Atributet e Profetit Tonë nga pikëpamja e krijimit

Masjid_Nabawi_25.jpg

Nëse shohim atributet e bukura të Zotërisë së gjithësisë nga aspekti i krijimit, Ai zotëron atributet më të bukura. Përsa i përket bukurive, tek Ai janë mbledhur të gjitha mirësitë. Madje Imam Kurtubiu thotë: “Disa nga cilësitë e bukura të Profetit tonë ishin të dukshme, mund të shiheshin. Po të mund të shiheshin të gjitha, atëherë sahabet nuk do kishin pasur fuqi ta përballonin atë bukuri.”

Janë transmetuar hadithe të shumta rreth kësaj teme nga sahabet e nderuar. Nga këta mund të përmendim disa prej tyre si: Hz. Aliu (r.a.), Bera ibn Adhib (r.a.), Hz. Aishja (r.a.), Ebu Xhuhajfe (r.a.), Xhabir bin Semura (r.a.), Umu Ma’bed (r.a.), Ibn Abas (r.a.), Muarri bin Muajkib (r.a.), Ebu Tufejl (r.a.), Ada ibn Halid (r.a.), Hurejm bin Fatek (r.a.), Hakim ibn Hizam (r.a.). Edhe sahabe të tjerë kanë shpjeguar atributet e larta të Profetit tonë. Ne po japim një hadith të transmetuar nga Hz. Aliu (r.a.):

Kur e pyesnin Hz. Aliun për t’i përshkruar cilësitë dhe veçoritë e më të bukurit të të bukurve, Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!, ai thoshte:

“Profeti ynë nuk ishte as i gjatë, e as i shkurtër. Kishte trup mesatar, që anonte tek të gjatët. Flokët nuk i kishte as të drejtë, e as kaçurrela. Kishte flokë me onde. Fytyra e ndritur nuk ishte as e shëndoshë, as e gjatë, e as dobët. Ishte e rrumbullakët. Lëkura delikate duke filluar nga ngjyra rozë ishte e bardhë e ndritur. Kishte sy të zinj dhe qerpikë të gjatë. Kocka të mëdha dhe shpatulla të gjera. Qimet në trupin e Tij të bekuar fillonin nga pjesa e kraharorit dhe theksoheshin në pjesën poshtë tij. Duart dhe këmbët ishin të mbushura në masën e duhur. Ecte sikur të zbriste nga tatëpjeta me përulësi dhe i sigurt në vendosjen e këmbës në tokë. Kur fliste apo kur donte të shihte diçka, kthehej me gjithë trupin e tij nga ajo anë. Mes dy shpatullave kishte vulën e profetësisë, sepse Ai ishte Profeti i fundit ose vula e vargut profetik. Ai kishte zemrën më të gjerë ndër njerëz. Ai ishte më fjalëdrejti, më gojëmbli, më i duruari, më i ndershmi, më i respektuari, më i sjellshmi, më bujari dhe përsëri Ai ishte më i këndshmi. Çdokush që e sheh për herë të parë, ndjen një lloj ngrohtësie ndaj Tij, hyn në atmosferën e Tij për ta njohur më afër dhe kur arrin ta njohë, dashurohet me Të, lidhet fort pas Tij. Njëri i cili deshi ta përshkruante Profetin, duke pranuar fillimisht paaftësinë e tij për diçka të tillë, shprehej: “Nuk kam parë një si Ai, as para Tij, e as pas Tij, dhe nuk besoj se do të shoh më.”

Të gjitha përshëndetjet dhe mirësitë, të gjitha respektet qofshin për Të dhe për gjithë familjen dhe shokët e Tij, o Zot![1]

Bera ibn Adhib (r.a.) thotë: “Nuk kam parë njeri më të bukur se Resulullahu brenda një veshjeje të kuqe.[2]

Luani i Devsit, Ebu Hurejre (r.a.) tregon: “Nuk kam parë më të bukur se i Dërguari i Allahut. Dukej sikur në fytyrën e Tij lindte dielli. Kur buzëqeshte, shkëlqimi i dhëmbëve ndriçonte dhe muret.”

Kur një sahabe erdhi tek Beraja dhe i tha që: “Fytyra e profetit tonë shndriste si një shpatë”, Bera ia ktheu: “Jo, fytyra e Profetit tonë të vetëm ishte si një diell, si një hënë. Ai kishte një fytyrë të rrumbullakët.[3]

Umu Ma’bed (r.a.) është një nga gratë anëtare të Huzasë. Edhe ajo në një përshkrim të gjatë mbi Profetin, na thotë: “Kur e shikoje nga larg, ishte njeriu më i bukur, kur e shikoje nga afër, ishte më i ëmbli.”

Ndërsa Ebu Hâle, transmeton kështu: “Fytyra e ndritur e Profetit shndriste sikur shndrit hëna e plotë.”

“Lëkura e Profetit mbante një lloj arome të mirë.[4] Bulëzat e djersës i rridhnin poshtë fytyrës si margaritarë. Kishte një lëkurë shumë të butë. Hz. Enesi (r.a.) thotë: “Ngjyra e lëkurës së Profetit ishte si e trëndafilit. Djersët i kishte si copa margaritarësh.[5] As mëndafshi e as atllasi nuk ishte më i butë se lëkura e Tij. As misku nuk mban erë më të mirë se era e trupit të Tij.”[6]

Bera ibn Adhib e përshkruan kështu Profetin: “Qimet në trupin e Resulit të nderuar, Profetit tonë, si ato në kokë, ashtu dhe në mjekër, ishin me onde.

Profeti i nderur kishte trup mesatar.

Kishte një shpinë të gjerë mes shpatullave. Po ashtu dhe një kraharor të gjerë.

Profeti i nderuar kishte flokë të dendur të cilët shtriheshin deri poshtë shpatullave dhe arrinin deri në pjesën e poshtme të veshëve.

Në të vërtetë, ka transmetime të ndryshme rreth flokëve të Profetit të dashur. Sipas një transmetimi, thuhet se flokët i arrinin deri në mes të veshëve, sipas një transmetimi tjetër ia mbulonin veshët, një tjetër transmetim thotë se i arrinin deri mbi supe, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se i mbërrinin deri në shpatulla. Nga këto transmetime kuptohet që Profeti herë i ka zgjatur flokët e herë i ka shkurtuar deri në mes të veshëve.

Imam Nevevi thotë se “hul’le” është një veshje që përbëhet nga dy pjesë. Këto pjesë quhen idhar dhe rida. Ndërsa Ebu Ubejde thotë se është një lloj veshjeje nga e njëjta copë dhe e përbërë nga dy pjesë. Ndërkohë që Imam Shafiu ka lejuar veshjen me ngjyrë të kuqe, Ebu Hanifja e ka vlerësuar si të papëlqyeshme. Ajo që nënkuptohet nga hadithi me veshje të kuqe, është një veshje me pulla të kuqe. Nuk do të thotë të jetë e tërë veshja në të kuqe.

Bera ibn Adhib kur tregon për Profetin, thotë: “Nuk kam parë njeri më të bukur se Profeti ynë. Nëse do të më pyesnin se çfarë nënkupton me shikim, them se nuk kam parë më të bukur se Profetin. Profeti i Allahut ishte më i bukur se të gjitha gjërat e bukura që di dhe që kam parë.”


[1] Tirmidhiu, 5/ 599; Ibn Ebi Shejve, Musannef, 6/328
[2] Buhariu,3/ 1303; Muslimi, 4/ 1818
[3] Buhariu, 3/1304;Tirmidhiu, 5/ 598; Taberani, Muxhemul Kebir, 2/ 224
[4] Buhariu, 3/1306
[5] Muslimi,4/ 1815;Darimi,1/ 44-45; Ahmed b.Hanbel, 1/ 151, 3/228
[6] Ahmed b.Hanbel, 3/222,227, 228; Muslimi, 4/ 1814-1815; Darimi,1 /44-45

 

PROFETI MUHAMED (S.A.S.) ËSHTË NJERIU I DIMENSIONEVE TË VEÇANTA

muhammad-name-wallpaper-8481978.jpg

Ashtu si njeriu i sotëm i mjerë që ka humbur gjithato kritere vlerash, ashtu edhe qëndrimi, vështrimi dhe mendimi i tij për profetët dhe veçanërisht për mbretin e profetëve, Muhamedin  paqja qoftë mbi të! ndodhen në ditët tona në një gjendje krejtësisht të përmbysur. Ndërkaq, është kategorikisht e padrejtë ta vlerësojmë atë me kritere njerëzore sikur të ishte një njeri i zakonshëm.

Madje, kjo nuk është as e mundur. Sepse ai është një njeri i dërguar për ta rishikuar konfiguracionin e tokës dhe për t’i hapur njerëzimit horizonte të reja, duke u pajisur, për këtë qëllim, me një shpirt të posaçëm dhe me aftësi të posaçme, kështu që vlerësimi i tij i kapërcen kriteret tona. Duke u nisur nga kjo, kushdo që do të përpiqet për të treguar për të, le të tregojë sa të dojë; por ashtu siç duhet dhe plotësisht nuk mundet të tregojë! Njëri prej atyre që e kanë kuptuar më mirë atë, është Hasan b. Sabiti që thotë:

Me fjalët e mia Muhamedin nuk e lavdërova;

Fjalëve të mia me të lavdi u përftova..

Sipas kësaj thënieje, ajo çka u rrezaton bukuri fjalëve, është përmendja e bukur e tij midis atyre fjalëve, sepse shprehjet tona nuk kanë asgjë që mund t’i përftojnë atij! Në mënyrë po kaq lakonike janë shprehur mendimtarët e mëdhenj të këtij shekulli edhe për Kuranin.[1]

Të gjitha këto, në një masë, janë rezultat i përjetimit të të njëjtave ndjenja e mendime. Kush arriti të shprehet, frymëzimin nga i njëjti burim e ka marrë dhe të njëjtat gjëra i ka shprehur me të njëjtën formë. Dikush ka zgjeruar dhe qartësuar shprehjen e shkurtër të dikujt, kurse dikush tjetër është shquar për një frymë poetike më të avancuar, megjithatë, të gjithë janë vërtitur rreth po të njëjtit bosht.

Në të njëjtën formë edhe ne jetojmë të veçantën e të qenit umet, bashkësi e Tij, dhe e deklarojmë me zë të lartë harenë tonë gjë që është, në të gjitha aspektet, “e mira, dhuntia e mundësisë për të falënderuar”. Sado që ta falënderojmë dhe lavdërojmë Zotin tonë që na ka bërë kryelartë me të mirën më të madhe dhe na ka bërë umet të Profetit Muhamed paqja qoftë mi të!, është pak. Kjo është një mirësi hyjnore. Mirësinë Ai ia jep kujt të dojë dhe në masën që të dojë. Vetëm se është i gjerë sa nuk mund të matet me asnjë kriter dhe masë nga tonat. Po, ajo që na është dhuruar neve në krahasim me të tjerët, është një oqean mirësish që s’i gjendet bregu…

Ai është njeriu i dimensioneve krejt të veçanta. Ajo çka na takon neve të bëjmë, është zelli për ta akorduar veten në vijën dhe frekuencën e tij. Kur sigurohet kjo, në mes fillojnë biseda të hapura e të shifruara. Urdhrat i jep vetë i Dërguari i Allahut. Drejtimin e merr ai në dorë. Kurse cilësia e xhematit, bashkësisë dhe shoqërisë që do të drejtojë, do të administrojë Ai, është e lartë, në atë nivel sa t’i bëjë engjëjt të dëshiruar dhe të përjashtuar prej çfarëdo shpjegimi e përshkrimi.

Ndoshta disave këto thëniet tona mund të mos u duken objektive. Punë e madhe! Sidomos teksa çdo ditë katër – pesë të rinj fytyrëdritë të kenë marrë shpirtërisht nga i Dërguari i Allahut ca përgëzime! Dhe sidomos pasi disa prej tyre të thonë se kanë hyrë në lidhje me Të fare pa pengesë, drejtpërsëdrejti, madje në botën konkrete!

Ai është vazhdimisht midis nesh me konstitucionin e Tij shpirtëror dhe, sipas disave, me trajtën e Tij materiale të transformuar në dritë. Imam Sujutiu thotë se mbi shtatëdhjetë herë është parë me të Dërguarin e Allahut. Po, ai nuk ka vdekur në atë kuptim siç e themi ne, ai vetëm dimension ka ndryshuar. Do të ishte gabim të mendohej vdekja e tij si vdekja e një njeriu të zakonshëm. Sepse Kur’ani thotë se edhe dëshmorët nuk kanë vdekur, kur dihet se pozita e tyre është dy shkallë më e ulët se pozita e profetëve. E nëse është kështu, si është e mundur të themi për të “vdiq” në kuptimin që i japim ne kësaj fjale? Ne mund të themi vetëm që ai ka kaluar në një dimension tjetër. Është për këtë arsye që e kanë parë njerëzit, ata që zotërojnë aftësinë për të kapur ato dimensione. Këta njerëz e shohin atë personalisht atje…

Ata që shpëtojnë prej errësirës së trupit dhe të të qenit lëndë dhe që arrijnë nivelin jetësor të shpirtit, munden ta jetojnë në të njëjtin çast të shkuarën dhe të ardhmen. Ja, pra, njerëzit e këtij dimensioni që edhe rrinë, në këtë çast, pranë e pranë me ju, edhe ndodhen gju më gju me të Dërguarin e Allahut, katërmbëdhjetë shekuj më parë, në Epokën e Lumtur. Personat prej kastës së njerëzve të Zotit, të cilët thirren “ebdall”, mund të gjenden në të njëjtin çast në disa vende. E pse të mos ndodhet ai, Mbreti i Profetëve, edhe në botën e pastajme, edhe në botën tonë, edhe në praninë tonë, edhe në praninë e profetëve? Ndodhet e do të ndodhet!

Kam për qëllim që të gjitha ç’po them, t’i bëj themel të atyre që do të them këtej e tutje. Kur shohim kah profetët dhe Profeti ynë, merr rëndësi të madhe këndi dhe qëllimi i vështrimit. T’i lëmë mënjanë profetët e mëdhenj; nëse parandjerja dhe njohja e shenjtorëve, e të urtëve dhe e mirëbërësve të mëdhenj kërkon një puritet shpirtëror të posaçëm dhe kthjelltësi ndjesore, si mund të njihen e të kuptohen profetët në klimën mjegullore të natyrës lëndësore? Atëherë, duke u përpjekur për t’i kuptuar ata, do të duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm e të pozicionohemi me të gjithë delikatesën dhe etiketën e mundshme. Ky kujdes duhet të shumëfishohet sidomos në përpjekjet për të njohur personalitetin e Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!. Por ç’e do që, prapëseprapë, çdo njeri do të ndjejë e do të kuptojë për aq sa ia lejon fuqia e shikimit të syrit të zemrës së vet dhe, ndërkaq, askush nuk do të mundet ta konceptojë atë tërësisht me plot kuptimin e fjalës.

Po, Busajriu thotë kështu:

Njerëzit e përgjumur që jetojnë në ëndrra e qetësi,

Si munden ta kuptojnë të vërtetën e Tij?..

  1. [1] “Nuk i zbukurova unë interpretimet e të vërtetave Kuranore, ndoshta të vërtetat e bukura të Kuranit zbukuruan shprehjet e mia”. (Bediuzzaman, Mektubat,370)

 

Profeti i dërguar si mëshirë për botët

profeti-muhamed.jpg
Agimi i Pritur

Një botë sterrë e zezë e mbarsur me dritë… Në horizont, jehona mbu-shur plot sihariqe për kohën e shkurtër të mbetur gjer në shfaqjen e Profetit… Aq i madh është ndikimi i tij nëpër ndërgjegje, sa shumë mekas tregojnë vazhdimisht për Profetin e Fundit që do të vijë. Dhe porosi: “Sapo të shfaqet, vraponi për tek ai dhe bëhuni një me shpirtin e tij!”

Një popull i tërë me shpirtin në të dalë dhe shpresa e çdokujt te shpëtimtari që do të vijë. Nënat dhe baballarët duan që ky shpëtimtar të jetë nga brezi i tyre dhe disa ua vënë emrin Muhamed fëmijëve të porsalindur…

Por ai e kishte të përcaktuar rrugën e tij: do të kalonte nëpër brezin e artë që përçohej nga Hz. Ibrahimi te Ismaili dhe, pastaj, nga Abdylmuttalibi te Abdullahu dhe zemrat prisnin dritën që do të vinte përmes këtij drejtimi.

Ngjarjet që kishin ndodhur e ndodhnin, për ardhjen e tij lajmëronin, kurse dendësimi i errësirës fliste për afrimin e agimit që do ta griste errë-sirën.

Njerëzimi i asaj dite ishte i privuar nga ideali dhe qëllimi që i japin kuptim jetës. E gjithë vepra njerëzore ishte “si ndjekja e një iluzioni optik në shkretëtirë. I eturi e pandeh për ujë atë, por, kur arrin në vend, nuk gjen gjë…” (Nur: 39)

Edhe ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e njerëzve nuk ndryshonin shumë nga kjo. Ato ishin “si errësira e dendur në një det të gjerë ku njerëzimin e kishin mbuluar dallgë mbi dallgë e sipër tyre re aq sa, po të nxirrte dorën jashtë, edhe atë nuk do ta shihte dot!” (Nur: 40)

Emri i asaj periudhe është Injorancë. Por jo një injorancë si antonim i dijes; ajo ishte një injorancë – sinonim i mohimit, herezisë dhe blasfemisë që janë antonime dhe antagonistë të besimit.

Nuk dua që, duke ju ofruar shëmtitë e asaj periudhe në formën e një tablloje sterrë të zezë, të lëshoj, qoftë edhe përkohësisht, një perde të zezë mbi shpirtin tuaj!

Përshkrimet ekuivoke e të pasakta i çorientojnë mendjet dhe, sipas meje, preteksti për këtë është një mëkat. Por e shoh të dobishme që, për të mundur ta përshkruajmë atë periudhë, duhen prekur, qoftë edhe pak, disa prej zakoneve dhe traditave të atyre ditëve dhe vetëm duke bërë shenjë për to gjersa të kuptohet më mirë se Profeti u dërgua si mëshirë për të gjithë botën dhe se ç’favor hyjnor qe dërgimi i kësaj mëshire!

Ardhja e tij është për çdo njeri favori më i madh dhe mirësia më e gjerë e Zotit. Që kjo është kështu, na e thotë vetë Zoti ynë: “Allahu u ka bërë një favor të madh besimtarëve duke u dërguar nga mesi i tyre një profet që t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë (nga të këqijat, nga mëkatet) dhe t’ua mësojë Librin dhe urtësitë” (Al-i Imran: 164).

Vini re bujarinë, ndihmën dhe favorin e Allahut që u dërgon njerëzve për profet njërin nga mesi i tyre, nga origjina e tyre, i cili ndan me ta të njëjtat ndjenja e mendime, i cili është udhëzues e prijës i tyre në rrugën që shkon te e Vërteta, i cili mund të dalë në krye të tyre në se është nevoja për imam, i cili mund të hipë në minber në se është nevoja për hatib, i cili mund të vejë vulën e të presë monedha në se është nevoja për një drejtues shteti, i cili mund t’i komandojë ata në mënyrën më të përkryer se sa komandantët ushtarakë më të shkëlqyer në se është nevoja për t’i komanduar.

Në kristianizëm ka një besim të gabuar. Kristianët bartin një besim të gabuar, sipas të cilit Zoti e sakrifikoi Hz. Isanë, birin e Vet (mos qoftë e thënë!), për të falur mëkatin e parë të njerëzimit. Hz. Isai u gozhdua në kryq dhe kështu u fal mëkati i parë i trashëguar nga njeriu i parë, Ademi, tek secili njeri tjetër që e ka sjellë me vete në mënyrë të bashkëlindur. Ky është i gabuar si besim dhe, sipas disa interpretimeve, në aspektet e dukshme të tij është një deviacion. Megjithatë, ekziston një nënkuptim i drejtë në këtë konsideratë që është dëshira e Zotit për t’ua falur mëkatet njerëzve e për t’i futur në rrugë të drejtë. Dhe ja, për këtë, Zoti e ka dërguar robin e Tij më të dashur, Profetin Muhamed (sav), si profet për t’ua falur mëkatet njerëzve, për të mos i lënë ata të vetëm e pa mbështetje që të hutohen e të humbasin, por që të ngjiten në nivelin e njeriut të vërtetë e të bëhen të përsosur, që ta thellojnë në shpirtra besimin te Allahu e ta ndiejnë për çdo çast Atë dhe, siç thotë Ibrahim Hakiu, ta njohin Zotin e tyre duke e zbuluar në ndiesitë e tyre:

“Nuk më nxënë – tha Zoti – tokë e qiej”;
Në minierën e ndiesive i fshehur u zbulua…

Ndiesitë janë një burim i tillë thesaresh ku Zoti, të cilin nuk e nxënë botët, në çdo çast bën të ndihet prania e Tij si margaritari më i vyer.

Librat, mendjet, mendimet, filozofitë, shprehjet, qielli, toka dhe tërë qenia nuk mund ta përfshijnë Allahun brenda kufijve të tyre dhe asnjërës prej këtyre nuk i mjafton fuqia për ta shprehur Atë. Janë vetëm ndiesitë, është vetëm zemra ajo që, qoftë edhe pjesërisht, mund të bëhet interpretues i Tij. Po, zemra është një gjuhë e tillë që veshët nuk kanë dëgjuar gjer më sot një shprehje aq të shkëlqyer e të qartë sa shprehja e saj!

E në se është kështu, njeriu duhet të përpiqet për të marrë udhë në zemrën e vet, për ta kërkuar pikërisht te ajo atë që kërkon dhe, duke arritur te Zoti, për të përfunduar tek Ai! Prandaj edhe e dërgoi Zoti mes nesh Profetin Muhamed (sav)!

Po, pati ardhur ai mes njerëzve për t’u lexuar atyre ajetet e Allahut, për t’u shpalosur atyre pjesë-pjesë mrekullitë e Tij dhe për t’i mësuar njeriut vlerën e vet. Sigurisht, në saje të tij njerëzimi, duke u pastruar nga fëlliqë-sitë e natyrës, do të purifikohej, duke shpëtuar nga vulgaritetet trupore, do të lartësohej në nivelin e formës së jetës së zemrës e të shpirtit dhe u lartësua… Sigurisht, ai do t’u mësonte dhe praktikonte njerëzve Librin dhe urtësitë, kurse njerëzit, duke gjetur veten në botën dritësore të Librit dhe urtësive, do të zgjoheshin në përjetësi dhe do të hynin në rrugën e përjetësimit, gjë që, në përfundim, ashtu ngjau…

Për ne ka ditë shumë të rëndësishme, prodhimtare e të mbushura plot begati. Disa nga këto konsiderohen edhe festa të besimtarëve. Këtë gëzim feste të përjetuar çdo javë ditën e xhuma (të premte), e përjetojmë në një dimension më të madh në festat e bajrameve të Ramazanit e të Kurbanit. Bajrami i Kurbanit është dita kur Hz. Ibrahimi bëri një sakrificë konkrete, ndërsa për muslimanët, dita kur, me plot sinqeritet, kërkojnë rrugë për faljen e mëkateve të tyre dhe, kushtuar këtij qëllimi, një pjesë shkojnë e vizitojnë Shtëpinë e Allahut, qëndrojnë në Arafat dhe luten e përgjërohen me shpirt Muhamedan. Kurse Ramazani është një festë e pasur, e gjatë dhe e begatshme, shprehje e afrimit te Zoti me anë të një muaji agjërimi, shprehje e ndarjes me të tjerët të gëzimit të jetës. Por është edhe një festë tjetër që konsiderohet festa e të gjithë njerëzimit, madje e të gjithë qenies, dita kur i Dërguari i Allahut na nderoi duke denjuar të vijë mes tonë, është Ditëlindja Muhamedane. Me fjalë të tjera, është dita kur Zoti, Dritën që e krijoi në cilësinë e një dielli, e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit. Po, në saje të asaj Drite, të gjitha errësirat e injorancës u grisën dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Dhe kjo është ndihma më e ma-dhe dhe favori më i madh i Zotit për xhindët e për njerëzit!

scroll to top