, jam Mukaffi, Hashir, jam Nebiju’l Melahim.”[2]

Emrin Muhamed ia ka ngjitur gjyshi i Tij, Abdulmutalib. Kur e kanë pyetur përse i ka vënë atë emër, është përgjigjur: “Kisha dëshirë që banorët e qiellit dhe ata të tokës ta nderojnë, falënderojnë dhe respektojnë.”

Emri Muhamed përmendet katër herë në Kuran[3], ndërsa emri Ahmed përmendet vetëm një herë në suren Saf, kur tregohet historia e Isait (a.s.).

Muhamed rrjedh nga fjala hamd-lëvdim. Emri Muhamed tregon shkallën sipërore. Pra do të thotë i lavdëruar shumë. Ashtu siç përdoret në kuptimin e të lavdëruarit shumë, mund të përdoret dhe në kuptimin e mbledhësit të cilësive të dëshiruara e të pëlqyera.

Ndërsa emri Ahmed vjen në kuptimin e atij që falënderon më shumë mes falënderuesve. Arsyeja e mbajtjes së këtij emri shpjegohet kështu: Zoti i madhëruar do t’i dhurojë Profetit tonë nga Makami Mahmud falënderime, lëvdata të tilla, saqë askujt më parë nuk i është bërë një dhuratë e tillë mirësie. Resulullahu me këto falënderime që i përkasin Atij, do ta lëvdojë dhe falënderojë Zotin.

Autori i veprës monumentale “Shifa-i sherif”, Kadi Ijad, shprehet kështu: Para se profeti të quhej Muhamed, quhej Ahmed. Sepse në librat tjerë hyjnorë (Teurat, Ungjill) njihet me emrin Ahmed. Ndërsa në Kuran ai paraqitet me emrin Muhamed. Ajo që dua të theksoj është se Ai e ka lavdëruar Zotin e Tij para se ta bënin këtë të tjerët. Ai do ta falënderojë Zotin e Tij dhe në ahiret Zoti do të pranojë shefaatin e Tij dhe Ai do ta falënderojë përsëri për këtë. Ai u lartësua me dhurata si surja e falënderimit (Fatiha), Livau’l hamd dhe Makami Mahmud. Atij iu urdhërua të falënderonte pas veprave të ndryshme. U quajt ummeti Hammadun dhe tek Ai janë mbledhur të gjitha kuptimet e fjalës falënderim.[4]

Emri El Mahi do të thotë shkatërrues, zhdukës, rrënues. Përdoret në kuptimin e atij që do të zhdukë mosbesimin (kufrin) dhe në zhdukjen e gjërave të këqija të atyre që i binden.

El Hashir do të thotë mbledhës, tubues në një vend të vetëm. Në ditën e kiametit, fillimisht do të ringjallet Profeti, pastaj njerëzit. Si Profeti i umetit më të madh, do të ketë një vend të mbrojtur në ahiret dhe do të tërheqë njerëzit pranë Tij si një dorë ndihmese.

El Akib do të thotë i fundit. Do të thotë se nuk do ketë profetë të tjerë pas Tij. Për të provuar profetësinë e Tij, si i fundit, ka argumente të qarta, si në Kuran, ashtu dhe në hadithe.

Megjithëse Profeti ka pasur edhe emra të tjerë, Ibn Haxheri e shpjegon kështu kufizimin vetëm me pesë emra: “Unë kam pesë emra të veçantë, të cilët nuk i ka pasur askush nga të mëdhenjtë apo të shquarit e fiseve të vjetra.”

Përveç tyre mund të japim dhe këto emra: Rauf, Rahim, Mubeshshir, Nedhir, Mubejjin, Dai ila’llah, Siraxhul Munir, Mudhekkir, Rahmet, Nimet, Hadi, Shehid, Emin, Muzzemil, Muddeththir, Muhtar, Mustafa, Shefi’, Musheffa’, Sadik, Masduk, Jasin, Fatih, Hatim, Tâhâ, e të tjerë.

Muhamed Damegani në librin “Sheukul Arus ue Unsu’n Nufus” na transmeton nga Ka’bu’l Ahbari: Emrat e Profetit tonë janë Abdulkerim tek banorët e xhenetit, Abdulmexhid tek banorët e Arshit, Abdulhamid tek melekët e tjerë, Abdulvahhab tek profetët, Abdulkahhar tek djajtë, Abdurrahim tek xhindët, Abdulhalik tek malet, Abdulkadir te tokën, Abdulmuhejmin te detet, Abdulkuddus te peshqit, Abdulgijath te insektet, Abdulbaki te kafshët e egra, Abdusselam te kafshët mishngrënëse, Abdulmu’min te gjallesat me katër këmbë, Abdulgaffar te zogjtë, Muz Muz në Teurat, Tab Tab në Ungjill, Akib në suhufe, Faruk në Zebur, Tâhâ dhe Jasin për Zotin, Muhamed për besimtarët. Identifikohet si Ebul Kasim për arsye se do të bëjë ndarjen e xhenetit në pjesë për banorët e xhenetit.”[5]


[1] Muvatta,2 /1004; Tirmidhiu, 5/135; Ahmed b. Hanbel, 4/ 80, 84
[2] Muslimi, 4/1828; Ibn Hibban, Sahih, 14/220
[3] Ali- Imran,3/ 144, Ahzab, 33/ 40, Muhammed, 47/2, Fet’h, 48/29
[4] Kadi Ijad, Shifa, 36815
[5] Mevahibul- Ledunijje, 1/ 373

 

scroll to top